DOSSIER/ XHAFERR PEÇI, SI MBIJETOI 48 VJET NË USHTRI

966
Dritëro Agolli 


Parathënie e librit për librin e Skënder Haskos
MONOGRAFIA / Një libër për jetën dhe veprimtarinë e ish-komandantit të Gardës
Për trimat këndohen këngë dhe shkruhen libra. Kjo është një veçori e individualitetit te tyre. Për shkencëtarët, shkrimtarët, gazetarët, deputetët e të tjerët, mund të shkruhen libra, por, në përgjithësi, nuk mund të këndohen këngë, ndonëse edhe këta nuk përjashtohen nga trimëria. Megjithatë, unë trimin nuk e përfytyroj si në përralla, që i mposht kundërshtarët e tij pa iu dridhur asnjë qime dhe, me muskujt e tij, del gjithmonë fitimtar. Për mua, trimi është një harmoni e guximit, mençurisë, dhembshurisë dhe idealit patriotik dhe ndërnjerëzor. Për këtë përfytyrim të trimit dhe të trimërisë, më tërhoqi plot kërshëri libri i Skënder Haskos “Xhafer Meto Peçi” për “njeriun që nuk u lodh kurrë”. Libri tregon për jetën, luftën, punën, gëzimin dhe trishtimin e Xhafer Peçit, këtij burri që, në vargun e gjatë të viteve, mbeti njeri i vërtetë. Libri i Skënder Haskos, i shkruar me një stil të këndshëm, zbulon shkallë-shkallë vetitë e figurës së Xhafer Peçit përmes mjedisit ku ai lindi dhe hodhi hapat e parë në oborrin e shtëpisë, atje, në një lagje të Kuçit të Labërisë dhe përmes rrugës se gjatë në horizontin e hapur të Shqipërisë, nga një djalosh i ri kryengritës, dhe te një burrë i pjekur, i mençëm dhe fisnik. Autori, një krijues me përvoje, jep në fillim me ngjyra të gjalla Kuçin, ku lindi heroi, fshatin-simbol të patriotizmit dhe djepin e trimave të papërkulur, burrave të mençëm dhe grave besnike e gjeraqina, luftëtare përkrah tyre. Në këtë mjedis, ku dolën Zenel Gjoleka, Jaho Gjoligu, Memo Metoja dhe kapedanë të tjerë, në gjirin e një fisi me rrënjë të thella atdhedashurie, u ndie edhe zëri i Xhafer Peçit. Ai barti me vetë virtytet e gjyshit të tij, Balilit, luftëtar i Gjolekës; të atit të tij, Metos, trimit të Luftës së Vlorës të 1920-ës, dhe përvetësoi vetitë e çmuara të burrave të Kurveleshit. Ndoshta ndokush që nuk e njeh Xhafer Peçin, do të thotë se autori i këtij libri, Skënder Haskoja, dhe unë, që shkruaj këtë parathënie, po e teprojmë me lavdërime. Por, që të bindet se këto që themi janë të vërteta, le të pijë një kafe me Xhafer Peçin, të kuvendojë pak me të dhe mbase bindet për vërtetësinë e fjalëve tona. E lehtë është të hysh në luftë që në moshën 16-vjeçare, kur moshatarët e tu luanin me topa leckë nëpër lëndina? E lehtë ishte që 17-vjeçar të bëhej partizan i Brigadës së Parë, madje komandant skuadre, i brigadës më të furishme të Luftës Antifashiste NAÇl, ku ata që futeshin atje duhej të mendoheshin mirë? Libri i Skënder Haskos me mençuri na tregon se si djaloshi kuçiot, Xhafer Peçi, rritej në Luftë, në gjimnazin dhe universitetin e Luftës, ku shkronjat i shkruanin plumbat e mitralozave. Mes kësaj lufte ai i ra kryq e tërthor Shqipërisë, nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim; njohu trima dhe frikacakë, të mençur dhe jo të tillë, të pasur dhe të varfër, atdhetarë dhe tradhtarë. Ai pa shokë dhe miq të vrarë që, para se të vdisnin, u lagu buzën me ujin e pagurit të tij. Dhe kështu, me pushkë në dorë, 18-vjeçari komandant kompanie, Xhafer Peçi, luftoi bashkë me shokët e tij për çlirimin e Tiranës. Tanimë Xhaferi universitetin e luftës e kishte mbaruar shkëlqyeshëm, duke i dhënë provimet në Skroskë e në Tendën e Qypit, në Kalanë e Pogradecit e në Vajkan, në Qafën e Gjarprit, në Margëlliç, e barrikadat eTiranës… Por misioni i tij nuk mbaroi. Fituesi i lirisë duhet të bëhet edhe mbrojtësi saj, i diplomuari në Universitetit e Luftës duhej të mbaronte edhe Universitetet e Paqes. Ai, që kur ishte i vogël, kishte një porosi të nënës: “Djalo, duhet të mbarosh një shkollë të lartë!”. Koha e solli që porosia e nënës të bëhej realitet. Xhaferi mbaroi dy akademi në Moskë: “Frunze” dhe “Voroshillov”. Në librin “Xhafer Meto Peçi” radhiten punët dhe përgjegjësitë e Xhaferit pas çlirimit të Atdheut, që nga komandant brigade dhe deri në komandant Garde i Republikës. Ngjarjet atje janë përshkruar mirë e bukur, me vërtetësi dhe me ndjenjë dhe unë nuk kam se ç’të shtoj, vetëm dua të them se Lufta dhe jeta ushtarake, Xhaferit nuk ia thau ndjenjat, çuditërisht ai mbeti i ndjeshëm edhe ndaj një cicërime zogu. Atë e prekin dhimbjet njerëzore si të ishte poet, por di t’i përballojë dhe t’i kapërcejë. Para pak kohëve erdhi tek unë dhe, duke pirë një kafe, psherëtiu: “më mori me qafë gruaja, më la!” Unë nuk e dija që i kishte vdekur, Tirana është e madhe dhe ngjarjet nuk merren vesh. Ne heshtëm për një çast. Në heshtje e sipër m’u kujtua edhe vdekja e djalit të tij tridhjetë e ca vjeçar, një plagë kjo e pambyllur. Po Xhaferi është një lis me rrënjë të thella nga ata të Kuçit, që nuk lëkundet nga erërat. Ke dëshirë të rrish e të pish një kafe me këtë burrë të imët me një fytyrë të mprehtë prej nga rrjedh një mençuri e pashterur, me këtë burrë që kurrë nuk di të mburrë veten e të marrë nëpër gojë të tjerët. Nderi i tij rritet sa më shumë zgjatet vargu i viteve. Ma merr mendja se Xhafer Peçi është i fundmi burrë klasik i Kuçit. Ndërkaq unë kam të drejte të them: Për trimat këndohen këngë dhe shkruhen libra. 
DR. HASAN LUÇI
Dy fjalë për njeriun që nuk u lodh kurrë
Shtëpia botuese “Toena” nxori monografinë e shkrimtarit Skënder Hasko për kolonelin në rezervë Xhafer Peçi, një nga veteranët e parë LANÇ-it në Kurvelesh dhe nga luftëtarët e partë të Brigadës I Sulmuese deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Kjo monografi hapet me parathënien e shkrimtarit të shquar Dritero Agolli, i cili vë theksin thjesht me mendimin se “Për trimat këndohen këngë dhe shkruhen libra”, duke vlerësuar bindshëm këtë nismë të suksesshme, me stilin e këndshëm të Skënder Haskos i cili i përshkruan jetën dhe punën 48-vjeçare në ushtrinë popullore. Autori përmend lindjen e Xhafer Peçit më 7 korrik 1926 në Kuç të Labërisë në një familje të hershme atdhetare duke mos e hequr pushkën nga nga supi brez pas brezi për liri, pavarësi e përparim të Shqipërisë . Gjatë LANÇ-it e filloi si i luftëtar i thjeshtë në çetat e para, pastaj në Brig.I S dhe komandant batalioni në çlirimin e Tiranës. Pas çlirimit ndoqi karrierën ushtarake, duke arsimuar e përsosur artin ushtarak të ushtrisë kombëtare shqiptare. Nga vitet ’47-’60 kreu tri shkolla të larta në ish-Bashkimin Sovjetik me rezultate të larta, atë të komandimit dhe dy akademi Frunxe dhe të shtatmadhorisë Vorollishov i vetmi kuadër me këtë përgatitje nga oficerët e Traktatit të Varshavës. Kështu ai kreu shumë funksione nga komandant kompanie, batalioni. Brigade dhe funksione të larta të MMP dhe komandant i Gardës së Shqipërisë. Veç kësaj monografia thekson faktin se ky njeri ka treguar vullnet e optimizëm qysh në moshën e re pa u lëkundur gjatë luftës dhe pas çlirimit. Për jetën dhe punën e tij shumë shokë kanë bërë vlerësime të larta, duke konstatuar se ai ka qenë dhe është një njeri i aftë për t’u lidhur me popullin, kudo që ka jetuar e vepruar, duke dhënë ndihmesën e tij në aksione politike, ekonomike, kulturore, rinore, në Shkodër, Vlorë, Korçë, Pezë, Devoll etj. Për këto shërbime shoqata “Devolli” dhe ajo e Pezës e kanë zgjedhur anëtar nderi, kurse ajo “Labëria” dhe “Vllazërimi Kuçiot” në kryesinë e tyre. Ai është dekoruar me shumë urdhra e medalje të Luftës dhe të Punës. Me rastin e 60-vjetorit të mbarimit të Luftës II Botërore, Presidenti Putin i dha medaljen për merita të veçanta. si pjesëmarrës i kësaj Lufte.
Skënder HASKO
Kur shkruhet një monografi 
Kur ke të bësh me një veprimtari të pasur jetësore të një njeriu, mendon se mund të shkruash fare kollaj një monografi, sepse brenda jetës së atij njeriu ka shumë ngjarje, episode dhe bëma, prej të cilave mund të vjelësh më të mirat, më të dëgjuarat. Por, kjo nuk është e lehtë aq sa duket, sepse, ngaqë të gjitha ngjarjet, episodet dhe bëmat e atij njeriu, janë gati të barasvlershme, s’di cilën të marrësh e cilën të lësh. Kjo ndodhi me mua kur nisa të shkruaja monografinë për Xhafer Peçin. Sidoqoftë, qëmtova ato që mendova se e japin të plotë figurën e këtij personaliteti, që ka dhënë një kontribut tepër të çmueshëm, si në Luftën ANÇl, ashtu edhe në Forcat e Armatosura pasçlirimit. Mendoj se, me këtë monografi, ata që nuk e kanë njohur drejtpërsëdrejti, do mund të krijojnë një përfytyrim të plotë të figurës së tij. Figuta e Xhafer Peçit rrezaton mençuri, profesionalizëm, dashuri, urtësi e zemërgjerësi, atdhetarizëm e idealizëm. Ai është si një gur i çmuar, shkëlqimi i të cilit vjen nga thellësitë e kohëve, mbartur prej fisit të tij dhe që e përcjell besnikërisht tek pasardhësit.
Sigal