Dossjer/ Zenel Merjo: Ju rrëfej letrat sekrete të Mehmet Shehut

638

 Leonard Veizi

Tanimë është 82 vjeç. Ngrihet çdo ditë herët në mëngjes për të pirë kafen e parë tek selia e Komitetit të Veteranëve të Luftës. Ndërsa kafen e dytë ia ka qefi ta pijë duke bërë dhe një lojë bilardo në lokalin e një prej miqve të tij të vjetër. Dhe është kjo që e mban gjallë dhe aktiv, për të vazhduar më pas me rrëmimet e tij nëpër analet e historisë së Luftës së Dytë Botërore dhe për të nxjerë vazhdimisht konkluzione të reja. Edhe pse thotë se në trupin e tij ka një koleksion të tërë sëmundjesh, asgjë veç kësaj nuk ta jep një përshtypje të tillë. Është fort i mbajtur dhe ende shumë energjik, teksa rrëfen detaje nga jeta në mal.

Nuk kishte pajisje transmetuese, makina që të shpërndanin postën dhe pa dyshim as telefona kabllorë dhe as celularë. Por ndërlidhja duhej bërë e saktë dhe në kohën e duhur, përndryshe njësitë e ndryshme të partizanëve shqiptarë gjatë Luftës së Dytë Botërore do të çorganizoheshin. Por zgjidhja ishte gjetur, e thjeshtë dhe pa shumë kosto: ishin korrierët ata që vraponin për të çuar sa më shpejt lajmin në destinacion. Fillimisht të gjitha çetat kishin korrierët e tyre. Më pas, kur çetat u shndërruan në batalione, kishin nevojë për më shumë se një korrier. Ndërsa formimi i brigadave futi në efektiv krijimin e togave të korrierëve me një efektiv prej 7-8 vetash. Zenel Merjo, një ish-kuadër i lartë i ushtrisë shqiptare, gjatë vitit 1944 ka vepruar si një nga korrierët e Divizionit të Parë Sulmues. Në intervistën e tij për gazetën “Telegraf”, ai tregon se si ishin të organizuar dhe si vepronin korrierët partizanë. Gjithashtu ai thotë se një pjesë të detyrave i ka marrë drejtpërsëdrejti nga ish-komandanti i Brigadës së Parë, Mehmet Shehu.

Jetëshkrimi

Shifranti që mësoi gjuhën ruse dhe serbe

Zenel Merjo u lind në 18 gusht 1927 në Nivicë të Kurveleshit. Merr pjesë në Lëvizjen Antifashiste NAÇl që në nëntor të vitit 1942, por në fundin e vitit 1943 bashkohet me partizanët e Brigadës së Parë Sulmuese. Pas çlirimit përfundon shkollën e mesme. Kryen kursin e komisarëve në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë dhe pas kësaj studion në shkollën e partisë “Vladimir Iliç Lenin”. Pasi kryen dy kurse për të mësuar gjuhët ruse dhe serbe dhe pas një kursi intensiv për shifrat në Ministrinë e Brendshme, Zenel Merjo emërohet në Komandën e Përgjithshme. Në vitin ‘73 shkëputet përfundimisht nga ushtria. Mban titullin “Studiues i dokumenteve dhe i historisë”. Njihet si lëvrues i fakteve historike dhe ka botuar për këto qëllime mbi 10 mijë artikuj të ndryshëm si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Ka botuar gjithashtu edhe tre libra me temë historike. Për shërbimet ndaj atdheut, Zenel Merjo mban 10 medalje dhe urdhra

Si u njohët me Mehmet Shehun?

Komandantin e Brigadës së Parë e kam njohur për herë të parë aty nga fundi i vitit 1943, kur Brigada u kthye në Kurvelesh pas disa luftimesh heroike në Lumin e Vlorës. Në atë kohë unë u bashkova me partizanët e kësaj Brigade, që si atëhere si tani cilësohet si “Brigada Heroike”. Konkretisht dhe në fytyrë Mehmet Shehun e kam njohur në betejën e përgjakshme të Tendës së Qypit. Forcat naziste ishin më të shumta, më se 10 herë më shumë se forcat shqiptare. Në përbërje të tyre kishte dhe forcat e njohura “Bratenbrau”. Në këto luftime u futën edhe njësitë e tjera, të cilat drejtoheshin nga Mehmet Shehu. Në Tendën e kam parë me sytë e mi se si Mehmet Shehu u ndesh dhëmbë për dhëmbë me armikun, duke treguar në këtë mënyrë një trimëri të rrallë.

Kur u krijua kompania e parë e korrierëve?

Më 8 qershor në vitit 1944, pas betejës së ashpër të Qafës së Gjarprit, Mehmet Shehu urdhëron Brigadën e Parë të mblidhet në fshatin Dushar, në afërsi të kësaj zone. Ai na foli për krijimin e Divizionit të Parë Sulmues, në përbërje të të cilit ishin 3 brigada: Brigada I Sulmuese, Brigada IV Sulmuese dhe Brigada V Sulmuese. Mehmet Shehu vuri theksin në formimin e një kompanie korrierësh, sepse, sipas tij, njësitë partizane, të shpërndara në rajone të ndryshme të Shqipërisë, kërkonin ndërlidhje të shpejtë dhe të sigurt për të përparuar në luftime. Në këtë mënyrë, ai kërkoi korrierë nga të gjitha batalionet. Por ndodhi që të gjithë komandantët e batalioneve filluan të nxirrnin “kleçka”, duke u justifikuar se nuk kishin forca të mjaftueshme për luftime, pasi një pjesë e partizanëve ose ishin të plagosur, ose ishin të sëmurë. Atëherë Mehmet Shehu erdhi në batalionin 4 dhe i tha komisar Panajot Plakut: “Ja ku e ke Zenelin, që e ka marrë veten pas plagosjes”. Dhe kështu, unë u caktova në kompaninë e korrierëve të drejtuar nga Riza Dino.

Në atë kohë ishit i plagosur?

Isha një djalë 17-vjeçar dhe mbeta i plagosur gjatë një beteje të zhvilluar në Dunicë të Mokrës në zonën e Pogradecit. Një plumb më mori në anën e djathtë të gjoksit. Në këtë betejë mbetën të plagosur edhe 4 partizanë të tjerë. Të plagosurit u strehuan në një spital partizan të zonës. Atëherë kam parë se Fiqiret Sanxhaktari, zv/komisare e Brigadës, dha një shumë të hollash në sterlina angleze dhe urdhëroi që të bliheshin në Pogradec ilaçe për të plagosurit. Ishin këto para dhe këto ilaçe që shpëtuan jetët tona. Pasi qëndrova për rreth një muaj e gjysmë në spital, u riktheva në Brigadë. Një muaj më pas Mehmet Shehu më vuri dorën mbi shpatull, duke më caktuar në kompaninë e korrierëve të Divizionit.

Çfarë detyrash konkrete kryenit ju si korrierë?

Po e konkretizoj: Më 26 qershor 1944, Divizioni i Parë merr urdhër të kalojë Shkumbinin për t’u hedhur në Veri. Në orën 11:00 të natës i gjithë divizioni bëri të mundur kalimin e Shkumbinit. Kur mbërritëm në Kaptinë të Martaneshit, mua dhe një korrier tjetër të Brigadës IV, Sulon, na caktuan pranë shtabit të Baba Fajës. Në atë kohë Baba Faja koordinonte dhe veprimet e njësive partizane të zonës. Ai kishte formuar një togë me 14 korrierë. Ndërsa unë dhe Suloja duhej të mbanim lidhje midis shtabit të tij dhe shtabit të Divizionit. Gjatë asaj kohe kemi kryer me dhjetëra udhëtime në një terren të panjohur.

Pak më lart përmendët stërlinat, nga siguroheshin ato?

Në atë kohë në Kaptinë të Martaneshit u krijua dhe spitali partizan, ku mjekë ishin Petro Cani, Ibrahim Dervishi, si dhe tre mjekë italianë. Në këtë spital erdhën rreth 400 partizanë të plagosur apo të sëmurë. Meqenëse s’kishte vende, ata rrinin jashtë, duke shtruar ndënë vete, në formën e dyshekëve, gjethet e pemëve. Ky spital u themelua me kontributin e madh të Baba Fajës dhe me një ndihmë të madhe të Misionit Anglez në Shqipëri, të cilët orientonin avionët e tyre që në këtë zonë të hidhnin vazhdimisht medikamente, ushqime dhe veshmbathje. Më kujtohet fare mirë që anglezët, në ndihmë të luftës, hidhnin nga aeroplanët, edhe kuti me sterlina, të cilat ia delegonin një pjesë misionit të tyre dhe një pjesë tjetër Shtabit të Përgjithshëm të UNAÇL.

Si mund të ma konkretizoni një gjë të tillë?

Mbaj mend mirë se për gjetjen e një kutie të tillë, oficerët anglezë kërkuan dhe ndihmën e dy korrierëve partizanë: timen dhe të Sulos. Ishin hedhur shumë materiale, por kutia nuk ishte gjetur. Atëherë ne kontrolluam pëllëmbë për pëllëmbë vendin dhe gjetëm kutinë. Kur ata e hapën, vumë re se brenda kishte një sasi të konsiderueshme monedhash të vendosura në rregull dhe me shënimet përkatëse brenda. Shënimet sqaronin se një pjesë e parave ishin për misionin anglez dhe pjesa tjetër për Shtabin e Përgjithshëm.

Në çfarë niveli tjetër u bashkëpunua me anglezët?

Teksa dara e forcave partizane po mblidhej rreth kryeqytetit, edhe korrierët vepronin në një zonë më të ngushtë, që i përkiste rrethit të Tiranës. Më  kujtohet se pikërisht në këtë kohë Mehmet Shehu i kërkon Misionit Anglez në Shqipëri që aviacioni aleat të bombardonte mbi forcat naziste të dislokuara në pikat kyçe të Tiranës. Mehmet Shehu më dha një letër për ta çuar në Linzë, ku ishte vendosur dhe misioni Anglez. Së bashku me Sulon shkuam dhe dorëzuam letrën. Anglezët u mobilizuan me të shpejtë, madje kërkuan dhe ndihmën tonë për të ngritur antenat e radiomarrëses. Komunikuan me bazën e tyre në Itali dhe pas një ore mbi qiell u dukën avionët e tyre, të cilët bombarduan mbi Tiranë.

Folët që aleatët ndihmonin  Ushtrinë NAÇl. Keni ndonjë rast tjetër ku flitet për to?

Në gusht të vitit 1944, duke qenë në Kaptinë të Martaneshit, na thërret Baba Faja së bashku me korrierin tjetër, Sulon dhe na thotë: “Të dy do të niseni për në Bizë. Kujdes rrugëve, se mund të ketë të papritura. Aty do të gjeni, ose do t’ju gjejnë dy misionarë anglezë me përkthyesin e tyre Frederik Nosin dhe dy fshatarë me kafshë që i shoqërojnë. Me ata do të jeni të gatshëm për çfarëdo që t’u thonë. Sot pritet të vijë një aeroplan dhe do të hedhë materiale për ata dhe për ne”. Pas më shumë se një ore mbërritëm në vendin e urdhëruar. Dy misionarët i gjetëm duke u marrë me radiot dhe antenat e tyre. Ata u futën në lidhje dhe duke mbajtur nga një bllok e laps në duar, drejtuan sytë nga qielli i kufizuar i Bizës. Nuk zgjati shumë, kur dy aeroplanë të vegjël u dukën nga perëndimi. Nuk vonoi dhe nga barku i avionëve u lëshuan thasë, pako dhe kuti, fare pranë nesh. Pas pak ata na u drejtuan me duar për t’u afruar pranë tyre. “Shikoni, djema, nga materialet e hedhura mungon një kuti. Kaloni gjithandej, po e gjetët, mos e prekni, por na lajmëroni!” – na thanë anglezët. Bashkërisht kontrolluam pëllëmbë për pëllëmbë gjithë vendin, derisa gjetëm një kuti të vogël, të mbërthyer mirë me rripa metalike.

Ç’kishte brenda kjo pako për të cilën ishin aq të interesuar misionarët?

Kishte stërlina. Edhe për ne dhe spitalin partizan na ndanë racione, të cilat i mblodhën dhe i paketuan mirë. Pastaj filluan punën për të ndarë materialet. Një pjesë të tyre, të ambalazhuara na i dorëzuan ne për t’ia dhënë baba Fajës dhe spitalit partizan. U larguam dhe pas disa orësh ishim pranë shtabit të Baba Fajës. Ai na përgëzoi për punën që kishim bërë dhe na nisi me shpejtësi për të çuar ndihmat drejt spitalit. Kur pakot, në prezencën tonë, u hapën nga mjekët, pamë se aty kishte medikamente të shumta për të të plagosurit. Por kishte dhe ushqime, si vezë e qumësht pluhur, si dhe shumë veshmbathje. Por më kujtohet se përveç medikamenteve për të plagosurit kishte veshje, copa parashutash të pastra, për veshje dhe përdorim çadrash. Dhe të mos harojmë se në atë zonë ishin rreth 300 të plagosur e të sëmurë që mezi i prisnin këto ndihma.

I keni shoqëruar shpesh misionarët anglezë?

Më kujtohet se ishin ditët e fundit të tetorit 1944. Si u përgatitën dy korrierë, u nisëm me detyrë për të dalë në Tiranë, pikërisht në vendin ku sot ndodhet “Kinostudio” U nisëm për rrugë. Në mbrëmje vonë u nisëm te Depua e Ujit. Të dy me shokun tjetër sytë na kaluan në një hendek ku qëndronte një njeri i shtrirë përmbys. Vrapuam t’i shkonim në ndihmë. E kthyem, por pa vlerë. Ai ishte një partizan i vrarë tradhëtisht. Pas pak arritëm në vendin ku ishim urdhëruar. Bashkë me ne qëndronte dhe një udhëheqës civil që dinte mirë vendin dhe dhomën, ku ishin strehuar misionarët anglezë. Trokitëm në derën e tyre. Pas pak na doli një fshatar. Brenda ishin misionarët anglezë.

Cili ishte raporti që patët më këta oficerë?

Nxorrëm nga xhepi letrën dhe nisëm që ty afroheshim për t’ua dhënë në dorë. Por ata nisën të flisnin nëpër dhëmbë që të mos na lejonin të afroheshim. Me të hapur letrën ata pyetën se ku binte fshati Zogaj dhe Petrela. Civili shërbyes nxori nga pas dhome dy kuaj shale të vegjël. Si i ngarkuan mirë po qëndronin në gatishmëri për t’u nisur. Me ne anglezët as që begenisën të bisedonin më gjatë. Por vonesa na krijoi një dëshpërim. Prandaj me dritën elektrike ne u futëm sërish brenda dhe iu lutëm që të bëheshin gati shpejt se rruga ishte e gjatë. Kur hymë brenda në tavolinën e tyre çfarë nuk pamë të kishin shtruar: bukë të bardhë, qumësht, kafe, sheqer, çokollata, vezë pluhur etj. Ne na bëri shumë përshtypje pasi si partizanë ishim mësuar me kondita të vështira. Menduam se do të thoshin: “Urdhëroni të merrni ndonjë copë”. Por më kot.

Për ku ishte destinacioni juaj i përbashkët?

Morëm rrugën në mes të asaj nate tetori dhe gabimisht dolëm të xhamia sipër Pallatit të Brigadave. Atje na dolën dy-tre patrulla gjermane. Shoku që na udhëhiqte na thotë se duhet patjetër të ktheheshim mbrapa pasi do të binim në duart e gjermanëve. Ndryshuam rrugë dhe në afërsi të mëngjesit i çuam anglezët në Zogaj, i cili ndodhej në afërsi të Petrelës. Ata na urdhëruan të hipnim së bashku me shokun në majën e ullinjve. Aty ngritëm antenat e radiove të tyre. Kështu u qartësuam se komandanti ynë u kishte dhënë urdhër të prerë që anglezët të lajmëronin komandën e tyre për të bombarduar me avionë në trupat gjermane që ndodheshin në rrethina dhe në qendër të Tiranës. Kur mbaruam punë me lidhjen e tyre me radiotrasmetuese, ne zbritëm nga pema dhe ata ndezën llullat e tyre dhe filluan të pinin kafe dhe çaj. Këtë herë na dhanë dhe ne diçka për të ngrënë.

U krye ky bombardim?

Pas disa orësh aeroplanët erdhën mbi Tiranë dhe bombarduan e mitraluan në pika të ndryshme. Por efekti i tyre nuk di se sa vlerë pati pasi u tha se nga ky bombardim më shumë se ushtarët gjermanë u varën njerëz të pafajshëm.

Deri kur funksionoi kompania e korrierëve?

Kam kryer detyrën e korrierit deri në fillimin e luftës për çlirimin e Tiranës. Në atë kohë komandanti i kompanisë së korrierëve, Riza Dino, me urdhër të Mehmet Shehut, na mblodhi të gjithëve. Me kujtohet se Mehmet Shehu i është drejtuar Riza Dinos me fjalët: “Riza, kemi nevojë për luftëtarë. Korrierët hidhi në luftë.” Pasi Tirana u çlirua, unë mora detyra të tjera, që kishin të bënin me përgjegjësi rinie.

URDHRI

Urdhri i Mehmetit: “Dua të gjallë një oficer SS”

Zenel Merjo thotë se ka çuar në destinacione të ndryshme shumë letra të drejtuesve të shtabeve partizane. Por një nga letrat që atij i që i ka mbetur në mendje ishte ajo që iu dha në dorë nga Mehmet Shehu. Ai tregon: “Ishim në Selbë, në një fshat diku mbrapa Dajtit. Mehmeti na thirri mua dhe Sulon e na tha: “Merreni këtë letër. Kujdes në Bërzhitë dhe në Petrelë, se ka forca gjermane. Letrën do t’ia dorëzoni në dorë Nexhip Vinçanit, në Brigadën e 4-t, shtabi i së cilës ndodhet në Arbanë”. U nisëm me të shpejtë. Iu shmangëm forcave gjermane, edhe pse në Petrelë ata kontrollonin vendin pëllëmbë për pëllëmbë me dylbi. Ia dorëzuam në dorë letrën Nexhip Vinçanit. Pasi e lexoi letrën në sytë tanë, ai na tha: “Oficerë e nënoficerë gjermanë të zënë rob kam plot. Por ata janë të plagosur dhe nuk mund të bëjnë rrugë të gjatë. Megjithatë, prisni. Shkoni dhe hani drekë”. Atëherë e kuptuam se Mehmet Shehu kishte kërkuar me çdo kusht një oficer gjerman, pasi në letër ishte shkruar: “…për nevoja të Shtabit të Divizionit”. Gjatë kohës që ne po hanim drekë, Nexhip Vinçani urdhëroi batalionin III të Brigadës IV të sulmonte një postë gjermane dhe të kapnin një oficer gjerman, rob e të padëmtuar. Pas tri orësh, Nexhip Vinçani na thirri sërish. Aty pamë një oficer të ri me shenjat SS të ushtrisë gjermane. Na porositi: “Kini kujdes se është SS i rezikshëm!” Ai kishte qenë komandant i kompanisë së tankeve dhe partizanët gjatë sulmit të rrufeshëm e kishin zënë të gjallë brenda në tank. Ishte pak i gjakosur, pasi mezi e kishin nxjerrë nga tanku. Pasdite u nisëm për në Shtabin e Divizionit. E vumë në mes oficerin e ri dhe unë, duke e shpuar me bajonetë, e provokoja: “Kaput Hitler!”, ndërsa ai më përgjigjej, pa iu dridhur syri: “Kaput Stalin!”. Kur e çuam në shtabin e Divizionit, të lidhur, Mehmet Shehu filloi të qeshte nga kënaqësia”.

DETYRAT

Si vepronin korrierët e Luftës

Detyra numër një dhe e vetme e një korrieri lufte ishte çuarja e postës me çdo kusht në destinacion. Zenel Merjo thotë se “heroizmi” i misionit të korrierit ishte zbatimi i urdhrit. Në të gjitha rastet korrierët e luftës lëviznin vetë i dytë. Komanda partizane toleronte duke lënë që korrierët të përzgjidhnin shoqërinë e njëri-tjetrit në kryerjen e detyrës. Zakonisht, letrat, në formë pusullash, futeshin në gji dhe mbaheshin me kujdes, që të mos bëheshin të palexueshme. Ato nuk mbylleshin në zarfe, pasi nuk ishte e mundur, porse korrierit, në mirëbesim, nuk i lejohej që të lexonte letrën e formuluar nga eprori. Zenel Merjo thotë se korrierët vepronin vetëm me letra dhe në raste shumë të rralla lajmi transmetohej me gojë. Sipas tij, korrieri duhej të ishte tepër i vëmendshëm për të mos u përballur me asnjë pritë. Nga përvoja personale, Zenel Merjo thotë se gjatë udhëtimeve të shpeshta të tij nëpër zona të ndryshme të Shqipërisë i ka rastistur të përballet me forcat e ushtrisë gjermane, apo me kolaboracionistët vendas. Por në të gjitha rastet i është shmangur me sukses një incidenti me armë. Detyra e korrierit e ka bërë atë që të mos ndalet asnjë çast, por të udhëtojë vazhdimisht në terrene të panjohura. Ai shton se rënia rob e një korrieri në duart e armikut ishte një gjë tepër e rrallë, pasi mundësia për t’iu larguar rrezikut ishte shumë e madhe. Edhe pse ishin të armatosur mirë: me pushkë, gjerdan me fishekë dhe bomba, një korrieri nuk i lejohej në asnjë mënyrë që të shkrepte armën kur ishte në udhëtim. (Dhënë për Telegraf në 2008)