Dossier/Konferenca e Tiranës në 1956

2626
Sigal

 ARKIVA / Si u zhvillua Konferenca III e Tiranës në vitin 1956. Kritikat për “Bllokun” dhe mjerimin në popull. Ankesat për rogat e larta të zyrtarëve dhe përfitimet e bashkëshortëve si anëtarë të KQ-së. Ç’u tha për rehabilitimin e të goditurve

Konferenca e Tiranës, si u kryqëzua Enveri për kultin e individit

Leonard VEIZI

Ishte koha kur Nikita Hrushovi organizoi goditjen vendimtare ndaj figurës së Stalinit. Strategu, kufoma e të cilit mbahej në mauzole, tashmë nuk ishte më i tillë. I kishin rënë gradat dhe spaletat, dhe për më tepër trupi i tij i balsamosur, u përçudnua duke u djegur. Në mauzoleun gjigant mbeti vetëm Vladimir Iliç Lenini. Në këtë mënyrë Kongresi  XX i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, do të ndryshonte kursin e ashpër të bllokut lindor të socializmit. Skema kishte rënë me shpejtësi dhe ishin çliruar tabutë e ngritura deri në atë kohë. Kulti i individit nuk ekzistonte më. Figura e Stalinit nuk ishte më në “majën e Olimpit”. Të gjitha difektet e tij të karakterit njerëzor dhe të drejtimit të shtetit të madh komunist, u vunë në shënjestër të kritikave nga më të ashprat. Kthesa e madhe kishte filluar…
Atmosfera
Në Tiranën e kuqe, atmosfera e kongresit XX të PKBS ende nuk shfaqte ndonjë surprizë. Në rrethet e ngushta të intelektualëve dhe komunistëve moderatorë, informacioni filtronte në formën e një thashethemi entuziast. Kulti i individit, ajo që deri dje konsiderohej si herezi po të prekej, tashmë mund të shkallmohej.
Fillimi premtues
Punimet e Konferencës së Tiranës kanë nisur me duartrokitje e ovacione, pasi kryeqyteti përbënte dhe peshën kryesore të organizatave të partisë dhe nga ajo konferencë do të dilnin shumë delegatë për në Kongresin III. Në slogan shkruhej: Konferenca e Partisë për qytetin e Tiranës për dhënie llogari e zgjedhje”. Fillimisht u lexua raporti prej 52 faqesh i përgatitur nga Byroja Provizore e partisë për qytetin e Tiranës.
Pyetjet nga salla
Në seancën e dytë erdhën pyetjet nga salla. Një ortek i vërtetë. I paparë: Pse nuk është bërë analiza e Kongresit XX? A ka kult individi në Shqipëri? Duhen rehabilituar figurat e goditura? A e di partia mjerimin në popull? Po tek fshatarësia? Ç’do të bëhet me familiaritetin në Komitetin Qendror. Po me pagat e diferencuara dhe komoditetet e tjera që ofron posti?
Gazetari i Radios
Më të guximshmit për të marrë fjalën ishin ata që punonin në Radio-Televizion e Kinostudio. U ngritën të diskutonin drejtori i Kinostudio “Shqipëria e Re”, Nesti Zoto, gazetari i “Zërit të Popullit”, Adriatik Kanani, punonjës i aparatit të Komiteti Qendror, Vandush Vinçani. Ndërsa gazetari i Radio Tiranës, Vehip Demi, në këtë konferencë zëvendëson drejtorin e këtij institucioni, Petro Kito, që ndodhej me shërbim jashtë shtetit. “Ne duhet të pranojmë, – tha ai, – se akoma ka frikë, droje, për të shprehur mendimet, për të kritikuar lirisht. Komunistët e Radio Tiranës kritikojnë Komitetin e Partisë që nuk ka marrë masat e duhura që materialet e Kongresit XX të ishin punuar në organizatat e partisë dhe në masa. Duhej sqaruar me kujdes e durim çështja e kultit të personit që u ngrit në artikujt e “Pravdës”.

Sulmi ndaj Bllokut
Fill pas këtyre fjalëve, Vehip Demi, i duartrokitur nga e tërë salla, vazhdon: “Ne duam të pyesim ministrin e Tregtisë, Kiço Ngjela dhe ministrin e Financave, Abdyl Këllezi, se nga dalin fondet që duhen për të mbuluar shpenzimet e “Bllokut”. Në cilin kapitull të buxhetit futen ato? Ne duhet të pranojmë se masat jashtë bisedojnë shumë për çështjen e “Bllokut”.
E papritura
Pyetjet i ishin drejtuar të deleguarit të Komitetit Qendror për Konferencën e Tiranës, Beqir Ballukut. Por ai ishte mbërthyer keq në “kurthin” e papritur. Në të njëjtën kohë, Enver Hoxha i qetë, kishte vendosur të kalonte fundjavën në Vlorë. Gjatë ditës së shtunë, kur dhe nisi debati në konferencë, Beqir Balluku është munduar t’i japë zgjidhje të papriturave që i dilnin njëherazi. Por kur e pa që nuk ia dilte dot, informoi për gjithçka Enver Hoxhën.

Kornizat
Edhe pse ajo çka ishte ndërmarrë në Kongresin XX, vetëm sa ishte shtruar për diskutim në Byronë Politike dhe jo më poshtë, dukej se fryma liberale e saj ishte pushtuar një shtresë të gjerë të komunistëve shqiptarë. Në pjesën tjetër të vendeve lindore ajo ishte prezantuar më shumë.

Urgjenca
I gjendur përpara këtij fakti të ri, Enver Hoxha ndërpret pushimet dhe në seancën e mbasdites së të djelës, mbrin me “ZIM”-in e tij, në Tiranë. Vetëm pakush e dinte që ai do të merrte pjesë në konferencë. Për të tjerët kjo ishte një e papritur. Enver Hoxha nuk ishte i ftuar në punimet e Konferencës së Tiranës dhe s’kishte mandat të deleguari, por ai kishte statusin e Sekretarit të Parë, dhe pati fuqinë për të ndërhyrë në punimet e Konferencës. Ai e mori fjalën në konferencë me një fjalim të përgatitur me shpejtësi. Pranimi i gabimeve nga ana e Enver Hoxhës u bë me një sqarim të gjatë, në të cilin në fakt duket se ai nuk pranoi asgjë si gabim.
(vijon nesër)