Dr. Hasan Luçi: 29 Nëntori 1944, dita historike e çlirimit të shqipërisë

187

Në mëngjesin e datës 29 Nëntor 1944 partizanët hyjnë triumfalisht në qytetin e Shkodrës, ngritën flamurin e fitores mbi fashizmin

29 Nëntori 1944, Dita historike e Çlirimit të Shqipërisë

Dr. Hasan B. Luçi

Siç dihet PD-ja me në krye Sali Berishën nxitoi qysh në shpargrin e saj dhe ndryshoi datën e çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, duke e kthyer në 28 Nëntor dhe duke u përpjekur të ndryshonte edhe flamurin kombëtar, veç heqjes së yllit partizan. Përpjekjet e këtyre langonjve demokratë janë sa banale e çmendarake, një urrejtje patologjike antishqiptare për të mohuar Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si fitoren kryesore e garancinë e qenies së shtetit shqiptar të sotëm. Debati për mbrojtjen e kësaj fitoreje historike është tashmë i ndezur mirë dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit pushtues italian e gjerman po u jepet goditje në tru e brinjë. Por këta e pinjollët e tyre dhe larot demokratë pas tyre, as skuqen as zverdhen, e hanë turpin me bukë dhe këmbëngulin në marrëzitë e tyre të paguara me paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe nga agjenturat e huaja armike të shqiptarëve, të mbarë kombit tonë, të dy shteteve shqiptare, që fatkeqësisht janë ende me grindje e përçarje dhe nuk po gjejnë gjuhën e përbashkët atdhetare me dinjitet e përgjegjësi. Por ky shkrim po sjell dëshminë e çlirimtarëve që morën pjesë në çlirimin e Shkodrës më 29 Nëntor 1944. Komandanti i batalionit të dytë të Brigadës së 23 Sulmuese, kolonel Bejo Stefani nga Kuçi i Labërisë në kujtimet e tij të lëna në familje dëshmon si vijon: “…ishte çliruar gjysma e Tiranës e vijonte çlirimi i Durrësit. Armiku luftonte e kërkonte rrugëdalje, duke ikur drejt veriut, ku rrugëve goditej nga forcat partizane. Kështu, më 30 tetor në afërsi të urës së “Zezë” u godit autokolona gjermane, ku la 20 të vrarë e materialet ushtarake u shkatërruan. Në Krujë gjermanët po rezistonin, por më 2 nëntor u çlirua Kruja nga Brigada e 23-të S dhe u goditën autokolonat. Atje u bë aktivi i PKSh. Në urën e sipërme të Sukthit, në afërsi të fshatit Mallkuç u bë goditja, ku ballistët sado të shumtë në numër, të grumbulluar nga të gjitha krahinat e Shqipërisë se Mesme dhe të Jugut, që arrinin mbi 1200 vetë, mbas 2-3 orë lufte, pas mesit të natës shpartallohen keq duke lënë mbi 20 të vrarë dhe shumë të plagosur. Pas shpartallimit të ballistëve nga kjo goditje e forcave të batalionit të Parë, u jepet urdhri të lëvizin në drejtim të Bregut të Matit, pasi nga të dhënat e disa ballistëve të zënë robër në luftë, dilte se Abaz Kupi me shtabin e vet besnik dhe me këshilltarët anglezë ishin vendosur në afërsi të derdhjes së lumit Mat, Gurrëz. Më 12 nëntor batalioni i Parë sulmoi kolonën në rrugën Derven-Borizan, ku u vranë mbi 30 vetë dheu shkatërruan 7 automjete, u zunë materiale lufte dhe ushqime…Më 13 nëntor u dha urdhri i shtabit të korpusit të bënte të pakalueshme për armikun rrugën Mamurras-Milot me çdo armatim, pasi forcat armike nga lufta e Tiranës nga 7-19 nëntori po tërhiqeshin për Tiranë-Shkodër me humbje të mëdha. Më 14 nëntor tërheqja e fundit doli autokolona me 200 mjete që u godit. Më vonë ato kalonin nga Durrësi në Shkodër, të fundit më 18-19 nëntor, ku lanë 20 të vrarë, 25 automjete e materiale ushtarake të shkatërruara etj. Çlirimi i Milotit u bë pasi u bllokua ura e Milotit, ku gjermanët prishën një këmbë, ku zumë materiale të shumta luftarake. Më 21 nëntor batalioni e brigada kaluan me trupa Matin në drejtim të Lezhës. Brigada e 23-të S dhe e 24-të Sulmuese me shtab të përbashkët,me urdhër të Korparmatës I, me forcat e divizionit 2 çliruan Lezhën, qëndruan një natë dhe u nisën për Shkodër. Megjithëse lëvizja e batalionit të Parë u bë me shpejtësi në drejtim të lumit, shtabi i batalionit njoftohet me anë të korrierëve të togës së zbulimit, se Abaz Kupi së bashku me shtabin e vet po atë ditë në mëngjes ishte larguar për në Itali me anën e një nëndetëseje, dërguar nga shtabi i Mesdheut, kështu që batalioni ndalet për të ndërruar drejtim. Pas një pushimi të shkurtër batalioni niset për në qytetin e Lezhës, kalon lumin e Matit në një urë këmbësore dhe, më datën 25 nëntor 1944 mbërriti në afërsi të qytetit të Lezhës.

Në Lezhë mori takim me shtabin e brigadës dhe me shtabet e tjera të batalioneve për të koordinuar veprimet e mëtejshme të luftës kundër armikut në drejtim të qytetit të Shkodrës, ku qenë grumbulluar mbeturinat e fundit të armikut dhe mercenarë të ndryshëm. Në këtë mbledhje u vendos që batalioni i Parë të ecte me shpejtësi përpara në drejtim të Bushatit dhe të merrnin kodrat e Bërdicës, ku në lartësinë e tyre gjendej një kala e vjetër, ku ishte vendosur një kompani gjermane”.

Fakte dhe detaje nga lufta për çlirimin e Shkodrës

Në vijim të kujtimeve të Bejo Stefanit po japim luftën për çlirimin e Shkodrës: “Detyra që mori tashti batalioni i Parë ishte e vështirë, duhej të goditeshin forcat e vendosura në lartësi dominuese të Bërdicës, pozicion ky që kontrollonte bregun e lumit Bunë dhe lagjet e jashtme të qytetit të Shkodrës nga lindja. Duheshin marrë masa urgjente për të zënë grykën e Bunës, për t’u prerë rrugën ballistëve që tërhiqeshin për në Itali. Në kalanë e Bërdicës gjermanët janë vendosur me kohë dhe mbrojnë zbrazjen e qytetit nga njësi të shkëputura të tyre që grumbullohen nga shumë drejtime. Komanda e batalionit, duke marrë parasysh se janë ditët e fundit të gjermanëve e tradhtarëve të vendit në qytet dhe se ata mund të bënin gjithçka për të dëmtuar e grabitur popullin gjatë tërheqjes,organizoi goditjen e pararojës gjermane në kala të Bërdicës me tre kompani njëkohësisht. Për t’u prerë rrugën ballistëve ngarkohet një togë e pajisur me mitraloz të rëndë në drejtim të grykës së Bunës, në afërsi të liqenit..Me marrjen e pozicioneve të armikut vihen nën kontrollin tonë e gjithë zona e bregut të lumit dhe veçanërisht rruga automobilistike deri në lagjen e jashtme të qytetit “Baçallëk”. Për t’u përmendur është edhe suksesi i detyrës që kreu toga në derdhje të lumit. Ajo në mëngjezin e 27 nëntorit goditi një motobarkë që transportonte ballistët për në Itali. Me një breshëri të shkurtër të mitralozit të rëndë kapi të gjallë 92 ballistë të armatosur dhe shumë ushqime,plaçka të grabitura në popull, siç e kishin zakon ballistët. Pasi i çarmatosi dhe u tërhoqi materialet e rrëmbyera, mes këtij malli edhe shumë para flori, sipas urdhrit që kishte marrë toga, me ndihmën e fshatarëve të armatosur u nis për në prapavijë. Gjermanët të dëshpëruar nga kjo goditje dhe për të mbrojtur mbeturinat e tyre në tërheqje nga qyteti i Shkodrës po atë ditë hodhën në erë me mina urën e Baçallëkut. Në këtë situatë batalioni duhet të organizonte forcat dhe të vepronte shpejt. Duke kaluar lumin në vende të ndryshme me anë të varkave, pasi ura kryesore u shkatërrua, duhej me çdo mënyrë të zihej kalaja e qytetit nga ku do të sigurohej jo vetëm kalimi i lumit, por njëkohësisht edhe përparimi i forcave gjatë rrugës kryesore buzë liqenit për të hyrë në qytet .Këto ishin vendimet e komandës së batalionit që mori në katundin Beltojë natën e 28 nëntorit. Këto vendime për çdo kompani, togë e skuadër u bënë të njohura dhe iu komunikuan të gjithë partizanëve për të qenë në gatishmëri. Afër mesit të natës toga e dytë e kompanisë së parë që ishte ngarkuar me zbulimin e forcave në kala nën komandën e Qerim Muratit kaloi lumin me ndihmën e shokëve që punonin ilegalisht dhe afrohet rreth mureve të kalasë;mbasi vendoset në pozicione të forta dhe siguron mbështetjen e batalionit, jep sinjalin për përparimin e forcave të tjera të batalionit në drejtim të qytetit. Komanda e batalionit që priste me sekonda,posa mori sinjalin,jep urdhrin e nisjes të kompanive në drejtime të caktuara më parë.

Dhe ja në mëngjesin e datës 29 Nëntor 1944, ditë kjo që festohet nga i gjithë populli ynë për çlirimin e të gjithë Shqipërisë nga gjermano-fashistët dhe tradhtarët e vendit,batalioni i Parë i Brigadës 23-të Sulmuese është pararoja e parë e UNÇL që hyri triumfalisht në qytetin e Shkodrës, ngre flamurin e UNÇL, flamurin e fitores mbi fashizmin dhe tradhtarët e vendit në kështjellën e moçme dhe historike të qytetit të Shkodrës”, dëshmon komandanti Bejo Stefani.

Bejo Stefani vijon kujtimet: “Mëngjesi i datës 29 Nëntor 1944 për ata që kanë qenë në Shkodër do të mbetet i paharruar në kujtimet e tyre. Posa partizanët zunë kalanë e Shkodrës, prefekturën dhe lagjet e jashtme të qytetit, nga të katër anët në rrugë e sheshe dëgjohen thirrje: Rroftë Ushtria Nacionalçlirimtare! Rroftë Partia Komuniste e Shqipërisë! Rroftë Ushtria e Kuqe! Rrofshin partizanët trima! Në orën 12.00 të 29 Nëntor 1944 në sheshin para ish-prefekturës u organizua mitingu i madh popullor me partizanët. Njerëzit përqafoheshin pa u njohur,të gjithë dolën në rrugë. Ja pra një dëshmi e pakundërshtueshme nga askush, se fitimtarët e përjetuan duke luftuar e dhënë jetën për çlirimin e vendit. Lavdi dëshmorëve dhe partizanëve trima! Kjo histori nuk zhbëhet dot nga askush.