Dossier/ Rrëfimi i Agim Cergës

1628
Sigal

Intrigat në Lidhjen e Shkrimtarëve, librat e verdhë në shkollën e kadetëve, largimi nga ushtria, udhëheqësit e kohës, ikonat e letërsisë dhe diferencat midis Kadaresë dhe Agollit

INTERVISTA/ Rrëfimi i ish-sekretarit të lidhjes së shkrimtarëve, shkrimtari Agim Cerga. Në shkollën e kadetëve lexoja libra të verdhë, pasi isha si gjithë shqiptarët në “burg pa hekura”. Nuk kam shkruar në asnjë libër për Enver Hoxhën, ndërsa tek vitlindja e Mehmet Shehut shkova me një bluzë të thjeshtë

Si u shtang Beqir Balluku, kur i thashë se doja të ikja nga shkolla “Skënderbej”. Intrigat në Lidhjen e Shkrimtarëve, marrëdhëniet me Kadarenë

Albert Zholi

-Vitet e fëminisë, ç’vend zënë në kujtesën e Agim Cergës?

Kam qenë nxënës në shkollën e kadetëve në Tiranë (ose shkolla “ Skëndërbej”), sapo kisha mbaruar filloren, rreth viteve ’46. Por pashë se natyra ime nuk e përballonte dot disiplinën.

-Atëherë, përse shkuat në atë shkollë?

Pasi kisha shtëpinë afër kësaj shkolle dhe kur shikoja kadetët të veshur bukur, me ato rripat në pantallona, me ato këpucë lustrafin, me atë kapele çapkënçe m’u bë dëshirë të futesha në atë shkollë.

-Po kur filluat, çfarë ndodhi?

Menjëherë pas ditëve të para ndryshova mendim. Ushqimi ishte shumë i mirë. Na vishnin shumë mirë. Por sa shkonte ora 6 dhe ne visheshim shumë hollë dhe shkonim në lumë dhe laheshim. Ktheheshim dhe rregullonin dyshekun, pastaj na rreshtonim dhe na jepnin të hanim. Në mëngjes kishte bukë, djathë kaçkavall dhe dhe çaj pastaj na fusnin të studionim. Mbaronim mësimin shkonim për drekë dhe mbas drekës flinim. Mbas dite luanim dhe në darkë studim. Kjo lloj disipline nuk më pëlqente. Doja të ikja nga shkolla e kadetëve.

 –A lexonit libra artistikë në atë periudhë?

Unë kisha një etje të sëmurë për të lexuar. Doja shumë të lexoja librat e verdhë. Edhe sot i mbaj mend titujt si romanin “Rrethi i kuq” e shumë të tjerë. Dëgjoja që flitej për ndonjë libër dhe unë me vështirësi e gjeja dhe e lexoja. Lexoja edhe libra të tjerë.

-Në atë kohë nisët të shkruani?

Kisha një fletore të zezë me shumë faqe. Shkruaja pa u menduar se çfarë shkruaja. Kisha një shok Besnik Alibali, i cili më kërkonte që unë t’i lexoja ato që bëja. Hartimet i bëja më mirë nga të gjithë në shkollë. Mësuesja e letërsisë ishte Jurdis Stafa (motra e Qemal Stafës), ajo gjithmonë i pëlqente hartimet e mia. Filloi t’i tërheqë vëmendjen të gjithëve. Unë mendoja si të lexoja libra të verdhë dhe se si të ikja nga kjo shkollë me shumë disiplinë. Bëheshin përgatitjet për 10 Korrikun, festën e ushtrisë ku bëhej parakalimi në shkollën. Nga mëngjesi deri në mbrëmje bënim stërvitje.

-Çfarë ndodhi në takimin me ish-ministrin e Mbrojtjes, pse shtangu ai?

Erdhi fati kur s’e prisja. Kur bëheshin përgatitjet për fetën e ushtrisë bëri një vizitë në shkollë Beqir Bolluku, ish-ministër i mbrojtjes. Ai bëri një takim me ne nxënësit. Për çudi ai më drejtohet mua si më të voglin. Si ndihesh në shkollë? Unë fillova të qaj. I them se dua të iki nga shkolla. Të gjithë heshtën. Tjetër përgjigje prisnin, tjetër mori. Edhe Beqiri shtangu. Ai tha se këtu jeni mirë dhe keni ushqim të mirë. U përpoq që të më mbushte mendjen. Ai e dinte se si ushqeheshim dhe visheshim ne. Në këto drejtime kishte të drejtë. Ishte krizë buke kudo, ne ishim të privilegjuar. Unë vetëm thosha se do të iki. Pas atij momenti mësuesit më shihnin shtrembër.

-Dhe si u larguat nga shkolla “Skënderbej”?

Pas një muaji vjen në klasë magazinjeri dhe thërret emrin tim. Sapo dola jashtë fjala e parë që thotë ai ishte:” Ç’pate more djalë, ç’pate. Zhvishu”- më tha dhe më dha një palë rroba të tjera. Ato ishin gjithë baltë. Me urdhër të ministrisë së Mbrojtjes unë tashmë isha përjashtuar nga të gjitha shkollat e Shqipërisë. Shkova në shtëpi dhe shikoja nënën të mërzitur. Kjo ka qenë goditja më e fortë e jetës sime.

-Po si ndodhi që arritët të vazhdoni më tej shkollën?

Unë me origjinë jam nga Skrapari. Në atë kohë ministër i Arsimit ishte një shok i babait. Im atë i qau hallin. Ai tundi kokën dhe i tha se do mundohej ‘por ta dish se me këtë motivacion që është përjashtuar si zor se mund të rregullohet’. Pas ca kohësh lajmëron babanë që unë të futesha dhe të mësoja në shkollën pedagogjike. Atje çonin njerëz sepse donin kontingjent për mësues nëpër fshatra. Edhe pse u u futa me vonesë dola më i miri. Në këtë shkollë bëhej një konkurs për krijimtarinë. Dërgova dhe unë një një tregim. Çuditërisht zura vend të parë. E mbaj mend që më dhanë një libër të një shkrimtari rumun si shpërblim. Hartimet e mia ishin më të mirat të shkollës.

-Cili nga shkrimtarët e mëdhenj ju ka dhënë shtysë në krijimtari?

Atëherë i doja shkrimtarët e mëdhenj. Mundohesha të gjeja çdo vepër të tyre sa e dëgjoja. Pika që më bëri të kthej kokën se çfarë është letërsia me të vërtetë është tregimi i Çehovit “Doktor Joniç”. Është i përkthyer në shqip “Joniç”. Unë e kam lexuar mbi 11 herë dhe aty zbulova madhështinë e letërsisë së madhe. Një mjek i ri që me ideale të mëdha do të shkonte të punonte si mjek në periferi diku në një qytet të vogël të Rusisë. Ai shkon atje i përkushtohet punës me idealizëm, por jeta e kthen në një njeri që filloi të degradohej. Dashuria që kishte për punën filloi të kthehej në një banalitet. Ai që dikur i shihte me dyshim mjekët që merrnin lekë u kthye në një lekist të tmerrshëm. Ishte një novelë e mrekullueshme.

-Po nga shkrimtarët shqiptarë kush ju ka tërhequr më shumë?

Kolë Jakova. Ai sapo kishte nxjerrë një poemën “Heronjtë e Vigut”. Mundohesha të isha i sigurt në ato që shkruaja që të ngjaja me këta shkrimtarë. Doja të vazhdoja shkollën jashtë shtetit për letërsi. Me këto ëndrra dhe dëshira isha shumë i sigurt se do të shkoja dhe të studioja jashtë shtetit. Isha më i miri i shkollës. Referatet e mia ruheshin edhe në ministri. Çmohesha shumë nga Sterjo Spasse dhe Nonda Bulka që i admiroja si krijues.

-Besoj se ëndrra për studim s’u realizua…

Jo! Ndodhi katastrofa… Nuk më dhanë të drejtën e studimit për jashtë shtetit. Nuk më dhanë të drejtën as për në universitetin e Tiranës dhe më çuan ushtar tre vjet në Kuçovë (ish-qyteti Stalin). Të drejtën e studimit nuk ma dhanë se u përjashtova nga shkolla “Skënderbej”. Unë familjen e kisha të lidhur me Luftën. Ishte ajo vula që mora në shkollën “Skënderbej”. Ky fatalitet solli një fatalitet tjetër. Isha në kushte shumë të vështira ekonomike. Kishte ngelur vetëm nëna ime në shtëpi. Babi më vdiq. Tre vëllezërit e tjerë ishin jashtë shtetit për studime. Kjo fatkeqësi është kthyer në një fakt. Shkova tre vjet ushtar dhe nuk mund të merrja asnjë lekë nga shtëpia. Bëja disa shkrime në gazetën e ushtrisë dhe në disa organe të tjera shtypi. Bashkëpunoja edhe me estradën e Kuçovës duke dërguar materiale të ndryshme. Fillova të fitoj diçka. Në këtë kohë botoj dhe një tregim që më bën të njohur.

-U mësove me disiplinën në ushtri?

Eh!… Si të them…! Por më e keqja ishte se unë shkrova një ditar. Këtë ditar ma gjetën dhe u kthye në një problem shumë të madh dhe donin të më çonin në gjyq. Unë me atë ditar shikohesha si një njeri që kisha ardhur nga një botë tjetër. Unë nuk quhesha më Agim por AI. Ditari ishte tërësisht personal. Unë isha i bindur se do të kaloja në gjyq. Muaj të tërë në ankth se çdo të bëhej me ditarin tim… Edhe sot nuk e di se kush e ka lexuar ditarin. Kur ja një ditë erdhi përgjigja se ditari nuk ka asnjë sekret ose kundër partisë. Janë mendimet e një të riu. Mua më kishte vdekur babai dhe një vëlla e kisha në spital, në sanatorium. Në atë ditar unë kisha bërë përshkrimet e halleve të mia familjare. Sa halle kam pasur për moshën…!

-Po me mbarimin e ushtrisë?

Kur mbarova ushtrinë unë e ndjeva se do të më prisnin kusure edhe më të mëdha. Unë kërkova punë për mësues dhe nuk më jepnin. Kërkova çdo lloj pune dhe nuk më jepnin. Kam përfunduar në një punë të rëndomtë. Në kombinatin e tekstileve u hap një kurs për teknik dhe unë u regjistrova. Një ditë tekniku më çoi të bëj një montim ingranazhesh dhe më duke më parë më tha, se kjo nuk është punë për ty. Më mirë hiq dorë. Edhe unë e ndjeja se nuk e bëja dot. Një kushëri im që ishte në gjeologji më ofron punë që të punoja atje. Shkova. Doja vetëm punë. Ma mësoi ai punën. Shkoja me biçikletë dhe po me të kthehesha dhe isha i kënaqur, se punoja. Një ditë tek sahati më takon një shok, ai punonte në gazetën “Luftëtari”. Një punonjësja jonë tha është korrektore letrare dhe ka marrë lejen e shtatzënisë, hajde më thotë tek ne, në qoftë se nuk e bën hajde përsëri këtu. Ishte ditë e shtunë.. Të hënën më futën menjëherë në gazetë dhe me një rrogë të mirë. Ishte ëndërr për mua, por isha me frikën se mos hapeshin problemet e shkollës “Skënderbej” dhe të ushtrisë. Drejtuesit e shkëlqyer të kësaj gazete më mundësuan dhe studimin me korrespodencë në shkollën e lartë. Ëndrrat e mia po realizoheshin.

-Po krijimtarinë e latë sërish në heshtje?

Mora pjesë në një konkurs dhe fitova çmimin e parë rreth vitit 1959. Konkurrova me tregimin “Ëndrra të varfra”. Tregimin e kam botuar në gazetën e rinisë dy numra dhe tërhoqa shumë vëmendje. Shefi i kulturës e kishte pëlqyer shumë tregimin. Ky tregim u bë shtysë për gjithë ndryshimin e jetës time. Më japin 15 ditë dietë dhe pushime që të shkoja në Vlorë dhe të bëja reportazh. Arrita dhe mora një sasi lekësh që s’i kisha menduar. Bëra një reportazh. Atëherë isha i ri 25 vjeç. Kur u ktheva, më thanë që të bëhesha shef i redaksisë. Nuk e pranova.

-Po ju hapej rruga e krijimtarisë?

Tani fillon krijimtaria ime. Kam botuar librin e parë me tregime “Njeri i zakonshëm”. Njëkohësisht kam pasur një kritikë shumë kohë më pas çmimit për tregimin “Ëndrra varfra” . Një kritik i njohur në atë kohë ka thënë se është tregim ku, personazhi nuk është pozitiv dhe kjo është një shkelje. Kjo është një dashuri disfatiste ku një djalë i ri dashuroi një vajzë të bukur. Djali ia shpreh dashurinë dhe ajo bindet. Në atë kohë heroi pozitiv duhet të ishte mbi hero dhe jo hero. Duhet të ishte një figurë që t’i çudiste njerëzit. Unë në atë kohë nuk kam dashur skematizmin, pompozitetin dhe sëmundjet ideologjike. Pra nuk nxirja në pah këtë hero. Atëherë nuk duhej të kishte vlerë një njeri i zakonshëm.

-Botimet vazhdonin?

Pas atij vëllimi unë botova vëllimin tjetër, “Dritë në fushë”. Edhe kjo flet për dashurinë. Ku një agronom i ri dashurohet me një grua të martuar. Këtu fillon përkushtimi im i letërsisë. Pastaj kam botuar novelën “Mëngjesi i largët”. Kjo është botuar më 28 Nëntor dhe është pëlqyer shumë, sidomos nga një kategori shkrimtarësh. Në këtë kohë është bërë një Plenum i Letërsisë në bibliotekën kombëtare, ku merrja pjesë për herë të parë. Kisha në krah Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, ish-sekretar të Komitetit të Partisë Xhelil Gjonin. Ishin dhe Bedri Dedja me Adriatik Kallullin. Unë isha në presidium. Për çudi të të gjithëve për këtë novelë këta të fundit më kritikuan. Ata ishin të parapërgatitur. Personazhi ishte një djalë që dashuronte një vajzë që ishte e deklasuar me një familje të internuar. Vajza ishte shumë e bukur. Kritika po më habiste. Mes të pranishmëve ishte edhe Eqerem Çabej. Më thanë mos të kundërshtoja, se do t’i hapësh derën diskutimeve të tjera. “Unë kam shkruar me ndërgjegje të plotë”, shprehem unë në plenum. Unë në të gjithë librat e mi shtylla kryesore kisha vënë dashurinë. Kaq thashë dhe heshta. Më pas nuk u bë zhurmë. Mbas kësaj novele unë kam botuar një seri librash të tjerë.

-Po jashtë Tiranës a keni punuar?

Kur fillova punë në gazetën “Zëri i Rinisë” sapo isha martuar. Kërkoja që të largohesha nga gazeta “Zëri i Rinisë” dhe pse më trajtonin shumë mirë. Nuk kam pranuar që të isha i diktuar. Një pjesë e shkrimeve të mia janë trajtuar ndryshe. Në atë kohë ishte lufta kundër liberalizimit dhe e punës në bazë. Unë shprehem se jam i pari që dua të largohem dhe më çoni ku të doni. Unë sapo isha martuar. Gruaja nga një familje e persekutuar. Kërkova të shkoj në ndonjë fshat të bregdetit të Jugut bashkë gruan. Më panë me habi. Pse pikërisht në bregdet?! Menduan se mos doja të arratisesha. Kjo më shkoi në mend më vonë. Se pranuan kërkesën për në bregdet, por më çuan në Laç, në 2 dhoma e një kuzhinë me Kol Jakovën dhe dikë tjetër. Tmerr. Tre familje me një banjë. Pra në një hyrje 3 familje për një vit. Pastaj na dhanë një hyrje tjetër me një familje tjetër shumë të mirë nga Poliçani. Për dy vjet jepja mësim në një shkollë 8- vjeçare (pasi unë e kisha mbaruar universitetin). Gruaja kishte mbaruar për biologji. Pas dy vjetësh më kërkojnë që të shkoj korrespondent i gazetës “Zëri i Rinisë” në hekurudhën Rrogozhinë-Fier ku ishin forcat vullnetare. Shkova…Gruaja qëndroi në Laç. Ishin vitet 70. Në atë kohë botova romanin më të mirë “Legjenda e vadave”. Pas këtij botimi më bënë një Fletë-rrufe sikur unë isha një intelektual mendjemadh, tip i sëmurë dhe njeri i përbuzshëm. Ata donin që të më pushonin mua nga puna. Bëra lutje që të dilja në profesion të lirë. Kërkova të shkoj në Martanesh që të njihja realitetin. Më vonë kam shkruar një roman që e përpunova dhe e kam botuar në kohën e demokracisë me titullin “Syri i natës”. Ideja e romanit ishte se në çdo situatë secili përgjigjet për vete. Është karakterit që duhet të mbizotërojë. Ishte një djalë që dashuron një vajzë që e ka pasur xhaxhain të burgosur. Djali për këtë dashuri ndëshkohet dhe punon në një minierë. Tregon se ky djalë nuk bëhet lojë e askujt.

-Si ndjetë kur u bëtë sekretar i Lidhjes së shkrimtarëve?

Unë nuk doja të bëhesha sekretar, pasi në atë periudhë kisha fituar 12 çmime kombëtare (dhe në kohën e demokracisë kam fituar 2 çmime të dyta). Asnjë nuk kam qenë njeri i përkëdhelur. Kam qenë një shkrimtar i nevojshëm por jo i përkëdhelur. Për punën time u bindën, se unë nuk isha i rrezikshëm , se ky njeri mund të bëjë punë të mirë në Lidhjen e Shkrimtarëve. Sekretar i lidhjes u bëra në vitet 1977. Në Lidhje kanë qenë komisione të veçanta për prozën, dhe për talentet e reja, për politikën, për letërsinë për fëmijë dhe për ekranin. Lidhja e Shkrimtarëve kishte një aktivitet të madh. Edhe rrethet kishin aktivitetet e tyre. Çdo anëtar i kryesisë kishte një degë nga rrethet. Unë përgjigjesha për Elbasanin. Kryetar i Lidhjes në Elbasan ishte një piktor shumë i talentuar dhe shumë i mirë që nuk donte të rrinte më sekretar i degës së tij. Edhe ai doli në profesion të lirë. Në Elbasan kishte shkuar Qamil Buxheli, Agim Shehu, Bedri Dedja, Lirim Deda etj. Zgjodhëm kryetar Musa Vyshkën. Në Lidhje punohej me profesionalizëm. Krijimtaria ishte cilësore. Kam punuar me përgjegjësi në Lidhje si Sekretar.

-A e quani veten të persekutuar?

Aspak. Si unë ishin të gjithë shqiptarët. Në kohën e demokracisë për romanin “Burgu pa hekura” kam pas shumë pyetje. Për mua burgu mund të jetë edhe shtëpia. Me ato kufizime që kanë pasur shqiptarët sigurisht që s’kanë pasur liri… Unë jam i persekutuar sa ka qenë i gjithë populli. Pikëpamja ime është vetëm kjo: Të persekutuar quhen vetëm ata që kanë qenë të burgosur, pjesa tjetër nuk mundet të quhet kështu. Në atë kohë të keqe mua më bënë një të mirë të madhe se më ngarkuan shumë materiale që unë nuk mund t’i harxhoj dot edhe sot. Kam shumë materiale për të shkruar. Lëviza shumë, pashë shumë, dëgjova shumë, mbajta shumë shënime. Në atë kohë kisha lexuar librin e një shkrimtari të madh që kishte fituar çmimin Nobel. Ky shkruan udhëtimet e tij në Amerikën e Jugut. Ai thotë: “Një shkrmtar që nuk është shkëputur nga tavolina e punës dhe nga karrikja e tij, nuk do të jetë asnjëherë shkrimtar.”

– Po me Enver Hoxhën dhe me Mehmet Shehun a keni pasur raste që të takoheni?

Asnjëherë nuk kam pasur rastin që të takohem. Por as me Ramiz Alinë Jo. Kam qenë një herë i ftuar në ditëlindjen e Mehmet Shehut. Unë nuk u vesha as mirë. Ishim në shtëpinë e tij. Më thanë papritur sa s’kisha kohë të vishesha mirë. Shkova me një pulovër të thjeshtë. Në këtë takim ishte dhe Ismail Kadareja. Ai më tërhoqi vëmendjen për veshjen. Atë ditë u çudita. Mehmeti nuk m’u duk i egër dhe kriminel siç flitej. M’u duk i zgjuar dhe i natyrshëm. Mësova se ai ka mbaruar shkollën fillore në Skrapar nga jam unë me origjinë.

Botimet ?

Unë kam botuar 23 libra. 9 janë romane dhe 6 janë novela, 5 vëllime me tregime 3 drama.

Nuk kam shkruar në asnjë libër për Enver Hoxhën. Vetëm për dashurinë dhe njeriun e thjeshtë. S’e kam përmendur kurrë emrin e tij.

-Me Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin si i ke pasur marëdhëniet dhe a të kanë ndihmuar kur ke pasur nevojë?

Me Ismail Kadarenë kam pasur shoqëri të ngushtë, por intrigat nuk na lanë. Një herë e shikoj Ismailin të mërzitur, largohej, dhe ishte i ftohtë me mua. E pyes dhe i them, pse rrinte kështu.

-Nuk e kam prit prej teje. Ti ke folur keq për mua. Ti ke shtruar një drekë për një mik dhe ke folur keq për mua.

-Është e vërtetë që kam shtruar një drekë, por është e kundërta, se unë kam folur mirë për ju. Edhe miku më tha, se Agim e ke tepruar për Ismailin se ke folur shumë mirë për të.

U ballafaquam me atë mikun, dhe e pyes: “Si kam folur unë për Ismailin?” “Shumë mirë” përgjigjet.. U sqaruam. E quaj se Ismaili është një talent i Shqipërisë i të gjithë kohërave. Akademia e Helsinkit duhet që t’i japi çmimin Nobel Ismailit, se ai e meriton. Ne e kemi dëmtuar vetë historinë. Dritëro Agolli mbetet për mua një poet unik. Poezia e tij ka frymëmarrje dhe ndjenjë. Është i natyrshëm ,por dhe një njeri dhe mik i mirë. Mardhëniet e mia me të kanë qenë korrekte.

(Dhënë për “Telegraf”, në dhjetor 2011 )