DOSSIER/ SHQIPËRIA, SI I NDËRTOI 650 DIGA

1091
Leonard VEIZI

FARUDIN HOXHA Shqipëria, si i ndërtoi 650 diga 
INTERVISTA/ Akademiku Farudin Hoxha, parashtron rrezikun që mund të vijë nga amortizimi i ujëmbledhësve 

Ujëmbledhësit
Ja dobitë nga ndërtimi i digave
Akademiku Farudin Hoxha thotë se ndërtimi i digave ujëmbledhëse ka mundësuar që:
– Të prodhohen 5,34 miliardë KVV orë energji elektrike mesatarisht në vit;
– Të vihen nën ujë ose të ujiten, se bashku edhe me burime të tjera ujore, rreth 400.000 ha tokë
bujqësore ose 57% e tokës se punueshme e cila deri në vitin 1990 ka qenë rreth 700.000 ha;
– Të zvogëlohen ndjeshëm përmbytjet e tokave dhe të qendrave të banuara nga vërshimet e lumenjve në kohë dimri
– Të krijohen kushte të favorshme për kultivimin e peshkut jomigrues
– Të mundësohet transporti i pjesshëm lumor
– Të ndikohet në përmirësimin e mikroklimës së zonave pranë ujëmbledhësve.
– Të krijohen kushte për shtrirjen në thellësitë territorit të aktivitetit turistik dhe rekreativ
– Të krijohen kushte për sigurimin e ujit të pijshëm dhe atij komunal.
– Të ndikohet në zvogëlimin e erozionit nga rrjedhjet e ujërave sipërfaqësorë.
Nuk e ka në plan të pushojë pa e vrarë mendjen, të ndjekë me fanatizëm edicionet e lajmeve në televizor dhe as të shohë me ankth ndeshjet e “Champion League”. E megjithatë, koha nuk i jep as mundësinë të bëjë shëtitje rreth liqenit artificial e të mendojë qoftë dhe për një çast të vetëm, se për një digë si ajo që është ndërtuar në kodrat e kryeqytetit për mbledhjen e ujit, ai ka punuar për ta lartuar atje, në Fierzë, Koman apo gjetkë. Por dhe nëse gjen kohën për t’u qetësuar e për të mbledhur veten pak, atij sërish i duhet të jetë atje, në tavolinën e tij të punës, ku projektet që zëvendësojnë njëra tjetrën e presin vazhdimisht. Ndaj ai, është gjithmonë në lëvizje të pandërprerë, për të ideuar ndërtimin e një digë të re, apo për të bërë oponencën e një punimi të me të njëjtat vlera. Dhe digat, vazhdojnë të jenë në projektet letër, që ndonjë ditë më pas të ngrihen atje, në shtratin e një lumi të rrëmbyer…
…Tanimë kohët kanë ndryshuar. Thuhet se ishin më të sigurta dhe se shteti kujdesej më shumë për to. Por jo të gjitha digat e ndërtuara në Shqipëri tashmë e kanë këtë siguri. Vitet kanë kaluar dhe parametrat e tyre nuk mund të jenë ato të viteve të para pas ndërtimit. Dhe këtu nuk flitet vetëm për digat e hidrocentraleve, por dhe për ato të liqeneve apo rezervuarëve që përdoren për vaditjen e tokave, apo si burim për ujë të pijshëm. Tanimë një pjesë prej tyre janë në fazën e amortizimit dhe, më mos qoftë e thënë, nëse ndonjëra prej tyre shembët a çahet, pasojat do të jenë katastrofike. Kjo sidomos kur bëhet fjalë për 306 digat më të mëdha të vendit. Ky rrezik evident, i lançuar ndonjëherë edhe nga ndonjë gazetë a televizion, duket se nuk është marrë fort seriozisht nga strukturat përkatëse që duhet të përgjigjen për to. Profesor Farudin Hoxha, i njohur më së shumti si një preh heronjve të ndërtimit të hidrocentraleve, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Telegraf” rrëfen për rrezikun që ka sot vendi ynë, nga mosmirëmbajtja e digave ujëmbledhëse:
Cila është gjendja aktuale e digave të ndërtuara në vendin tonë?
“Me ujin dhe me zjarrin mos luaj”, thotë populli ynë. Pikërisht këtë intervistë dëshiroj ta zgjeroj për veprat dhe objektet që trajtojnë ujin, për të cilat po nuk u kujdesem me maksimumin e përkushtimit e të dijeve bashkëkohore, ato kthehen në një “cunam” të papërmbajtshëm që merr dhe shkatërron çdo gjë që gjen përpara. Lidhur me këtë temë, meqenëse m’u drejtuat, më lejoni edhe mua të them në mënyrë mjaft të përmbledhur disa nga mendimet e mija.
Ku do të ndalemi më konkretisht?
Po e fillojmë me problemet e ujit. Në rruzullin tokësor rezervat e ujit të ëmbël po bëhen nga dita në ditë më të pamjaftueshme për plotësimin e nevojave të përdoruesve. Shkaqe të kësaj dukurie tashmë janë të njohura dhe e kanë burimin kryesor në zhvillimet demografike dhe veprimtarinë e gjithanshme jetësore të shoqërisë njerëzore. Është rritur mjaft norma e konsumit të ujit dhe e qëllimeve për të cilat përdoret, është rritur mjaft numri i konsumatorëve dhe i nevojave të tyre gjithnjë në rritje, është rritur me ritme shumë të shpejta numri i popullsisë së globit dhe përqendrimi i saj në metropole dhe qytete, në kërkim të një jetë më të mirë, por që bie ndesh me shpërndarjen e burimeve ujore, është rritur ndjeshëm ndotja e mjedisit si rrjedhojë e veprimtarisë intensive ekonomike të njeriut në kërkim të standardeve jetësore më të larta etj. Në këto kushte uji mbetet për njerëzimin një pasuri me rëndësi strategjike, vlera e të cilit vjen çdo ditë duk e u rritur. Ai është i pazëvendësueshëm. Pa të nuk ka jetë.
Cili është konsumi i ujit në ditët e sotme, kur tashmë është i njohur fakti i krizës së burimeve ujore?
Gjatë periudhës 50-vjeçare, nga viti 1950 deri në vitin 2000, popullsia e globit është rritur 2,5 herë kurse konsumi i ujit është rritur 4 herë, në një kohë kur burimet ujore, nga pikëpamja sasiore, mbeten po ato. Në vitin 2025 popullsia e globit me ritmet e sotme të shtesës do të shkojë në rreth 11 miliardë banorë. Këta dy tregues, duke pasur parasysh zhvillimet në botë, paralajmërojnë një përkeqësim të mëtejshëm të situatës, por njëkohësisht shtrojnë domosdoshmërinë e ruajtjes dhe përdorimit me shumë kujdes të rezervave të ujit të ëmbël, Ndoshta në një të ardhme shumë të afërt, do të lindi nevoja për burime të tjera ujore, të cilat gjithsesi për t’u sjellë në gjendje të përdorshme do të kërkojnë shpenzime të konsiderueshme.
Po Shqipëria në çfarë kushtesh ndodhet?
Uji, si një nga elementet thelbësore të mjedisit, është bërë objekt studimi e trajtimi i shumë institucioneve në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, për të cilin janë zhvilluar shume aktivitete dhe janë hartuar një sërë dokumentesh për mbrojtjen e tij. Dukuria e pamjaftueshmërisë së burimeve ujore në vendin tonë ndonëse në stadin e sotëm të shoqërisë shqiptare nuk vërehet dukshëm, është prezent. Kjo vërehet si në rrjedhjet ujore sipërfaqësore ashtu dhe në ujërat nëntokësore, të cilat krahas ndotjes intensive, i nënshtrohen edhe shfrytëzimit të tyre pa kriter. Në burimet ujore të vëna në shfrytëzim dhe në sistemet e ujësjellësve që furnizojnë popullatën me ujë vërehet një administrim i keq si nga furnizuesit ashtu edhe nga përdoruesit. 
A kanë filluar mungesat e burimeve ujore?
Shqipërisë nuk i mungojnë rezervat e ujit, të këtij elementi jetësor, me vlera të gjithanshme e të pazëvendësueshme dhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomiko-shoqëror të saj. Vendi ynë renditet ndër vendet me ujëshmëri të bollshme. Në territorin e Shqipërisë bien mesatarisht 1460 m/m reshje atmosferike në vit. Rrjeti hidrografik lumor derdh në det mesatarisht rreth 42 miliard m3 ujë në vit, ose rreth 12.000 m3 në vit për banor. Disa prej lumenjve kryesorë të vendit, si Drini dhe Vjosa, pellgu ujëmbledhës të tyre e shtrijnë edhe në territorin e shteteve fqinje, çka bën që të rritet ndjeshëm rrjedhja ujore e tyre. 
Po shfrytëzimi në çfarë kushtesh është?
Anë negative e këtyre rrjedhjeve mbetet jouniformitet i theksuar i tyre në kohë dhe në hapësirën e vendit tonë. Shfrytëzimi i burimeve ujore në kushte natyrore, pa ndërhyrjen e njeriut, karakterizohet nga një shkallë e ulët e përdorimit të tyre dhe shoqërohet me mospërputhje të theksuara në kohë dhe në sasi midis nevojave të konsumatorëve dhe atyre që ofron natyra. Për zbutjen e këtyre mospërputhjeve, që çojnë njëherësh edhe në rritjen e shkallës së shfrytëzimit të rezervave ujore, del nevoja e ndërtimit të digave, të cilat në varësi të lartësisë dhe kushteve të terrenit krijojnë ujëmbledhës me vëllime të ndryshme uji. Janë pikërisht këta ujëmbledhës, që në sajë të kapacitetit të tyre bëjnë të mundur rishpërndarjen e rrjedhjes natyrale. Ata grumbullojnë ujin në periudhën e lagur me reshje atmosferike të bollshme dhe e lëshojnë atë në periudhën e thatë, në përputhje me nevojat e përdoruesve të ndryshëm të tij.
A ka në Shqipëri diga të përmasave të mëdha?
Sigurisht që janë ndërtuar dhe ka të tilla. Është një trashëgimi që brezat e sotëm gëzojnë nga brezat paraardhës. Në Shqipëri janë ndërtuar rreth 650 diga, 306 nga të cilat plotësojnë kushtet e vëna nga Komisioni Ndërkombëtar i Digave të Mëdha, ICOLD, për t’u quajtur diga të mëdha. Midis 82 vende anëtare të ICOLD-it, ku vendi ynë aderon që nga viti 1964, Shqipëria zë vendin e parë për diga të mëdha për çdo banorë dhe vendin e 18 për numrin e përgjithshëm të digave të mëdha. Për çdo 10.000 banorë vendi ynë ka afërsisht një digë të madhe. Diga e Fierzës është midis 150 digave me të larta të botës. Ajo, së bashku me digën e hidrocentralit të Komanit ka hyrë në botimet e specializuara të ICOLD-it.
Cili është kapaciteti ujëmbledhës i tyre?
Kapaciteti i ujë mbledhësve i krijuar nga këto diga arrin në 4,6 miliardë m3 ujë ose rreth 12% të rrjedhjes së përgjithshme natyrale që lumenjtë tanë derdhin në det, në vitin mesatar. Sipërfaqja e përgjithshme e pasqyrës së ujit të krijuar nga të gjithë ujë mbledhësit tanë arrin në 226 km2. Sa renditëm më lart tregon për një shkallë të kënaqshme të mundësive që krijohen për ujë dhe rregullim relativisht mirë të rrjedhjes natyrale të lumenjve tanë, meritë kjo e digave të ndërtuara dhe e ujëmbledhësve të krijuar prej tyre. 
(Vijon nesër)
Sigal