Dosier/ Kryengritja e Fierit

1532
Sigal




Si u ngritën zonat e Jugut në 1935-n kundër shtypjes dhe varfërisë duke luftuar me armë në dorë për liritë e tyre. Vrasja e Kryegardistit të Zogut dhe terrori në Mallakastër

ARKIVA E DËSHMI/ Më 14 gusht të vitit 1935, mijëra banorë luftuan me armë për liritë e tyre

Përvjetori i 77-të i “Kryengritjes së Fierit” kundër shtypjes dhe varfërisë

Me urdhër të Ahmet Zogut, u varën, pushkatuan dhe dënuan 2000 mallakastriotë

Bardhyl HAZIZAJ

 

Fshatarësia e Mallakastrës e urrente regjimin dhe pushtetin shtypës të Ahmet Zogut. Ajo nuk qe pajtuar me të akoma pa ardhur në pushtet, edhe kur u bë Kryeministër, President dhe me vonë kur u vetë shpall mbret. Krahina e Mallakastrës, për shkak të pozicionit gjeografik, ku ndodhet dhe sistemit të kodrave të ëmbla, është e pasur në bujqësi, blegtori, frutikulturë, veçanërisht në ullinj dhe me burime nëntokësore gazi dhe nafte. Edhe pse natyra e ka favorizuar t’i kishte këto pasuri, fshatari mallakastriot varfërohej nga viti në vit nga taksat e larta e të shumta, nga gjobat, ryshfetet, sjelljet e këqija e të padurueshme të nëpunëseve, kryeplakut, administratorëve në komuna, e deri tek prefekti, gjykatësi, prokurorët, avokatët, të cilët me sjelljet e tyre mbillnin urrejtje në masën e fshatarëve. Më e theksuar kjo urrejtje bëhej tek fshatari i varfër dhe i mesëm. Taksat bëheshin më të rënda kur kishte prodhim të pakët nga kushtet e këqija të motit, thatësira, dimri i ashpër, apo vitet me prodhim të ulët. Toka punohej me parmendë, nuk njiheshin plehra kimike, shërbimet e mbrojtjes së bimëve, shërbimi zooteknik, e shëndetësor. Kur vinte koha për vjeljen e taksës, taksidari i merrte fshatarit edhe enët e shtëpisë, “bakëret”, siç quheshin në atë kohë, ku përfshiheshin tigani, kusitë, gjymat, jamaket etj. Regjimi ia merrte me zor fshatarit taksën nëpërmjet ushtrimit të dhunës me xhandarë e policë. Djemtë e mallakastriotëve, veçanërisht ata të fukarasë, shërbenin në ushtri mbi dy vjet nën kërcënimin e kamxhikut pa mbrojtje nga ligjet e shtetit, ku diskriminohej si qenie njerëzore. Ushtari përdorej si shërbëtor, ordinancë e oficerit, duke e kthyer në një hyzmeqar me uniformë, me një trajtim të përbuzur e nënvleftësues. Në ushtri djemtë nuk mësonin asnjë zanat, nuk mësonin shkrim e këndim dhe trajtoheshin në mënyrë çnjerëzore. Qeveritarët e regjimit nuk merreshin me hallet e popullit, por shfrytëzonin fukarallëkun e mizërie, duke futur njerëzit në grindje, ne mosmarrëveshje për probleme të ndryshme shoqërore me qëllim që të nxirrnin përfitime nga kjo situatë. Korrupsioni ishte shtruar këmbëkryq. Ndërsa në marrëdhënie me qeverinë, fshatarët nuk i zgjidhnin dot problemet me ligj. Në mirëkuptim me njëri- tjetrin ata merreshin vesh shumë mirë dhe i zgjidhnin vetë hallet e mosmarrëveshjet… Kjo gjë binte në sy të keq tek qeveritarët, të cilët donin t’i kishin të përçarë njerëzit. Ky mirëkuptim kishte bërë që në krahinën e Mallakastrës të mos kishte gjakmarrje… Qeveria për mallakastriotin ishte një e barrë e keqe, që vetëm i pinte gjakun si shushunjë dhe nuk bënte investime. Prandaj populli rrëmbeu armët…

ANTIZOGIZMI NË MALLAKASTËR

Le t’i referohemi dokumenteve zyrtare, por dhe dëshmitarëve okularë

Në “Peticionin” e vitit 1925 kur Ahmet Zogu u bë Kryeministër, fshatarësia e Mallakastrës, në kuvendin masiv të saj, nuk e miratoi qeverisjen e tij. Kjo, jo për arsye personale, por duke u mbështetur në faktin se në ç’mënyrë dhe me mbështetje të kujt erdhi ne fuqi Zogu. Ai erdhi në pushtet me ndihmën e forcave ruse, serbe, bjellogradiste, ku si shpërblim, ai u dha një pjesë të trojeve shqiptare duke e reduktuar edhe më shumë trungun e Shqipërisë, duke e sjellë deri në 28 mijë k/m2 nga 76 mijë k/m2 që kishte qenë deri në vitin 1912. Ky peticion u firmos nga përfaqësues të fshatarëve mallakstriot si: Halim Hamit Hekali, Durke Harun Belishova etj. Urrejtja e shprehur në Peticion bëri që administrata e Zogut të hakmerrej ndaj mallakastriotëve, duke caktuar nëpunës nga krahina të tjera, të besuar të regjimit të Zogut, shërbëtorë besnik e agjentë të regjimit. Në Mallakastër nuk u bë asnjë investim nga Zogu… Teki Selenica në librin e tij “Shqipëria në vitin 1927” shkruan: ‘Mallakastra me një popullsi prej 18.854 banorë përmbledh 55 katunde. Qendra e krahinës është Ballshi, e cila përmbledh 35 katunde me 13.769 banorë dhe krahina e Cakranit ka 20 katunde me 5085 banorë. Mallakastra ka 3402 shtëpi, 8570 ha tokë të mbjellë me drithë, 40 ha të mbjellë me vreshta, 125 ha kopshte. Sipërfaqen më të madhe të tokës e zinte ulliri që përbënte 1/7 e sipërfaqes së ullirit në shkallë vendi. Ka 14.763 ha tokë të punueshme 10,578 ha kullote 29.845 ha mal e pyll. Mallakastra ka 31 nëpunës, 2 oficerë policie, 6 nënoficerë dhe 25 xhandarë. Zogut nuk u ngriti as shkolla, as spitale, as kopshte, as çerdhe, as rrugë. Edhe rrugën nacionale Ballsh-Tepelenë e bëri me punë angari, me punë të detyrueshme nga fshatarët e pabindur. Edhe rrugën Koshovicë -Cakran e bëri me punë të detyruar e punë agari… U vodhën jo vetëm mjetet financiare, por dhe veglat e punës… Punët filloheshin dhe me vite të tëra nuk përfundonin, rrogat e punëtorëve nuk jepeshin në kohë nga pagatorët, vjedhja e fondeve bëhej në mënyrë të tillë sa që kur pyeteshin se ku shkuan paratë, të gjithë ngrinin supet me ironinë e tyre te zakonshme”.

AgfaPhoto

VRASJA E KRYEGARDISTIT

Kjo shtypje e ky shfrytëzim e çoi popullin e Mallakastrës ne revoltë… Diskriminimi i popullit bëhej publikisht dhe arriti deri atje sa xhandari u drejtohej fshatarëve: “E mor mender popull!” dhe kudo që shkonte u tundte kamxhikun e shkopin para hundës së njerëzve. Gushëkuqët (siç u thoshin fshatarët xhandarëve të Zogut), ishin bërë të padurueshëm… Faktorët që çuan në shpërthimin e Kryengritjes së Fierit kanë qenë të shumtë. Një gjë u duk qartë, se me këtë, populli vrau frikën, por njëkohësisht u bë edhe ndarja e atyre që bashkëpunonin në fshehtësi me Zogun, ata që punonin hapur dhe të tjerët që u vunë në shërbim të agjenturave të huaja… Dikush u lidh me fashizmin italian. Qeveria e Zogut kishte rënë në gjurmët e kryengritjes, por nuk dinte momentin se kur do të fillonte.

Kështu, më 14 gusht 1935, në orët e para të mëngjesit, vjen rastësisht gjenerali kroat Gilardi, Komandant i Gardës, besnik i Zogut, me shoqëruesin e tij dropullit me emrin Goga… Krerët e kryengritjes së Fierit, dyshonin se Gilardi kishte ardhur apostafat për të shtypur revoltën. Shtabi kryengritës nuk kishte njoftim për ardhjen e Gilardit, dhe në këtë situatë, ata vepruan me shpejtësi duke vrarë në vend Gilardin dhe shoqëruesin e tij Goga. Pas vrasjes, u sqarua se gjenerali kishte ardhur për ekskursion në Manastirin e Pojanit. Në këto kushte, kryengritja filloi para kohe.

KRYENGRITJA

Shtabi i Forcave të grumbulluara në Fier dha urdhrin për të filluar marshimin me mjetet që kishin, kush me këmbë e kush me kalë, dhe duke shpartalluar forcat qeveritare në të gjithë gjatësinë e rrugës Fier-Lushnje, në orët e mbrëmjes u futën në qytetin e Lushnjes. Kryengritja filloi menjëherë me rreth 2 mije vetë që ndodheshin aty. Në ecje e sipër, me ta u bashkuan dhe mijëra të tjerë. Disa që u gjenden në Fier për pazar, të tjerë erdhën me shpejtësi sa e morën vesh. Me ato pak armë të vjetra që kishin dhe duke u bashkuar me ta edhe komanda e xhandarmërisë së Fierit, e cila ndihmoi me armatosjen e popullit me ato pak armë që kishte, me dy oficerë. Një pjesë e xhandarëve u vunë në ballë të çetave kryengritëse me në krye Mustafa Kaçaçin. Shtabi i kryengritjes për Fierin përbëhej nga Zenel Hekali, Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Bektash Cakrani, Hekuran Maneku, Kol Çekrezi e të tjerë. Pritej të vinte Riza Cerova me forcat e Skraparit, por ai nuk mundi të vinte pasi u bllokua në Berat nga forcat zogiste. Kështu që shtabi vendosi të sulmojë qytetin e Lushnjës. Këtu ato u ndeshen me forcat e ushtrisë e xhandarmërisë, të ardhura nga Tirana dhe zhvilluan luftime deri në orën 04:00 të mëngjesit të datës 15 gusht 1935. Në këto kushte, shtabi i kryengritjes në Fier tentoi të lidhej me qytetet e tjera, veçanërisht me atë të Beratit. Por kur komandanti i shtabit Zenel Hekali mori në telefon Beratin, pasi mendonte se Riza Cerova e kishte marrë Beratin, në vend të Riza Cerovës në telefon i del Prefekti i Beratit. Ja ç’thotë në kujtimet e veta Zenel Hekali: “Kur mora në telefon Beratin për të komunikuar me ndonjë nga krerët e kryengritjes, sipas parullës, dëgjova zërin e prefektit Qazim Bodinaku, i cili më njohu menjëherë nga zëri dhe me tha: “Këtë radhë jo vetëm do ta thyej edhe këmbën tjetër (Zenel Hekali çalonte në njërën këmbë), por do të pres edhe kokën njëherë e mirë”. Në këto kushte, kur mësuam se kryengritja nuk kishte filluar në asnjë qytet tjetër, siç kujton Zeneli, u detyruam të japim urdhër për tërheqje duke u kthyer prapë në Fier. “Me datën 16 gusht 1935 zhvilluam luftime të ashpra duke iu rezistuar forcave qeveritare dhe nuk lejuam të depërtonin në Fier. Kur pamë se presioni po rritej si rezultat i ardhjes së forcave të freskëta nga Tirana, u detyruam t’u japim urdhër kryengritësve të shpërndahen. Disa nga krerët i porositëm të mos dorëzohen, por të dalin ilegalë, komitë, ose të largoheshin jashtë vendit. Unë bashkë me Kol Çekrezin dhe tre të tjerë, u tërhoqëm drejt Karavastasë. Për koincidencë, në bregdet gjetëm një anije italiane që transportonte dru nga Durrësi për në Itali. E paguam dhe, më 18 gusht në mbrëmje, zbritëm në brigjet italiane në Brindizi. Karabinieria italiane na arrestoi e na burgosi duke mos pranuar kërkesën tonë për strehim politik… Disa krerë të tjerë si: Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Bektash Cakrani, Hekuran Maneku ,Jakov Mile, Dano Malo Meçaj e shumë të tjerë ranë në duart e forcave të operacionit zogist.

HAKMARRJA

Qeveria mbretërore dërgoi për shtypjen e kryengritjes 3 batalione, 350-400 xhandarë veç agjenturës. Komandant i operacionit u emërua njeriu i besuar dhe besnik i Zogut (shok shkolle) Nënkolonel Hysni Toska. Vëllai i tij Isa Toska, që gjoja ishte komit kundër Zogut, me bandën e tij vriste, digjte, grabiste zonën e Mallakastrës, ku vetëm në fshatin Vreshtaz në Komunën e Cakranit dogji të gjallë në furrën e bukës 13 fshatarë. Më vonë u bë bashkëpunëtor me fashizmin e nazizmin. Njeri vëlla me qeverinë vriste popullin, tjetri kundra qeverisë, por që vriste, e grabiste popullin. Hysniu, sipas urdhrit që mori, shtypi kryengritjen brenda dy javëve duke arrestuar e çuar në burg mbi 2 mijë vetë midis tyre edhe njerëz që nuk kishin dijeni fare për kryengritjen. Pas shtypjes së kryengritjes, pa mbërritur në Tiranë, Hysni Toska gradohet Kolonel, i bëhen lavdërime, i jepen shpërblime e dekorata nga Zogu. Në shtypjen e kryengritjes pati shumë të vrarë e të plagosur por censura nuk lejoi që të jepeshin emrat. U publikuan vetëm ata që dolën para gjyqit ushtarak .

GJYQI USHTARAK

Operacionin e shtypjes së kryengritjes e drejtoi Hysni Toska nga Luari, gjyqin ushtarak e drejtoi një besnik tjetër i familjes mbretërore, Ali Riza Topalli, njëri me duar të lyera me gjakun e popullit. Si Ali Rizai dhe Hysni Toska kishin kompetenca të jashtëzakonshme për shtypjen e kryengritjes së Fierit, dhe kishin miratimin e Mbretit për çdo gjë. Vendimet e tyre nuk mund të apeloheshin. Sa për idetë komuniste, akuzë me të cilën u dënuan në këtë gjyq, ishte një farsë për të frikësuar e të pritej rruga përhapjes së ideve komuniste në Shqipëri. Sa zbriti në Fier, Ali Rizai deklaroi me pompozitet e duke kërcënuar se për çdo gjë kishte miratimin e Mbretit. Ai përdori dhunë ndaj të burgosurve, duke i torturuar, me vezë të nxehta në sqetull, heqjen e thonjve, rrahje me kondak të pushkës, dhënien e vajit të ricinit me tubë në stomak, etj… Ali Rizai arrestoi mbi 2 mijë vetë. Nga këta 900 vetë i kaluan hetuesisë pasi kishin bërë tre deri në gjashtë muaj tortura në hetuesi. Nga të dhënat arkivore, nga të 900 të dënuar, vetëm nga fshati Cakran ishin 71 vetë, nga Hekali 76 vetë. Nga gjithë fshatrat e Mallakastrës, ku të dënuar me listë janë 810 vetë dhe 90 vetë nga Myzeqeja e krahina të tjera. Studiuesi Ismet Elezi në revistën “Drejtësia Popullore”, 1972 në shkrimin “Lëvizja e Fierit 14 gusht 1935 jep këto të dhëna”: Mbi 2 mijë të arrestuar. Mbi 533 vetë kaluan në Gjykatën Ushtarake, mbi 51 vetë të dënuar me vdekje… dhe me poshtë thekson se bashkë me Giraldin u vra edhe ordinanca e tij Goga nga Kakavija e Dropullit. Dënimet e dhëna nga gjykata janë jo më pak se një vit, e deri tek dënimet me 101, me varje, me pushkatim. Me varje u dënua Hekuran Maneku nga Margëlliçi, ish-oficer në Qeverinë e Vlorës, 1912, i cili kishte luftuar kundër serbeve dhe ishte plagosur, u dënua me vdekje nga bandat e Musa Qazimit e Haxhi Qamilit. Hekurani ishte një ndër patriotët e rrallë në krahinën e Mallakastrës. Me vdekje u dënua Zenel Hekali, Jashar Cakrani, Namik Cakrani, Baktash Cakrani, Dano Malo Mecaj, Adem Nexhipi, Kovaç Caushi, Jonuz Dule, Sapedin Avdiu,Jonuz Rystemi, Doktor Konstandin Kallogjeri, Isuf Hoxha nga Rreresi, Dino Zyka Hekali, Sulo Ismail Klosi, Jakov Naun Milo, Zeqir Tahir Agai i Rreresit, Beqir Nuredin Agai I Rreresit, Fehmi Zyberi Boçova, Ibrahim Ismaili Boçova, Tafil Kanani Boçova, Selim Maliqi Boçova, Ferid Tahiri, Muhamet Halit Xhafa, Halil Maksuti Margelliçi, Taqi Bozo, Qamil Sul Gega Ndermenas, Medin Neimi, Sotir Bitri etj.. Dënimet me varje ose pushkatim nuk u kryen për shkak të presionit ndërkombëtar mbi monarkinë dhe si pasojë e grevave të punëtorëve në Itali e vende të tjera. Dënimi u ul nga pushkatim në 101 vjet burg. Kështu më 101 vjet u dënuan 46 vetë dhe me 20 vjet e lart, u dënuan 150 vetë. Pjesa tjetër u dënua me gjobë.

DJALLËZITË E AHMET ZOGUT

Zogu bëri çmos për t’u pajtuar me Mallakastrën, por nuk ja arriti dot. Ai nuk la gjë pa përdorur për afrimin me Mallakastrën. Më 28 nëntor 1937 shpalli ‘Dëshmor të Kombit’ mallakastriotët Ismail Klosin dhe Hajredin Fratarin, me një propagandë të menduar mirë dhe hapi zëra se duhen sheshuar mosmarrëveshjet me Mallakastrën. Bëri shumë falje, uli dënime dhe liroi një numër të burgosurish, pjesëmarrës në Kryengritjen e Fierit. Ai u ofroi disa poste parisë mallakastriote, duke i joshur e duke i vënë njërin kundër tjetrit. Kështu p.sh, në vend të ministrit të Mbrojtjes që shkarkoi (Mustafa Aranitasin) vendosi Xhemal Aranitasin. Mustafa Aranitasi, edhe pse e kishte shok Zogun nuk ju nënshtrua verbërisht regjimit siç bënë në fillim Xhemal Aranitasi e Hysni Toska. Mustafa Aranitasi, edhe pse u bë Ministër i Mbrojtjes, kur u vra Avni Rustemi, iu kundërvu Zogut. Pa marrë aprovimin e Zogut i jep urdhër ushtrisë të mbajë tre dite zi kombëtare për të nderuar Avni Rustemin dhe e cilësoi atë “Hero Kombëtar”. Si kundërpeshë, Zogu, afroi dhe bëri deputetë njerëz si: Bektash Haxhi Çorrushin e Kamber Belishovën. Duke shfrytëzuar marrëdhëniet e prishura të Bektash Cakranit me Hysni Toskën, ai rriti në detyrë Hysni Toskën duke e bërë Kryeinspektor të ushtrisë dhe i besoi shtypjen e kryengritjes së Fierit, me cilësinë e Komandantit të Operacionit.