Dosier/ Dritëhijet e zbuluesit shqiptar në Moskë

1652
Leonard VEIZI

KGB, një pastruese për të nxjerrë sekretet e ambasadës shqiptare 
Rrëfimi i Idris Shehit, ish-kuadër i lartë i shërbimit Diplomatik Shqiptar
Duhej të ishe i kujdesshëm në çdo çast, të shihje 180 gradë përpara dhe të ndjeje gjithçka ndodhte pas teje. Këtë mund ta bënte një njeri që i kishte kaluar të gjitha testet se Akademisë së famshme ruse: “Feliks Edmundoviç Xherxhinski”. E pra, ai i kishte marrë shkëlqyeshëm të gjitha provimet në Institutin e Zbulimit Politik të kësaj Akademie dhe padyshim Ministria e Brendshme Shqiptare e kishte futur në rrethin e atyre njerëzve të aftë, të cilët ishin në gjendje ta kryenin detyrën edhe krejt të vetëm, në një vend ku nuk fliste më njeri shqip. Ndaj dhe për këtë mision të rëndësishëm u zgjodh vetëm ai…
Tanimë ai i ka kaluar të tetëdhjetat, por duket se kjo moshë e hedhur në shifër nuk ka shumë rëndësi për të. Përveç shëndetit, ai vazhdon të ketë të njëjtën gjatësi dhe për më tepër të njëjtën energji të admirueshme, si shumë vite më parë. Mëngjesin e çdo dite ai ngjit me shkathtësi 56 shkallë për të mbërritur në katin e pestë të ndërtesës, ku janë vendosura zyrat e Komitetit Kombëtare të Veteranëve të LANÇ-it. Pastaj mund të zbresë dhe të ngjitet sa herë t’ia dojë puna dhe nuk përton. Ky është Idris Shehi, një ish- ushtarak i lartë dhe diplomat karriere, i cili për gazetën “Telegraf” rrëfen misionin e tij në Moskë, pas tërheqjes së ambasadorit tonë prej andej dhe 735 ditët e shërbimit të tij në godinën e ambasadës shqiptare.
Si do të niste odiseja e misionit tuaj në Moskë, në një kohë kur të gjithë shqiptarët ishin larguar prej saj?
Në atë kohë shërbeja në Sarandë, në detyrën e zëvendëskomandantit për zbulimin në Brigadën e kufirit në Sarandë. Ishte dhjetor i vitit 1961. Kisha mbaruar një inspektim në zonën kufitare dhe sapo isha futur në zyrë kur bie telefoni. Menjëherë njoha zërin e ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiut. Pasi më përshëndeti më komunikoi urdhrin që duhej të nisesha sa më shpejt për Tiranë, pasi do të caktohesha në një detyrë të re. Me vete duhet të merrja gruan dhe fëmijët, pasi në Sarandë nuk do të kthehesha më. 
Si e ndjetë veten pas këtij komunikimi?
U befasova, por dukej se bëhej fjalë për një detyrë të rëndësishme, sepse urdhrin po ma jepte vetë ministri. Por, ndërkohë isha i shqetësuar, sepse unë kisha katër fëmijë dhe halli se si do t’i rregullonim ata në një lëvizje kaq të beftë ishte i madh.
Cila ishte detyra që do t’ju ngarkonin?
Të nisesha për në Bashkimin Sovjetik. Isha caktuar përgjegjës i grupit që do të siguronim ndërtesën e ambasadës sonë në Moskë dhe gjithçka kishte brenda saj. Atje do të qëndroja për një kohë të pacaktuar. Këtë njoftim ma dha vetë Kadri Hazbiu, i cili më priti në zyrën e tij. Prej tij mësova se personeli i fundit i ambasadës tonë në Moskë duhej të kthehej në orët e para të asaj dite me avion. Në kthim për në Moskë, me atë avion do të udhëtoja unë me familjen, gruan dhe vajzën 6-muajsh. Tre të tjetër do të rregulloheshin në Tiranë.
Të la ndonjë porosi të veçantë Kadri Hazbiu?
Më tha që ishte detyrë e vështirë dhe e rrezikshme. “Duhet ta dish se situata në Moskë ka ndryshuar dhe është kundër nesh. Atje mund të ketë provokacione dhe shantazhe, madje dhe joshje, por ne të kemi përzgjedhur ty si kuadër trim e të devotshëm për atdheun. Ju atje do të paraqiteni si “teknikë”. Në këtë çast ra telefoni dhe Kadriu u ngrit në këmbë duke folur: “Po shoku Mehmet, ka ardhur. Po flas me të për detyrat që e presin atje”. Atëherë e kuptova se sa i rëndësishëm ishte misioni që po më ngarkonin, sepse po interesohej dhe kryeministri Mehmet Shehu.
Cila ishte situata në Moskën e atyre ditëve?
Moska në atë kohë ishte një qytet gjigant, me rreth 10 milionë banorë. Ndërtesa e ambasadës sonë ishte në zonën veri-lindore të Moskës. Ishte një godinë tre-katëshe me oborr të madh të rrethuar me kangjella. Ajo ishte ndërtesë e re e bërë enkas për ambasadën shqiptare. Nga biseda që zhvillova më shokët në ambasadë, mësova për qëndrimet që mbaheshin ndaj shqiptarëve dhe për provokacionet që priteshin të bëheshin ndaj nesh. Në atë ndërtesë ishim vetëm tre punonjës, unë, llogaritari i ambasadës dhe shoferi, i cili më pas do të zëvendësohej nga një oficer i Ministrisë së Brendshme. 
A flitej për shqiptarët në një qytet-shtet prej 10 milionë banorësh?
Në fakt propaganda kishte folur keq për ne. Jo vetëm që Shqipëria kishte tradhtuar, por se vetë shqiptarët ishin në një krizë të madhe ekonomike e se po vuanin për bukën e gojës. Shumë njerëz që na takonin na i përcillnin këtë shqetësim të propagandës sovjetike. Madje një vajzë ruse, me të cilën isha njohur që kur isha student, e cila quhej Ludmilla, kur e takova më tha: “Gazetat shkruajnë vazhdimisht keq për ju, por me sa kuptoj unë këtu njerëzit nuk iu besojnë shumë, sepse megjithëse flitet se do na sillnin parajsën, gjendja ekonomike sa vjen dhe përkeqësohet. Për vete kanë siguruar rroga të majme dhe mirëqenie, por për ne njerëzit e thjeshtë nuk mendon njeri”. Ndërsa bashkëshorti i Ludmillës tha: “Po si do të rregullohet gjendja jonë. Duke banuar në të njëjtën dhomë dy çifte të sapomartuarish, siç jetojmë ne të dy dhe vëllai im me nusen e vet?” Në këto kushte kam takuar dhe disa rusë të tjerë që ishin në pritje të komunizmit që do t’u sillte Hrushovi.
Sa survejohej personeli i mbetur i ambasadës?
Çdo ditë e më tepër e ndjenim se kontrolli dhe survejimi ndaj nesh bëhej gjithnjë e më i kujdesshëm. Rastet ishin të përditshme dhe nga më të ndryshmet. Sapo dilnim jashtë mureve të ndërtesës sonë, ia behnin “miqtë”, herë dy e herë tre, por asnjëherë një i vetëm dhe gjithmonë të veshur civilë. Për të qenë i sinqertë, në fillim kjo na krijonte shqetësim dhe bezdisje të padurueshme. Nuk e kuptonim se përse gjithë ky gjurmim, në një kohë që ne tregoheshim shumë korrekt në sjellje dhe veprimet tona.
Po punonjës rus kishit në ambasadë?
Kishte mbetur vetëm Ludia, pastruesja. Prej kohësh futej lirisht në ndërtesën tonë. Ç’është e vërteta ajo prej shumë kohësh punonte pranë ambasadës sonë në Moskë. Në kushtet e reja, ne menduam që ajo të mos punonte më në ndërtesë. Pastrimin do ta bënin gratë tona. E thirrëm Ludian dhe ia komunikuam vendimin. Ajo sapo e dëgjoi këtë gjë u inatos dhe na tha se nuk do të largohej nga ndërtesa pa bërë pastrimin e oborrit nga gjethet e pemëve. Ajo erdhi dhe të nesërmen dhe kërkoi të hynte në ndërtesë, por ne atëherë i komunikuam pushimin nga puna. Ludia u inatos akoma më keq dhe nuk la fjalë pa përdorur kundër nesh në formë proteste dhe kërcënimi. Më pas u largua. Një ditë më vonë në ndërtesën tonë u paraqit një punonjës i shërbimit diplomatik së bashku me të shoqin e Ludias dhe kërkuan falje për sjelljen e saj Edhe ajo vetë erdhi e kërkoi falje. Në këto kushte ne pranuam që Ludia të vazhdonte punë vetëm në oborrin e ndërtesës. Ishim të bindur, se ajo kërkoi të na kërcënonte që ne ta linim të livadhiste dhe të bënte më mirë detyrën që i kishte ngarkuar KGB-ja, pra të survejonte gjithçka thoshim e bënin ne. Kështu që derisa e larguam përfundimisht ne ishim të rezervuar në prani të saj.
A kishte kontingjent tjetër shqiptarësh që studionin në Bashkimin Sovjetik?
Në kohën e prishjes së marrëdhënieve mes dy vendeve tona, në BS vazhdonin studimet shumë studentë shqiptarë. Ata mund t’i gjeje në Moskë, Leningrad, Kiev, Baku, Odesa, Riga, etj. ku ndiqnin, jo vetëm shkolla ushtarake, por dhe universitete të tjera. Pas prishjes së marrëdhënieve, të gjithë shqiptarët i ndërprenë studimet dhe u kthyen në Atdhe. Por ndonëse fare të pakta si raste, dikush nuk u kthye dhe mbeti në Bashkimin Sovjetik. I tillë ishte dhe V. K. i cili megjithëse nga një familje e mirë kishte refuzuar të kthehet në Shqipëri. Ai mbeti atje si një dezertor duke e tradhtuar vendin e vet në një çast të vështirë dhe duke e vënë veten në shërbim të sovjetikëve. Pikërisht ky njeri, ishte paraqitur një ditë në ambasadën kineze në Moskë, ku kishte kërkuar me këmbëngulje të mbahej aty e t’i jepej mundësia të kthehej në Shqipëri, se gjoja ishte penduar për aktin që kishte kryer.
Si u vepruan me të?
Kinezët e kishin vendosur në një dhomë derisa të merreshin vesh me Pekinin. Të mos harrojmë në në atë kohë, marrëdhëniet Shqipëri-Kinë ishin në lulëzimin e tyre. Në zyrën tonë të punës bie telefoni. Flisnin nga ambasada kineze dhe kërkohej që një nga ne të shkonte aty sa më parë, pasi kishin një çështje të rëndësishme për të diskutuar. Pa u vonuar, nisem drejt ambasadës kineze, e cila ishte larg përfaqësisë sonë. Teksa bisedonim me një përfaqësues të ambasadës, mësuam se atje ishte paraqitur një shqiptar, i cili kërkonte strehim politik dhe ndihmë për t’u larguar në Shqipëri. Kërkova ta takoja dhe më çuan pa hezitim atje. Hyra në dhomën ku gjendej shqiptari i “penduar” dhe e përshëndeta. Bisedova më të, në prani të kinezit që na dëgjonte me vëmendje dhe dola në konkluzionin se pas “pendesës” fshihej një qëllim i keq. Kur dalim i them kinezit. “Ky njeri është dërguar nga rusët për të matur pulsin tuaj”. Një ditë më pas kjo gjë u vërtetua edhe nga kinezët, të cilët pasi e liruan studentin, e gjurmuan dhe doli që ai ishte vënë në shërbim të KGB-së. Ky ishte dhe një provokim për kinezët.
Kryeprokurori
Në aeroport duke pritur Aranit Çelën
“Njoftohem se nëpërmjet Moskës, transit do të kalonte Aranit Çela. Pavarësisht posteve që kishte në parti e në shtet ai ishte një miku im i vjetër. U përqafova me të dhe kaluam në sallën e pritjes, pasi avioni për në Kinë nisej pas katër orësh. Aty biseduam për të rejat nga Shqipëria dhe për punën tonë në ambasadë. Gjatë kohës që po rrinin në bufenë e aeroportit, vura re dy veta që po na shihnin ne. Një herë mendova se ishin pasagjerë për në Kinë, por ata u kthyen sapo panë që Aranit Çela morri rrugën për t’u futur në avion. Atë çast Araniti më tha: “Ruhu nga këto hiena”. Çdo gjë ishte e qartë. Araniti si njeri i mprehtë kishte pikasur me kohë ndjekësit tanë, të cilët na vëzhgonin, mos ndoshta midis nesh bëhej ndonjë shkëmbim materiali që do të na komprometonte para tyre”

Koncerti
Improvizim në aeroportin e Moskës
“Gjatë kohës që ndodhesha në Moskë, mjaft shqiptarë udhëtonin nga Tirana për në Kinë e anasjelltas dhe që ndalonin transit në Moskë. Kështu ndodhi dhe me këngëtarët e shquar; Mentor Xhemali, Hysen Pengili, Ramiz Kovaçi, dhe Maliq Herri. Ata po shkonin në Kinë, për të dhënë një koncert. I pritëm dhe i sistemuam në sallën e madhe të pritjes në aeroport. Pasi kaloi një farë kohë filluam të mërziteshim, sepse na duhet të prisnim edhe disa orë për avionin tjetër. Në këto kushte na lindi një ide e bukur. Kishim kohë pa dëgjuar këngët tona, dhe u them këngëtarëve të na këndonin ndonjë këngë me zë të ulët. Ata nuk na e prishën dhe e filluan me “Grykën e Mezhgoranit”. Në fillim zëri dëgjohej nga 5-6 veta, por shpejt erdhën edhe të tjerë. Këngëtarët tanë i rrëmbeu kënga dhe pak nga pak e pushtuan gjithë sallën. Shumë shpejt salla e aeroportit u kthye si një sallë koncerti. U desh ndërhyrja e autoriteteve të aeroportit që ajo të ndërpritej. Të gjithë duartrokitën, ndërsa punonjësit e aeroportit do ta mbanin mend gjatë këtë koncert”
Largimi nga Moska
Si i hoqëm sovjetikët nga Tirana brenda 24 orëve
Ishin ditët e fundit të shtatorit 1963, kur Vasil Nathanaili, në atë kohë zv/ministër i Jashtëm, na dha lajmin për largimin tonë nga Moska, brenda 48 orëve. Nuk vonuam shumë dhe këtë sihariq ia dhamë dhe grave tona, të cilat filluan të qanin nga gëzimi e të përqafonin njëra-tjetrën. Kërkuam një takim në Mistrinë Jashtme Sovjetike, të cilin na e dhanë menjëherë. Na priti zv/shefi i Protokollit të kësaj ministrie. Ai shoqërohej nga dy zyrtarë të tjerë. U thashë se do të largoheshim dhe se duhet të dorëzonim çelësat e ndërtesës. Tre zyrtarëve iu zhduk buzëqeshja, sepse me sa duket prisnin tjetër gjë nga ky takim i kërkuar me urgjencë nga ana jonë. “Ministria e Jashtme e Bashkimit Sovjetik, nuk merr çelësa”, -tha zv/ shefi i protokollit. I thashë se po i prisnim deri të nesërmen në mëngjes, pasi ndërtesa kishte mjete në inventar që duheshin dorëzuar dhe ashtu ndodhi. Në orën 20:00 të mbrëmjes, në ndërtesën tonë erdhën dy nëpunës të shërbimit diplomatik dhe na kërkuan çelësat. Pavarësisht nga situata e krijuar, ne i pritëm mirë ata. Kështu të nesërmen në mëngjes më 27 dhjetor 1963 u largova nga Moska pasi kisha kaluar plot 735 ditë. Avioni që u nis nga Moska pas pak orësh mbërriti në Pragë. Aty na priste një përfaqësuesi ynë. Sapo mbërritëm në ambasadë u lidhëm menjëherë me Vasil Nathanailin, i cili pasi na pyeti për shëndetin na tha: “Ju lumtë, keni nderuar veten dhe vendin tonë! Që nesër do të njoftojmë se do të largohen edhe rusët nga Tirana, duke iu dhënë një afat prej 24 orësh”. Ky ishte dhe epilogu i shërbimit tonë larg atdheut, në Moskë. Ne ishim dhe Shqiptarët e fundit që u larguam nga ky vend. ( Dhënë, më 6 Tetor 2006)
Shënimet
Si u realizua triptiku: “Dritëhijet e një zbuluesi”
Sa është gjallë njeriu, mbart me vete gjithë përvojën e tij jetësore. Hera-herës, sidomos kur është në moshë të thyer, ai ka dëshirë që t’i rikthehet, për të parë e kujtuar ato që ka të ruajtur në arkivin e tij. Idris Shehi thotë se, shënimet që ai ka mbajtur kur ka qenë në Moskë e më pas në Bukuresht janë shkruar këtu e 25 vite më parë, por për shumë kohë ai i kishte braktisur ato në një cep të bibliotekës së tij. Por një ditë, kur vitet kishin kaluar, papritur ai u bë nostalgjik duke ndjerë keqardhje për to. Thotë se, gërmoi në bibliotekë, i gjeti dhe filloi t’i lexonte. Kaq ishte dashur që ai të shkonte edhe një herë vite pas, atëherë, kur nga shteti iu ngarkuan misione të rëndësishme. Por jo vetëm kaq. Nostalgjia për të kaluarën dhe vendet ku ai kishte shërbyer si oficer zbulues nën petkun e një diplomati, i ka kaluar para sysh, për ta rikthyer edhe një herë në ato vite. Nuk është dashur shumë, që ai të merrte vendimin për t’i botuar të gjitha kujtimet e tij në një triptik të titulluar: “Dritëhijet e një zbuluesi”, libër që ka dalë në treg vetëm dy ditë më parë.
Vijon
Sigal