Sigal

Vlerësimi i francezëve: Enveri një frankofon klas

 Leonard VEIZI

 (Vijon nga numri i kaluar)

Nuk ka qenë agjent i dyfishtë, kjo është një gjë e sigurt tashmë. Megjithatë për shkak të detyrës, vite me radhë i është dashur të bëjë një rol të dyfishtë. Të diplomatit dhe zbuluesit njëkohësisht. Dhe kjo realizohej në Ambasadën Shqiptare të Parisit, vendi që për shumë vite do të ishte koordinatori i marrëdhënieve të shtetit shqiptar me shumë shtete të tjera të botës, në Evropë e përtej Atlantikut. Por duket se ia ka dalë mbanë. Për më tepër kjo evidentohet lehtë, kur në retrospektivën e jetës së tij, ai ndalet në çaste të vështira e të koklavitura, që kërkonin taktin e diplomatit dhe mendjen e mprehtë të zbuluesit. Në rrëfimin e tij ekskluziv për “Telegraf” koloneli në rezervë Hasan Luçi, gjithashtu mbajtës i titullit shkencor “Doktor” ndalet në marrëdhëniet Shqipëri-Francë, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe pjesën të madhe të vendeve që ishin pjesë e Kampit të Lindjes. Një gjë e tillë padyshim përkoi dhe me emërimin e tij si diplomat e zbulues, në ambasadën e Parisit.

-Cila do të ishte puna juaj e parë pas kthimit nga ish-Bashkimi Sovjetik?

Mbasi u ktheva nga studimet, nga Moska, u emërova në Sektorin e Përpunimit të veprimtarisë antishqiptare të Mërgatës Politike Shqiptare (të arratisurve, ish-kriminelë ose jo, emigrantëve ekonomikë që u bashkuan me këtë grup si dhe njerëz të tjerë nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë, që punonin për të përmbysur pushtetin në Shqipëri). Po kështu në detyrat tona hynin mbrojtja e mbarë diasporës shqiptare (kolonive). Ajo duhej mbrojtur nga veprimtaria e armiqve të ndryshëm dhe për të të mbajtur gjallë traditat shqiptare.

-Po detyrat juaj në terren, ku jua caktuan?

-Detyrën në terren, e mora kur shkova si diplomat në Ambasadën Shqiptare në Paris më 1961, Aty isha i detyruar të luaja si çdo zbulues tjetër, qoftë në lindje qoftë në perëndim, rol të dyfishtë si zbulues-diplomat legal (Ministria e Jashtme) dhe si zbulues ilegal (Shërbimi Sekret). Ishin detyra shumë delikate dhe me vështirësi të mëdha për shumë arsye, fillimisht njohja e gjuhës, njohje terreni, mundësi dhe tekniko-financiare dhe politike të ballafaqimit midis dy sistemeve; të botës së lirë dhe ish-kampit socialist. E them këtë pasi ne ishim nën vëzhgimin e vazhdueshëm me mjete dhe mundësi më të avancuara të kohës.

-Ju kishit lindur në Shqipëri, ishit arsimuar në Rusi dhe emëroheni në Paris. Në fakt si ishte perëndimi i viteve ’60 pasi kishit njohur më parë lindjen?

-Për atë kohë, kisha njohur Moskën dhe jetën në Bashkimin Sovjetik, të cilin para se të shkoja e ëndërronim, sepse u rritëm me këngët dhe literaturën ruse veç asaj shqiptare dhe i njohur paraprakisht përmes literaturës. Por nga ballafaqimi me Francën dhe Perëndimin sigurisht u befasova. Megjithatë e kam parë realisht Francën revolucionare, e cila ka bërë emër në botë dhe ende është një vend po revolucionar me mendimet e pavarura dhe rolin parësor që do të luajë ajo, jo vetëm në planin kulturor, por edhe si fuqi e madhe. Natyrisht Franca ka një ndikim të ndjeshëm në shumë rajone të botës, veçanërisht në Ballkan. Vlerësova që në fillim, dhe pastaj gjatë punës, rolin e Francës në një lloj përballje me rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjë që më dha ku të kapesha për të hyrë në bisedime me francezët të shtresave të ndryshme dhe të bëja përzgjedhje për t’i shfrytëzuar në interes të vendit tim në planin e njohjes së Shqipërisë nëpërmjet punës së organizuar nga francezët dhe për ta përdorur Francën si vend me lidhje të shumta në botë, për ta përçuar njohjen e Shqipërisë, si dhe për të kryer të gjitha detyrat e tjera vetëm mbrojtëse pa bërë asnjë provokacion për ndërhyrjen në punët e brendshme të Francës. Ky ishte një qëndrim mjaft i qartë i Partisë dhe Qeverisë shqiptare për të vendosur marrëdhënie dypalëshe normale me Francën si një derë kryesore për të thyer izolimin e Shqipërisë. Dhe në shumë drejtime ambasada jonë në Francë në vitet ’50-’60-’70 ka arritur vërtet ta zgjerojë njohjen e Shqipërisë në Francë dhe më gjerë.

-Cilat ishin marrëdhëniet Shqipëri-Francë në vitet e Luftës së Ftohtë, sidomos në vitin 1961 kur sapo ishim prishur me Bashkimin Sovjetik?

-Franca në vitet ‘60 e dominuar nga kolosi gjeneral De Gol vlerësonte luftën e popullit shqiptar për liri e pavarësi, por ajo bashkohej me Aleancën Atlantike në luftën kundër komunizmit. Megjithatë Franca këmbëngulte në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore me vendin tonë me qëllim që të ndikonte edhe në marrëdhëniet politike. Kështu që marrëdhëniet kulturore patën zhvillim të dyanshëm me boshtin kryesor frankofoninë pasi në atë kohë Shqipëria përdorte kryesisht frëngjishten në forumet ndërkombëtare dhe ata e quanin Enver Hoxhën një frankofon të përkryer pasi fliste bukur frëngjisht, si orator dhe gjeneral i bukur ai la përshtypje shumë të mira në konferencat e shtypit në Konferencën e Paqes për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e Shqipërisë. Për këtë arsye përzgjedhja e diplomatëve që dërgoheshin në Paris qysh nga 1946 që u vendosën marrëdhëniet diplomatike bëhej me shumë kujdes kryesisht për të përçuar drejt dhe me nivel politikën shqiptare në Francë, e cila në tërësi nuk pati përballje negative midis dy vendeve.

Ndërkohë ju keni përvojë dhe në vendet e ulëta si Belgjika e Holanda

Veprimtaria e ambasadës tonë shtrihej në Francë dhe vendet e ulëta si dhe lidhjet me kolonitë shqiptare në SHBA, Australi, Argjentinë, Angli, në vendet Afrikane e Skandinave. Me shtimin e ambasadave u kufizua kjo veprimtari, por përsëri ambasada jonë mbeti qendër kryesore për vetë vendndodhjen e rrugëve të kthimit duke pasur mjaft kontakte jo vetëm me shqiptarët, por edhe me lëvizjet e majta në të gjitha kontinentet, pasi Franca quhet edhe sot vendi ideal i azilit politik, (strehimit të personave që përndiqeshin nga qeverisjet e tyre ose që studionin në Francë) Franca është vend shumë tolerant, por tejet burokratik dhe kontrollues i mërgatave atje, të cilat nëpërmjet miqësisë me Francën arrijnë të përçojnë edhe politikën e saj në një politikë të hollë miqësore dhe të shoqatave të miqësive që ajo ngre me popujt e tjerë. Francezët janë popull që pavarësisht nga përkatësia ideologjike i shërbenin vendit pa diskutim, sepse ata vlerësojnë atdheun si parësor. Prandaj frankët një popull i vogël arritën në krijojnë një perandori.

Zbulimet e huaja, luftë për riorganizimin e Mërgatës

Nga fundi i vitit 1944 dhe gjatë vitit 1945 reaksioni shqiptar priste ndërhyrjen e aleatëve nga jashtë për të ndryshuar gjendjen në Shqipëri, prandaj filluan grupimin e këtij reaksioni ku anglo-amerikanët bënë tentativa për krijim partish pro tyre si brenda vendit tonë si p.sh. opozitën me Gj. Kokoshin e Mirash Ivanaj etj., dhe pas vajtjes së Zogut në Kajro të një “qeverie shqiptare” dhe me Komitetin e Shqipërisë së Lirë më 1949. Në fillim anglo-amerikanët dolën me kartën e Zogut prandaj shumica e kriminelëve shqiptarë mbështetën propagandën zogiste. Me gjithë këtë, atëherë aleatët kishin shumë shpresa në reaksionin e brendshëm shqiptar. Zbulimet armike iu vunë punës, që me mbeturinat e tij jashtë të krijonin një opozitë politike, në fillim pa ia përcaktuar formën organizative të saj, duke vënën në lëvizje krerët kriminelë kryesorë, sidomos ata në Itali, Mit’hat Frashërin, A. Këlcyrën. H. Dostin etj. Mehmet Konica, luante rolin e ndërlidhësit të këtyre krerëve me ambasadat e huaja si atë amerikane, angleze, franceze, turke, greke etj., në Romë. Por atëherë nuk u gjet një rrugëdalje se gjithkush ruante përkatësinë organizative që kishte pasur më parë sidomos ballistët e legalistët (zogistët). Në 1945 në Itali kishte 750 të arratisur, nga të cilët 80 vetë ishin indipendentë (bashkëpunëtorë të fashistëve italianë), 350 ballistë dhe 300 zogistë në kampet, ku i trajtonin anglo – amerikanët, të tjerët ishin në Greqi, Turqi, Austri, Gjermani Perëndimore etj. Pas fitores së popullit tonë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945, revolucioni popullor në Shqipëri u thellua, por pushteti popullor ndeshi në qëndresën e egër të reaksionit shqiptar, të brendshëm e të jashtëm, megjithëse ky reaksion pësoi disfatën e madhe të njohur. Kështu armiqtë kaluan në një fazë të re në luftën kundër Shqipërisë socialiste, sipas një plani të ri, i cili anonte rigrupimin dhe organizimin e të gjitha mbeturinave, forcave të brendshme e të jashtme, për t’i krijuar një gjendje të rëndë shtetit të ri shqiptar, duke i hedhur ato kundër tij për të kurdisur provokacione që të justifikonim ndërhyrjen e reaksionit ndërkombëtar e të anglo -amerikanëve nga jashtë. Në këtë vështrim, emigracioni reaksionar zuri që atëherë një vend të veçantë si vegël e armiqve të pushtetit popullor në Shqipëri. Për këto synime viti 1946 hyri në histori si viti i riorganizimit të mbeturinave të këtij reaksioni jashtë shtetit, sepse në fakt spiunazhet e huaja, siç do të shohim, riorganizuan organizatat e grupet e para në mërgim si Ballin Kombëtar, Legalitetin, Bllokun Kombëtar Indipendent, etj.. Këto u duheshin edhe kriminelëve të luftës për të mbijetuar dhe për të krijuar rrjetet agjenturor në shërbim të spiunazheve që u shërbenin. Kështu më vonë grupimet politike erdhën duke u shtuar. Ashtu siç ishin gjatë luftës, Balli Kombëtar e Legaliteti (rryma “demokrate” e monarkiste) si dy organizatat kryesore. Edhe sot këto janë dy grupimet politike kryesore për jashtë. Por rreth tyre kanë mbirë (krijuar e shthurur) mbi 100 grupime si “parti”, organizata, grupe, komitete, shoqata, fraksione etj., që kanë marrë emërtime të ndryshme për të mbuluar tradhtinë e tyre e bashkëpunimin me pushtuesit gjatë luftës ose me spiunazhet e huaja para e pas luftës, pra në shërbim të zbulimeve të fuqive të huaja perëndimore e lindore dhe një pjesë e shovenëve fqinjë. Në fakt, këto dy rryma kryesore në mërgim që i bashkoi vetëm anti-komunizmi, janë të përçara, megjithëse përpiqen të bashkohen, por përsëri puqen vetëm edhe në lidhjet me fuqitë perëndimore, shovenët fqinjë etj., pasi të gjitha këto grupime reaksionare, të mëdha e të vogla, hyjnë në kombinacionet e spiunazheve të huaja për interesat e tyre antikomuniste.

DIASPORA

Organizatat politike të mërgatës ekonomike

Kolonitë patriotike shqiptare (diaspora ekonomike shqiptare) në vende të ndryshme të botës kanë tërhequr gjithmonë vëmendjen e spiunazheve dhe agjenturave të shteteve të huaja. Kështu që ato kanë qenë e janë objekt përpunimi për të futur atje influencat e huaja e agjentët e huaj për t’i drejtuar kundër Shqipërisë. Në mënyrë më të organizuar veprimtaria armiqësore kundër këtyre kolonive u bë pas çlirimit të vendit tonë, me qëllim që t’i armiqësonin ato me pushtetin popullor dhe t’i përdornin si rezerva në planet e komplotet e tyre kundër tij. Përveç spiunazheve të huaja, në këtë drejtim ka vepruar dhe reaksioni politik shqiptar e kosovar jashtë. Këto klane arritën disa rezultate, sepse krerët e disa kolonive megjithëse të pakta, si ata të ‘Vatrës’ e gazetës ‘Dielli’ nga vitet ’60 e këtej etj., u vunë në shërbim të armiqve të Shqipërisë e të kombit shqiptar. Kështu u krijuan organizatat politike reaksionare në mërgatën ekonomike shqiptare, siç janë: Organizata “Vatra” apo Federata Vatra, të cilën CIA sidomos u përpoq që ta kthente kundër Shqipërisë së re gjatë LANÇ-it e sidomos qysh në vitet e para të çlirimit. Në fakt e ktheu atë dalëngadalë në pozita antikomuniste, duke u vënë plotësisht në duart e krerëve kriminelë të luftës në vitet ’60 dhe të kontrolluar plotësisht nga CIA. Ajo ka mbajtur të njëjtën formë organizative siç e kishte më parë, një kryesi dhe degë në disa qytete amerikane, me qendër në Boston. ‘Vatra’ e ‘Dielli’ i saj patën në program sigurimin e Shqipërisë etnike me 4 vilajete. Në 1968-ën të arratisurit u futën në kryesinë e “Vatrës” e në Këshillin Qendror, kurse gazeta “Dielli” iu dorëzua agjentit të Vatikanit e të CIA-s, Athanas Gegaj. Në 1970 V. Andoni thoshte se BK-ja e ka njërën këmbë në Ballin, e tjetrën tek “Vatra”, e cila sipas tij “kohët e fundit nuk ka dhënë prova të gjalla shqiptare para rrezikut të kuq dhe deri te shërbëtorët e robërisë së zezë (bllokistëve).

PËRÇARJA

Veprimtaria e shoqatave

Futja e të arratisurve në “Vatra” nuk ishte proces i lehtë dhe u realizua për disa vjet dhe kur elementët atdhetare u detyruan të largohen nga “Vatra” patriotike pas një lufte të ashpër dhe duke detyruar armiqtë publikisht në shtyp, në mbledhje e forma të tjera etj.. Ajo u bë objekt rivaliteti midis ballistëve, zogistëve, bllokistëve e kosovarëve antikomuniste për kontrollin e saj të plotë, sepse rreth 80% e anëtarëve të saj (megjithëse disa agraristë u larguan prej saj), qenë zogistë, ballistë e bllokistë. Në të veproi edhe një grup intelektualësh, i cili ishte i rrezikshëm për politikën që bën kundër vendit tonë sidomos me propaganda subversive, veprimet për kompromentimin e të mërguarve ekonomike e kosovare për t’i hedhur kundër vendit tonë e Kosovës, se veproi me djallëzi për afrimin me organizatën patriotike “Shqipëria e lirë” në SHBA e kolonitë e tjera, se përpiqej të fuste në kanalet e saj armiqësore “peshkopatën shqiptare” në Amerikë, se përpiqej të vinte në kryesi të këtyre të rinj antikomuniste etj.. Me politikën e saj reaksionare “Vatra” i shërbeu politikës antikomuniste amerikane. Për meritat e veprimtarisë e propagandës subversive kundër vendit tonë, organizata ultra antikomuniste “Asambleja e Kombeve të Robëruara” (ACEN) e dekoroi “Vatrën” me medaljen “10- vjetori i ACEN-it”, të mërgatave politike nga ish- demokracitë popullore. Nën maskën e fesë e tjera, CIA, KGB, QlP-i, Vatikani etj., kanë drejtuar sulme të ashpra kundër kolonive patriotike në SHBA e gjetkë, duke aktivizuar agjentët e tyre në “Vatra” e jashtë saj për të gjetur kompromise me anëtarë të “Peshkopatës shqiptare” atje e gjetkë për të përvetësuar mërgimtarët ekonomikë e kosovarë si dhe për të luftuar RPSSH. Shoqata “28 Nëntori – në Argjentinën e krijuar nga ballisti Isuf Luzi kundër RPSSH dhe Shoqërisë patriotike “Skënderbeu” atje, pati në radhët e saj edhe të arratisur, por më pak aktivitet e pak anëtarë. Boton rrallë fletushkën me të njëjtin emërtim. “Shoqëria shqiptare” – e Brisbanit (Australi), e cila më 1963 u mor nga ballistët, pati aktivitet të dobët e pak anëtarë. Në fakt këto grupe qenë paralizuar nga veprimtaria e patriotëve të mërguar në këto vende. Shoqata “anglo – shqiptare” – në Londër (Angli) ku qenë përfshirë edhe të mërguarit antikomunistë ekonomikë me banim atje, pa pasur grup me vete, sepse anglezët i futën gjithnjë në këtë organizëm të SIS-it të gjitha rrymat reaksionare shqiptare të mërguara në Angli.

(vijon nesër)

NESËR DO TË LEXONI

-Si u botuan veprat e Ismail Kadaresë në Parti dhe kush ishte iniciatori

-Dëshira për t’u afruar me Francën pas prishjes me Bashkimin Sovjetik

-Cilët ishin artistët e mëdhenj të Francës që kishin simpati për Shqipërinë