Dosier – Xhemal Ymeri: Me baba ballist, vetë partizan dhe i ndëshkuar nga lufta e klasave

44

Babai
u lidh me Hysni Lepenicën dhe u
vranë të dy
brenda portës së garnizonit italian në gusht 1943. 
Unë
u lidha me Luftën nacional-çlirimtare duke sharë babanë

 

Zotërinj
historianë e analistë boll më me nostalgjizmin! 
I lini lotët e derdhura të ndahen
nga lumenjtë!

 

E shava babanë
si në gjallje, por dhe pasi u vra, jo me yllin e kuq në ballë, por me një
flamur në gjoks e në ballë

-Por më tepër e shaja të
varrosurin baba, se na la ne 4 fëmijëve rrugëve, më i madhi 15 vjeç e më i
vogli 7 vjeç

-Kur u asgjësuan Sali Ormëni e
Beqir Balluku, na vuri përpara partia e jonë derisa e zbritën luftën e klasave
deri tek fëmijët

-Unë një baba veteran i
kategorisë së parë dhe anëtar partie e oficer madhor, duhej të çohesha punëtor
në fermë për edukim

-Kjo sepse nuk kisha mundur të
bindja dikur babanë, të vinte me komunistët

-Dajon me 7 plagë, tre herë i
plagosur e Komandant Brigade në luftë, më doli armik, se u ankua për popullin
që i kishin premtuar shumë e s’i dhanë asgjë etj

 

Xhemal Imeri,
veteran i luftës

 

    Kohët e fundit po bëhet një zhurmë e madhe,
lidhur me dekorimet e bëra nga Presidenti, për një grup që akoma nuk po
shtjellohet litari i gjithë atyre debateve, në të cilat ka angazhuar historianë
e analistë, duke shkruar e ngritur zërin, sa nuk mban tavani i studiove
televizive. Po hahen e shahen aq  shumë
sa nuk i qetësojnë dot as drejtuesit e emisioneve. Nëpër ato biseda nuk shoh
asnjë nga brezi i kohëve të Luftës, por citohen thënie të ardhura nga disa që
çirren se janë dhe historianë, e që kanë studiuar vetëm emisarë të huaj, ca të
anës majtë e fare pak të anës tjetër, djathtë. Çdo njeri kërkon me zhurmë t’i
dalë e tija, ndërkohë që ne, dëshmitarët okularë pëlcasim nga inati, se nuk
kemi mundësi të themi fjalën tonë reale, ca nga që s’kemi të ardhura për
telefonata, e aq më tepër që s’na përfill njeri. Të tilla debate, lindin
shpesh, herë për një arsye e herë për tjetër, por mendoj, se kanë karakter
politik dhe krijohen enkas për të tërhequr vëmendjen e popullit nga hallet që
po kalon vendi, si rezultat i mosrealizimit të premtimeve që bëhen, para
marrjes së pushtetit me vota që vidhen dhe me ca mashtrime. Tani po bëhen tre
vjet që nuk kanë as nga t’ia mbajnë qeveritarët partiakë dhe kanë gjetur dy
forma për të kaluar situatën. Njëra, duke mos arritur të mbajnë premtimet ose
akuzojnë për mosarritjet e qeverisjes paraardhëse. Ose përgatisin e gjejnë
raste të organizojnë debate shterpë, me qëllim helmimin e ndjenjave të masave
të goditura dikur e për të mos dhënë ç’u takon. Unë që po drejtohem me këtë shkrim,
jam veteran i Luftës Nacional Çlirimtare dhe meqenëse në 1942 më vdiq nëna,
kurse më 14 shtator m’u vra babai në përleshje me Divizionin italian “Peruxhia”
dhe dy regjimente në përforcim të Divizionit “Parma” e “Ferrara”. Rrjedhimisht
i ngelur jetim, qoftë dhe 14 vjeç iu përvesha aktivitetit me intensitet, në
krahun që më joshi, atë komunist, meqë pas fitores mbi pushtuesit, do ishim të
gjithë të barabartë e do hanim me lugë të florinjtë. Pra i vetmi që do na jepte
këto mirësi, do ishte komunizmi. I ngelur rrugëve, nuk lija mbledhje e sharje
kundër krahut të agallarëve, të cilët na paskëshin zënë frymën. Kjo më bëri që
të njihesha me situatën dhe si meritë, më angazhuan në organizatën e rinisë
antifashiste, e shumë shpejt në atë të rinisë komuniste, ku në çdo mbledhje
kishin në diskutim tre pika: 1) Situata e brendshme; 2) Situata e jashtme dhe
3) Detyrat. Këto më poqën para kohe, por edhe falë 5 klasave shkollë që kisha
mbaruar në Korrik të vitit 1942.

 

Vrasja
e babait

 

Babait i pëlqeu, apo nga nevoja
kaloi në krahun tjetër në Janar të vitit 1943 me “Kapitalistin” atdhetar Hysni
Lepenica, që pas 8 muajsh, të futur në kurth nga partia e ime, për mbi tre orë
luftimesh u vranë të dy brenda portës së garnizonit italian. Kur e mora vesh,
dëgjoja se babai im. Sefer Ismail Imeri, kishte shkuar me Hysni Lepenicën
“Ballist” i gënjyer e për një karroqe misër. Kur i gjithë fisi im i afërt dhe
më tej ishin, ngjitur malit duke luftuar me Nacional Çlirimtaren time, të
çlironin vendin dhe të merrnin lugën e florinjtë.     E shava babanë si në gjallje, por dhe pasi
u vra, jo me yllin e kuq në ballë, por me një flamur në gjoks e në ballë. Por
më tepër e shaja të varrosurin baba, se na la ne 4 fëmijëve rrugëve, më i madhi
15 vjeç e më i vogli 7 vjeç. Unë isha në mes tyre. E kaluam, si e kaluam, falë
njerëzve tanë të mirë  të fshatit.
Jetuam, madje dhe me ndihmën të disa kuadrove të larta e falë kujdesit e ecjes
sonë. Mes shoqërisë u bëmë diçka, veç kur u asgjësuan ata, kryesisht Sali
Ormëni e Beqir Balluku, na vuri përpara partia e jonë me ca ustallarë që kishte
më pranë, derisa e zbritën luftën e klasave deri tek fëmijët, duke patur një
baba veteran të kategorisë së parë dhe anëtar partie e oficer madhor, duhej të
çohesha punëtor në fermë për edukim, që nuk kisha mundur të bindja dikur
babanë, të vinte me komunistët; dajën me 7 plagë, tre herë i plagosur e
Komandant Brigade në luftë, më doli armik se u ankua për popullin që i kishin premtuar
shumë e s’i dhanë asgjë etj.

 


*  *

Zotërinj
Historianë!

Nuk
durojmë dot të shtrembëroni historinë, se më vjen keq kur deklaroni në ekran se
Balli nuk pati program për demokraci. Flas me ty shoku Xhufi kur deklaruat diçka
të tillë në News 24. Po të jap këtë faksimile të firmosur nga Hysni Lepenica dhe
Skënder Muço, dërguar Forcave Nacional Çlirimtare më 11 Shtator 1943, vetëm 4
ditë përpara vrasjes së Hysniut, e pranë tij edhe babait tim, Seferit.

 

Shënim: Fotot
nën faksimile nga Xhemal Imeri

 

Në këtë faksimile hidhen poshtë
tre çështje të ngritura nga ju personalisht:

1.   Parulla
e Ballit ka qenë, ”Shqipëria e Shqiptarëve. Ja vdekje, ja liri”. E jo ajo që
the ti: “Shqipëria e Shqiptarëve, Vdekja e tradhtarëve”.

2.   Tregohet
fryma e bashkëpunimit të Hysni e Skënder, Ballistëve me Fontin Nacional Çlirimtar.

3.  
Lexoje vetë faksimilen: “Çasti asht
kritik, nuk lypset t’i shmangemi detyrës që na imponojnë rrethanat e luftës
kundër okupatorit të ri. Interesat e
larta të kombit dhe ato të demokracisë shqiptare……….!” Oh sa konkluzione dalin nga ky paragraf!

    -Që ne nuk jemi bashkëpunëtorë me
okupatorin (Hysni dhe Skënder).

    -Që duhet pa tjetër të luftojmë gjermanët e
jo të bashkëpunojmë me ta.

    -Që të luftojmë për kombin e jo vetëm për atdheun
(sapo ishin hedhur poshtë  

       vendimet e Mukjes nga Dushani dhe Enveri
juaj).

     -Që komunistët, me në krye Bedri Spahiun e
Shemsi Totozanin bënë kompromisin me italianët, së bashku me emisarin Anglez,
Majorin Tilman që shoku Tare e paskej për zemër. I them Tares që të lexojë se çfarë
ka shkruar Dr. Bonomi në librin: “Shqipëri 1943”, me titull “La tragica marcia esercito italiana da
Tepelena e Argirocastra, per la Saranda”. Do t’iu lutem njerëzisht lexojeni
Bonomin në kapitullin e dytë, e mos lexoni vetëm ato që iu interesojnë. Se Enveri
iku s’kthehet më…! Tilmani i drejtoi avionët kundër nacionalistëve. Madje
italianët i quajtën vetëm nacionalistë. Ju vetëm ballistë!

 

Sa për nostalgjinë tuaj, do
t’iu kujtoja, meqë jini historianë e i gjeni ku shkruhen në veprat e shokut
Enver këto ngjarje e

1.   T’i
lexoni me kujdesur flet për Ballin Kombëtar qysh pas  formimit të tij si Organizatë në Nëntor 1942,
Enver Hoxha në 23 Janar 1943 i ka dërguar qarkore Korçës: “Kohët e fundit është krijuar një Organizatë e Ballit Kombëtar. Në të
dihet se kush bën pjesë. T’i godasim e luftojmë qysh tani në fillim, se do t’i
kemi problem në rrugën tonë!”

2.   Flisni
shumë për emisarët Anglezë, por lexoni qarkoren e Enver Hoxhës, drejtuar
Gjirokastrës në Korrik 1943, ku i porosit, “që
të kenë kujdes nga përfaqësuesit Britanikë, se s’kanë ardhur këtu për ne…! Pra
luftë e hapur Ballit nga partia ime e juaja.

3.    Lexoni po në vepra, se ç’thotë për Hysni
Lepenicën,Enveri: “Balli Kombëtar ka
ngjitur malit një batalion gjoja për të luftuar, por pavarësisht se Hysni
Lepenica është një ballist trim, Balli nuk lufton”.

4.  
Lexoni apelin e Hysni Lepenicës gjatë
fillimeve të luftës: “Apel Kombëtar: Ne
paralel me luftën botërore që i është hapur armikut, duhet edhe gjoksi, dhe
armët shqiptare ta përzënë armikun dhe intrigat e huaja, që paturpësisht
shfaqen…!”

a)   
Fshatari trim edhe sot po e bën
detyrën e tij, duke lënë shtëpinë  dhe fëmijët,
në pellgun e varfërisë dhe të vuajtjeve.

b)  
O tregtar dhe kapitalist, që rri rehat
dhe fiton para… Ti ç’duhet të

              bësh? Gjithë kapitalin për luftën! Gjithë
kapitalin, se po të jesh gjallë

              edhe në liri do e vësh prapë… !”

5.  
-Lexoni pas takimit me Enver Hoxhën e
Dushan Mugoshën. I drejtohet Hysni Lepenica: “Po ta lëmë me anën e një dokumenti Kosovën në duart e nacional
çlirimtarëve Jugosllavë, zotëria jote, mund ta përdorë fare mirë nesër atë
dokument, në Parlamentin Jugosllav dhe gjetkë. Ne për marrëveshje u drejtohemi
komunistëve shqiptarë dhe jo të huajve të padëshiruar e të dyshimtë…!”

Pas kësaj Hysni Lepenica i thotë
Enverit, duke u çuar për tek dera. “Bashkë
mbaruam! Ki kujdes se ke dënuar me vdekje Sadik Premten! Dije se ai është nën
mbrojtjen time!”

 

Mos lexoni
vetëm të huajt 

 

Vazhdoj
t’iu drejtohem historianëve, që po trokasin vazhdimisht në nervat dhe hallet që
ka hequr e po vuan edhe sot populli ynë nga frymëzimi i hershëm komunist. Por
edhe stacioneve televizive që angazhojnë vetëm disa fytyra për të bërë histori
e analizë. Merrni edhe disa që kanë shkruar volume të tëra, pjesë të historisë
së vendit e popullit tonë. Mos lexoni vetëm të huajt, se ne veprat i shkruajmë
duke hequr  kafshatën e gojës, kurse ju
punoni me mundin e këtij populli. Ndryshe i ndani, i seleksiononi, i harroni ca
histori të shkuara nga e kaluara. E kemi dashur dhe ne të mirën që na afrohej,
nëpërmjet ëndrrave komuniste. E njohim mirë atë regjim, se e vuajtëm në
kurrizin tonë dhe të fëmijëve tanë. Bëni kthesë e vërtetoni se ç’qëndrim mbajnë
të goditurit e asaj kohe, nxirrni konkluzione, se kush është viktima e kush
krimineli. I lini ndjenjat e këtij populli, se boll ka vuajtur zotërinj që
çirreni nëpër ekrane. Boll ju kemi duruar! Ne jemi të vuajtur dhe të vrarë nga
jeta, s’i thonë shaka, kur na janë vrarë njerëzit e dashur për një fjalë goje,
kanë vdekur burgjeve, kampeve, vrarë pas shpine të cilësuar armiq e tradhtarë.
Boll më me mbrojtjen e asaj të kaluare. Lartësoni partizanët e thjeshtë dhe
emrat e heronjve që përfunduan në gijotinë. A po e kuptoni se kush na përçan,
kush na kapi për fyti? Sa na janë vrarë, zhdukur e nuk u gjenden as eshtrat? Sa
u munduan nostalgjikët më 1993 dhe pas 1997,që t’iu hiqnin titullin dëshmorë
grupit prej 37 luftëtarëve nacionalistë të Grehotit të Gjirokastrës, e s’mundën
dot ta bënin. Mos u tallni me gjakun e derdhur. Unë e kisha dënuar veprën e
babait tim, se ashtu ma thoshin ata të idealit komunist, por historia nuk i
harroi. Kam kërkuar takim unë dhe vëllai im me Bedri Spahiun në vitin 1992.
Kemi ndenjur 2 orë me të, në prezencën e pesë vetëve. Sado që vuajti edhe ai,
por me zor i dilnin fjalët. I bëra një pyetje: “A duhet të ishin dëshmorë me
kohë Hysni Lepenica, Sefer Imeri, Nano Gjoni me shokë”? Ai mu përgjigj: “Nuk na
lejonte ideali komunist…!”  Dhe më e
rëndë ishte heshtja e tij kur e pyeta: “Po kur grisej flamuri Shqiptar që e
morën nga një i vrarë nacionalist, e nuk ndërhytë? Për atë rast Bonomi thotë:
“Flamurin e mori kapiten Karolia e bëri copa copa. Një copë e mbajti vet, një
copë toger Beti, etj. Kurse shkopin me një copë ia dhanë Gjeneralit të
Divizionit, Kilimeno!” Kur e pashë se nuk përgjigjej, u largova. Ishte koha kur
Bedriu kishte gjykuar veten pas burgut që bëri. Nuk më tregoi as për thirrjen
që i kishte bërë Hysniu e Skënder Muçua më 11 Shtator 1943, kur ai ishte i
madhi i zonës së parë Operative. Asnjë fjalë nga ju historianë për Mukjen, të
paktën të kritikonit emisarin jugosllav dhe Enverin. Më dëgjoni mua se ç’më ka
treguar Ymer Dishnica, kreu i delegacionit komunist, që u dënua nga Enveri, pas
dushit që mori nga Mugosha: “Atje u
krijua grupi i drejtimit të luftës së përbashkët, midis atyre tre krerëve:
-Mustafa Gjinishti për krahun komunist; Abaz Kupi për zogistët dhe Hysni
Lepenica për Ballin Kombëtar.”

    E kishte marrë vesh Zoti Ymer Dishnica, që
unë isha djali i atij që nuk i ndahej asnjë çast Hysniut, i veshur mirë e tërë
gjerdanë, djalë i ri. Vetëm 34 vjeç ishte babai im. Zoti Ymer Dishnica më
thoshte se duhej të ishte babai yt ai krahu i djathtë i Hysni Lepenicës. Dhe
vazhdon i nderuari Ymer: “Sa përshtypje
më ka bërë ai burrë! Kisha dëgjuar për të, por kur u çua e foli në mbledhjen e
Mukjes, Hysniu, paksa i revoltuar nga që nuk po vendosnin për bashkëpunim në
luftë”. Ishim shumë vetë kur na tregonte, midis tyre edhe bashkëfshatari i
Xhufit, zoti Çobo Skënderi!…  me një zë
të kthjellët e tingëllues, vazhdoi (Hysniu Xh.I.):… “Çfarë na pengon për t’u bashkuar në këtë luftë zotërinj? Mos na pengon emri
që mbajmë ne nacionalistët apo ju komunistët, kur ne mbajmë vetëm shqiponjën
dykrenëshe, kurse ju yllin e kuq të huazuar? Apo shprehja e jonë “Balli
Kombëtar në shqip, kurse ju “Front Nacional” në italisht, kur kanë të njëjtin
kuptim…? ndaloi pak dhe duke ngritur zërin, vazhdoi… “Mos na pengon ideali, kur ne kemi atë
kombëtar, kurse ju atë internacionalist, pa diskutuar për bashkimin e trojeve
amtare? … Hajdeni të luftojmë të bashkuar kundër pushtuesit të huaj, e pastaj
pas luftës, le të vendosë populli me vullnetin e tij të lirë, sistemin që do…!”

      Hysni Lepenicës e Skënder Muços, iu
kishte thënë edhe Halim Xhelo, i mëvonëshmi gjeneral, që vdiq tragjikisht në
burgun e Enverit: “do ta shikojmë se kush
do dalë më atë anë bregut të lumit…!” Ata i ishin përgjigjur: “Po, po do ta shohim, por mbaje mend…!”
Dhe ndërkohë që Hysniu me Sknderin, i pari u vra në fushbetejë nga italianët,
kurse Skënderi u pushkatua nga gjermanët, ndërsa Halimi përfundoi nga ideali
komunist, i mbytur me një çarçaf në burgun e egërsirës komuniste…!  Eh! Sa shumë kam rrëmuar e studiuar, shokë
historianë për të përcjellë të vërtetën. Dhe do të tregoj edhe një fakt tjetër,
se si ju merrni vetëm një anë të medaljes e jo tjetrën. Shkurtimisht në emision
ju, d.m.th Xhufi dhe…të tjerë analistë ne emision cekët pak edhe reprezaljet
e Vlorës, duke fajësuar edhe ish Prefektin Vizhdan Risilia. As ajo nuk qëndron
sipas jush, është krejt ndryshe, o ju që bëni historinë (mjerë Shqipëria po
ngeli historia për ta bërë nostalgjiku Xhufi…! Xh.I.)

    Po tregoj: -më ka rënë në dorë një material
rreth 24 faqesh, të cilën nuk e përdora, me që kisha qenë “komunist” dhe ia
dhashë zotit Uran Butka, por për çudi s’e kam parë të përdorur deri më sot! Në
të del një çështje interesante me të cilën duhej njohur publiku shqiptar. Materiali
përmban disa firma, të kryesisë së Komitetit të Ballit Kombëtar në emigracion,
New York me përmbajtje: “Një ish në udhëheqje të Ballit dikur, me emrin, apo
mbiemrin Qemo (për siguri pyesni Uran Butkën XH.I.). i bën një lutje kryesisë
së Ballit në mërgim, me kryetar Zotin Hasan Dosti (më duket mban vitin 1982,
Xh.I.).Ky kishte zëvendësuar Mit’hat Frashërin, pas vdekjes. Qemua nëpërmjet
asaj lutjeje i propozon asaj kryesie që të rehabilitojë Isuf Luzin. Pasi jo
vetëm kanë kaluar kohë fajet e tij, por është dhe një Doktor Profesor i zoti.      Kryesia një zëri i përgjigjet: “Se Isuf
Luzi nuk mund të rehabilitohet, pasi fajet e tij nuk mund të riparohen
asnjëherë, për arsye se:

    “Ai ka tradhtuar kauzën e Ballit Kombëtar
për arsye se, pasi u përjashtua nga Balli Kombëtar, bashkëpunoi me gjermanët.
Ai kishte marrë 15000  sterlina nga arka
e Organizatës me qëllim që të blinte armatim e të krijohej një Brigadë, në
Qarkun e Vlorës. Ai ra në kontakt me gjermanët dhe iu mori armatim atyre dhe
zhduku fondin…! U kap me një makinë me armë dhe deklaroi se i kishte blerë.
Ishte kryeneç dhe i pëlqente karrierizmi, si dhe për probleme të tjera është
përjashtuar nga Balli Kombëtar.

    Për këtë u organizua mbledhja e Kryesisë të
Ballit në Vlorë. Në mesin e mbledhjes vjen Prefekti Vizhdan Risilia. Në Kryesi
ishte Mit’hat Frashëri, Skënder Muço, Tahir Hoxha, etj. Pasi e falënderuan që
kishte ardhur, Vizhdani iu drejtohet: “Ju
e dini që mua si Prefekt nuk më lejohet të vij në këto mbledhje, por kam ardhur
vetëm për Skënderin (Skënder Muçon), ta porosis se është në ndjekje nga
gjermanët, sipas çorbës që ka gatuar Isuf Luzi.” Skënderin e paralajmëroi, “se deri nesër në orën 6 të darkës mundet të
të mbroj. Ndryshe nuk mbaj asnjë përgjegjësi për jetën tënde…!”

    Skënderi i drejtohet, se “Sa të kem ty, mua nuk më gjen gjë !” Vizhdani
ia kthen: “Skënder! Largoju sa më parë se
s’të mbroj dot”.Sipas shkresës vazhdon : “Skënder, Skender! doli në Dukat
ku kishte bazat e tij. Isufi e ndjek nëpërmjet agjentëve të tij e nën ombrellën
e gjermanëve. Ky kishte futur një agjent në Dukat dhe e fotografon Skënderin,
në mes të një Anglezi e një Amerikani nga misionet që strehoheshin në
Karaburun. Foton ua dorëzojnë gjermanëve dhe Skënderi arrestohet nga gjermanët,
si bashkëpunëtor me aleatët Anglezë e Amerikanë. Skënderin më pas e pushkatojnë
në Bubullimë të Lushnjës së bashku me Yzeir Alimerkon dhe  një tjetër.

    “Ata konkludojnë se të gjitha ç’kanë
ndodhur në Vlorë, janë pasoja nga bshkëpunimi i Isuf Luzit me gjermanët, për të
kompromentuar Ballin Kombëtar….!”

 

    Partia komuniste, pasi bëri kompromisin me
italianët dhe organizoi kurthin e Grehotit, për të eliminuar krahun luftarak të
Ballit, më 20 Tetor na kanë lexuar nën hijen e gorricave të Gjomaricës në
Tragjas, qarkoren e partisë me këtë përmbajtje: “Boll më me Ballin Kombëtar, të mundohemi të tërheqim të gënjyerit dhe
të tjerët t’i godasim pa mëdyshje, kudo ku ndodhen”. Pikërisht nga kjo
qarkore është nisur edhe Mehmet Shehu për reprezaljet  e vrasjeve masive në Lushnje, me qëllimin e
vetëm, të futnin frikën e të mos shkonin më me Ballin. Rrjedhimisht kritikat që
i bëri Mehmet Shehut, Enver Hoxha është farse si gjithë jeta e tij.

    Unë Nacional Çlirimtari i asaj kohe, jam
dëshmitar i vrasjes të dy ballistëve të Hazis Çamit më 18 Tetor 1943, madje i
mbaj mend se si u vranë dhe kush i vrau…!

 

Xhemal Imeri, Veteran i Luftës