DOSIER / KUR XHIROHESHIN FILMAT SHQIPTARO – SOVJETIK

1428
Nga Ergys Alushi

Kur xhiroheshin filmat shqiptaro-sovjetikë

Kur xhirohej filmi “Skënderbeu” 
1953
Pakkush e di që filmi “Skënderbeu” ka fituar një çmim të rëndësishëm ndërkombëtar dhe, pikërisht në Festivalin Ndërkombëtar të Kanës. Çmimi ishte për ngjyrat më të mira.
lajmin e parë për fitimin e një çmimi të tillë do ta jepte gazeta “Zëri i Popullit” që në numrin e datës 4 prill 1954 shkruan: “Më 3 prill 1954, në Kanë është duke u zhvilluar Festivali i 7-të Ndërkombëtar i Filmit. Delegacioni sovjetik përbëhej nga G. Aleksandrov, Lubov Orlova, Sergei Jutkeviç, Akaki Horava, Klara Luçko dhe Litvinenko”. Gazeta lokale “Le Patriot” shkruan: “Interpretim i shkëlqyer i Skënderbeut nga Akaki Horava, shfaqje e mirë e aktorëve të tjerë, muzikë e shkëlqyer dhe teknikë e lartë”

Suksesi i filmit
Filmi do të pritej mirë në Evropën e kohës, aq më tepër kur regjisori i filmit do të ishte Sergej Jutkjeviç, dhe në rolin e Skënderbeut luante një nga aktorët më të mirë të Bashkimit Sovjetik, Akaki Horava, që për famën e madhe që gëzonte në B.R.S.S. ishte zgjedhur dhe deputet. Asaj kohe filmi u shfaq në Francë dhe në disa shtete të Bllokut të lindjes, ndërkohë që Italia kërkonte ta shfaqte, por me disa shkurtime, kurse Turqia do të tregonte indiferencë, për shkak se turqit e konsideronin tradhtar Skënderbeun. Kudo që shfaqej, jehona e filmit ishte e madhe. Ende sot në rusi, filmat ku Akaki Horava ka luajtur kërkohen e pëlqehen ende. Për herë të parë në kinematë e Moskës filmi do të shfaqej më 28 nëntor të viti 1953, në të njëjtën ditë që do të shfaqej dhe në Tiranë, duke korrur një sukses të menjëhershëm. Regjisori ishte rus, aktori kryesor po rus, ndërkohë që edhe skenari ishte përgatitur nga autorë sovjetikë sipas historisë që kishin grumbulluar në Shqipëri.

Problemet deri në fillimin e xhirimeve 
Por deri në fillimet e xhirimeve, diplomacia shqiptare do të lëvizte disa herë për në drejtim të Moskës, duke dërguar vazhdimisht vërejtjet për skenarin dhe kërkesat për shtesa në skenar. Rusët qëndronin fort në skenarin e tyre dhe nuk donin të ndryshonin asgjë pavarësisht kërkesave për ndryshime që vinin nga Tirana, por për hatër të konsolidimit të miqësisë shqiptaro-sovjetike që ishte në kulmin e saj, edhe në sektorin e filmit, u ra dakord që të merreshin në konsideratë ndryshimet e kërkuara.

Xhirimet e para
Xhirimet e para do të ishin luftimet me kuaj, ndaj dhe nga Bashkimi sovjetik do të niseshin grupet me kuaj, të cilët do të niseshin nga Odesa për në drejtim të Durrësit, me një anije të madhe që do të shkaktonte kuriozitet të madh në qytetin bregdetar të Shqipërisë, ditën që do të mbërrinte. Asaj kohe u tha, se gjatë xhirimeve të para, kali i bardhë i përzgjedhur për t’u kalëruar nga “Skënderbeu” do të ngordhte e në të tilla kushte do të përzgjidhej një kalë tjetër në ngjyrë të bardhë. Në vazhdim, deri në mesin e muajit mars do të vinin dhe grupet e tjera të xhirimit. Xhirimet do të kryheshin në disa vende të ndryshme, ndërkohë që një pjesë e filmit do të luhej edhe në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, në liqenin artificial e në zonën e kishës së Shën Prokopit. Në Shqipëri, disa skena të filmit “Skënderbeu”: u luajtën në qytetin e Durrësit (bregdet), në Tiranë e në Gjirokastër. Në qytetin jugor të vendit, sovjetikët qëndruan në hotelin “Sopoti”, në sheshin me emrin e Çerçiz Topullit. 

“Ardhja e aktorëve sovjetikë shënohej e vlerësohej ngjarje për banorët, të cilët i mirëpritën dhe u treguan të gatshëm të bëheshin pjesë e skenave masive; veshur luftëtarë, me fustanella, në kështjellë në çatitë e shtëpive karakteristike dhe ne betejat e improvizuara në rrugët dhe sokakët me kalldrëm të qytetit” tregohet në kujtimet e shënuara nga ato ditë

Në xhirimet e filmit “Skënderbeu” vetëm tre aktorë ishin shqiptarë, Naim Frashëri që luante Palin, Besa imami që luante Donikën dhe Adivije Alibali në rolin e Mamicës.

Premiera e filmit, njëkohësisht në Moskë e në Tiranë
Filmi do të dublohej edhe në gjuhën shqipe, ndërkohë që në premierën e filmit në Tiranë do të ishte i pranishëm edhe regjisori rus Sergej Jutkjeviç, por do të mungonte aktori kryesor, rusi që luante Skënderbeun. Arsyeja e mosardhjes së tij në Tiranë në premierën e filmit nuk u mësuan asnjëherë. Ndërkohë nga burime të kohës mësohet se aktori që ka luajtur Skënderbeun, do të vinte njëherë në Qytetin Stalin, ku për herë të parë, krejt privatisht, do të shfaqej filmi “Skënderbeu”, para premierës zyrtare. Në atë kohë në Qytetin Stalin jetonin shumë familje ruse dhe filmi u shfaq vetëm për ata dhe për asnjë shqiptar. 

Në kinema “Kosova” ku u shfaq filmi do të ishte i pranishëm dhe udhëheqësi komunist Enver Hoxha e numri 2 i udhëheqjes komuniste Mehmet Shehu. Në të njëjtën ditë filmi do të shfaqej dhe në Moskë, në një nga kinematë më të mëdha të Moskës e në ditët në vazhdim do të shfaqej gati në të gjitha kinematë e Bashkimit Sovjetik.

Ndalimi i filmit “Skënderbeu’
Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin sovjetik, filmi “Skënderbeu” do të ndalohej po nga regjimi komunist, ai regjim që e kërkoi me aq këmbëngulje që të realizohej nga kinematografia ruse. Tashmë dy qeveritë e shtetet ishin armike të njëra tjetrës. Por, shkak i ndalimit të filmit do të ishin edhe dy shqiptarë që kishin emrat në film. I pari ishte asistent/regjisori Viktor Stratobërdha dhe e dyta ishte aktorja në film, në rolin e Mamicës, Adivije Alibali. Të dy këta artistë ishin shpallur armiq të regjimit, për qëndrimet që kishin mbajtur ata apo dhe familjarët e tyre. “Mamica” në film, Adivije Alibali do të interniohej për vite të tëra nga regjimi komunist për shkak të dënimit të bashkëshortit Jusuf Alibali.

Italianët dështuan për filmin “Skënderbeu”
Edhe italianët e kanë pasur një projekt për realizimin e një filmi për Skënderbeun. Për një film të mirëfilltë me regjisor e aktorë shqiptarë e italianë. Filmi do të realizohej në vitin 1942, por për arsye të situatës në Shqipëri, Luftës që filloi kundër italianëve, nuk mundi të realizohej. 

Jehona e filmit “Skënderbeu’
Filmi “Skënderbeu” gati u kthye në simbolin e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Me shpalljen e muajit gusht si “Muaji i miqësisë shqiptaro-sovjetike” në vitin 1958, bashkë me vizitat e ndërsjella të njerëzve të artit e kulturës në Shqipëri e Bashkimin Sovjetik, filmi “Skënderbeu” u shfaq në atë muaj pothuajse në pjesën më të madhe të qyteteve e fshatrave të vendit. Edhe pse kishin kaluar 5 vjet nga shfaqja e tij për herë të parë, filmi vazhdonte të përdorej nga propaganda komuniste si filmi i miqësisë midis dy qeverive e popujve.

Në fund të gushtit filmi do të shfaqej edhe në fshatrat e lokalitetit të Vorës. Gazeta “Bashkimi” e datës 5 shtator 1958 shkruan “Ka disa ditë që në fshatrat e lokalitetit të Vorës ka shkuar autokinemaja dhe po shfaqen filma për fshatarët. Një interesim të madh po tregojnë fshatarët për filmin artistik “Skënderbeu”, i cili është shfaqur gjer tashti në fshatrat Gjeç-Kodër, Gjeç-fushë dhe Palaq… Fshatarët mbetën shumë të kënaqur dhe shprehën mirënjohjen e tyre të thellë mbi Bashkimin Sovjetik për këtë realizim të shkëlqyer të kinematografisë sovjetike që përjetëson përpjekjet dhe luftërat legjendare të popullit tonë për liri…”

Kinoaktorët sovjetikë në Qytetin Stalin
Që nga realizimi i filmit “Skënderbeu’ dhe krijimi i një Qendre të përbashkët të filmit, shumë aktorë sovjetikë e njerëz të artit, do ta vizitonin në vitet në vazhdim deri në shkëputjen e marrëdhënieve midis dy qeverive. Në muajin e miqësisë të organizuar me aktivitete të shumta në të gjithë vendin, në gusht të vitit 1958, në Tiranë do të mbërrinin edhe kinoaktorët sovjetikë Boris Andrejev dhe Zinaida Kirienko, të cilët u pritën në Tiranë dhe nga udhëheqësit më të lartë komunistë. Pas mbërritjes në Tiranë dy aktorët sovjetikë do të vizitonin edhe disa qytete të vendit si Durrësin, Korçën, Vlorën e Qytetin Stalin. Qyteti i naftëtarëve që udhëheqësit komunist i kishin vendosur emrin e udhëheqësit Stalin, ishte qyteti më i preferuar nga sovjetikët që vizitonin Shqipërinë, pasi aty jetonin e punonin një numër i madh shtetasish sovjetikë. Në kinemanë verore “18 Tetori” do të organizohej një takim i zgjeruar me aktorët sovjetikë. Në fjalën e tij, Boris Andrejev do të shprehej ndër të tjera: “Jam shumë i gëzuar që takohem me punonjësit e naftës. Ky është fryt i miqësisë i vendosur për jetë të jetës midis të dy vendeve tona nga partitë tona marksiste-leniniste”. Të dy aktorët flotën dhe për rolet e tyre në shumë filma, ndërkohë që për të pranishmit u shfaq filmi i ri sovjetik “Ilia Muromec” ku rolin kryesor e interpretonte Boris Andrejev.

“Furtuna” shqiptaro – sovjetike.
1959
Regjia : Juri Ozerov, Kristaq Dhamo
Skenari : Fatmir Gjata, Juri Ozerov, Llazar Siliqi
Producent : Shqipëria e re
Muzika: G. Popov, Çesk Zadeja
Interpretojnë
Naim Frashëri (aktor)… Qemali
Mario Ashiku… Arbeni
Ariadna Shengelaya… Zana
Pjetër Gjoka… Rrapo
Lazër Filipi… Demiri
Vangjel Heba… Vasili
Filika Dimo… Shpresa
Nikolai Grishenko… Kolonel Perkins
Anatoli Kuznetsov… major Andrejev
Ilia Shyti… Abazi
Loro Kovaçi …
Sulejman Pitarka…Estrefi
Mikail Popi…
Seit Boshnjaku…
Kadri Roshi … Kapteri
Ndrek Luca …
Liza Vorfi…

Në ditët e para të marsit të vitit 1959, do të nisnin xhirimet për filmin e ri shqiptaro-rus “Furtuna” Xhirimet e para të filmit që ishin skena dimri do të nisnin në malet e fshatit Bogë të Shkodrës. në këtë film marrin pjesë aktorët kineastë sovjetikë Ariadna Shëngëllaja që atë vit do të mbaronte Institutin Shtetëror të Artit Kinematografik të Moskës dhe që kishte interpretuar rolin e Tatianës në filmin “Evgjen Onjegin”. Në filmin e ri, bashkëpunim shqiptaro-sovjetik ajo do të luante rolin e Zanës, heroinës së filmit. Bashkë me aktoren e re mrrte pjesë dhe Griçenko, të cilin spektatori shqiptar i atyre viteve e kishte parë në filmin sovjetik “Dy motrat” në rolin e Rroshinit. Në filmin “Furtuna” ai do të luante rolin e oficerit britanik, ndërkohë që rolin e oficerit të misionit sovjetik do ta luante Kuznjecov. nga ana shqiptare në film marrin pjesë aktorët e Teatrit Popullor të kohës si Naim Frashëri në rolin e Hajdarit, udhëheqës i partisë në qytetin ku zhvillohen ngjarjet, dhe gjatë xhirimit të episodeve të dimrit, si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm, Pjetër Gjoka në rolin e Rrapos, komandanti fshatar i batalionit, Llazër Filipi në rolin e fshatarit Demir, Sulejman Pitarka në rolin e ideologut të Ballit Kombëtar Eshref beut, Loro Kovaçi në rolin e Xhavit agës, drejtues ushtarak i Ballit, Liza Vorfi në rolin e një gruaje fshatare të varfër, e cila strehon Hajdarin e plagosur dhe nuk e tregon, megjithëse i marrin vajzën e vetme, Mihal Popi në rolin e gjeneralit fashist italian Luçiano. Nga teatri “Aleksandër Moisiu” luajtën në film Valngjel Heba në rolin e Vasilit, djalit të shkathët gazmor e trim që vritet për të shpëtuar shokët lart në mal dhe Nikolin Xhoja në rolin e një fashisti italian. Në rolin e Arbenit, një nga personazhet kryesorë të filmit, është përzgjedhur të luajë student i Institutit të Lartë të Fizkulturës, Mario Ashiku dhe në rolin e Shpresës, e dashura e Vasilit është përzgjedhur studentja e Institutit Pedagogjik dyvjeçar të Shkodrës, Filika Dimo. filmi ka filluar me xhirimet e skenave masive të Operacionit të Dimrit, ku janë angazhuar populli i krahinës dhe reparte të Ushtrisë Popullore, që po japin një ndihmë të madhe në përgatitjen e skenave masive. Grupi i xhirimit po punon pa ndërprerje, sepse skenat masive të Operacionit të Dimrit duhet të përfundojnë brenda muajit mars.

Reagimi i banorëve të malësisë të Bogës
Fshati Bogë është një fshat i thellë malor në rrethin e Shkodrës. Në muajt e dimrit mbulohet nga dëbora, e cila nuk shkrin as në muajin gusht, por dhe në verë është freskët dhe një vend i mirë për pushime. Banorët e kësaj zone ishin mësuar të shihnin banorë nga Shkodra e Shqipëria që të vinin këtyre anëve, për punë e pushime, por do të mbeteshin të habitur në ditët e fundit të shkurtit e fillimit të marsit. Malësorët panë diçka që i çuditi: Makina të mëdha, vinça, ushtarë e shumë gjëra të tjera. Ato e vendosën qendrën e tyre në shpellën e Përroit të Thatë. Numri i njerëzve që u vendosën aty ishte i madh; shqiptarë e rusë së bashku, të cilët e gjallëruan zonën e heshtur.
Malësorët u afroheshin këtyre njerëzve, dëgjonin prej tyre mbi betejat e luftës që do zhvilloheshin në zonë e çuditeshin. Kjo ndodhte për herë të parë në Bogë.

Beteja nisi…
Natyra është e ashpër. V. Sukharevski, pirotekniku i palodhur, së bashku me ndihmësin e tij, Skënderin, krijojnë një atmosferë të rëndë, tym dhe zjarr. Njeriu e ndjen se po jeton vërtet në atmosferë e mjedis lufte. Prozhektorët e fuqishëm ndrisin fytyrat e luftëtarëve, krisin armët. Njeriu që ndodhet aty sheh shkreptima zjarri: dy hitlerianë bien nga një shkëmb, një partizan plagoset më tej…Luftë!

Në mes të skenave është Poljanovi, i cili ndjek dhe xhiron me kujdes të gjitha këto skena. Ai është operatori i parë dhe nga puna e tij varet në një masë të madhe suksesi i filmit. 

Në xhirimet e skenave të luftës janë të angazhuar dhe njerëz që kanë marrë pjesë në luftëra të vërteta, siç është kolonel Lefter Kasneci, i cili iu tregon njerëzve të përfshirë në film e në skenat e luftës, taktikat e luftës dhe ndihmon për të pasqyruar sa më mirë të vërtetën historike. Por edhe disa prej artistëve që luajnë në rolet kryesore, si aktori i mirënjohur Naim Frashëri, kanë qenë pjesëmarrës në çetat partizane dhe tani që ndodhen para aparatit të xhirimit, japin maksimumin që të interpretojnë sa më bukur dhe realisht rolin e komandantëve e luftërave.

Detyra e regjisorit rus, Ozerov
Filmohet natën edhe ditën, pa pushim, me seriozitet, por edhe me këngë në orarin e pushimit, kur njerëzit ulen për të ngrënë. Regjisori rus i filmit, Ozerov është kërkues dhe gjakftohtë, duke kërkuar vazhdimisht më të mirën në skenat që xhirohen. Ai ndjek me vëmendje çdo gjë dhe jep udhëzimet e nevojshme. Në disa raste këshillohet dhe me regjisorin e ri Kristaq Dhamo dhe me Fatmir Gjatën që është një nga autorët e skenarit. Për regjisorin rus ka shumë punë, sepse nga njëra anë duhet të punojë për filmin dhe nga ana tjetër duhet të ndihmojë shqiptarët për kualifikimin e tyre në fushën e kinematografisë. 
Sigal