Dossier/ Ismail Ulqinaku, djali i heroit të rezistencës antifashiste Mujo Ulqinakut

1810
Sigal

DOSSIER/ Rrëfehet Ismail Ulqinaku, djali i heroit të rezistencës antifashiste Mujo Ulqinakut

 

E vërteta e vrasjes së Mujos, pse donin ta varrosnin në kishë

Ismail Ulqinaku

 

7 prill 1939 do të mbetet në kujtesën e popullit shqiptar si datë e një sulmi të pabesë, e një vendi aleat, i lidhur me traktatet e bashkëpunimit ekonomiko shoqëror, ushtarak etj,. Që u shkelën në mënyrë brutale e të njëanshme nga ana e Italisë Fashiste. Kjo ngjarje çuditërisht e gjeti shtetin e asaj kohe krejtësisht të papërgatitur për t’ju përgjigjur këtij sulmi e cenimit të sovranitetit qoftë edhe në formë modeste, në përputhje me potencialin njerëzor e ushtarak të asaj periudhe. Referuar kujtimeve të bashkëkohësve të atyre ditëve, shkrimeve të ndryshme në shtyp, historianë vendas e të huaj, dhe sidomos kujtimeve të Mbretit Zog, të transmetuara dhe zbatuara nga ish-komandanti i Gardës Kombëtare, Kol, Husein Selmari mendoj se duhen të sqarohen disa të dhëna që bien ndesh me njëra- tjetrën si në vijim: Në një intervistë dhënë në gazetën “Republika” të Lubjanës, Leka Zogu shprehet: “Pyetjes që i bëra tim eti, se si qëndron e vërteta për rezistencën e 7 prillit 1939 ai m’u përgjigj: Për mua ekzistonin dy zgjidhje, 1-Të rezistoja me ushtrinë e pakët e të keqarmatosur me mbarimin e Luftës I Botërore dhe 2-Ta lija në spontanitetin e një rezistence të paorganizuar. Unë zgjodha të dytën sepse do kishim më pak humbje njerëzore e materiale.” Pohimi i mësipërm bie në kundërshtim me tërë ato shtjellime që i bëhet organizimit të rezistencës së shtetit, siç shkruan një e përditshme shqiptare. Për ilustrim po sjell një shembull: “Unë, kujton adjutanti, kisha marrë urdhër të vizitoja trupat në Shijak dhe Durrës. Mora me vete major Gjon Doranin dhe kapiten Gjergj Moskën komandant i baterisë 75/27 që do të sistemohej në zonë e Durrësit. Nga aty shkova në komandën e garnizonit. Mbasi mbarova gjithë kontrollin kërkova major Abaz Kupin por edhe ky kishte shkuar në Tiranë. Mbasi konstatova se isha urdhëruar, u ktheva në Tiranë dhe direkt shkova në komandën e xhandarmërisë. Aty gjeta dhe major Abaz Kupin. I thashë: “Ju kërkova në Durrës po u bë mirë që ju gjeta këtu. Jeni ngarkuar si komandant i mbrojtjes së Durrësit”. Ai m’u përgjigj: “Unë përveç 60 xhandarëve tjetër fuqi nuk kam. As që më është thënë e as kam marrë ndonjë urdhër. Kjo më habit”. Iu përgjigja: “Po batalioni i xhandërmarisë nën komëndan e kapiten Xhemal Herrit nuk ka mbërritur akoma në Durrës?” “Nuk kam asnjë dijeni”, më tha Abaz Kupi. Nga ky kontroll i plotësimit të detyrave për mbrojtjen e zonës së Durrësit që ishte vlerësuar si zona kyç ku do të përqendrohej goditja kryesore e trupave fashiste dhe që i’u besua komandantit major Abaz Kupi, rezulton se ishte lënë plotësisht pas dore deri një ditë para fillimit të sulmit fashist. Plani për mbrojtjen e 5 zonave bregdetare ishte përgatitur sipas porosisë së vetë mbretit nga komandanti i mbrojtjes gjeneral Xhemal Aranitasi dhe shefi i shtabit të shtatmadhorisë gjeneral Gustav Mirdaiç. Ky plan iu paraqit mbretit dhe u miratua qysh në 22 shkurt 1939 duke pas të parashikuar edhe komandantët e këtyre zonave. Kjo mangësi në asnjë mënyrë nuk mund të quhet harresë por ka qenë e qëllimshme për të mos bërë rezistencë edhe në Durrës. Kësaj i shtohen edhe mangësi të tjera si tradhtia e disa oficerëve e komandantëve të ushtrisë të raportuara nga vetë këshilltarët italianë që në zyrën e ministrit të brendshëm Musa Juka. Mbi sa më sipër ministri vuri në dijeni në fillim kolonel Hysen Selmanin dhe më vonë dhe vetë Mbretin. Nxjerrja në shesh e të dhënave për mbrojtjen e zonave tona bregdetare nga ushtarakët tanë bënë që të dështonte pa filluar ky plan. Këtij fakti iu duhet shtuar edhe mosbindja e oficerëve tanë ndaj komandantëve të ushtrisë, për të cilët vetë komandanti i ushtrisë gjeneral Xhemal Araniti i paraqiti mbretit dorëheqjen, por më pas e anuloi sepse në kushtet kur kishte mbetur vetëm një ditë nga fillimi i sulmit vlerësohej si tradhti ndaj Atdheut. Edhe mbas fillimit të sulmit të ushtrisë italiane ja çfarë njoftohet me telefon nga komandantët e zonave bregdetare datë 7 prill 1939 ora 5.00 i mëngjesit

-Nga Saranda i toger Tajfur Dibra: Flota italiane hyri në portin e Durrësit dhe filloi shkarkimin në tokën tonë. Kam vetëm një togë të rojës së kufirit. Do të luftojmë.

-Nga Vlora kolonel Ali Rizai: Jam duke u tërhequr nëpër shpatet e Sevasterit e Llogarasë.

-Nga Durrësi major Abaz Kupi: Flota italiane ka rrethuar Durrësin dhe hyri në port. Janë mëse 30 copë anije në Durrës, Porto Palermo e zona e banjave. Nuk patëm kohë të minimin e portin. Ne do bëjmë detyrën. Avionio po ana dëmton shumë. Urdhëroni komandantin e Shijakut që të na vijë për ndihmë sidomos të sigurojë zonën e banjave

Që nuk është bërë rezistencë e organizuar në asnjë zonë bregdetare përfshi edhe Durrësin e tregon dhe vetë fakti se nga kontigjenti prej 30.060 luftëtarësh, sipas organikës të paraqitur në gazetën “Korrieri” datë 17 janar 2003, vetëm një është vrarë, sepse 14 të tjerët që janë vrarë me Mujon, kanë qenë nga rrethinat e Durrësit, Gramshit, Bulqizës, etj. Edhe në raportimin e të dhënave për të vrarët dhe plagosurit nga burime të ndryshme ka burime të ndryshme ka luhatje të mëdha si për të vrarët shqiptarë ashtu dhe për ata italianë. Kështu p.sh. Sipas shtetit shqiptar (1944-1990) jepen të dhënat për 15 shqiptarë të vrarë dhe që janë shpallur edhe dëshmorë të atdheut. Për italianët nuk japin të dhëna. Sipas të dhënave të Françesko Jokomonit në librin “Politika Italiane në Shqipëri” jepen të dhëna për italianët.

Të vrarë: Marinarë 8, Bersaliere 3

Të plagosur: Marinarë 34, Ushtarë 9

Sipas Bernd Jugen Fischer në librin Shqipëria gjatë luftës (1939-1945)

Të vrarë në Durrës 200 italianë

Të vrarë në Shqipëri 700 italianë

 

PËRJETIMI

Mujo, gati për në vijën e parë të frontit

Por si e përjetoi Mujua këtë situatë të pa zakonshme edhe për të? Ai atë ditë fund marsi e fillim prilli po i shihte me shqetësim, na tregonte nëna. Nuk e kishte më atë kënaqësi e humor që e karakterizonte ato dy muaj që nga lindja e motrës sonë mbas tre vëllezërve. Ai në shenjë respekti i kishte vënë emrin Rukije që e kishte një nga motrat e Mbretit. Po kështu kishte vepruar edhe me vajzën e dajës sonë që u vuri emrin Myzejen dhe që për koincidencë ato u rritën bashkë për 19 vjet (1939-1958) sepse me vrasjen e babait në qemë të detyruar të shkojmë të jetojmë tek dajat Hysen e Maliq Hajushi në Fier. Situatat u rrokullisën shpejt. Në fillim dëgjoi se mbreti do të organizonte rezistencën e ai vetë do të luftonte me popullin, por më vonë u zhgënjye dhe u mëzit shumë. Këto po e dëgjonte vesh më vesh në repartin ku shërbente. Ai po e kuptonte se edhe oficerit këshilltarë italianë kishin bërë punën e tyre dhe herëpashere hidhnin ndonjë fjalë se situata do të ndryshojë e Italia do t`i qëndrojë më afër Shqipërisë. Ku Mujua u bind se rezistencë të organizuar nuk do të kishte dhe këtë e kuptonte edhe nga angazhimi i paktë e indiferent i eprorëve të tij, ai filloi të shkëputej prej tyre dhe filloi të mendojë se si do të veprojë ai vetë. Ata që e kishin kuptuar këtë mënyrë sjellje të tij filluan të vijnë çdo ditë mbas dreke dhe qëndronin e diskutonin deri në darkë vonë. Siç thoshte nëna ata e këshillonin që të ishte i arsyeshëm e të mos ndërmerrte ndonjë veprim të nxituar. Por Mujua e kishte ndarë mendjen. Nuk do të tërhiqej dhe do t`i jepte atdheut çdo gjë. Ai filloi të mendojë konkretisht si do ta organizonte qëndresën e re, nëpër këmbë kishte akoma oficerët këshilltarë italianë. Nëna, duke dashur të kuptojë më thellë deri ku shkon vendosmëria e tij, ndërron muhabet dhe i drejtohet Mujos: Mujo po dëgjoj disa familje Durrsake që po largohen nga Durrësi, ne çdo bëjmë. Këtu Mujua e mblodhi veten dhe pyeti nënën: Po! Ke të drejtë, a do t`ju dërgoj në Shijak apo në Roshbull se atje kam disa miq? Nëna duke mos ditur si ti përgjigjej dhe e pyet përsëri: Pse mendon të largohesh? Jo i përgjigjet ai. Unë do të qëndroj këtu. Atëherë i thotë nëna edhe ne s`kemi pse të largohemi. Mbas kësaj bisede ai për të mos qëndruar vetëm në shtëpi propozon të na dërgojë tek një kushëriri i nënës pak metra më lart se ne. Për këtë nëna ra dakord dhe atë mbasdite të 6 prill jemi vendosur në shtëpinë e Veli Ibrahimit nga ku ne e sidomos nëna do të kishim përjetimet më të paharruara të ndarjes për jetë nga prindi jonë dhe fillimin e një të kaluare të gjatë për të mbijetuar një grua 28 vjeçare me 4 fëmijë, ku më i madhi 10 vjeç e më vogla 2- muajshe, pa asnjë pasuri, pa asnjë të ardhur tjetër, por me bujarinë e dy ulqinakëve të tjerë ishin vëllezërit e nënës, në një shtëpi përdhese me një dhomë e një kuzhinë në Fier, ku banonte gjyshja me dajon tonë 20 vjeçar se në një dhomë tjetër me blloqe jetonte dajua më i madh i martuar me dy fëmijë me grua të sëmurë kronike.

ORGANIZIMI I REZISTENCËS

Po si do të organizonte Mujua rezistencën? Pavarësisht se ç’bënin të tjerët ato ditë Mujua mendonte për pozicionin që do të ziente për të qenë sa më efikas në goditjen e forcave fashiste që do të zbarkonin në mol. Mujua e dinte se luftanijet do të qëndronin larg molit atje ku thellësia është më e madhe dhe transportimi për në mol dhe zbarkimi i trupave me armatim të lehtë do të bëhej me mjete të vogla. Në këto kushte pozicionin e parë e zgjodhi sipër Torrës Veneciane nga ku e kishte më të lehtë të kontrollonte dhe pastaj të qëllonte trupat italiane që do të tentonin të zbarkonin në mol. Duke mos e menduar dhe duke mos qenë të përgatitur për këtë goditje, ato u çorientuan e në panik, lanë të vrarë e të plagosur në mol dhe rihypën në sonalla. Pritën të marrin veten dhe të riorientoheshin. Nga luftanijet u bë e qartë se erdhi nga Torra Veneciane prandaj filluan dhe të godisnin me artileri këtë pozicion. Për këtë Mujua ishte i parapërgatitur dhe menjëherë zbriti në pozicionin e dytë që e kishte ngritur me thasë rëre dhe që ndodhej shumë pranë rendit të zbarkimit të trupave italiane në mol. Ky pozicion e bënte shumë të vështirë zbarkimin e trupave italiane dhe po të tentonin do të kishin shumë viktima. Ky pozicion ishte pothuaj i pagoditshëm me artileri nga luftanijet sepse duke qenë pranë trupave të tyre do të ndëshkonin edhe vetveten. Këtë fakt e vërteton edhe vetë habia e shfaqur nga oficeri italian i cili po grumbullonte kufomat dhe të plagosurit e tyre kur i tha atyre pak shqiptarëve kuriozë! Çdo kjo kufomë këtu? Është e juaja apo ta marrim ta çojmë në Itali? Jo, i thanë ata, është shqiptar dhe do ta marrim ne. Kështu ai u varros pa prezencën e familjes dhe njerëzve të tjerë të afërm të tij për vështirësi transporti nga lëvizja e kolonave të trupave pushtuese dhe se vëllai i tij e dy vëllezërit e nënës ishin në lundrim jashtë shtetit. Është për t’u habitur se trupi i tij u dërgua për tu varrosur në kishë, çka tregon se asnjë nga pjesëmarrësit nuk e ka njohur me emër dhe ka qenë vetëm prifti ai që ka thënë se ky është mysliman prandaj çojeni e varroseni në xhami dhe kështu u bë. Ku ishin kolegët, eprorët, vartësit, mbretëreshat?!

PËRKUJTIMI

Me këtë rast, në 70 vjetorin e rënies së prindit tonë në 7 prill 1939, do të përkujtojmë e nderojmë edhe gjithashtu dëshmorë që ranë duke luftuar jo vetëm me atë okupator që luftoi e ra Mujua, por edhe me okupatorin tjetër me të egër, më barbar siç ishte nazizmi gjerman. Lufta ANÇl pa dyshim vlerësohet si lufta më e lavdishme që ka bërë populli shqiptar si nga shtrirja në çdo skaj të truallit tonë ashtu edhe nga organizimi duke zhvelftësuar çdo tentativë të okupatorëve e bashkëpunëtorëve të tyre për ta asgjësuar këtë luftë e cila doli e fituar dhe i solli lirinë popullit tonë duke u renditur përkrah aleatëve sovjeto-amerikane si fitimtarë.

 

DURRËS/ 7 prill 2009. Përkujtohet rezistenca antifashiste

Familja: Ju rrëfejmë të pathënat e Mujos

 

Është përkujtuar në Durrës 70 vjetori i rezistencës antifashiste, ku spikati rënia në krye të detyrës e ish nënoficerit të Zogut, Mujo Ulqinaku dhe 7 luftëtarëve të tjerë. Ceremonia u zhvillua përballë torres Veneciane, pikërisht atje ku ndodhet dhe busti i heroit. Krahas prezencës së autoriteteve lokale, përfaqësuesve të familjes Ulqinaku dhe shoqatave të luftës antifashiste, ra në sy prezenca në ceremoni e Princit Leka të shoqëruar nga kryetari i PLL-së Ekrem Spahia si dhe përfaqësuesve të familjes së Abaz Kupit. “Nderojmë Mujo Ulqinakun që ra për vendin e tij dhe mbretin”, do të deklaronte princ Leka… Të gjithë kanë vendosur kurora apo kanë bërë foto para monumentit të Mujo Ulqinakut, por jemi ndaluar te përfaqësuesit e familjes Ulqinaku. Ndryshe nga vite të tjera në ceremoni mungon vëllai i Mujo Ulqinakut, (për arsye shëndetësore), por kanë ardhur të gjithë nipat dhe mbesat e tij. Një foto para bustit të gjyshit, i cili ndonëse i vdekur 70 vjet më parë, nderohet dhe respektohet nga gjithë populli.

Rrëfimet

Ilda, vajza e Hamitit, djalit të Mujo Ulqinakut, thotë se në ceremoni kanë ardhur kanë ardhur nipat dhe mbesat e Mujos. Ajo na prezanton me Platorin, djalin e Sami Ulqinakut. Është thënë shumë, për Mujo Ulqinakun, tregon ajo, por unë dua që tju tregoj ato që ndoshta nuk janë thënë. Së pari ajo tregon një ngjarje tepër të rrallë dhe domethënëse të ndodhur para shumë vitesh në aeroportin e Barit në Itali, me babanë e saj aviator Hamitin. Pasi ishin ndalur në aeroport, një prej ushtarakëve Italianë i thotë Hamitit se kërkon që ta takojë prefekti i Barit. Hamiti kish mbetur i habitur, por më pas do të shtangej nga ajo që do të dëgjonte nga Prefekti i Barit. Ju jeni djali i Mujo Ulqinakut i kish thënë ai. Po i ishte përgjigjur Hamiti. A e di se ai më ka vrarë babanë kur ushtria Italiane zbarkoi në Durrës, kish vazhduar prefekti i Barit. Hamiti kish mbetur pak i shtangur, por më pas do të ishte vetë prefekti i Barit që do të çlironte situatën… Shumë mirë ka bërë…Ç’i duhej babait tim të vinte në Shqipëri… Një dialog i rrallë, por kuptimplotë të thotë Ilda. Një dialog që në një farë mënyre do të thotë se kush lufton për të mbrojtur vendin e tij nderohet dhe respektohet dhe nga ata të cilët dikur ishin armiqtë e tij. Silva tregon me emocion momentin kur Mujo Ulqinaku do të nisej për të luftuar kundër fashistëve, duke e ditur shumë mirë se do të vdiste në kushtet kur ishte pothuajse i vetëm, mbreti ish larguar dhe ushtria ish shpërbërë. Me sa na kanë treguar (i referohet dëshmive të gruas së Mujos). Mbrëmjen e 6 Prillit 1939 kishin rënë të gjithë të flinin në një dhomë. Në mëngjes kur u çua Mujo i tha të shoqes se do të nisej për luftë. I la gruas unazën, gjë që do të thoshte shumë në atë çast. “Ku po shkon?” i thotë gruaja.”Jam shqiptar dhe ushtar, më thërret detyra” ju përgjigj Mujo duke u larguar. Djali i Sami Ulqinakut Platori tregon se në fakt Mujo dhe familja e tij nuk e kanë mbiemrin Ulqinaku. Ulqinaku është jo vetëm një mbiemër që tregon origjinën, por një mbiemër i vënë nga njerëzit. Mbiemri i vërtetë i familjes është Çakuli. Nga ana tjetër nipi i Mujos tregon se familja është e lidhur shumë me detin dhe se ka qenë ëndërr për njerëzit apo trashëgimtarët e Mujos të vazhdojnë traditën. Xhaxhai i tij Hamiti kërkoi të bëhej oficer marinë, por nuk ju dha mundësia dhe u bë aviator. Zanatin e Mujo Ulqinakut e ka trashëgoi Armandi, i cili është bërë oficer marine. Mujo Ulqinaku kish 4 fëmijë, Ismailin 72- vjeçar që tashmë po punon për të zbardhur dokumente të reja nga jeta e Mujo Ulqinakut, 2 vëllezërit e tjerë Hamitin dhe Samiun që kanë vdekur, si dhe vajzën Rukien.

Jo vetëm respekti…

Trashëgimtarët e familjes Ulqinaku, të thonë se nuk ka gjë më të mirë se sa të ndjesh respektin e njerëzve për Mujo. Ndonëse të thotë se në jetë nuk kanë pasur privilegje nga pushtetet, ato pranojnë se janë respektuar. Ky respekt nuk ka munguar të thonë ato, por nuk mjafton vetëm kaq. Jeta e Mujo Ulqinakut është një arkiv që është shfrytëzuar shumë pak të thotë Silva, mbesa e Mujos. Ne si familje jemi përpjekur, por e kemi pasur tepër të vështirë, jo vetëm për faktin se dokumentet e familjes dhe fotografitë sapo u vra Mujo gjyshja (gruaja e Mujos) i hodhi në pus, por dhe për faktin se e kemi pasur të pamundur që të futemi në arkivin e shtetit apo në fonotekën Marubi për të shfrytëzuar dokumentet apo fotot për Mujo Ulqinakun. Çdo gjë që thuhet për Mujon është sipërfaqësore dhe mungojnë studimet dhe botimet serioze. Ndonjëherë shikon se dhe figura dytësore, vihen para figurës së tij. Është detyrë e shtetit për të cilin ai dha jetën si dëshmor i parë i rezistencës antifashiste, thotë Silva, të hedhë dritë të plotë mbi këtë figurë simbol.

Llambi Kallco

( Dhënë për Telegraf në 7 prill  2009 )