Dosier/ Si u ndërtuan tunelet e thesarit në Linxë të Tiranës, objektet e tjera sekrete, si dhe strehimet e nëndheshme

1008
Sigal

Kujtimet e inxhinierit të
ndërtimit, Adem Kormaku: Si i ndërtuam objektet sekrete për kohë lufte

 

 Si ndërtuam depot e rezervave në Baldushk, Petrelë, në Kërrabë (Objekti i
thesarit të shtetit)

 

-Në dhjetor të vitit 1968 kthehemi
nga Austria me detyrë të realizuar

– Në pikun e punës, marrim urdhër
dhe fillojmë punën në objektin X-79 të thesarit në Linxë të Tiranës

-Kujdesi dhe kontrolli gjatë
riparimit në Bllokun e Udhëheqjes në Tiranë

– Ishte 15 gushti i vitit 1968 na thirrën
urgjent në Ministrinë e Ndërtimit, vetë ministri Rrahman Hanku.

-Ishim unë, Taqo Miho e Llazar
Mazniku asnjeri nuk e dinte shkakun e kësaj thirrje urgjente.  

– Thoma Deliana, na thotë: ”Me
porosi të shokut Enver Hoxha, jemi ngarkuar të ndërtojmë Memorialin të
Mat’hauzenit në Austri

– Aty, shumë shtete kanë ndërtuar memorialët.
Ju jeni ngarkuar për të zbatuar punimet në këtë objekt me rëndësi të veçantë
sepse ky objekt do të përfaqësoj shtetin shqiptar

– Robert Kote,  ishte
inxhinieri që kishte bërë projektin, ndërsa skulpturën do ta realizonte Odise
Paskali

 

Një jetë e  mbushur me
ngjarje. Një jetë, e vrullshme, me punë të lodhshme, por në emër të një ideali,
ndërtimit të vendit. Nga Stebleva në Tiranë. Nga Tirana në gjithë rrethet e
Shqipërisë. Ishin vitet kur Shqipëria ishte kthyer në një kantier të madh
ndërtimi. Një jetë mbushu me ngjarje deri diku dhe të pabesueshme për kohën e
sotme. Por i tillë ishte ai sistem, e tillë ishte ajo kohë. Ishte periudha kur
idealizmi paraprinte interesave personale ekonomike. 

 

Si i ndërtuam objektet
sekrete për kohë lufte

Në Rezervën e Shtetit, Reparti
101/K, vazhduam punimet për ndërtimin e depove në Baldushk, në Petrelë të
Tiranës, ku punonte brigada e Baki Radës me teknik Rasim Ajazin. Po kështu
vazhduam punimet në objektin ‘Lumi’ në Kërrabë (Objekti i thesarit të shtetit)
etj…. Nga dita në ditë, punën në këtë ndërmarrje shtoheshin dhe ngarkesa
ishte shumë e madhe. Ndërkohë, kur ishim në pikun e punës, marrim urdhër dhe
fillojmë punën në objektin X-79 të thesarit në Linxë të Tiranës, projekt nën
administrimin e Ministrisë së Financave.  Pas kësaj, apo thuaj paralel në
kohë,  na u ngarkua për detyrë ndërtimi i objekteve-banesa për Ministrinë
e Mbrojtjes, për aviatorët, ndërtimi i objektit 7310 në territorin e Spitalit
Ushtarak, ndërtimi i Institutit për Mbrojtjen, godina që u kthye në Bankë
Kombëtare Tregtare (BKT) etj.. Kjo ndërmarrje ndërtoi dy godina për institutin
dhe Ndërmarrjen e Kërkimeve Minerare të Gjeologjisë, ku punoi e drejtoi
inxhinieri Marketin Topollari.  Gjithashtu, na u ngarkua ndërtimi i dy
objekteve të projektuara nga Instituti i Projektimit të Mbrojtjes, ku do të
strehohej në situatë lufte Kryeministria dhe Ministria e Rendit. Këto ishin
objekte të rëndësishme për nga funksioni që do të kryenin, por dhe të një
vështirësie teknike sepse kërkonin një siguri të lartë, apo më saktë punime të
vështirësive që nuk ishin ndërtuar deri në atë kohë.  Njëri nga këto
objekte është pranë Kryeministrisë, që iu bashkëngjit objektit ekzistues dhe
tjetri pranë Ministrisë së Brendshme, ose më saktë në sheshin midis dy
ministrive, midis Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Ndërtimit. .
Objekti drejtohej nga inxhinieri Edmond Demiri. Ndërtimi i këtij objekti pati
vështirësi të mëdha që nga punimet në bazament, ndërtimi i mureve të betonit me
armatura hekuri të dyfishta, ku vetëm soleta që mbulonte objektin ishte e
trashë 2.2 metra, ndërsa armatura e hekurit, vetëm në 50 centimetrat e para
shtatë zgara hekuri e në vazhdim të tjetra, të gjitha me markë betoni 350.
Llogaritë ishin të tilla, që dhe bomba të binte mbi të, e ai të ishte
plotësisht i qëndrueshëm. Ndërsa në Kryeministri bëhej soleta me një trashësi
1.8 metra, po me armatura hekuri si e para me markë betoni 350.  Personeli
inxhiniero-teknik i ndërmarrjes ishin njerëz të zgjedhur, të devotshëm dhe të
sakrificës, të cilët bashkë me specialistët e ndërtimit, minatorët, shoferët,
manovratorët, mbanin peshën kryesore të punëve më të vështira në Ndërmarrjes së
Ndërtimin Nr 10. Për shkak se volumi i punës ishte tepër i madhe, frontet e
punës ishin të shpërndarë në shumë rrethe të Shqipërisë, punonjësve u duhej të
rrinin me javë e muaj larg shtëpive të tyre. Por njëkohësisht, duhet të
përballonin dhe vështirësi të tjera, pasi në dhe trajtimi linte për të
dëshiruar, mensat dhe fjetoret në objekte të  largëta ishin të
improvizuara, ushqimet shkonin me mjetet e furnizimit material. E them me
bindjen e plotë se këta ishin njerëz të mrekullueshëm, të sakrificës, punëtorë
dhe optimistë për të realizuar në kohë të gjitha detyrat që iu ngarkuan, pa
përfillur sakrificat e mëdha që kërkoheshin. Pikërisht, këtu qëndron dhe
realizimi me sukses i objekteve të tilla të rëndësishme. Njëkohësisht, me të
tilla sakrifica, u përballën dhe kuadrot.  Është vështirë të harrosh
kontributin e tyre, ku ndër tyre mund të përmend: Inxhinierët Kosta Bozdo,
Arjan Kokolari,  Ndriçim Kote, Edmond Demiri, teknikët Mahmut Tola, 
Rasim Ajazi, mjeshtrat e ndërtimit Adem Durma, Gjergj Panoti, Ferit Rustemi;
brigadierët Feta Koçi, Alush Muça, Baki Rada, Izet Ajazi, Shyqyri Shehu, Shaziman
Kamberi, Ismet Murati, Sytki Picoku, Mitro Marku, Ismail Kuburi, Bashkim
Hasmuça, Tefik Curri etj… Nuk mund të harroj dhe mjeshtrit minatorët duarartë
Hysni Uka, Tahir Gjoni, Rizman Lami, Dali Uklala, Allaman Bici, Sul Elezi, Sali
Shehu, Zyber Billa, Sali Caskoni etj… Do shtoj këtu dhe njerëzit e
sakrificës, heronj të vërtetë shoferët: Taqo Mara, Aristidh Qendro, Bim
Subashi, Astrit Kullaku, Edmond Pashai, Puqo, Lirim Xhelili dhe dy manovratorët
e talentuar të bjellorusëve të gërmimit, Elez Dallaku e Ferat Shatku, njerëz e
punëtorë të talentuar që ço detyrë që merrnin, kishe siguri të plotë se do e
realizonin me cilësi dhe brenda afatit të dhënë. Një mbështetje të veçantë ka
dhënë edhe ofiçina e kësaj ndërmarrje, përgjegjësit të palodhur Thanas dhe përgjegjësit
të sektorit të prodhimit Hamit Driza. 

Në Bllokun e Udhëheqjes në
Tiranë

Një seriozitet pune kemi pasur në
sektorin e  Bllokut, siç e quanim atëherë, ku merreshim me meremetimin e
shtëpive të banimit të udhëheqjes së kohës dhe objekteve qeveritare të
rëndësishme që ishin në këtë territor.  Këtu, çdo detyrë e vënë është
kryer në kohën e duhur dhe me një cilësi të lartë pune. Dy teknikët e
ndërtimit, si përgjegjësi i sektorit  Mitro Dhandaniti dhe tekniku
mjeshtër, Koço, i qëndruan punës në kokë me përgjegjësi deri në dorëzim. 
Mjeshtërit që punuan në këtë sektor i kam përmendur më lart bashkë me njerëz të
tjerë të dalluar të kësaj ndërmarrje.  Në periudhën 7 vjeçare që unë
drejtova këtë ndërmarrje,në të gjitha sukseset e vlerësimet pa përjashtim, unë
pata në krah njerëzit e mrekullueshëm dhe specialistët e aftë si :
Kryeinxhinieri Enver Doda, një inxhinier i ri në moshë, por i aftë e
këmbëngulës në profesionin e tij për të cilin ruaj kujtimet më të mira dhe
respektin më të madh; si dhe shumë inxhinierë, kuadro të administratës,
brigadierë e punëtorë të thjeshtë  që ishin kurdoherë në ballë të punës,
njerëz fisnikë, të palodhur e bashkëpunues. Kjo ndërmarrje ka pasur specifika
të veçanta, të cilat duheshin menaxhuar me sukses, pasi një dështim, qoftë dhe
i rastit, kishte pasoja. Ja arritëm të dalim me sukses, falë punës,
përkushtimit një aktivitetit të njerëzve të mrekullueshëm, të cilët lanë gjurmë
në ndërtimtarinë e këtij sektori të rëndësishëm, të cilët unë i falënderoj pa
përjashtim.  

 

 

-Në drejtimin e Ndërmarrjes
së  Mirëmbajtjes së Objekteve Sociale (N.M.O.S.)

 

Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të
Këshillit Popullor të Rrethit ët Tiranës, për të përmirësuar punën në shërbimet
e shkollave, kopshteve, çerdheve, qendrave shëndetësore dhe objekteve të tjera
të arsimit, kulturës e shëndetësisë, u krijua Ndërmarrja e Mirëmbajtjes së
Objekteve  Sociale. 

Në fillim të vitit 1984, kohë në të
cilën kisha një periudhë të gjatë kohe në drejtim e menaxhim të ndërmarrjeve e
sektorëve të tjerë të rëndësishëm në fushën e ndërtimeve, më emërojnë drejtor
të kësaj ndërmarrje.  Pra krijohej një ndërmarrje e re, me administrim
sektorësh të rëndësishëm, e kuptohet, vështirësitë ishin të mëdha e nisnin që
nga organizimi i vetë ndërmarrjes, administratës së saj, sektorëve përkatës e
deri tek organizimi e drejtimi i punës në objektet konkrete. Unë kisha një
eksperiencë të mirë në këto aspekte, por gjithsesi, kërkohej shumë mund,
përpjekje e sakrifica për t’ia dalë mbanë me sukses. Nuk kishte kohë më për
pritje, por iu vumë punës për organizimin e kësaj ndërmarrje.  Ndër të
tjera, krijuam sektorët kryesor të kësaj ndërmarrje që ishin: Sektori i
bojaxhinjve; sektori i ndërtimit; sektori i specialistëve; (hidraulikë,
elektricistë, marangozë); sektorin e prodhimit…

Në këtë aspekt, shqetësim ndër më
kryesorët ishte fakti se objektet e vjetra ekzistuese ishin tejet të
amortizuara dhe kërkohej punë shtesë e bazë materiale për ti vënë ato në
funksion të plotë. Por falë profesionalizmit të ekipit me të cilën unë nisa punën
në këtë ndërmarrje, mbështetjes nga strukturat shtetërore të kohës e
përkushtimit të gjithë punonjësve, personel drejtues, specialistë e 
punëtorë të thjeshtë, ja arritëm të krijojmë një terren të mirë për ecuri
normale të punëve, që dua të theksoj ishin të një game të gjerë e të shumta. 

Kontradiktë apo problem tjetër që
kërkonte zgjidhje ishte mospërputhja e fondeve buxhetore me nevojat konkrete të
objekteve, ku investimet e reja, zgjerimi i gamës së shërbimeve, kërkonin dhe
fonde të tjera shtesë.  Por me vështirësitë që lindën, edhe këtë pengesë
ne mundëm ta amortizojmë duke shënuar një nivel të ri në cilësinë dhe kohën e
shërbimeve.  Në këtë aspekt, brenda një kohe të shkurtër, sektorët morën
formë e nisën punën normalisht, duke reflektuar kështu një ndryshim të gjendjes
konkrete të shërbimeve.

Gjatë katër viteve që unë drejtova
këtë ndërmarrje, ndonëse me ngarkesë të madhe në punë, falë bashkëpunimit me të
gjithë faktorët brenda ndërmarrjes e jashtë sajë, unë munda të realizoj në kohë
të gjitha detyrat e planifikuara dhe ato që nxirrte koha apo ngarkoheshin nga
strukturat eprore të shtetit. Ruaj kujtimet më të mira gjatë kësaj kohe për
kolegët, bashkëpunëtorët e deri tek specialistët e thjeshtë.

Në vitin 1988, Komiteti Ekzekutiv i
Këshillit Popullor të Rrethit të Tiranës kaloi një studim tjetër për
riorganizimin e ndërmarrjeve komunale, ku aktivitetin e kësaj ndërmarrje
ekzistuese ja kaloi Ndërmarrjes Komunale të Banesave, sipas sektorëve të
ngritur në bazë lagje. Në këtë periudhë unë kaloj kryetar i degës së kuadrit në
Ndërmarrjen e Gjelbërimit të Tiranës, ku punova deri në vitin 1994.

 

-Tiranë- Mat’hausen-Tiranë (Fragmente
nga ditari
)

 

Nuk dimë se përse na kanë thirrur në
Ministrinë e Ndërtimit. Ishte 15 gushti i vitit 1968. Na kishte thirrur vetë
ministri Rrahman Hanku. Aty ishte dhe Robert Kote, projektuesi i memorialit që
ishte ngarkuar si specialist që të komunikonte me ne. Ishim unë, Taqo Miho e
Llazar Mazniku. Ne që të tre punonim  në Ndërmarrjen ’21 Dhjetori’ në
Tiranë në sektorë të ndryshëm. Asnjeri nuk e dinte shkakun e kësaj thirrje
urgjente.  Pasi u përshëndetëm, Thoma Deliana, ministri na thotë:”Me
porosi të udhëheqjes dhe personalisht të shokut Enver hoxha, Ministri i Arsimit
dhe i Kulturës, jemi ngarkuar që të organizojmë punën për ndërtimin e
Memorialit kushtuar të rënëve shqiptarë në kampin famëkeq të Mat’hauzenit në
Austri. Aty, shumë shtete kanë ndërtuar memorialët. Ju jeni ngarkuar për të
zbatuar punimet në këtë objekt me rëndësi të veçantë sepse ky objekt do të
përfaqësoj shtetin shqiptar…. Roberti,  është inxhinieri që ka bërë
projektin, ndërsa skulpturën do ta realizoj Odise Paskali. Brenda festave të
nëntorit të këtij viti duhet të ketë përfunduar kjo përmendore. Për këtë, ju
bashkë me projektuesit të zbërtheni projektin, bazën e nevojshme materiale e
deri gjërat më të vogla, pasi do i merrni nga këtu se atje nuk keni ku i gjeni.
I mendoni gjërat me përgjegjësi e saktësi, që nga veglat e punës deri te
materiali më i vogël. I është dhënë porosi Kombinatit të Ndërtimit ‘Josif Pashko’
dhe ndërmarrjes së ndërtimit ’21 Dhjetori’ për të vënë në dispozicion çdo
material të nevojshëm për ndërtimin e këtij objekti, e çdo gjë, me
dokumentacion të rregullt. Të gjitha fondet për ndërtimin e këtij objekti
disponohen nga Ministria e Arsimit dhe e Kulturës”.

…Në u mblodhëm menjëherë si grup
pune dhe pasi bëmë preventivin e punimeve si dhe për çdo zë zbërthyem bazën
materiale të nevojshme, dërguam porositë për prodhimin e tyre sipas sektorëve,
ndërsa 

ne vetë u morëm me kontrollin e
cilësisë së prodhimeve, siç ishin gurët dekorativë, pllakat e mermerit, të
veshjes e të shtresës, të germave të broncit për shkrimet në faqet e kolonës
etj…. 

…Pas një muaj përgatitje, bëmë
gati të gjithë bazën materiale dhe shkuam siç ishim dhe i raportuam Ministrit
Rrahman Hanku. I thamë se ishim gati për t’u nisur. Në këtë ditë, na thërret
edhe Ministri i Kulturës Thoma Deliana. Ku na shpjegoi me hollësi rëndësinë e
ndërtimit të këtij memoriali, rëndësinë politike e shtetërore si objekt që
përfaqëson shtetin shqiptar. Me ‘të bëmë një bisedë të ngrohtë, duke prekur dhe
detaje të vështirësive që mund të na lindnin gjatë punimeve.  Ministri
kishte një informacion të plotë e të mirë për ne dhe me besim të plotë na uroi
që të dalim me sukses në këtë detyrë të rëndësishme. 

…Pas disa ditësh, na thërret një
zyrë e Ministrisë së Brendshme ku morëm pasaportat e udhëtimit për jashtë
shtetit si dhe disa udhëzime të tjera prej tyre. Ne të tre ishim me emocione,
të gëzuar por dhe në ankth për këtë detyrë të rëndësishme e me përgjegjësi që
na ishte ngarkuar. E prisnim me padurim datën e nisjes. 

20 shtator 1968

Ishte situatë e rënduar në vend si
pasojë e acarimit të marrëdhënieve Shqipëri-Bashkimi Sovjetik. Na thërrasin në
degë ushtarake të Tiranës (fletëthirrje me vijë të kuqe) për të na mobilizuar
si forca rezerviste. U themi për detyrën që kishim marrë e se ishim gati të
niseshim për jashtë shtetit. Pasi pritëm përgjigje gati gjysmë ore, oficeri i
kontaktit na tha të iknim dhe të vazhdonim detyrën që na ishte ngarkuar. Por ishim
në tension… Buçisnin radiot nga fjalimi i Mehmet Shehut që denonconte
Traktatin e Varshavës. Në Tiranë bëheshin prova me sirena alarmi e fikeshin
dritat. Ushtria kishte marrë urdhër për gatishmëri luftarake. Çdo gjë ishte në
lëvizje e nën kontroll. 

23 shtator 1968

Është dita e nisjes. Është ora 16:30
dhe jemi në ndërmarrjen ’21 Dhjetori’ ku ishin parkuar tri maunet me rimorkio
të ngarkuara e bërë gati me kohë. Aty kishin dalë edhe familjet tona për të na
përcjellë. Nëna ime bashkë me gruan, Sanijen dhe djalin e vogël, Përparimin
kishin dalë të më përcillnin. U ndamë me mall dhe me lot. U nisëm për të fjetur
në Elbasan, për shkak se nesër e kishim më afër pikën e kalimit kufitar të Qafë
Thanës. Fjetëm atë natë në turizmin e Elbasanit. Ishim të emocionuar.