Sigal

Xhejkobsi dhe Fulci mbërritën në Tiranë, më 8 maj 1945, për t’u takuar me Hoxhën tashmë shef i Republikës Popullore të Shqipërisë. Nëse qeveria e Shteteve të Bashkuara do të zgjaste lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë, kjo kishte të bënte me plotësimin e dy kushteve nga shqiptarët. I pari kishte të bënte me mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri. Kushti i dytë ishte që Shqipëria të njihte vlefshmërinë e traktateve të nënshkruara midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë para prillit 1939. Kushti i zgjedhjeve të lira ishte një nga parimet e artikuluara nga Tre të Mëdhenjtë në Jaltë. Kushti i traktateve ishte një parim i Shteteve të Bashkuara që datonte nga fundi i shekullit të 18-të. Më 2 dhjetor 1945 Shqipëria mbajti zgjedhje njëpartiake, të cilat, natyrisht që u fituan nga Hoxha dhe komunistët. Njohja e traktateve të para 1939-ës u hodh poshtë nga partizanët kur ata u mblodhën në Kongresin e Përmetit në maj të 1944-ës. Këto traktate ishin firmosur gjatë periudhës së Mbretit Zog. Partizanët anuluan si mbretin ashtu dhe traktatet e tij.

Ekziston një fotografi mjaft domethënëse e Fulcit e bërë gjatë vitit 1945 në ambientet e jashtme të shkollës që njihej me emrin e tij. Ai qëndron midis nja dyzet ish-studentëve të tij, disa të veshur me uniformë partizane përjashta ndërtesës së shkollës në një pozë që i ngjan një takimi pas vitesh të një klase. Fotografia tregon qartë që, të gjithë studentët, të cilët e kishin prejardhjen nga fshatrat e thella dhe malore të vendit, i mbajnë sytë nga Fulci. Ishte ai njeriu që, në fund të fundit, i kishte mësuar dhe përgatitur ata të përmirësonin veten dhe vendin e tyre. I jashtëzakonshëm ishte fakti që shumë nga studentët që kishin kryer këtë shkollë kishin luftuar për partizanët, Ballin Kombëtar dhe OSS-in. Jo shumë gjatë pasi ishte bërë kjo fotografi dhe Fulci do të shihte me sytë e tij se si ish-studentët e tij vrisnin njëri-tjetrin në Tiranë. Në një letër drejtuar një kolegu në korrik të vitit 1946, Fulci theksonte që Major Frederik Nosi, kryetar i një gjykate ushtarake në Tiranë, dhe një i diplomuar i shkollës së Fulcit, kryesonte gjyqin ndaj 37 burrave të akuzuar si “armiq të popullit”. Nëntë prej tyre u ekzekutuan, ndërsa të tjerët u dërguan në burg. Midis atyre nëntëve që mëngjesin tjetër u çuan në kodra dhe u vranë ishin Shaban Balli dhe Ali Jonuzi, të cilët juve ju kujtohen se ishin studentë të kësaj shkolle”. Prapëseprapë, Xhejkobsi dhe Fulci vazhdonin përpjekjet e tyre për të koordinuar dhe shpërndarë ndihmat e UNRRA-s, të cilat më së shumti financoheshin nga Shtetet e Bashkuara. Mijëra shqiptarë i kishin varur shpresat për të mbijetuar te ndihmat e UNRRA-s. Por dy amerikanët do të ndeshnin gjithnjë e më tepër një burokraci penguese, e cila ndikohej nga një numër i shtuar së tepërmi specialistësh që Hoxha kishte sjellë aty nga Bashkimi Sovjetik. Hoxha vazhdonte të krijonte vështirësi. Ai me kokëfortësi këmbëngulte që të gjitha ushqimet dhe furnizimet e UNRRA-s të zbarkoheshin nëpër porte dhe që të huajt të mos lejoheshin të merrnin pjesë në shpërndarjen e ndihmave për popullin shqiptar. Anglezët e tërhoqën misionin e tyre ushtarak nga Shqipëria në prill 1946 dhe nuk e zëvendësuan atë me ndonjë mision civil, sikurse bënë amerikanët. Anglezët fajësuan shqiptarët për vdekjen e marinarëve të tyre në incidentin e kanalit të Korfuzit më 22 tetor 1946. Hoxha nuk pranoi të kishte përgjegjësi për incidentin. Anglezët i ndërprenë të gjitha marrëdhëniet me Shqipërinë dhe thanë se do të mbanin floririn e paraluftës të Shqipërisë që ishte grabitur nga gjermanët. Një javë më vonë Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të ndiqnin shembullin e anglezëve për të mos e njohur Shqipërinë. Amerikanët mbyllën veprimtarinë e tyre diplomatike në Tiranë dhe tërhoqën Xhejkobsin dhe Fulcin. Pesë ditë para ikjes së Xhejkobsit dhe Fulcit, dy të diplomuar të tjerë të Shkollës Profesionale Amerikane u çuan në gjyq publik. Abdyl Sharra dhe Kujtim Beqiri u akuzuan për komplot me Fulcin dhe një amerikan tjetër për të sabotuar projektin e tharjes së kënetës së Maliqit, projekt që ishte marrë përsipër nga UNRRA. Të dy burrat, krahas disa të tjerëve u gjetën fajtor dhe u ekzekutuan. Fulci besonte se Hoxha i vrau ata dy burra për disa arsye. Të dy vinin nga familje të shquara të Vlorës, domethënë se ishin nga “armiq të klasës”; të dy kishin vëllezër që ishin arratisur në Itali, një nga të cilët ishte mësues; qeveria donte një kurban pasi ajo kishte prishur projektin e kënetës së Maliqit; dhe që gjyqi mund të shërbente për të diskredituar Fulcin, shkollën dhe Shtetet e Bashkuara. Duke shkruar nga Roma për një koleg, Fulci thoshte: “Nëse juve ju kujtohet atmosfera e vitit 1933, 14 vjet të shkuara, ju do të keni një ide të qartë për atë që ndodh rëndom tani, veçse duhet të kuptoni që njerëzit e kanë shtuar dozën e së keqes në 14 vjet. Metodat dhe taktikat e tyre janë intensifikuar, përmirësuar dhe kanë kaluar çdo kufi. Këta në pushtet shfaqin një injorancë kokëforte, ku mungon çdo lloj ndjenje mirësjelljeje, dashurie njerëzore ose tolerance. Ata nuk duan as amerikanët dhe as çdo gjë që amerikanët përfaqësojnë. Nisur nga ky fakt, atje nuk mund të ketë dyshim për gjithçka ndodh”. Hoxha dyshonte se të gjithë ata që kishin mbaruar shkollën e Fulcit ishin spiunë, duke bërë një përjashtim të rrallë për Mehmet Shehun. (Tridhjetë e pesë vjet më vonë Hoxha do ta akuzonte Shehun se kishte qenë një spiun amerikan karriere). Hoxha i futi në rreth të gjithë shqiptarët që kishin mbaruar shkollën amerikane dhe i burgosi ose ekzekutoi. Këtu u përfshinë edhe të diplomuar si Kadri Hoxha, oficer i UNÇSH në Bari, i cili ishte ankuar për Stefanin. Ai arrestoi të gjithë shqiptarët që ishin shoqëruar me amerikanët, sikurse ishte dhe një nga mikeshat e O’Kifit. Madje edhe shqiptarët që flisnin anglisht dyshoheshin se kishin spiunuar tek amerikanët. Fulci dhe Xhejkobsi ikën nga Tirana në tetor 1946. Ishte hera e dytë që Fulci detyrohej të largohej nga Shqipëria, vendi që ai e pëlqente dhe donte ta ndihmonte.

 

 

Raportet

Akuzohet Fulc për kënetën e Maliqit

Lajmi i largimit të misionit u mbajt sekret për katër ditë në Shqipëri, derisa departamenti nxori në shtyp shënimin e tij më 8 nëntor. Referenca e parë… doli në gazetën “Bashkimi”  më 10 nëntor,

…Takimi i rastit i Fulcit me Abdyl Sharrën dhe Kujtim Beqirin, ndodhi muaj të shkuara, para se të fillonte projekti i kënetës dhe prej asaj kohe, nuk pati lidhje me ta. Fulci nuk e dinte që Sharra ishte drejtor i projektit, veç kur ai doli në gjyq. Qysh një vit më parë, Qeveria Shqiptare filloi të diskurajonte shoqërimin e qytetarëve shqiptarë me misionin… Kjo politikë ka kaluar deri në veprime terrori… Misioni mund të pohojë për mënyrat e mëposhtme të torturës, përdorur nga regjimi i Hoxhës, për përfitim pohimi të rremë: (hapje të çarash të thella në kofshë e mbushja me kripë; lëshimi i energjisë elektrike në dhëmbët e prishur apo në rrëzë të veshit; futja në ujë të ftohtë deri në grykë për një kohë të gjatë; rrahjet; futja e sendeve metalike të mprehta në gishtërinjtë e këmbëve etj.).

Përsa i përket gjyqit :

Metodat e mësipërme…. Kanë bërë që të burgosurit mund të kenë bërë pohime false;

Fotografia e Sharrës tregon tipare të rëna e të dobëta, prove kjo që flet për presion e torturë.

Duhet të shënohet edhe se kur Kujtim Beqiri, në bankën e të akuzuarve, mohoi se pat marrë flori prej Fulcit… Ose ndonjë udhëzim për vonimin e punës së projektit (që u dëgjua jo vetëm në sallën e gjyqit, por edhe në publik, organi zyrtar qeveritar “Bashkimi”, botoi pohimin e rremë se ai, në një rast pat marrë 250 shufra floriri dhe në një tjetër 200 të tilla”.

 

ARKIVA/ Hap pas hapi me masat që çuan në dëbimin e misionarëve amerikanë

 

“Fulc i padëshiruar; të largohet urgjent!”

Në telegramin 124.75/11-1846 të datës 19 nëntor, Henderson (kryetari i këtij misioni) njofton Sekretarin e Shtetit se më datën 9 nëntor: Dhënie notash, njëkohësisht Ministrisë së Jashtme, ora 10 para dite, për çështjen e vizave të daljes së gjithë shtabit, për pengimin e anijeve të marinës, për të hyrë në ujërat shqiptare dhe për përdorimin e mjeteve të lehta të ngarkimit, për çuarjen e ngarkesave, prej portit në anije.

Ora 2 pas dite. Morëm notë verbale. Ministria e Jashtme njofton se z.Fulc konsiderohet i padëshirueshëm dhe misionit i kërkohet të marrë masa, që ai të largohet sa më shpejt nga Shqipëria.

Ora 2 e 30 mbas dite. I dërgojmë notë verbale ku shënojmë se z.Fulc do largohet më datë 14 nëntor, sipas kërkesës për vizë-dalje për gjithë shtabin.

Shkëmbime notash : refuzohej kërkesa për largimin e anijeve; refuzim gojor për moslejim largimi të Marinscak-ut. Gojarisht insistova se unë nuk do largohem pa të.

Më 11 nëntor. Në notën e dytë verbale refuzohej rishikimi i largimit të anijeve dhe më pas bërjen gati të pasaportave për vizë-dalje, për të gjithë personelin.

Më 12 nëntor. Në orën 12:00 u takova me Konomin (Sekretar i Ministrisë së Jashtme), i cili ra dakord gojarisht për mjetet e ngarkimit dhe transportimin e personelit prej portit në anije, në një distancë 3 milje.

I shpreh atij shqetësimin për personelin e huaj. Ai u përgjigj se ata s’ka pse të kenë frikë, duke menduar se ata përkrahin “demokracinë e re” shqiptare, por në rast se ata kanë dalë në opozitë apo kanë kritikuar qeverinë, ata sigurisht që do të futen në burg.

(Zhurmime valësh sa që radisti jonë nuk lidhej dot me Kazertën)

Më 13 nëntor. Para dite morëm notë verbale, ku thuhej se piloti shqiptar do tregonte vendin e ankorimit të anijeve, 10 km larg bregut.

(I protestoj Konomit për zhurmën e radios dhe…ato u zhdukën).

Ora 4 mbasdite. Ministri francez (Guy Menaut) udhëzohet nga Parisi të marrë në ruajtje ndërtesën e SHBA.

…Mbasdite Konomi më telefonon për të më thënë se Durrësit i janë dhënë udhëzimet dhe më kërkoi orën e largimit tim nga Tirana, sepse do shoqërohesha nga shefi i protokollit të Ministrisë së Jashtme…

Më 14 nëntor: Anijet që do na merrnin u dukën larg ujërave shqiptare, por nuk u pa anija pilot, për të ndihmuar në ankorim. Ato u ankoruan 10 km larg Durrësit.

I dërgova notë Ministrisë së Jashtme mbi kujdestarinë e ndërtesave tona nga përfaqësia franceze si dhe listën e qytetarëve të SHBA-ve, po qe se ata persona do të autorizohen me viza daljeje. U dërgova nota edhe ambasadave të tjera, ku i vija në dijeni për largimin e misionit.

Mbasdite pas… u nisëm për Durrës, aty u vonuam një orë për pasaportat dhe kontrollin e vizave (kërkohej historia e familjes për çdo person).

…Në orën 19 drejt anijeve u dukën dy rimorkiatorë. Rimorkiatori i dytë ngarkoi gjithçka të mbetur dhe mori rrugën për në anije.

Kur ishim larguar nga porti për një kohë prej 15 minutash, unë i kërkova kapitenit të rimorkiatorit, pse nuk po vinte rimorkiatori tjetër, ai më tha e rimorkiatori dhe sanella do lëviznin sapo të qetësohej deti. Kjo do na vononte shumë dhe gratë do prisnin gjatë në bregdet.

Për në anije na u desh të lundronim dy orë në një det të ashpër. Shumicën e burrave dhe gratë i zuri deti (gruaja ime ishte shtatzënë në muajin e shtatë). Me vështirësi hipëm në anije.

…Ne u nisëm menjëherë, duke lënë gjithçka në Durrës, përfshi edhe valixhet e dorës dhe për këtë nuk vumë në dijeni as Epshtejn…

Më 16 nëntor. Mbërritëm në Napoli në orën 14.00.

Njoftohemi për diçka ironike: Në Durrës Epshtejn më thotë se Qeveria Shqiptare kërkon afërsisht 1000 dollarë për “ ngarkesën “ e rimorkiatorëve dhe sanellës së mallrave, të cilat posedoheshin nga UNRRA”..

Henderson