Dossier/ Kujtimet e Enver Dukës: Fisi Duka në letrën e Buonapartit në 1808

668

Kujtimet e Enver Dukës: Gjenerali francez Donzelo dhe koloneli francez Mino, i dërguan letër Perandorit Napoleon Bonapartit në vitin 1808, për ekzistencën e klanit të Dukajve në Nivicë

18 qershor 1911, Muço Karafili, Shaqir Runa e Xhelal Duka, u dërguan për të luftuar në Çamëri ku thyen komitët grekë

– Ministri i Punëve të Brendshme Aqif Pashai i jep urdhër qeverisë së Vlorës, t’i japë ca dyfeqe e fishekë Xhelal Dukës në mbrojtje nga grekët

Xhelal Duka, në 1912, qe pjesëmarrës i zonës në ngritjen e Flamurit në Vlorë nga Ismail Qemali

Prejardhja

Kam lexuar diku në një kalendar fetar se: “Jeta është një libër, kapakët e të cilit janë, Lindja dhe Vdekja”. Duke shtrydhur krijesën time, të Vajdijës, të Muçit, të djemve, të Anitës, pa lënë pas dore të nuseve, dhëndrit, shokëve e miqve në veçanti dhe të Reshatit, Mentorit, i ndihmuar edhe nga historiku i fshatrave Nivicë, Lekdush e të tjerë të Kurveleshit, do të mundohen, në çdo mendim, në çdo lëvizje, në çdo frymëmarrje të jetës sonë familjare të tingëllojë thjeshtësia dhe madhështia e fisit. Kujtimet do të mundohen ti mbush me punët më të mira, për të cilat njeriu shpërblehet në jetë, që janë në të mirë të brezit pasardhës. Ku ramë e nuk lëshuam rrënjë! Mbi një shekull “Vite dhe jetë”, lëvizje zhvillim rritje. E sotmja e fisit, krenari për të parët tanë, vazhdimësi e ligjshme në breza, në ndershmëri, në punë të palodhur për të fituar atë që u takon. Mbështetur në sa përmenden më sipër, një historik i dokumentuar për fisin Duka në Nivicë, më jep kënaqësinë për të dhënat e përfituara, megjithëse e ka vështirësuar më tej zbulimin e tyre, lëvizjen e detyruar të fisit tonë dhe të fisit të nënës në vitin 1930 – 1940 nga  Kurveleshi. Shkaqet dihen: Lufta e popullit tonë për çlirimin kombëtar nga Turqia ; Lufta Ballkanike; ndërhyrjet e njëpasnjëshme të ushtrive greke në zonën e Kurveleshit, Lufta e parë Botërore, lufta më 1920 me italianët,etj. Në këtë vorbull fatkeqësish nuk mbeti jashtë orbite edhe fisi im. Kështu u sfumuan dalëngadalë kujtimet e linjës familjare dhe në plan të parë mbetën plagët e luftës, qëndrimi, humbjet dhe fitoret. Në këngët popullore, të ngritura enkas për to, ka më shumë tym e flakë, braktisje e grabitje, vrasje e internime, gjak e dhimbje që për brezat, të cilat nuk i jetuan, janë një thesar i paçmuar për edukimin e tyre patriotik.

Dokumenti i rrallë

Lëvizjet   dhe  ngulmimet para stërgjyshit nuk i dija  por ja, në ndihmë më erdhi raporti i gjeneralit Francez Donzelo dhe kolonelit francez Mino, dërguar Perandorit Napoleon Bonapartit në vitin 1808 për ekzistencën e klanit të Dukajve në Nivicë” pak të qytetëruar por shume të zellshëm…” si dhe duke  shfletuar “ Historikun e fshatit Lekdush” na del atje një person me emrin Labe Duka, bashkëkohës me stërgjyshin tonë Muço Duka. Ja çfarë shkruhet aty: “Më 1847 u organizua një Kuvend te Rrapi i Toroninos, në afërsi të Zhulatit, për të gjithë krahinën e Jugut. Aty vendosën që të kundërshtonin e të mos pranonin reformat e Tanzimatit. Kryetar i kuvendit u zgjodh Çelo Picari – Ja ç’thotë kënga popullore:

“Në mitingun të marrë pjesë

Me burrat e Labërisë

Për shpëtim të mëmëdhesë

 Në luftë kundër Turqisë

Labe Duka nga Gusmari”….

Ky emër na tërheq vëmendjen, jo vetëm nga mbiemri por edhe nga aftësia e fshatit Gusmar dhe pozicioni i Labe Dukës, si personalitet dhe përfaqësues i këtij fshati në këtë kuvend të rëndësishëm. Po në këtë vit, 1847, pas një reprezalje në të gjithë fshatrat e Kurveleshit të sipërm, në një këngë tjetër thuhet:

“Labe Dukën dhe Zano Ymer

Ulërima në çdo derë”

Kënga përshkruan luftën e turqve kundër fshatrave të Kurveleshit, qëndresën e malësorëve dhe zënien e disa krerëve dhe internimin së bashku me të edhe enigmën tonë.

A ka lidhje Labe Duka me Muço Dukën stërgjyshin, e në përgjithësi me fisin DUKA?

Dega e fisit Duka, gjyshi Xhelal Duka dhe gjyshja Veziko, vajzë nga familje e përmendur e Bexhet Aliut ( Bexheti ishte mik i Fan Nolit dhe u kthye nga Amerika duke u rrethuar me të dhe pas rënies së qeverisë së Nolit ai u persekutua dhe u ndoq nga zogistët) lëshuan rrënjë në fshatin Nivicë  të Kurveleshit të Sipërm, pllaja e te cilit ndodhet 950 m mbi nivelin e detit dhe është e rrethuar nga të gjitha anët prej malesh të larta të Këndrevicës, që shkojnë nga 1200 m në 2100 m lartësi. Përrenjtë e vegjël malor, me ujin e tyre të rrëmbyeshëm, kanë formuluar humnera të frikshme e  ujëvara mahnitëse. Shtigjet  janë të pakta, por natyra Kurveleshin e ka pajisur me kullota, pyje, me pak toka buke, me një bukuri  përrallore, si dhe me freskinë e ashpërsisë malore. Fshati  është ndërtuar në formën e një kështjelle. Banorët, për të mbijetuar në luftëra të ndryshme, kanë ndërtuar mjaft kala mbrojtëse. Kurveleshi ka prejardhjen e tij dhe mbizotëron trajta “Gurëlesh”  që të kujton karakterin e relievit dhe zanatin kryesor të krahinës që do të thotë: “vendi i gurit dhe i leshit”, që në shekuj u shndërrua në Kurvelesh. Të pestë fshatrat në qendër të Kurveleshit të sipërm:  Rexhini, Nivica, Gusmari, Progonati dhe Lekdushi merreshin me blegtori, me tregtimin e produkteve të saj dhe me kurbet. Pavarësisht relievit malor, mungesës së tokave të bukës, dimrit të ashpër, largësisë nga qyteti, fisi Duka ka qenë në gjendje të mirë ekonomike. Gjyshi im ishte i mëkëmbur. Në Nivicë bënte emër për mend, njihej si personalitet dhe shok e mik i Abaz Nivicës, Selam Musait, Vebih Runës, Riza Runës, etj. Zemra ma ka ndjellë gjithnjë se do të gjej diçka me vlerë, që ka vlerësuar e pasqyruar në mënyrë të thjeshtë e pa zbukurime në ditarë e shënime periudhën kur në ndërgjegjen e intelektualëve të kohës vazhdonte e pandërprerë lëvizja kombëtare për çlirimin e atdheut nga pushtimi turk. Një ditar i tillë, i ruajtur e i mbajtur nga Hulo Runa, që është fryt i mendjes dhe  i dorës së të ndjerit Riza Rama, kapituj të të cilit me ranë në dorë nga fundi i periudhës që po hedh këto shënime më gëzojnë shumë. Ky ditar, si një thesar i çmuar i asaj familjeje ma solli gjyshin tim, të ndjerin Xhelal Duka, gati pas një shekulli të gjallë, veprues, real, ashtu siç ka punuar e jetuar në ato vite të fillim të shekullit njëzet. Emocionet më shoqërojnë sikur të isha tani si një djalë i ri. Më bëhet qejfi që gjyshi im, Xhelal Duka, ka qenë bashkëkohës dhe bashkudhëtar i Riza Runës, këtij intelektuali të kompletuar. Unë nuk dua të gjykoj “Ditarin” për vlerat historike e gjeografike, këtë le ta bëjë ndonjë historian, por duke qenë personazh gjyshi im në shumë fletë më lejohet te jem krenar për idetë patriotike dhe për luftën që ka bërë për të vendosur një gur në themelet e shtetit të ri shqiptar. Pa e rënduar lexuesin do të nënvizoja disa moment që pasqyron zoti Riza Runa në “Ditarin” e tij për gjyshin pa komente…

Nga ditari

“…Mora dhekaten (të dhjetën) e Nivicës e të Rexhinit me Xhelal Dukën..” (viti 1906. f.12)

“…Unë (Riza Runa)… të dërguar në Vlorë nga gjeta në Shushicë edhe… Xhelal Dukën nga Nivica. Xhelal Duka kish patriotizëm dhe duhej të hynte në këtë punë edhe për emër..” (18 qershor 1911- f.77)

“…  U mobilizuan shqiptarët me Muço Karafiln, Shaqir Runën e Xhelal Dukën u dërguan për të luftuar në Çamëri ku thyen komitët grek..”(1913  f.112)

“..Mora një letër nga Xhelal Duka, ku më thotë që erdha në Vlorë dhe i kërkuan qeverisë që të na japë dyfeqe e fishekë por s’na dha lartmadhëria, pse që të vjen keq për Atdheun tënd dhe për të gjithë ne thuaj madhërisë së tij, mbretit, jo, po ku ta dish ti që të japi urdhër qeveria këtu të na japë fishekë dhe dyfeqe që na duhen… kam shpresë se Greqia nuk do të mundë të dalë deri në Kurvelesh.. dhe unë që në këtë orë vajta tek Ministri i Punëve të Brendshme Aqif Pashai dhe ai në atë kohë i dha urdhër qeverisë së Vlorës, ku i thotë që ca dyfeqe e fishekë t’ia jepnin Xhelal Dukës dhe shokëve e tij nga Kurveleshi dhe duhet të bëni lehtësitë që ti vijnë për dore..” (11 korrik, 1914, faqe.216)

“.. Më tha Aqif Pasha dhe Mekshi që shkruaja të vijnë kurveleshasit në Durrës.. për të luftuar kundër rebelëve. Ndër prijësit merr pjesë dhe Xhelal Duka..” (29 Korrik 1914, faqe 228)

Vlera  e veçantë e këtij “Ditari: epiko-lirike, topografik, historik e gjeografik, kushtuar krahinës së Kurveleshit, kurveleshasve dhe më gjerë, qëndron në faktin se ato hedhin dritë mbi idetë shoqërore e kombëtare si vazhdimi Rilindjes sonë kombëtare, që kanë pasur këta intelektualë të fillimit të shekullit të njëzet. Ky “Ditar” afirmon atë përpjekje titanike të korifenjve që u kërkoi koha të ishin aktorë dhe regjisorë për çlirimin kombëtar nga perandoria turke. Ky “Ditar” ka zënë një vend nderi dhe krenarie në zemrat e pasardhësve të tij, që të frymëzohen ta ruash me fanatizëm e ta çmosh këtë “Ditar”, si një thesar ndershmërie, mençurie urtësie e diplomacie, të një trimërie të rrallë të zotit Riza Runa e shokëve të tij.  Ai i shërbeu asaj kohe, por pa dyshim i shërbeu dhe ditëve tona. Gjyshi në 1912 qe pjesëmarrës në ngritjen e flamurit në Vlorë nga plaku i Vlorës, Ismail Bej Vlora. Ai ka ditur të shkruajë e të lexojë dhe ka qenë dashamirës për përhapjen e arsimit në krahinë. Thonë për gjyshin se karakterizohej nga një inteligjencë  natyrore, falë malësisë kurveleshase, burrërisë dhe besnikërisë ndërsa mikpritja ka qenë e theksuar për krahinën. Mbaj mënd një episode që qe transmetuar në gojë të ndryshme të fisit Duka,

“Disa udhëtarë u kishte rënë nga rruga për në Nivicë dhe mbrëmja kishte zënë pranë shtëpisë së gjyshit.

  • Ku të shkonin? Gjyshi del dhe pa i pyetur siç është zakon u thotë:

-Bujrum në shtëpinë e Xhelal Dukës, ashtu siç jeni, të gjithë së bashku. Pasi u rehatuan, u ul buka të hanin darkë. Natyrisht, në malësinë e Kurveleshit dashi i pjekur në hell ishte diçka e zakonshme, prandaj edhe atë natë nuk mungoi. U ngritën dolli e u uruan shëndet dhe shtrim jete e pasurie. i pari i udhëtarëve, thonë se uroi:

-Njëmijë kokë t’u bëfshin!

-T’u thaftë goja! – ndërhyn gjyshi, duke buzëqeshur, unë kam pesëmijë kokë. Natyrisht miku u zu ngushtë, por gjyshit nuk i mbeti hatri por i përcolli të nesërmen siç e kishte zakon një burrë i nderuar dhe me emër në Nivicë.

Nga martesa e gjyshit lindën tre djem: Ramadani, Veseli dhe Fedi, 2 vajza Xhixhi dhe Bajamja. Gjyshi me pjesëmarrjet e familjes së tij dhe me punëtorë mëditës kullandrisnin punët me blegtorinë në mënyrë të kënaqshme . vlerësova më lart se gjyshi dinte të shkruante e të lexonte. Natyrisht që këtë dëshirë e kishte edhe për djemtë e tij. Nuk jam i sigurt plotësisht, por me sa duket djalin e parë, Ramadanin, pasi e siguroi tek një mik në Vlorë, e regjistri që të  mbaronte shkollën unike në qytet.

(Enver Duka, babai i Agron  dhe Armando Dukës, ka  disa vjet që ka ndërruar jetë, por kujtimet e tij përcjellin  para lexuesit një histori jetësore  të veçantë. Ky fis nga Nivica  e  Tepelenës  shpërngulur  rreth një  shekull më parë  në Shijak ka tradita të rralla patriotike  dhe intelektuale)

 

Përgatiti për botim: Albert Z. ZHOLI

Nesër do të lexoni:

-Si u nis babai, Ramadani duke kaluar fshehurazi dhe kufijtë për të studiuar në Vjenë

– Dr. Medar Shtylla, e ndihmoi babanë për të gjetur një shtëpi banimi në Xhafzotaj

E shoqja e Medar Shtyllës, i lutej nënës që të vishte kostumin tradicional të malësores së Kurveleshit

Medar Shtylla, u  inkuadrua në radhët e partizanëve dhe  mbante letërkëmbimin të rregullt me babanë

Si habiti dhe bindi babai (Ramadani)  me gjermanishte perfekt që ushtarët të mos rrëmbenin viçat në stacionit e zooteknisë,

Si u improvizua “lidhja” e rojeve të stacionit që viçat t’i merrnin partizanët

– Gjermanishtja perfekt edhe këtë herë i erdhi në ndihmë për mrekulli.