Dossier/Zgjedhja me short e Fan Nolit si kryeministër

1033
Sigal

Ergys Alushi:Si u zhvillua Kryengritja e Qershorit 1924 dhe caktimi i postit të Kryeministrit me llotari.Dënimi nga gjykata me pushkatim i Ahmet Zogut për vrasjen e amerikanëve të Mamurras, reagimi i Faik Konicës dhe rikthimi në pushtet i Ahmet Zoguut me mbështetjen e serbëve dhe rusëve

Vrasjet e prillit 1924 që tronditën Shqipërinë!

 

-Si u zhvillua kryengritja e qershorit 1924

-Zgjedhja me short në postin e kryeministrit e Fan Nolit

-Çfarë shkruan Faik Konica për “Vëllavrasja” dhe “Gjykatorja politike”

-Dënimi me vdekje i Ahmet Zogut nga gjyqi politik

 

Fan Noli, kryeministër me short?!

Sejfi Vllamasi dhe Eqerem Bej Vlora, deputet dhe aktivë në ngjarjet e vitit 1924, kanë shkruar në kujtimet e tyre për zgjedhjen me short të Fan Nolit si kryeministër i qeverisë që doli nga kryengritja e qershorit 1924.
Në librin e tij “Ballafaqime politike në Shqipëri”, Sejfi Vllamasi më faqen 261 shkruan ndër të tjera:
“Filluan bisedimet për zgjedhjen e kryetarit të qeverisë. U paraqitën si kandidatë: Fan Noli, Sami Vrioni dhe Sulejman Delvina, e me eliminimin e këtij të fundit, mbetën këta dy të parët. Tërë një natë kanë vazhduar bisedimet, por qe e pamundur të mbeteshin dakord mbi personin që do të kryesonte qeverinë. Më në fund vendosën të zgjidhej me llotari Kryeministri. Por në letrat që përmbanin emrat e llotarisë është shkruar 90% emri i Fan NoliT

Në librin e tij “Kujtime 1885-1925”në faqen 515 Eqerem Bej Vlora shkruan kështu;
“Ky burrë i mençur u bë shtytësi dhe simboli i këtij revolucioni gjoja shoqëror dhe ekonomik. Fitorja e tij e solli atë në karrigen e kryeministrit (16 qershor 1924). Zgjedhja u bë me short, si në lojërat e fatit. Mëtues për këtë post ishin Sulejman bej Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli, secili kishte miqtë dhe kundërshtarët e vet. Një votim i rregullt parlamentar nuk mund të bëhej, sepse, e para, nuk kishte fare parlament, e dyta, edhe sikur të kishte, deputetët demokratë nuk përbënin shumicën. Atëherë u përdor një sistem special. U hodhën në një shportë tri pusulla me emrat e të tre kandidatëve dhe pastaj u morr një “fëmijë i popullit” (mbase ndonjë arixhofkë e vogël të nxirrte njërën nga këto pusulla. Fati zgjodhi Fan Nolin dhe ai u bë kryeministër”

“Vëllavrasja” dhe “Gjykatorja politike”

Zhvillimet pas kryengritjes së Qershorit 1924 kulmuan me krijimin e “Gjykatores politike” e cila do të ndëshkonte shkaktarët e asaj që konsiderohej “vëllavrasje”.
Në lidhje me krijimin e kësaj gjykate reagoi edhe Kryetari i Federatës “Vatra” Faik Konica.
Në një shënim të botuar në gazetën “Dielli’ nr.304 më 9 shtator 1924, ai shkruan ndër të tjera:
“Do të kish qenë mirë sikur Gjykatorja politike, që vepron tani në Shqipëri dhe në të cilën marrin pjesë si gjykatës disa njerës me karakter, të kish patur për detyrë të zbulojë e të dënojë ata të cilët në katër vjet e sipër e demoralizuan, e vothnë, dhe e shpunë Shqipërinë në buzë të varrit. Në vënt të kësaj detyre të ndershme, gjykatores Politike i vunë për barrë të kërkojë “shkakëtarët e vëllavrasjes”. Kjo masë jo vetëm është e lajthitur se hap më kot një plagë të rrezikshme, po është dhe masë qesharake. Është e para herë në histori të botës që revolucionarë fitonjës hapin një gjyq për të kërkuar shkakëtarët e revolucjes, me qëllimin pa fjalë që të dënojnë jo veten e tyre po ata që kundërshtuan revolucjen. Është një them’ e bukur për komedi, po nuk është gjë as e hiëshme as serioze. Nuk munt të mohojmë se shefqet Vërlaci me Iljas Vrionin, duke kundërshtuar lëvizjen revolucjonare, bënë detyrën e tyre si njerës të guvernës. Le të mos harrojmë që, në qoftë se populli ka të drejtën, në ca raste të ralla, të bëjë revolucje për të shpëtuar prej reziqesh më të mbëdha, nga ana tjatër guverna ka kurdoherë jo vetëm të drejtën po edhe detyrën të kundërshtojë lëvizjet revolucionare.
Guverna e Shefqet Vërlacit është më e liga që ka patur Shqipëria në pesë vjet e sipër, po ndonëse e ligë, ish pa dyshim guverna legale e vëndit. C’do të bëjë guverna e sotme sikur të përcasë një kundër-revolcje? Do t’dërgojë ushtëri t’a shtypë lëvizjen, dhe në mos mjaftoftë udhëtria do të thrres vullnetarë. Me gjithë këtë le të thomi se kundër-revolucja dolli e fituar, mori fuqinë në dorë, dhe u bë guverna e re. Si u pëlqen miqve t’anë që qeverisin sot sikur një “gjykatore politike’, e vëndosur nga guverna kundër-revolucionare, t’i hedhë në burg si shkakëtarë të “vëllavrasjes”: t’i dënojë, t’u vërë gjoba, ose t’u marë mallnë? Do të thonë se nuk është gjë e drejtë, kurse ata do të bëjnë pikë për pikë punën që këta bëjnë sot? Munt të jem i lajthitur, po më duket se guverna, me masën që mori, ka japur një plagë e cila s’do të mbyllet kurrë, një plagë që do t’a trashëgojnë dhe brezat e pastajme.
Ku mer fund të luftë civile, ka dy sisteme përpara fitonjësve: njëri është sistemi i sfungjerit, i të fshirit e i të harruarit të punëve që kundërshtarët bënë në kohën e luftës civile: këtë sistem t’urtë vazhdoj Lincoln-i, i cili me gjith’protestimet e general Grant-it, s’përmetoj të dënohet asnjë nga të mundurit dhe i la të gjithë të lirë: – tjatri është sistemi i cgjakësimit pa mëshirë kundrë të mundurve. Ky i dyti është sistemi i Meksikut e i republikave t’Amerikës jugës. Është një sistem i rezikshëm, i cili le plagë të hapura: dhe përveç kësaj, s’jemi as të zotët t’a vëmë në punë si duhet se miqësia dhe soji ka për ne më tepër forcë se sa idetë. Cqeveritarët e rënë kanë bërë një qint tradhësira dhe vjedhje, për të cilat duhet me doemos të hiqen në gjyq: po për “vëllavrasjen’: dhe në qoftë se kini pakëz sense, of humor do t’kuptoni lehtë përse”
Por, as shënimet e Faik Konicës dhe as kritikat e ndryshme e të shumta në drejtim të Gjykatës Politike, nuk u morën në konsideratë nga kjo gjykatë, e cila në 13 dhjetor do të jepte vendimin për të gjykuarit në mungesë.

“Gjyqi i amerikanëve mori fund”

“Gjyqi i amerikanëve që u vranë në Mamurras, mori funt. Prokurori kërkoj të dekllarohen fajtorë për krim Ahmet Zogu, Vesel Idrizi, Cul Sul Cana, Hasan Veli Keqi, Ali Qinami, Xhafer Taga

13 dhjetor 1924
Gjyqi Politik dënon me vdekje Ahmet Zogun

Më 13 dhjetor në Tiranë, Gjykatorja Politike do të shpall vendimin gjyqin e hapur ndaj personave që ishin akuzuar “vëllavrasës” Gjykatorja Politike që u formua në Tiranë përbëhej nga Kryetar Mustafa Pipa, pyetës Abdul Kuçi, prokuror Ibrahim Dede dhe anëtarë Rasim Babameto, Lako Borshi, major I. Jakova dhe I. Përmeti.
Disa ditë përpara se të japë vendimin, në një lajmërim të botuar në “fletoren Zyrtare”, gjyqi politik u bënte thirrje të pandehurve që ishin akuzuar për “vëllavrasje” që të paraqiteshin në zyrën jetuese politike në Tiranë se, përndryshe do të kryheshin formalitet ligjore pa praninë e tyre.

“Sot Gjyqi Politik, i ngrehur për gjykimin e vëllavrasjes së fundit, në bazë t’akuzimeve të Prokurorit vendosi me vota të përbashkëta dënimin me vdekje të Ahmet Zogut, Ceno Bej Jakovës si aktorë principal: dënimin me vdekje të Shefqet Vërlacit, Mufid Libohovës, si komplotistë principal: dënimin me vdekje të Iljas Vrionit, Mustafa Aranitasit dhe Abdurahman Dibrës si komplotistë principal… Të dënuait humbasin gjithë të drejtat civile dhe t’u konfiskohet pasuria e tundëshme dhe e patundëshme me përjashtimin e pjesës prej 5000 fr. T’ardhurash. ..”

Vendimi jepej pikërisht në ditët kur në 10-13 dhjetor 1924 kishin filluar veprimet ushtarake të forcave të Zogut në Dibër dhe Lumë. Ahmet Zogu lajmëron Anglinë, Francën dhe Jugosllavinë për veprimet e tij, të cilat miratohen në mënyrë unanime nga këto shtete.

Ahmet Zogu rikthehet në pushtet
Ndodhte më 24 dhjetor 1924

Mëngjesin e të martës të datës 23 dhjetor 1924 Qeveria e Fan Nolit iku nga Tirana dhe u vendos në Vlorë. Të shtunën e datës 29 dhjetor, në mbrëmje, Qeveria u largua për në Itali me një anije që erdhi për t’i marrë. Së bashku me anëtarët e qeverisë ikën dhe shumë nëpunës dhe rreth 70 oficerë të lartë.
Ahmet Zogu hyn në Shqipëri së bashku me mbështetësit e tij: Ceno Bej Kryeziun, Muharrem Bajraktarin, Prenk Pervizin, Hysen Selmanin, Koço Kotën, Myfid Libohovën dhe rrëzojnë qeverinë shumë të kontestuar të Fan Nolit, qeveri që nuk u njoh nga jashtë dhe që nuk i mbajti premtimet e bëra.
Ahmet Zogu shpallet kryeministër i vendit. Ai shpall programin e tij dhe anulon të gjitha vendimet e qeverisë së Nolit. Dënohen me vdekje në mungesë anëtarët e kabinetit të “revolucionit”.

Në numrin e datës 27 dhjetor gazeta “Dielli” që botohej në Boston, boton në faqe lajmin me titull: “Vrasësi Elez Hasani u lëshua nga burgu i Tiranës”
Në artikull ndër të tjera shkruhet: “Lajmë i veçantë për gazetën New York Times – Elez Hasani një nga 22 të dënuarit për vrasjen e të dy amerikanëve De Long dhe Colerman, u çlirua sot me vrap sapo që ushtrit’e Ahmet Zogut hynë në Tiranë. Z.Sauth, ministër i Amerikës, bëri me një herë protestë për lëshimin e tij…”