Dossier/ Leningradi, qyteti 900 ditë i rrethuar

781

Prof. Dr. V. Mëhilli/ Si nisi pushtimi gjerman i BS në 1941 me operacionin “Barbarossa” dhe kundërpërgjigja ruse. Urdhëri i Hitlerit dhe pse Stalini vendosi Zhukovin në krye të komandës. Përplasjet avion me avion dhe bilanci tragjik në njerëz dhe teknikë

Si nisi pushtimi gjerman i Bashkimit Sovjetik, më 21 qershor 1941 dhe kundërpërgjigja e rusëve. Urdhri i Hitlerit dhe pse Stalini vendosi Zhukovin në krye të komandës. Ja pasojat shkatërruese në Leningrad

LENINGRADI, QYTETI 900 DITË I RRETHUAR

Prof. Ass. Dr. Spiro Vasil Mëhilli

 

Operacioni “Barbarossa” – Gjermania nis pushtimin e Bashkimit Sovjetik

Më 21 qershor në të gdhirë të 22 qershorit të vitit 1941, tre gruparmata gjermane në një front prej 1200 km nga Deti Baltik në Detin e Zi sulmuan territorin e Bashkimit Sovjetik me 190 divizione, nga të cilat 17 tankiste dhe 10 të motorizuara. Morën pjesë dhe 35 divizione të shteteve satelite sllovake, hungareze e rumune. 6000 avionë paraprinë sulmin. Në veri Gruparmata e fon Lebit me 45 divizione; në qendër, përgjatë kufirit polak, Gruparmata e fon Bokut me 45 divizione dhe në jug Gruparmata e fon Rundshtedit me 30 divizione. Këtu hynin 4 armata pancere me 5-6 divizione. Gruparmata “Veriu” me Komandant gjeneralfeldmarshallin fon Leb sulmoi nga vendet Pribaltike në drejtim të Leningradit. Territori i Leningradit në vitin 1941 kishte një sipërfaqe prej 32.468 hektarësh dhe 3.200.000 banorë. Qendra e qytetit ndodhej në bregun e majtë të Lumit Neva, ndërsa qarku kishte 85,1 km2 sipërfaqe, me 32 rajone, 29 qytete, 52 lokalitete tip qyteti dhe rreth 6.435.000 banorë. Armata e Kuklerit avancoi në sektorin letono – estonez, kurse grupi i blinduar i Herpnerit sulmoi në jug të liqenit Peipus. Gjeneralarmate Kuznecov u përpoq të dërgonte përforcime në vijën e mbrojtjes “Stalin” 1200 km e gjatë, sidomos në nyjën hekurudhore Ostrov, por zbulimi gjerman pasi i kishte nuhatur veprimet e tij, dërgoi me kohë grupin e blinduar. Trupat ruse arritën 24 orë me vonesë dhe sulmuan vetëm veriun e qytetit me tanke super të rëndë KV1 dhe KV2. Më 23 qershor, në ora 145 të natës, në Leningrad u dha sinjali “Alarm ajror”. Artileria kundërajrore sovjetike rrëzoi “Junker-in” dhe “Heinkel-111” e parë. Kështu filloi beteja ajrore në qiellin e qytetit. Si pasojë e goditjeve nga aviacioni gjerman u dëmtuan uzinat: “Kirov”, “Izhorskij”, “Ruskij Diezel”, “Bolshevik”, Kombinati i Mishit, Stacioni Elektrik “Dubrovskaja”, Fabrika “1 Maj” ; “Admiraljati”, një nga krenaritë e qytetit, Pallati “Hengelgard” në Nevski Prospekt etj. Në këtë situatë të vështirë u arrit që brenda një jave rreth 212.209 fëmijë të dërgoheshin në Jarosllav mbi Vollgë dhe në thellësi të vendit të evakuoheshin të plotë ose të pjesshëm 92 ndërmarrje të mëdha me anë të 282 trenave. Midis tyre ishin dhe dy fabrikat që prodhonin tanke duke u dërguar 1200 milje në lindje, në Çeliabinsk dhe në Svjerdllovsk. Fabrikat dhe uzinat që mbetën, duke mos përjashtuar edhe laboratorët shkencorë, filluan të prodhonin materiale ushtarake. Uzina “Elektrosilla” që përgatiste gjeneratorë dhe pjesë këmbimi për stacionet elektrike, filloi të prodhonte mina të kalibrave të ndryshëm si dhe elektromakina për flotën dhe ushtrinë. Uzina Elektromekanike e njohur për prodhimin e turbinave, filloi të riparonte tanke dhe të prodhonte 20 lloj armësh e municionesh. Uzina “Kirov” me drejtor I. M. Zaloman, megjithëse e dëmtuar, filloi të bënte rimontin e tankeve “KB”, të prodhonte tanket e rëndë “KV” dhe topa. Uzina “Krasnaja Bavaria” filloi të prodhonte predha dhe bomba ndezëse. Fabrika e Instrumenteve Muzikorë “Primus” u profilizua në prodhimin e granatave, kurse Fabrika e Parfumeve “Grim” në drejtim të minave kundër këmbësorëve. Nga viti 1943 Uzina e Makinerive Tekstile “K. Marks” filloi të montonte në makina pajisjet për Katjusha.

Kundërpërgjigjja ruse

 

Më 27 qershor Zhdanovi filloi ngritjen e repartet vullnetare dhe në vijim u zgjodh sovjeti luftarak dhe shtabi i ushtrisë së Leningradit me komandant gjeneralmajorin A.I. Subotin. Shtabi i frontit u vendos në Smolni. Më 29 qershor u shkarkua nga Armata 54 marshalli G. I. Kulik dhe u caktua gjenerali M. S. Hozin. Më 30 qershor u kompletuan me vullnetarë 10 divizione pushkatarësh, 16 batalione artiljerësh, 7 regjimente partizane. Në front u dërguan në ndihmë të reparteve të Ushtrisë Kuqe 160.000 trupa vullnetare, pjesa më e madhe e të cilëve morën pjesë në luftime mbrojtëse. Më 1 korrik, studiuesi i vjetër i artit Vladimir Levinson-Lessing me anë të 22 kamionëve dhe të dy veturave arriti të largonte për në Lindje disa nga veprat e Ermitazhit. Më 6 korrik dolën vullnetarë rreth 100.000 veta dhe me 7 korrik edhe 160.000 të tjerë. Rreth 70% e anëtarëve të partisë dhe 90% e komsomolasve u angazhuar për të mbrojtur qytetin, kurse në front shkuan 57% dhe 75% e tyre. Më 10 korrik komiteti i mbrojtjes caktoi marshallin Voroshillov kryekomandant të forcave strategjike veriperëndimore. Interesant është fakti se divizioni i parë i vullnetarëve shkoi në vijën e parë të frontit duke mos pasur pushkë për të gjithë. Çdo vullnetari iu dha nga një granatë dhe nga një shishe Molotov, kurse shumë prej tyre ishin të pajisur me kazma, me lopata, me sëpata dhe me thika gjuetie. Gjashtë divizione të Reinhardit më 12 korrik ndaluan në vijën Sapolie-Pliusa. Sovjetikët kishin ngritur fortifikime përgjatë Lugës deri në Jamber-Narva për të mbrojtur Leningradin dhe Kimskun në bregun perëndimor të liqenit Limen. Për të ndërtuar brezin mbrojtëse punuan 300.000 qytetarë për Leningradin dhe 100.000 për Gatçinan (Krasnogvardjeisk). Duke punuar natë e ditë, me një përkushtim të paparë, u hapën gropa antitanke me gjatësi 626 km, skarpate 406 km, pengesa drusore 306 km. U ngritën me qindra DOT-e (Dollgovremjenaja ognievaja toçka-fortifikatë e blinduar) dhe DZOT-e (Djerjevo zemljanaja ognievaja toçka – Pikë zjarri e fortifikuar). Vetëm në qytet u ngritën 35 km fortifikata. Më 13 korrik Zhdanovi u bë anëtar i sovjetit luftarak (u largua më 24 gusht). Më 22 korrik arriti në Svjerdllovsk treni i dytë i ngarkuar me thesare të Ermitazhit, kur mbi 50 muze e salla pikturash ndodheshin në të katër anët e qytetit.

Më 20 gusht tanket gjermane arritën në Gatçina, 25 km larg Leningradit dhe morën Çudovën duke prerë vijën hekurudhore Leningrad-Moskë. Më 27 gusht në Leningrad arriti komisioni special i komitetit shtetëror të mbrojtjes i kryesuar nga Molotovi që qëndroi 10 ditë për të vlerësuar gjendjen. Më 29 gusht trupat finlandeze me 600.000 ushtarë, 1000 tanke, 600 topa e deri 1000 avionë dhe teknikë luftarake, sulmuan Leningradin nga veriu dhe rimorën Teriokin që rusët ia kishin marrë në fillim të vitit 1940. Në lindje, njësi finlandeze përparonin drejt brigjeve të liqenit Onega duke arritur të ndërprisnin komunikacionin midis Baltikut dhe Detit të Bardhë. Më 30 gusht gjermanët pushtuan Mgan duke ndërprerë vijën e fundit midis Leningradit dhe Rusisë së mbetur.

Më 4 shtator artileria gjermane goditi rajonin “Ust-Tosna” me objektiv elektrostacionin Nr. 5 dhe Uzinën “Bolshevik”. Më 6 shtator, rezervat ushqimore në drithëra mjaftonin për 35 ditë, në mish për 33 ditë, në yndyrna për 45 ditë. Racioni ditor i bukës u caktua 150 g. në ditë për civilët, 300 g. për ushtarët në front dhe 150 g. për ushtarët e tjerë, plus 75 g. biskota. Më 8 shtator u pushtua Shliselburgu (Petrokrepost), 40 km. nga Leningradi, që ndërpreu të vetmen rrugë që e lidhte me qytetin. Shliselburgu ndodhet në bregun perëndimor të Ladogës, aty ku fillon Lumi Neva, për të gjarpëruar rreth 75 km nëpër qytet e të derdhet në Detin Baltik.

Vija e mbrojtjes sovjetike qëndronte në bregun perëndimor të Nevës. Gjermanët arritën ta shtynin Armatën 54 sovjetike duke e ndarë nga forcat kryesore të Leningradit por u ndaluan tek vija Lipka. Trupat e Armatës 8 të Leningradit që luftonin më parë në territorin Estonez, u tërhoqën në vijën Petërgof, në jug të Ust-Rudicit, bregu i Gjirit të Finlandës në rajonin Kernovo. Lidhja me qytetin e kësaj armate bëhej nga ajri, kurse komunikimi me Leningradin nëpërmjet Ladogës. Po atë ditë, Stalini thirri Zhukovin dhe e dërgoi në Leningrad me telegramin për Voroshillovin: “Dorëzoi komandën Zhukovit dhe fluturo shpejt për në Moskë” dhe më pas Zhdanovit: “Sot Voroshillovi shkarkohet”. Kështu filloi bllokada që vazhdoi 900 ditë (8 shtator 1941-27 janar 1944) pasojë e urisë dhe temperaturave që shkuan 40-45 gradë nën zero çoi në vdekjen e 800.000 deri 1.000.000 banorëve.

Pasojat shkatërruese në Leningrad

 

Më 9 shtator në Leningrad pati 46 zjarre të mëdha dhe më 10 shtator 78 të tilla (Nga shtatori deri në nëntor në qytet u dhanë 251 alarme ajrore, u shuan 1739 zjarre dhe u shpëtuan shumë njerëz. Nga shtatori deri më dhjetor 1941 gjermanët hodhën mbi Leningrad 148.478 predha artilerie të kalibrave të ndryshëm, 100.000 bomba djegëse, 3500 shkatërruese dhe 3500 frikësuese. Në çdo km2 sipërfaqe të qytetit ranë 16 predha fugase, mbi 320 bomba djegëse dhe 480 predha artilerie. Çdo ditë binin mbi qytet mesatarisht 245 predha, me peshë nga 43 deri 900 kg. U prishën tërësisht ose u dëmtuan 10.137 objekte, ku futen 187 përmendore arkitekture dhe historie. Nga predhat pati 16.747 të vrarë dhe 33.782 të plagosur, midis tyre pleq, gra dhe fëmijë. Për të fikur zjarret punuan 168 zjarrfikës dhe qendra luftëtarë. Në vitin 1998 në një nga vendet më të dukshme të Shëtitores Nevski ishte ekspozuar një shtatore e bukur e zjarrfiksit. Drejtuesit e qytetit i drejtoheshin banorëve të Shën Petërburgut që të jepnin mendimin e tyre se ku duhej të vendosej ajo shtatore). Më 10 shtator, u godit fabrika e qumështit dhe u dëmtua kantieri detar. Më 11 shtator Voroshillovi u zëvendësua nga Zhukovi. Shefi i shtabit për frontin e Leningradit ishte gjenerali M. S. Hozin, kurse më 14 shtator komandant i Armatës 42 ishte gjeneral I. I. Fjeduniski. Për 2,5 muaj u transportuan 6000 ton mallëra për nevoja e popullatës, 1660 ton armë e municione dhe 4325 ton ushqime. Më 12 shtator në limanet e Osinovës në bregun lindor të liqenit Ladoga erdhën 626 ton drith dhe 116 ton miell. Kur forcat gjermane të Gruparmatës “Veriu” u përgatitën të sulmonin Leningradin dhe trupat e Armatës “Qendra” të sulmonin Moskën, Hitleri urdhëroi ndërprerjen e operacioneve mbi Leningrad duke thënë: “Qyteti të detyrohet të dorëzohet nga uria e pastaj ta rrafshojmë me tokën” dhe urdhëroi të sulmohej Moska e të rrethohej Ukraina Qendrore. Pesë divizione tankesh, 2 divizione të motorizuara dhe një pjesë e mirë e armatës ajrore sipas këtij urdhri duhej brenda një jave të largoheshin nga Leningradi. Fon Lebi protestoi: “30 divizione sovjetike janë rrethuar në qytet dhe janë gati në shkatërrim. Ekuipazhet e tankeve që janë më afër qytetit mund të shikojnë majën e lartë të Admiraliatit”.

Rrethimi i Leningradit

Më 13 shtator gjenerali M. K. Zhukov mori komandën e frontit të Leningradit. Po atë ditë u pushtuan nga ushtria gjermane Uricki dhe lokaliteti Vollodarsk, 20 km nga Leningradi. Më 15 shtator qyteti u ndodh nën goditjen e artilerisë për 18 orë e 32 minuta dhe më 17 shtator për 18 orë e 33 minuta. Më 16 shtator gjermanët dolën në Gjirin Finlandez. U pushtua Ligovo. Ata u përqendruan në vijën Urick-Staro-Panovo. Batalionet e Divizioneve 96, 121 dhe 122 këmbësore u futën në Pushkino (Carskoe Sjello në vitin 1937 në 100-vjetorin e vdekjes së poetit të madh Aleksandër Sergejeviç Pushkinit u quajt Pushkino) dhe, më 17 shtator në Pullkovo që respektivisht ndodheshin 25 dhe 16 km larg nga Leningradi. Po më 17 shtator Hitleri hoqi nga fronti i Leningradit grupin e blinduar Hepner dhe bombarduesit e luftvafes dhe qytetin ia besoi trupave finlandeze që ta mbanin të rrethuar. Marshalli Manenheimer, komandant absolut i trupave finlandeze në asnjë mënyrë nuk donte të shkatërronte Leningradin dhe vendosi ta mbante të rrethuar, duke zhvilluar operacione luftarake në vijën e frontit ruso-finlandez në kanalin e Karelis dhe mori zonën në lindje të Ladogës. Trupat finlandezo-gjermane luftuan në veriun e largët rreth Peterozavodskut dhe në Murmansk. Më 18 shtator pilotët sovjetikë bënë 42 tarane (përplasje avion me avion), ku 32 përfunduan me sukses. Tetëmbëdhjetë ekuipazhe i ulën me sukses avionët në aerodrome, të tjerët u hodhën me parashutë. Nëntë pilotë sovjetikë vdiqën. Më 19 shtator u rrethua Kolpino. Atë ditë 276 bombardues gjermanë kaluan vijën ajrore të Leningradit dhe vranë mbi 1000 banorë. Më 20 shtator Divizioni I Këmbësor Gjerman sulmoi Strelnën. Regjimenti 58 i Divizionit I doli në vijën Krasnoje Sjello dhe nga Mali i Thatë dukej Leningradi. Më 21-23 shtator, 180 avionë gjermanë sulmuan bazën e Kronshtadin duke dëmtuar rëndë kantierin detar dhe gjermanët pushtuan një zonë në veriun e ishullit. Në fillim shtatori këmbësoria 242 e divizionit 126 u nis në drejtim të Novgorodit drejt Shliselburgut. Divizioni 20 i motorizuar i gjeneral Zorn i shoqëroi. Më 6 tetor Në veri të Petërgovit (Pas vitit 1947 qyteti u quajt Petrodvorjec) arriti divizioni 219 këmbësor gjerman i komanduar nga gjenerali Herzog.

Gjeneralarmate Reinhard shkroi: “Më 12 tetor ishte një dush i ftohtë që u sul mbi gëzimin e justifikuar që kishte pushtuar trupat pas fitores së tyre. Urdhri që na u dha ishte që mos ta merrnim Leningradin, por ta izolonim. Sulmi duhej të bëhej mbi rrugën Pushkino-Petërgof dhe korpusi 41 gjatë ditëve pasuese duhej të tërhiqej nga fronti dhe duhej dërguar në një vend tjetër. Për të gjithë ne ishte një vendim pa kuptim. Në momentin e fundit trupat që kishin bërë ballë përpjekjeve ekstreme iu desh të braktisnin këtë fitore finale të ardhshme që duhej të kurorëzonte fitoret e tyre”. Më 31 tetor nga Leningradi u larguan 17.614 punëtorë të fabrikave të armëve dhe 8.590 oficerë të plagosur të ushtrisë, marinës dhe aviacionit.

Më 3 nëntor gjermanët ndërprenë linjën hekurudhore për në Vologda dhe u drejtuan Tihvinit, qendër e furnizimit të avionëve në Leningrad. Më 8 nëntor u pushtua gryka e Nevës dhe Shliselburgu duke e rrethuar Leningradin nga toka. Po atë ditë edhe Tihvini ra në duar të gjermanëve. Rrethimi i Leningradit u bë i plotë. Me fillimin e ngricave transporti ujor u ndërpre. Filloi udhëtimi mbi akull pasi profesor Vaganovi studioi trashësinë e akullit që në bllok në Liqenin e Ladogës shkonte mbi 25 centimetra trashësi dhe nga fshati Kokorevo mbi akull filluan të shkonin karvanë me sana të tërhequr nga kuaj. Rreth 350 sana u drejtuan për në bregun lindor të liqenit, në Kobana. Pasi u bindën për rezistencën e akullit, filluan të lëviznin kamionë dhe vetura. Kjo u quajt “Rruga e Jetës” nëpërmjet të së cilës në Leningrad çoheshin ushqime, armatime, municione, lëndë djegëse dhe largoheshin të sëmurë, të plagosur, invalidë dhe fëmijë. Më 22 nëntor mbi rrugën e shkelur një ditë më parë nga slita të tërhequra me kuaj nga Kobana, nën komandën e majorit Perçunov u nisën 22 makina të ngarkuara me 33 ton miell duke kaluar mbi liqenin e ngrirë të Ladogës dhe arritën në Kokorevo. Për 7 ditë (23-29 nëntor 1941 ) qyteti u furnizua me 800 ton miell bashkë me lëndë djegëse. Si total ishin caktuar 3500 makina për furnizim, por nga rrëshqitjet në dëborë dhe zbulimin nga gjermanët, 350 makina u braktisën pranë Novaja Ladogës, ndërsa u fundosën 40 prej tyre. Pavarësisht vështirësive në furnizime, industria ushtarake e qytetit i dha frontit 713 tanke, 480 autoblinda, 58 trena të blinduar, mbi 3000 topa kundërtank, rreth 10.000 minahedhës, 80.000 predha reaktive dhe mbi 3 milionë predha dhe mina, ku një sasi e konsiderueshme e prodhimeve luftarake me avionë u dërguan në Moskë. Në fund të dhjetorit numri i të vdekurve arriti 3000-4000 veta në ditë, për të shkuar në total 53.000 veta në një temperaturë që shkonte në minus 450. Brenda 3 muajve nga hapja e rrugës së shpresës, u arrit të largoheshin nga qyteti 554.186 veta, ku 35.713 ishin të plagosur.

Vijon në numrin e ardhshëm