Sigal

Ju rrëfej të fshehtat e zbulimit në diasporë

 Leonard VEIZI

Tanimë e ka të vështirë të ndryshojë bindjet e tij. Madje as që mendohet se duhet t’i tradhtojë ato, për shkak të zhvillimeve të reja politike dhe ekonomike në Shqipëri. Megjithatë ka vendosur që gjithçka ka grumbulluar në vite, dhe që padyshim janë pjesë e historisë, t’i hedhë në letër, për t’i bërë publike shumë nga të fshehtat e Luftës së Ftohtë, në mes të së cilës, thjesht për arsye të pozicionit gjeografik, ishte Shqipëria. Ka marrë gradë të lartë si oficer i zbulimit shqiptar, por ka marrë gjithashtu edhe gradë shkencore në shkencën historike, ndërkohë që një pjesë të madhe të karrierës së tij e ka kaluar edhe si diplomat në përfaqësitë shqiptare të akredituara në perëndim. Ai është Hasan Luçi, që edhe pse mbaroi me rezultate të larta shkollën e lartë të zbulimit në Moskë, sërish mbeti rob i ëndrrave të tij të vjetra, për të qenë një njeri që t’i kushtohej letrave. Dhe kështu të paktën që prej 28 vjetësh ai ka mbajtur kontakte me shtypin e shkruar, ndërsa në 10-të vitet e fundit, nga duart e tij kanë dalë 9-të libra një pjesë e të cilave janë përkthime. Gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf”, kolonelit në pension Hasan Luçi iu përgjigj disa pyetjeve delikate.

Pse menduat se të studiuarit për zbulim, ishin pranë qëllimeve tuaja për arsimim?

Kisha të tjera dëshira për të kryer studimet e larta, letërsi, teatër apo kinematografi, sepse kisha luajtur role në shkollën e mesme. Por rrethanat e sollën që pa e ditur unë, isha zgjedhur nga Ministria e Brendshme si person nga familje me veprimtari atdhetare të hershme, para dhe pas çlirimit dhe si nxënës i dalluar në mësime dhe aktivitete shoqërore. Pra m’u bë thirrja të punoja në këto organe. Ngurrova shumë ditë, sepse nuk më thuhej puna që do të kryeja, thjesht për arsye të sekretit në këto organe. Bëhet fjalë për vitin 1955. Megjithatë i dhashë fjalën vetëm Kadri Hazbiut, i cili më thirri në zyrë. Ai kishte qenë në shtëpinë tonë gjatë luftës dhe ishte kuruar nga të ftohtët nga nëna e kushëririt tonë dëshmor, Rrapo Luçit. Por Kadriu kishte dhe lidhjet miqësore me Nuri Luçin, Heroi i Popullit, i cili ra dëshmor në luftë me diversantët në Krujë më 1949. Pra unë fillova punën në sektorin e emigracionit pranë Ministrisë së Brendshme, ku mua dhe disa të tjerë na emëruan nëntogerë edhe pse nuk kishim kryer shërbimin ushtarak. Pas 6-të muajsh e mora vesh punën që do të kryeja sepse na çuan në fakultetin “D” e Zbulimit në Moskë në fillim të 1956.

Cili ishte niveli i këtij fakulteti zbulimi i koduar me germën “D”?

Niveli i shkollës sovjetike në tërësi, por në veçanti i zbulimit, ishte i përkryer, pasi mbulonte edhe përvojën botërore të zbulimeve në shekuj. Ne bëmë mbi 40 lëndë si dhe njohje pothuajse në hollësi të vendeve, ku do të vepronim. Pedagogët tanë ishin shumica ish-zbuluesit e hedhur në Evropë kundër bishës fashiste. Madje kishte dhe të tillë që ishin kapur dhe bërë burg. Me gjithë mosmarrëveshjet e PPSH-së me Hrushovin, ne si grup nuk u dëmtuam nga debati politik, po mbaruam fakultetin normalisht. Morëm një përvojë të paharrueshme të cilën e pasuruam gjatë viteve të punës duke përdorur edhe përvojën e popullit shqiptar në Shërbimet Sekrete gjatë luftërave për liri dhe pavarësi. Ne i hodhëm në letër të gjitha ato ç’ka përfituam dhe ç’ka realizuam gjatë jetës sonë në veprimtari konkrete. Arkivat tona, nëse nuk janë dëmtuar, janë dëshmitarët e vetëm për të parë arritjet dhe dobësitë në këtë veprimtari. Por unë jam krenar që kam vepruar i bazuar në ligjet e kohës të miratuara nga populli, i cili luftoi pa u kursyer kundër reaksionit botëror dhe atij shqiptar që vepronte nga brenda dhe jashtë vendit. Unë kam përjetuar i vogël Luftën NAÇl dhe kisha një motiv të plotë për të mbrojtur vendin tim nga mbeturinat e fashizmit dhe kundërshtarët e Luftës së Ftohtë, që bënë të gjitha përpjekjet për ta përmbysur Pushtetin Popullor. Nuk ishin organet e Sigurimit të Shtetit ato që nisën luftën kundër reaksionit shqiptar dhe të huaj, por ishte pikërisht ky reaksion që na detyroi vetëm të mbroheshim pa u hedhur në sulm kundër tyre atje në grazhdet e perëndimit, megjithëse i kishim mundësitë. Por ne vepronim për t’i neutralizuar veprimtarinë e tyre.

 Pas diplomimit, ku punuat?

Mbasi u ktheva nga studimet, nga Moska, u emërova në Sektorin e Përpunimit të veprimtarisë antishqiptare të Mërgatës Politike Shqiptare (të arratisurve, ish-kriminelë ose jo, emigrantëve ekonomikë që u bashkuan me këtë grup si dhe njerëz të tjerë nga trojet shqiptare jashtë kufijve shtetërorë, që punonin për të përmbysur pushtetin në Shqipëri). Po kështu në detyrat tona hynin mbrojtja e mbarë diasporës shqiptare (kolonive). Ajo duhej mbrojtur nga veprimtaria e armiqve të ndryshëm dhe për të të mbajtur gjallë traditat shqiptare.

Çfarë qëndrimi ka mbajtur diaspora ndaj shtetit amë gjatë atyre viteve?

Diaspora shqiptare ekonomike e larguar sidomos pas viteve 1920 ka qenë me pak përjashtime plotësisht në mbështetje të luftës së LANÇ-it dhe të mbrojtjes së zhvillimit të vendit pas çlirimit. Nga të gjitha trojet shqiptare mbështetja ishte ajo e traditës së shqiptarëve për përparimin e vendit të vet dhe shteti ynë me mundësitë e pakta që kishte qoftë teknike qoftë të mediave apo buxhetore ka bërë një punë tej mundësive të saj për t’i mbajtur afër, për të organizuar mësimin e gjuhës që fatkeqësisht brezi i dytë po e harronte edhe për arsye sepse menjëherë pas çlirimit qeveritë perëndimore morën masa të forta për ta penguar dhe për ta ndaluar edhe atë organizim që kishte në shoqatat e kolonive. Vetëm pas viteve ’60 u bë një farë lëshimi nga organet e vendeve përkatëse. Menjëherë pas çlirimit u kthye në atdhe mjaft të mërguar, por një pjesë u larguan përsëri duke parë gjendjen e rëndë ekonomike në vend dhe shkatërrimet që pësoi nga fashizmi. Mbyllja e kufijve më 1947 dëmtoi rëndë marrëdhëniet Shqipëri-mërgimtarë jashtë, sepse Lufta e Ftohtë krijoi shumë vështirësi në shumë drejtime. Gjithashtu të ndodhur para një lufte frontale të fshehtë dhe të hapur me propagandë dhe diversion qeveria shqiptare u detyrua që të kontrollonte më shumë qëndrimin e çdo emigranti që vinte në Shqipëri për të parë njerëzit e vet. Sigurisht një punë e tillë doemos lejonte paqartësi e subjektivizëm në vlerësimet reale. Megjithatë u lejua turizmi qoftë individual qoftë i organizuar, si dhe ftesat të grupeve për të marrë pjesë në festat kombëtare. Këtë veprimtari atdhetare filluan ta shfrytëzojnë edhe spiunazhet e huaja, për interesat e tyre dhe kjo krijoi një vështirësi të re për ta liberalizuar më tej shkëmbimin njerëzor.

BOTIMI

Duke folur për vëllimin “Veprimtaria sekrete e mërgatës politike shqiptare” Hasan Luçi thotë: “Botimi i këtij libri në formën e paraqitur u bë për t’i qëndruar historisë dhe mentalitetit politik dhe ideologjik të Luftës së Ftohtë. Kam pasur propozime për ta shkruar sipas konjukturës së sotme, por gjykova se vlera e librit do binte e do humbiste shumë nga realiteti i kohës. Ndoshta duhej të pasqyrohej me shumë lufta e popullit shqiptar në tërësi në përballjen e kësaj mërgate dhe drejtuesve të saj, por në mënyrë të veçantë kapitulli i diversionit dhe kapitulli i mërgatës ekonomike shqiptare dhe kosovare, e plotëson këtë”.

Mërgata shqiptare, një organizim i zbulimeve të huaja

Me shthurjen e reaksionit shqiptare brenda vendit në prag të çlirimit, pjesa që morri arratinë jashtë shtetit u prit me krahë hapur nga spiunazhet e huaja dhe reaksioni shqiptar që ndodhej jashtë vendit. Vetë kjo mërgatë përjashta kërkonte një bashkim të të gjithë kombeve, të të gjitha racave dhe dhe të të gjithë feve për të krijuar një front të përbashkët kundër “kërcënimit komunist”, për rikthim triumfator. Aleancën e shenjtë për bashkimin e saj e nxitën edhe spiunazhet e huaja për interesat e tyre, për të vepruar edhe kundër vendit tonë për t’i dhënë përshtypjen këtij reaksioni të brendshëm e të jashtëm se mërgata politike ishte e bashkuar. Megjithëkëtë procesi i bashkimit dhe i pajtimit mes krerëve e grupeve reaksionare vazhdoi gjatë e nuk mbaroi, me ose pa nxitjen e spiunazheve të huaja, pavarësisht nga shkalla e grindjeve, përçarja, gjendja moralo-politike, nga shpërbërja e krijimi i grupeve të reja. Pas çlirimit, nën drejtimin e spiunazheve të huaja, ky reaksion u mobilizua plotësisht në luftën e ftohtë sidomos krerët kriminelë të luftës, dikush si këshilltar ushtarak i ushtrive anglo-amerikane dhe pastaj të NATO-s, dikush si ekspert e organizator i rrjeteve të spiunazhit brenda e jashtë vendit etj, Pas disfatave të viteve ’40 e ’50, në vitet ’60 pas tradhtisë revizioniste dhe aleancës me vendet lindore, CIA dhe spiunazhet e tjera praktikuan hyrjen “paqësore” në vendet e Evropës Lindore dhe për këtë atyre iu deshën organizata të “majta” për t’iu përshtatur tradhtisë hrushoviane, prandaj bënë edhe riorganizime, rigrupime ose krijuan grupe të reja në radhë e këtij reaksioni gjoja jo armiqësore sa ato të kriminelëve të luftës, duke futur sidomos të rinj të mërguar, të edukuar jashtë, megjithëse edhe kjo punë nuk dha rezultatet e dëshiruara. Siç e dëshmojnë vetë armiqtë dhe të penduarit rivaliteti mes zbulimeve anglo-amerikane ka qenë i madh, por fituan amerikanët në disa drejtime. Në fillim anglo-amerikanet ishin tepër aktive në radhët e kriminelëve shqiptarë, por në vitet ’40 lidhjet kryesore me kriminelët e luftës kishte zbulimi anglez, (SIS-i), i cili kishte ende në dorë krerët ballistë dhe në fillim kartën e djegur të Zogut, të cilin tentuan ta bënin strumbullarin e këtij reaksioni. Në fakt anglezet përpëliteshin, se po kuptonin mirë se amerikanët ishin më realistë ndaj prestigjit të Zogut, sepse edhe të arratisurit po kalonin gati të gjithë nën influencën amerikane. Kështu në fakt në vitet ‘50 CIA mori plotësisht në dorë reaksionin shqiptar, si dhe atë nga vendet e ish demokracive popullore, për shkak të faktorit hegjemon, politik e ekonomik, që siguroi SHBA-ja pas Luftës II Botërore. Spiunazhi grek zhvilloi një veprimtari të gjerë me të arratisurit brenda e jashtë Greqisë sa në vitet e para pas çlirimit “qeveria greke nxiti të arratisurit të shkonin nga Italia në Greqi dhe Koço Muka kërkonte të shkonte atje, ndërsa gruaja e Ali Këlcyrës mbante kontakte me konsullin grek në Itali. Grekët i përfshinë të arratisurit në sillogjet vorioepiriote. Zbulimi italian e Vatikani vunë dorë mbi kriminelët fashistë, ish-miq të tyre të vjetër e të rinj, duke vendosur kontakte të rregulla agjenturore. Interes për reaksionin shqiptar që u stabilizua në vendet e tyre tregoi edhe spiunazhi gjermano -perëndimor, francez austriak, australian, i disa vendeve arabe, etj.. Më vonë u përfshinë në këtë lojë edhe vende të tjera, ku strehoheshin e financoheshin kriminelët e arratisur e masa e reaksionit politik, ekonomik e kosovar antikomunist. Një rol të veçantë luajtën titistët, nëpërmjet OZNA-s në vitet ’40 dhe pastaj të UDB-së për grumbullimin e organizimin e mërgatës politike shqiptare në Jugosllavi e jashtë saj sidomos pas tradhtisë së hapur në 1948 duke nxitur edhe arratisje të reja për t’i pasur si kontingjenti në duart e tyre dhe hedhur në veprimtari subversive të gjithanshme sipas planeve të tyre antishqiptare e anti-socialiste, që kanë ndjekur e ndjekin shovenët sllavë kundër vendit tonë. Edhe revizionistët hrushovianë (KGB-ja) u treguan të etur për të shtënë në dorë edhe të arratisurit shqiptarë për interesat e tyre kundër vendit tonë, jo vetëm të atyre pak elementëve që mbetën atje të arratisur pas prishjes së marrëdhënieve midis dy vendeve, por edhe me ata në vendet perëndimore e lindore. Për këtë është kuptimplotë “dashuria e hrushovianëve” për tradhtarin Panajot Plaku e veprimet komplotiste me të, kontakte me kryetarin e KSHL të Nju Jorkut, kriminelin Rexhep Krasniqi.

AKTIVIZIMI

Në gazetar kinez në dasmën e Leka Zogut

Pas prishjes së marrëdhënieve të RPSH me BS-në e vendet Lindore sidomos nga vitit 1962 e më pas u vunë re shenja afrimi të ballistëve me sovjetikët, bullgarët, rumunët etj., sidomos për sa i përket propagandës e veprimtarisë agjenturore kundër vendit tonë, që u konkretizuan me vizitat e Stavro Skëndit në Moskë, Alfred Andonit e Sadik Premtes në Bullgari. A. Andonit në Rumani etj. Po kështu me detyrat c KGB-së u bë “arratisja” e disa individëve nga vendet lindore në perëndim, disa nga të cilët hapën edhe klube si p.sh. në Suedi apo u aktivizuan në veprimtarinë e mprehte kundër vendit tonë, brenda e jashtë tij. KGB-ja veproi sidomos me të arratisurit në Kosovë e viset shqiptare në Jugosllavi dhe të atyre nga këto treva, për qëllime e saj anti-shqiptare e anti-kombëtare në kuadrin c komploteve ruso-serbomëdhenj. Gjithashtu ambasadat lindore në perëndim u aktivizuan me këtë kontingjent armiqësor. Për qëllimet e tyre është përdorur tepër në vite edhe kanali i Berlinit -Perëndimor. Në pragun e pas prishjes së marrëdhënieve mes vendit tonë me Kinën, kinezët treguan interesim për mërgatën politike në perëndim sidomos për rrethin e Leka Zogut. Duke dërguar edhe një gazetar në martesën e këtij, me disa kontakte me elementë të ndryshëm në Evropë apo me thirrjen e tyre për vizitë në Kinë si p.sh. të Mentor Çokut etj..

NESËR DO TË LEXONI

-Detyrat sekrete në Ambasadën Shqiptare në Paris

-Pse udhëheqja franceze kishte simpati për Enver Hoxhën

-Ambasada në Paris, pse koordinonte veprimet me vendet e ulëta e Argjentinën