Dossier/ Bariu që ulej në një tavolinë me kryeminstrin dhe reagimi i sekretarit të partisë. Shefqet Musaraj: “1 lab, një skuadër, dy, një kompani, tre lebër sa një ushtri”

1212
Sigal

– Shefqet Musaraj ka thënë “Një lab, një skuadër, dy, një kompani, tre lebër sa një ushtri…”

Aslan Nora, bariu që ulej në një tavolinë me Kryeministrin

 

  • Ja çfarë i tha Asllan Norës në Fushëbardhë Adil Çarçani

-Pse dhe kur u zemërua Beniamin Kruta dhe professr Zihni Sako

  • Si reagonin sekretarët e komitetit të partisë kur fliste për blegtorinë Asllan Nora

Në përvjetorin e formimit të Brigadës së 6-të Sulmuese në Përmet, ai ndihej keq. “Ti Asllan do të kthehesh pranë familjes – I tha komandanti me një zë dashamirës. Babai të ka ndërruar jetë dhe ti si më i madhi që je në atë familje, je në këmbë të babait për 4 vëllezërit e 4 motrat

 

Pak fjalë për Fushëbardhën

Një fshat i vogël me histori të shumta. Kur e vështron këtë luginë të rrethuar me male mendon se malet i kanë mbrojtur këta njerëz apo i kanë mbrojtur këto male kështjella natyrore. Dhe pyetjes sikur merr përgjigje: Të dy janë mbështetur tek njëri – tjetri dhe janë lartësuar pranë njwri – tjetrit. Fushëbardha ka mbetur e bardhë brenda dhe jashtë saj. Si vetë prapashtesa e emrit. Këtu ka bërë kuvende me burrat e mendjes së Shqipërisë së Jugut, Idris Shulli, autor i Kanunit të Labërisë, këtu u bë lufta e Skërficës kundër andartëve grekë, në vitin 1914. Këtu nënat shamizeza rritnin djemtë për luftë, se donin ta shikonin Shqipërinë e lirë dhe të bukur. Këtu përkundeshin trimëritë, këngët, historitë. Shkrimtari i madh Shefqet Musaraj ka thënë “Një lab, një skuadër, dy një kompani, tre lebër sa një ushtri…”. Edhe Fushëbardha e madhe ka qenë dhe e madhe ka për të mbetur. Bijtë e bijat e saj si nuri kudo që janë brenda e jashtë vendit janë krenarw që janë nga Fushëbardha, i merr malli edhe për gurët. Shumë prej tyre, edhe pse nuk janë gazetarë e poetw, shkruajnë kujtime për fshatin e tyre që i lindi dhe i rriti, thurin vargje për këngë e poezi. Por në këtë shkrim do të flasim për njërin prej atyre burrave të fshatit që i kishte lezet  fjala në gojë, që bëri emër në punën e bariut që shpeshherë nuk preferohen nga më të rinjtë, për atë që dinte vlerën e të bisedonte shtruar edhe me burra shteti.

Burrat e matin veten në luftë.

Sa herë që e ftonin në përvjetorin e formimit të Brigadës së 6-të Sulmuese në Përmet, ai ndihej keq. Kur hapej biseda për luftën e bërë ai të gjithë “fajin” ia hidhte vëllait më të vogël Ramos, që erdhi dhe e zëvendësoi në brigadë. Asllanit  kështu i dukej, por s’kishte “faj” asnjëri,  sepse për të çliruar  vendin nga armiqtë edhe vëllezërit Noraj e kishin urrejtjen sa një mal në shpirt  dhe secili kërkonte të ishte në vijën e parë të sulmit. “Ti Asllan do të kthehesh pranë familjes – I tha komandanti me një zë dashamirës. Babai të ka ndërruar jetë dhe ti si më i madhi që je në atë familje, je në këmbë të babait për 4 vëllezërit e 4 motrat. Në vendin tënd do të vijë Ramua. Besoj se më kupton”. Këto ishin fjalët e komandantit, paçka se Asllanit nuk i erdhi mirë, dukej se po e lehtësonin, i dukej vetja më i aftë se të tjerët, se burrat – thoshte ai, e matin veten në luftë.

Shtegu që ndante jetën me vdekjen

Tufa e dhive që ai kishte në gjithë krahinën e Kardhiqit ishte më e mira. – Si dhitë e Asllan Norës, nw Fushëbardhë nuk ka gjëkundi, – shpreheshin njerëzit gjithandej. I kishte dalë nami në gjithë kooperativën dhe më gjerë. Edhe në rreth nuk e hiqnin nga goja Asllanin.

-Bari që ti heqësh kapelën, shkollë për të gjithë me dhi vendi dhe merr prodhime si të ishin të racës. Këtë e thoshin me gojën e tyre drejtuesit e partisë e pushtetit në rreth. Bariut sedërli nuk i rritej mendja, por i shtrohej punës edhe më shumë. Me dhitë u mor tërë jetën dhe atyre nuk ua prishi “qejfin” kurrë.

Dhitë për t’i kullotur më mirë i kishte futur në një zanok që ishte shumë e vështirë të dilje që andej. Ishte kullotë e përkëdhelur  dhe i shpuri dhitë atje, që për breza të tërë barinjsh, nuk kishin marrë një iniciativë të tillë. Pesë orë dhitë në këtë vend të rrethuar me plot rreziqe. Po errësohej dhe bagëtia duhej të kthehej në nome. Për të kaluar andej nga u futën në zanok, u duhej një rrugëtim i gjatë dhe nuk i dihej se ç’ndodhte se ujqërit ishin me shumicë në ato anë. Asllani ishte i vetëm në kullotë me dhitë, sepse nuk donte të merrte të tjerë me vete. “Do të provoj të çaj unë i pari rrethimin”-mërmëriste me vete i vendosur. Pas do më vinë dhe të uruarat dhitë e mia. Shtegu ishte fare i ngushtë, një pëllëmbë i gjerë të guxoje të hidhje sytë poshtë në humnerën 300 m, të merreshin mendtë dhe veje në botën tjetër. Ndolli dhitë dhe u priu atyre për të triumfuar mbi vdekjen. Kur erdhi shëndoshë e mirë dhe me gjithë tufën, çobanët e tjerë u habitën si e kishte kaluar shtegun e Piriut apo “Shtegun e vdekjes” siç e kishin emërtuar të tjerët. Kaq u desh, që t’i dilte frika Asllanit dhe ushqyer dhitë sa më mirë në atë kullotë të pashkelur kurrë e përsëriti  edhe herë të tjera të kalonte në fije të perit, atje, ku ndahej jeta  me vdekjen.

“Si Norat për këngë në botë  nuk ka të tjerë…”

Halil Bello, intelektual i shquar, ish pedagog në universitetin e Aviacionit të Vlorës, kur ngriti një këngë për fushbardhësit nuk la jashtë vëmendjes edhe familjen e Nore:

“Kam parë burra për parmendë,

kam parë çoban dimër e verë.

Por si Norajt për këngë,

në botë nuk kam gjet të tjerë”

 

Poeti dhe të tjerët i kanë parë dhe i kanë dëgjuar bilbilat e këngës. Kur këndonin Norajt të tjerët mbanin vesh. Një jetë e mbushur me djepe këngësh, një familje dhe një fis që trashëguan nga të parët këngën dhe përgatitën pasardhësit e tyre që këngën të mos e linin të binte në shesh. Dhe po e mbani mend atë grupin e famshëm të fatosave të Fushëbardhës në duart e E. Hoxhës. Shumica e grupit ishin fëmijët e A. Norës, nipërit e mbesat e tij. Këndonin me zërin e bilbilit në dasma e sebepe, por kur ngjitnin podiumin e festivaleve folklorike në Gjirokastër ata mendoheshin shumë herë e prisnin një herë sepse nuk përfaqësonin vetëm familjen e tyre, por Fushëbardhën një krahinë e tërë. Dhe gjithmonë kënduan e gjithmonë dilnin fitimtarë, se një jetë të tërë të pandarë me këngën, miqësi e kaluar miqësive.

Kur u zemërua Beniamin Kruta dhe profesor Zihni Sako

Bëhej një festival folklorik në Gjirokastër. Pas orkestrës të familjes “Mastora” i vinte radha Asllanit të konkurronte me dyjare. Emocionet sa vinin dhe i shtoheshin, si emocionet kur raportonte në kryesinë për qumësht, si emocionet kur raportonte në Kryesinë e kooperativës. Pas debutimit me sukses, në shkallët e Pallatit të Kulturës e ndiqte drejtori Muharrem Bejleri, Beniamin Kruta, punonjës në Institutin e Folklorit dhe profesor Zini Sako.

-Dëgjo Asllan- u drejtua profesor Ziniu. Urime për interpretimin, na kënaqe të lumtë! Po kam një dëshirë.

-Hë, ia ktheu Asllani menjëherë, ku e kemi fjalën Profesor.

-Po ja, sikur të na jepje këtë dyjaren për Institutin e Folklorit, që ajo të mos jetë vetëm e jotja, por edhe e jona e tërë Shqipërisë, kaq tha profesori dhe heshti. Me vështrimin lutës priste që Asllani tw përgjigjej me një “Po”. Por Asllanit i mbeti fjala në grupe dhe mendonte me vete: “Ah sikur të nxirrje fjalët këtë herë siç nxora dhitë nga viti, siç nxirja dasmat, siç bëja kuvendet në Fushëbardhë, në zonë e rreth…”

Me vete mendonte: “Ku vajti Beniamini e Profesor Ziniu tek pika ime e dobët, tek dyjarja që e kisha skalitur me thonj”. Më në fund e mblodhi veten dhe vendosi tu përgjigjej kuadrove të ardhur nga Tirana: “Dyjaren, dyjaren e kam ….edhe shpirtin ua jap, por dyjaren jo. As me një thes me para nuk e shkëmbej atë”. Profesorit dhe Beniaminit nuk i erdhi mirë që nuk ua plotësoi dëshirën, por nuk e dhanë veten. Mbase ikën qejfmbetur, por dyjaren e kishte merak, i ishte bërë pjesë e jetës. Kur i binte asaj i dukej se zbrisnin bagëtia me blegërimat e tyre të përziera me zilet e këmborët e ujdisura aq bukur si një simfoni. I dukej se i uleshin pranë njerëzit e fëmijët me cicërimat e tyre. Gjithçka i vinte dhe e ngrohtë në shpirt brenda ajo dyjare që u skalit nga ai me merak 50 vjet më parë.

Bariu që ulej në tavolinë me Adil Çarçanin

 

Adili edhe pse ishte bir i Fushëbardhës vinte rrallë këtu. Edhe kur vinte rrugën nuk e bënte me makinë sepse nga Kardhiqi deri në Fushëbardhë rruga ishte copa –copa dhe ta binte shpirtin në majë të hundës. Pa hyrë helikopteri në qiellin e Fushëbardhës, njerëzit linin çdo punë që kishin nëpër duar dhe prisnin me padurim të takonin e përqafonin Adilin. Atë çast e prisnin edhe ata burra që e njihnin mirë, por edhe fëmijët e vegjël që kishin mësuar nga më të mëdhenjtë se ai atë ditë do të vinte në Zhërmë e do të bisedonte shtruar, kryeministri i vendit, njeriu që punonte e rrinte në krah të Enver Hoxhës. Kur Adili ishte ulur e bisedonte ëmbëlsisht me ata që kishte në tavolinë, i drejtohet kryetarit të kooperativës dhe të tjerëve: “Ku është Asllan Nora? Hë, mo ku e kini. Nuk e dini ju që mua atë ma kërkon zemra, ma kërkon syri?” ata që shoqëronin atë ditë Adilin u vunë në lëvizje dhe i dërguan Asllanit një bari për të mbajtur bagëtinë dhe Asllani erdhi si flutur drejt e tek Adili. U puthën e u përqafuan një copë herë, sepse ishin të malluar për njëri tjetrin. “Hë mo Llano, më bëjnë këmbët mua për në Tiranë pa të takuar ty, hë! Kur ishim të rinj nuk u zumë kurrë, edhe në lojë edhe kur rrinim bashkë. Pastaj ti Llano na kënaq të gjithëve me punën tënde si blegtor, se çoban venë shumë me bagëti, por si ti nuk është asnjë, prandaj të dua më shumë. Asllani qeshte dhe lumturohej me shokun e fëmijërisë e të rinisë në krah, me birin e Fushëbardhës që ishte ngjitur në karrierë deri kryeministër i Shqipërisë.

 

Engjëll Fino

Laze Nora

Pamje nga Fushëbardha

 

Asllan Nora