Dossier/ 24 prill 1951, dita e themelimit të aviacionit ushtarak

1622
Sigal

Gjeneral Astrit Jaupi dhe Baftjar Sevdari: Histori e Koli Çobos, teknikut legjendë që vendosi firmën e sigurisë për fluturimin e Avionit të parë luftarak shqiptar. Përjashtimi nga partia i partizanit të Brigadës së 7-S dhe pse e çuan të punonte në gurore

Me rastin e 68-vjetorit të krijimit të armës së Aviacionit Civil Shqiptar

Koli Çobo, tekniku që hodhi firmën e sigurisë për fluturimin e Avionit të parë Luftarak shqiptar, më 24 Prill 1951

Nga Kastriot Caka

Ky burrë mbeti për tërë jetën kockë e fortë. Rrallë ka njerëz të tillë si Koli Çobo, njeriu që po shkonte afër një shekulli jetë. Ai rrojti duke qenë i fortë, edhe pse luftoi në tallazet e një jete furtunë dhe në të cilën ia doli dhe triumfoi. Por jo vetëm kaq, Koli kishte një mendje aq të fortë sa i linte mbrapa shumë e shumë bashkëbisedues dhe bashkëpunëtorë, ndoshta dhe më të rinj. Koli Çobo, ky personazh, ky teknik avioni, ky hero, por mbi të gjitha ai ishte dhe mbeti një burrë i paepur, kokëfortë, i drejtë, me karakter të fortë, dhe i jashtëzakonshëm. Burri që shihni në foto dhe për të cilin bëhet fjalë në këtë ka kaluar një jetë sa të bukur aq dhe të trazuar, me gëzime por dhe me peripeci të pafund, por mbi të gjitha ai e ka mposhtur trishtimin dhe i ka dhënë jetës ngjyrat e një jete të bukur dhe optimiste. Që e njoha këtë burrë shkak u bë një kolegu i tij ish-piloti i talentuar, Nestor Dhaskali. Nestori më tha:

“Do të çuditesh me atë njeri aq të mirë, por një gjë nuk do përballosh dot me Kolin, se ai nuk mbaron së treguari.” Por burri eshtak si një lis thatanik, pak i përkulur që u ngjan legjendave ose atyre njerëzve që duhen ruajtur si dëshmitarë të historisë, me të vërtetë ishte një muze i gjallë, një arkiv i paparë. Jeta e Koli Çobos ka kaluar në disa faza. por ajo më e bukura dhe më interesantja është jeta si aviator me specialitetin Teknik i Aviacionit civil. Ai lindi në Rroskovec të Fierit dhe e donte shumë vendlindjen e tij, krenohej shpesh me të dhe e merrte malli. Ai krenohej dhe me të parët e familjes së tij, me babanë dhe gjyshin që kishin emigruar në Amerikë, si një familje me rrënjë të thella patriotike dhe luftëtare. Por dhe vetë Koli Çobo ka qenë pjesëmarrës direkt i Luftës Nacional Çlirimtare, duke marrë pjesë në 25 aksione në luftimet e Brigadës së 7-të Sulmuese dhe në Operacionin e Qershorit Koli plagoset. Por jo vetëm kaq, plagoset përsëri në Malet e Gostoricës dhe ka qenë një ndër të parët partizanë që hynë, më 28 Nëntor 1944 në çlirimin e Shkodrës. Po ku nuk ka qenë Koli Çobo? Si në Tuz, Vishegrad, Mitrovicë, Trepçe, Prishtinë, Gjilan, Shkup etj.

Po aviacioni çfarë ishte për Koli Çobon?…

Në vitin 1949, Koli Çobon e thërrasin në Ministrinë e Mbrojtjes për t’u specializuar për teknik Avionësh në Bashkimin Sovjetik. Një ëndërr e re dhe e panjohur kjo për Kolin por që më vonë u bë realitet dhe mbeti ëndrra më e bukur e jetës së tij, edhe pse u ndodh jo rrallë përballë rreziqeve dhe pabesive të kohës. Ai nuk e ngatërronte asnjëherë shpirtin e tij, pasionin dhe profesionalizmin me shpifjet, trillimet dhe pabesitë që mund të bëheshin edhe atëherë. “Për mua, thoshte Koli, ajo pjesë e jetës mbetet nga më të bukurat. Ne u specializuam për bombardime të rënda për avionët Topoljev2. Sapo ishte krijuar skuadrilja. Unë mësova për JAK-9p” (jakoblet] thoshte ai. “Më 1951 u kthyem në Tiranë, ishim 18 pilotët dhe teknikët e parë. Por një reformë famëkeqe biografie na skualifikoi dhe mbetëm vetëm 8. Por çfarë ka mbetur e paharruar në jetën time që kapërcen të gjitha gëzimet e mia? Ishte 24 Prilli 1951, kur avioni im JAK9P, Nr 13 u lëshua në ajër me pilotin e famshëm Petrit Polena. Aeroplani që unë e kisha kolauduar dhe kisha vendosur firmën e sigurisë u ngrit në ajër si një shqiponjë, pa asnjë avari. Nuk kishte gëzim më të madh se sa kjo ditë e madhe, kur edhe ne shqiptarët po fluturonim të sigurt në qiellin shqiptar dhe kjo ditë mbeti në historinë e Aviacionit si Dita e Armës së Aviacionit, që u krijua dhe skuadrilja e parë me aeroplanë me fuqi zjarri: 2 mitraloza dhe një top. Më pas Tekniku i suksesshëm Koli Çobo, në vitin 1954 shkon përsëri në Bashkimin Sovjetik ku studion për aeroplan reaktiv Mikojan. Edhe aty kaloi provën tjetër me 4 pilotë rus, fluturim që u ndoq edhe nga udhëheqja shqiptare.

Po ç’ndodhi më pas?…

Teknikun e talentuar të Aviacionit Koli Çobo e flakin nga puna dhe e çojnë si punëtor në gurore. Ëndrra e bukur që djaloshi i ri Koli Çobo po e rriste dalëngadalë si gjënë më të shtrenjtë filloi të goditej dhe të fundosej në intrigat e kurtheve dhe ligësive. Kush vallë do të zëvendësonte Koli Çobon? Kush vallë më mirë se ai do ta bënte punën e teknikut të avionit? Ku do të shkonin gjithë ato specializime që kishte bërë ai nëpër botë, ai shpirt sakrifice, ai pasion dhe gjithë ajo eksperiencë shumë vjeçare?

Teksa e pyesim mjeshtrin e pasionuar të aviacionit: “Po pastaj çfarë ndodhi?” Ai ul kokën e nuk i pëlqen të tregojë, merr frymë thellë, nuk shan njeri dhe prapë, me shpirtin e madh të njeriut të rrallë, fillon të flasë vetëm për anët e mira të jetës, por pilot Nestori që na shoqëronte i tha: Po ti tregoje, or burrë, pse të larguan, sepse në fund të fundit turpi ishte i atyre. Dhe Koli tregon: “Po çfarë të them, thotë ai, s’është për të treguar… Një oficer i lartë i ushtrisë më thotë:

-Furnizimin e avionit bëje pa filtra! Zoti Kolonel, i thashë kjo, është katastrofë…!

-Në … të sëmës të venë…,tha ai.

-E ke porosi – i thashë.

Ai u revoltua, mbajti qëndrim të rreptë dhe më pas bëri atë që bëri. Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe më shkarkoi. Këtu mbaroi dhe ajo ëndërr e bukur e imja për aviacionin.”

Më vonë për Kolin filloi jeta e persekucionit, si punëtor i thjeshtë i gurores. Por Koli Çobo mbeti përherë rebel, në kërkim të së drejtës. Ai ishte një opozitar i përhershëm. U përjashtua edhe nga partia, por ai asnjëherë nuk u nënshtrua, trim dhe i drejtë. “S’kini ç’më bëni”, thoshte Koli, sepse kudo ku shkonte ai i dilte zot punës. Punë nga më të ndryshmet provoi ai, ndoshta dhe shumë të lodhshme, si e si ta detyronin të mbyllte gojën,por e pamundur, ai mbeti gjithë jetën rebel, i drejtë por i ndershëm.

Po vitet e pleqërisë për Kolin?…

Eh, pleqëria për Kolin ishte shumë e lumtur, me miq e shokë të pafund. Kam nipër e mbesa që më duan shumë thoshte Koli, më duan dhe më ndihmojnë, i kam të ditur e të shkolluar,njërin nip e kam farmacist që Koli e vlerësonte shumë si djalë me kulturë dhe tradita qytetare. Koli jetën e bënte si një djalë i ri, nuk i rrinin këmbët, gjithandej shkonte e takonte shokët, që të gjithë e donin. E njihnin mirë shokun e tyre, kolegun me një histori sa të dhimbshme aq dhe krenare, e njihnin si shok të mirë besnik dhe të pakursyer përpara vështirësive. E nga nuk i vinin letrat Kolit, nga e gjithë bota: nga Italia dhe Amerika, nga Belgjika dhe Kanadaja. Ata flisnin e kuvendonin si miq të vjetër, çmalleshin dhe përmalleshin me njëri tjetrin. Ky është Koli me pak fjalë, por ai ka një jetë aq të mbushur sa do të duheshin romane dhe përsëri do të ishte pak. Por këtë radhë kaq pak po rrëfejmë për të, që gjithsesi për të mos e lënë asnjëherë në harresë këtë njeri me shumë vlera, por dhe për ta gërvishtur ndopak këtë eksplorim që nuk mbaron këtu.

Koli Çobo ka një vit që nuk jeton më, gati gati arriti shekullin, jeta e tij ishte një vullkan i madh që sa niste te qetësohej përsëri shpërthente, nuk la zyrë pa vajtur për të kërkuar të drejtën e tij, vitet e humbura të rinisë së tretur, karrierën e tij që ia lanë në mes. Këto dhe shumë të tjera ishin pengjet e mëdha të këtij njeriu, që asnjëherë nuk ia qetësuan shpirtin. Kjo figurë e ndritur e Aviacionit civil shqiptar mbeti në hije gjithmonë, asnjëherë nuk iu kthyen ato merita që kishte, qoftë dhe me një falje ose me një fjalë të mirë. Me jetën e tij të gjatë gati shekullore ai sfidoi kundërshtarët që i donin të keqen dhe i shkatërruan jetën dhe karrierën, por u vajti atyre me një tufë me lule, duke u thënë: “Ja këtu jam.” Ky ishte Koli Çobo. ”

Më vonë për Kolin filloi jeta e persekucionit, si punëtor i thjeshtë i gurores. Por Koli Çobo mbeti përherë rebel, në kërkim të së drejtës. Ai ishte një opozitar i përhershëm. U përjashtua edhe nga partia, por ai asnjëherë nuk u nënshtrua, trim dhe i drejtë. “S’kini ç’më bëni!” thoshte Koli, sepse kudo ku shkonte ai i dilte zot punës. Punë nga më të ndryshmet provoi ai, ndoshta dhe shumë të lodhshme, si e si ta detyronin të mbyllte gojën, por ishte e pamundur, ai mbeti gjithë jetën rebel, i drejtë por i ndershëm

Aeroplani që unë e kisha kolauduar dhe kisha vendosur firmën e sigurisë u ngrit në ajër si një shqiponjë, pa asnjë avari. Nuk kishte gëzim më të madh se sa kjo ditë e madhe kur edhe ne shqiptarët po fluturonim të sigurt në qiellin shqiptar dhe kjo ditë mbeti në historinë e Aviacionit si Dita e Armës së Aviacionit

Koli Çobo, tekniku i aeroplanit me histori të nderuar, por të lënë në hije

Është e dhimbshme për të gjithë ne, të ndahemi nga “xhaxhi Koli”, i nderuari dhe i dashuri nga të gjithë ata që jetuan me të, që punuan me të, që e njohën qoftë dhe rastësisht.
Zoti Koli Çobo lindi më 15 shkurt 1928 në fshatin Strumë, Roskovec të rrethit Fier.
Arsimin fillor e 7-vjeçar i kryen në Roskovec e menjëherë pothuajse që fëmijë aktivizohet me Lëvizjen Antifashiste.
Ishte thuajse më i riu e më i vogli nga shtati, por kjo nuk e pengoi Kolin të luftonte në rreshtat partizane deri matanë kufijve të vendit për çlirimin e trevave shqiptare.
– Menjëherë pas çlirimit përzgjidhet dhe shërben në kompaninë e sigurimit të udhëheqjes deri në vitin 1949.
-Nga ky vit deri në fillim të 1951-it dërgohet për studime në ish-Bashkimin Sovjetik duke u specializuar si teknik aeroplani.
– 24 prilli i vitit 1951, dita e themelimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar e gjen dhe teknik Kolin të rreshtuar me kuadrot e para që patën fatin të jenë pjesë e asaj ceremonie.
Madje Koli Çobo hyri në histori si tekniku i aeroplanit që u ngrit për të parën herë në qiellin shqiptar i pilotuar nga i talentuari piloti Peço Polena ditën e 24 prillit 1952.
-Me krijimin e regjimentit të parë luftarak të Kuçovës në vitin 1955 Koli do përzgjidhej si një nga teknikët e aeroplanëve gjuajtës Mig-15.
-Por jeta për Kolin ruajti dhe “surpriza”jo të këndshme.
Ai ishte tip i drejtë, tepër punëtor e rigoroz, por dhe kërkues në detyrë, veti kjo që disave nuk i pëlqeu e për Koli Çobën filloi kalvari i degdisjeve persekutuese.
Punoi disa vjet në aeroportin e Rinasit, pastaj në punë të rëndomta që gjithsesi nuk e mposhtën as trupin e as shpirtin kryengritës të këtij luftëtari.
Zoti Koli dallohej dhe si një familjar shembullor ku bashkë me bashkëshorten që u nda para kohe nga jeta, rritën dhe edukuan një djalë dhe një vajzë me virtytet më të larta, të cilët ditën t’i përkulen e shërbejnë deri në fund të jetës me një përkujdesje shembullore.
Ne ish-kuadrot e aviacionit e kemi ndeshur emrin e këtij burri të nderuar disi shkarazi, sepse historia na u server e retushuar.
Shoqata e Aviatorëve e pas viteve ’90 u dha vendin e merituar shumë ish-kolegëve me histori të nderuar, por të lënë në hije.
Koli me shokë ishin të ftuar në çdo festë e aktivitet.
Jo më larg se para një viti, në kuadrin e 65-vjetorit të Aviacionit tonë, Shoqata jonë organizoi një ditë jubilare për dy pionierët e 24 prillit, Pilotin Peço Polena e Teknikun Koli Çobo.
“Xhaxhi Koli” njihet si një nga pasionantët e armës sonë, si një historian i mirëfilltë e një arshivë së cilës janë referuar mjaft kolegë të interesuar për ato vite të para të Aviacionit, të lëna me apo pa dashje në gjysmë hije. Dhe Koli Çobo ishte i gatshëm e energjik si një djalosh për t’u gjendur në çdo tavolinë apo aktivitet.
Por vjen dhe kjo ditë….
Paçka se kishim besim që xhaxhi Koli do t’i kalonte të 100-at.
Ne sot s’na mbetet gjë tjetër veçse të përkulemi para tij e t’i themi; Lamtumirë njeriu i mirë, Koli Çobo! Faleminderit për emrin e mirë që na le dhe të gjithë ne krenohemi me të! I pa harruar jeta dhe vepra Juaj!

“Shoqata e Aviatorëve të Shqipërisë”

KRYETARI
Gjen. Brig. Astrit Jaup

Sekretari
N/Kol Baftjar Sevdari
Tiranë 30 Maj 2017