Dalip Greca: Historia e legjendës së gjallë të qenderës antikomuniste dhe fisit Mrnaçaj

Histori e rrallë shqiptaro-amerikane: familja kelmendase, mes diktaturës shqiptare dhe demokracisë amerikane

 

*  Familja Mrnaçaj, mes Kelmendit dhe Amerikës, përballja me Diktaturën komuniste...

 

* Arrestimi i Nikollë Mrnaçaj, arratisja e familjes Mrnaçaj në ish-Jugosllavi me dy pleqtë 90 vjeçarë, dy fëmijët 9 muajësh e 3 vjeç, me bagëti e mushka.

 

* Historia e Nënë Mrikës, që mori shtetësinë amerikanë në moshën 111 vjeçare dhe arrestimi i dytë i Nikollë Mrnaçajt në Savër të Lushnjës.

 

* Vdekja e Nikollës me 20 Janar 1989 pas 20 vjitesh burg, e 20 vjet internim, protestat në Amerikë, vdekja misterioze me 22 Janar 1990 e Nik Mrnaçajt, nderimi i përvitshëm i Heroit në Ditën e Lirisë Shqiptare në Nju Jork.

 

Nga Dalip GRECA

 

90 VJETORI I LINDJES SË MARASH MRNAÇAJ, SI SHKAS

 

Të Dielën, me 18 Dhjetor 2016, tek shtrohej me bujari “Sofra e Kelmendit” në Eastwood Manor, në Bronks, NY, organizatorët kelmendas kishin përgatitur një surprizë për të parin e familjes Mrnaçaj, Marashin: Një Tortë për 90 vjetorin e Lindjes. U emocionua Marashi, Mrija, djemtë dhe vajzat, nipërit dhe mbesat dhe e gjithë familja e madhe Mrnaçaj, që si çdo vit ishin pjesë e Sofrës kelmendase, plot këngë epike e valle të traditës.

          Të Mërkurën e 21 dhjetorit, në Zuppa Restaurant në Yonkers, u mblodh familja e madhe dhe miqtë, të gjithë së bashku e festuan 90 vjetorin e lindjes së tij.

         …Kisha kohë që mendoja për një bisedë me Marashin, për të hyrë në kujtesën e tij dhe për të rrugëtuar në historinë e familjes, simbol i demokracisë dhe e antikomunizmit, e përmendur deri edhe në Shtëpinë e Bardhë, e deri tek presidentët e Amerikës (kur presidenti Ford firmosi dhënien e shtetësisë amerikane nënës Mrikë në moshën 111 vjeçare apo kur në Kapitol u ngrit Flamuri shqiptar në nderim të Heroit shqiptar të Demokracisë, Nik Marash Mrnaçaj)... Kur, më mirë se tani që përjeton 90 vjetorin e lindjes, më jepej rasti për ta zvilluar bisedën?! Së bashku me nipin e Marashit, Mark Mrnaçaj, të enjten me 22 dhjetor, në mesditë trokita në shtëpinë e tij në Yonkers. Pa u ulur mirë, Mrija, zonja e shtëpisë e mbushi tavolinën plot. Sa herë e kam takuar Mrijen, kam konstatuar fisnikëri e shpirtmirësi në fytyrën e saj, në sjelljen e saj, në bujarinë tipike kelmendase, por mjafton të hysh në botën shpirtërore të saj dhe do të zbulosh, se sa dhimbje dhe tragjedi, të shkaktuara nga diktatura komuniste mbart shpirti i malësores fisnike: Babën e saj, Dedë Bajraktarin, komunistët e kapën dhe tek lëngonte nga plagët e plumbave e kanë futur në shtëpi dhe e kanë djegur të gjallë, ndërsa kushërinjtë e saj i kanë masakruar; njërit prej tyre, pasi e kanë torturuar mizorisht, i kanë nxjerrë sytë dhe e kanë mbuluar me gurë....Plaga e fundit e Mrijes, që ende rrjedh dhimbje, është Nika, që tek i jepte që nga Amerika goditjen e fundit diktaturës shqiptare, që i kishte shkaktuar aq plagë, Kelmendit dhe familjes Mrnaçaj, humbi jetën në mënyrë misterioze, me një goditja nga pas prej një traku, tek kthehej nga demonstrata antikomuniste, ku kishte shkuar me 20 shokë nga Nju Jorku në Detroit....Mrija ende ruan imazhin e buzqeshjeve dhe puthjeve, që Nika i jepte në ballë, kur shkonte apo kthehej nga puna. Edhe atë ditë të fundit... Sa i ishin lutur që të mos shkonte në atë mot të ashpër dimëror në demonstratë, në Detroit! Ah, pengu i nënës dhe i babës! Shpirti dhemb....

        ...Marashi, sikur nuk do t'ia dijë për 90 vitet e jetës, qëndron si lis, pa u përkulur aspak nga pesha e viteve. Memorien e ka  të kthjellët. I ulur përballë Flamurit kombëtar, ai nis të më tregojë për jetën e tij 90 vjeçare. Në ballë të dhomës së pritjes, përbri Flamuri Kombëtar, është vendosë një polifoto me 5 portretet e familjarëve: Në qendër është baba i tij Ndue, i rrethuar nga djemtë: Nikolla, që vdiq nga vuajtjet e diktaturës, 20 vjet burgim dhe po aq internim,vdiq pak ditë pasi doli nga burgimi i dytë, Rroku, që ka ndërruar jetë në SHBA dhe më tej, të gjallët: Marashi dhe Pjetri....

 Trokas në memorien e  këtij burri të moçëm, që vjen nga fisi i qëndresës antikomuniste kelmendase dhe kërkoj gjurmët e  jetës së tij…

    Nga fëmijëria e largët ai sjell ndërmend rrëfimet e të atit për qëndresën e Kelmendit ndaj sllavëve, që e kallën në flakë dhe e mbytën në gjak Kelmendin, por që kurrë nuk e pushtuan, po ashtu dhe turqit, nuk arritën ta bënin për vete Kelmendin, as italianët e gjermanët, ndërsa nga rinia e vet, sjell imazhet e luftës dhe qëndresës kundër komunistëve, që deshën ta nënshtronin me dhunë Kelmendin. Në sytë e tij u zhvillua lufta vëllavrasëse e Kelmendit, Janar 1945. Ishte i ri 18 vjeçar atë kohë. Memoria e tij është e mbushur me pamje makabre: përgjime, kurthe, arrestime, vrasje, pushkatime, dëbime....

- "Lufta e Kelmendit" e ndau përgjithmonë Kelmendin nga komunistët, thotë Marashi...

     Historianët ende diskutojnë , debatojnë dhe kundërshtojnë njëri-tjetrin, nëse ishte apo nuk ishte Kryengritje ajo përballje e përgjakshme e Kelmendasve me diktaturën që po instalohej dhunshëm. Ç'donin forcat e  ndjekjes në Kelmend? Nga kush do ta çlironin kurorën e trimërisë shqiptare? Gjermanët kishin ikur me kohë. Por ç’mund të ishte tjetër ajo luftë, ku pati 83 të vrarë (pushkatuar), 69 të plagosur, më shumë se 30 shtëpi të djegura, dhjetëra kelmendas të arrestuar, dhjetëra të burgosur, qindra të dëbuar në kampet e internimit (kampet e vdekjes)? Që nga paslufta e Kelmendit, Kelmendasit, nisën kalvarin e vuajtjeve nëpër burgjet e diktaturës dhe kampet e internimit. Komunizmi u përpoq t'ua mposhtëte krenarinë e maleve, por ata nuk u nënshtruan.Tipik është Nikolla, vëllai i Marashit...

    Pikërisht pas luftës së Kelmendit e morën ushtar Marash Mrnaçajn dhe vëllanë Rrokun. 200 djem të Kelemndit i ngritën ushtarë menjëherë pas asaj lufte. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, plot 3 vjet, (5 vjet e bëri ushtrinë vëllai i tij, Rroku), Marashi kujton përplasjet e  forcave të ndjekjes me forcat nacionaliste. Sjell ndërmend qëndresën e Muharrem Bajraktarit dhe ndjekësve të tij, rrëfen për vrasjen e Destan Rexhepit e trimave të tjerë nacionalistë. Ishte dhe ai ushtar në disa nga përndjekejt e Bajraktarit trim.

-   Ishte trim me eksperiencë dhe i zgjuar Muharrem Bajraktari. Dinte të ruhej, tregon Marashi dhe kujton një moment, kur  forcat e ndjekjes, kanë kapur të plagosur djalin e Bajraktarit, që e transportuan deri në Kukës të gjallë. Aty ka ndërruar jetë.

 Shkuan pas gjurmëve drejt e tek vendqëndrimi i Muharremit (duket se u dekonspirua nga një zjarr i ndezur ditën për të gatuar). Një spiun kishte raportuar. Komandanti partizan urdhëronte ushtarët: Nëse ndokush kthehet mbrapsht kur ta rrethojmë, kam për ta vrarë unë me këtë kobure dhe kishte çuar dorën në brez. Po ç'ndodhi? Muharremi nuk qëndronte në një vend me luftëtarët e tij, por pak i larguar, përgjonte, madje edhe kur flinin luftëtarët e tij, ai qëndronte zgjuar për t'iu ruajtur ndjekjësve. Dhe përdorte mjeshtrisht bombat për të çarë rrethimet. Kështu ndodhi dhe atë ditë. Plumbat e Muharrem Bajraktarit palosën për tokë të parin komandantin partizan....Thoshin, se Muharrem Bajraktari vriste vetëm oficerë nga forcat e ndjekjes, jo ushtarë... Kur kisha kaluar në perëndim, tregon Marashi, shkova dhe e takova në Bruksel Muharremin dhe biseduam gjatë. Ia tregova se si e kisha përjetuar kohën kur ai përndiqej maleve të Shqipërisë.Gjatë bisedës sollëm hollësi nga ato ngjarje. Në fund, kujton Marashi, i thashë:- A je gati të kthehemi tash e të shkojmë e të luftojmë komunistat? Unë bëhem ushtar i juaj...Ai ma ktheu: -Nuk është nevoja, bir, se ata po vrasin njëri-tjetrin. Nuk e kanë të gjatë.... 

 

ARRESTIMI I VËLLAIT, NIKOLLËS

 

Tregon Marashi: Në vitin 1952 arrestuan vëllanë, Nikollën, babanë e Markut. Ngjarja ndodhi kështu: Ishte i sëmurë Nikolla, qëndronte i shtrirë në shtresa. Vjen komandanti i Postës së Tamarës me pesë ushtarë. E presim. Kishte ardhur dhe herë tjetër. I uruam mirëseardhjen si zotër shtëpie. Ngrihet dhe Nikolla nga që ishte shtrirë nga sëmundja dhe i jep dorën.Ai menjëherë ia kthen:

- Kam një fjalë me ty, Nikollë!

 Çohet Nikolla dhe pa u veshur, me këmishë, i shkon pas. Minutat mezi kalojnë. Ne po prisnim në ankth, pse u vonuan? Kur vjen motra e dytë nga që kishte shkuar për të mbushë ujë dhe e zbehtë në fytyrë, duke iu marrë fryma, na pyet:- Çfarë ka bërë Nikolla, që e kanë lidhë?

- Ku?,- e pyesim ne të shqetësuar....

- E kanë lidhë tek shkambi...thotë ajo.

Marashi kujton detaje nga ngjarja: Ishte një strehëz shkëmbi, poshtë shtëpisë, atje e kishin lidhë. Pas pak vjen tek ne, në shtëpi, komandanti me dy ushtarë, dy të tjerët i kishte lënë për të ruajtë Nikollën. Na jep urdhër të gjithëve që të dilnim jashtë, sepse kishte urdhër të kontrollonte shtëpinë. Mori veç nënën Mrikë dhe nisi kontrollin. Gjeti vetëm një armë gjahu, (që Marashi e kishte me leje). E morën armën. Gjetën 2-3 libra fetare në gjuhën italiane, që i mbante Nikolla dhe ato i morën, pa e ditur se ç’ishin. Shkuam atje ku ishte Nikolla, por çfarë të shihnim: Gati kishte ngrirë prej të ftohtit. Edhe teshat që i çuam nuk po i vishte dot vetë, e ndihmuam. U ndamë me lot ndër sy. E morën duarlidhur dhe shkuan…

        ...Po vazhdonte reprezalja komuniste. Bashkë me Nikollën kishin arrestuar dhe 12 të tjerë atë natë. Kishin arrestuar edhe një grua me katër fëmijë. Të nesërmen i pamë kur po i largonin varg. Ajo grua me katër vocrrakë ta këpuste shpirtin. Ç’faj kishin ata fëmijë, po nëna e tyre? Kishin ardhë më shumë se 50 forca policore me kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, sadistin Ilmi Seiti.

- Po përse e arrestuan Nikollë Mrnaçajn, çfarë kishte bërë?- e pyes Marashin.

- Kurrgja. U akuzua se kishte bashkëpunuar me fashizmin. Si shumë të tjerë, në kohën e pushtimit Italian, Nikollën e kishin ngritë ushtar në vitin 1939 (njësoj siç ngritën komunistët Marashin dhe Rrokun më 1945-46). Më pas, Nikollën, e kishin angazhuar me Gardën Italiane së bashku me shumë shqiptarë të tjerë. Më pas e kanë çuar në Torino. Pushtimi gjerman bllokoi rrugët e kthimit dhe ai mbeti rrugëve të Italisë. Kur u hapën rrugët, u kthye si shumë të tjerë në Selcën e tij, ku pat lindë dhe kjo ishte e gjithë veprimtaria “fashiste” e Nikollës, që as vrau e as preu kënd, por regjimit komunist i duhej miti i armikut për të terrorizuar Kelemendin. E dënuan 15 vjet Nikollën, bëri 10 vjet. E torturuan më shumë se 6 muaj në hetuesi. Hetuesia kishte qenë tepër e rëndë. I kërkonin të pranonte faje që nuk i kishte kryer. I kishin shkulur thonjët. Gishtërinjët i ishin shtremëbruar, përthyer nga torturat, që prodhonin hetuesit sipas shkollës bolshevike. Burgimi ishte i rëndë, punonin si skllevër, e torturoheshin gjatë punës. I kaloi vitet e burgut në kampet-burgje të Vlashukut, Semanit, Rinasit, Lushnjës, Urës Vajgurore etj.

 

"KURTHI" I PUSHTETIT DHE ARRATISJA E MRNAÇAJVE

 

Ndërkohë që po afrohej lirimi i Nikollës, i kishte mbetë 1 muaj e gjysmë, që të plotësonte dënimin, familja merr sinjale nga miqtë e vet, që ishin afër pushtetit, se po përgatitej kurthi i arrestimeve të reja për burrat e asaj shtëpije. Sinjali u dha hapur kur në një mbledhje rinie në Tamarë, e nxjerrin jasht vëllanë e Marashit, Pjetrin. Në atë mbledhje merrte pjesë edhe Kryetari i degës së Brendshme të Shkodrës Ilmi Seiti. I thonë Pjetrit:- Dil jashtë, ti Pjetër, por mos shko në shtëpi para se të dalin shokët.

Një shok i Pjetrit, kur del nga mbledhja, i thotë:- kujdes, duhet të ikësh.

Kumti është marrë. Ata kanë diskutuar për Mrnaçajt gjatë mbledhjes. Furtuna po afronte.

Pas kësaj vjen një mik tjetër i familjes, që kishte marrë pjesë në mbledhje dhe i paralajmëron: Kujdes, jeni në shenjë!

      Kujton Marashi: Në prag të festës së 29 Nëntorit që bënin komunsitët, na thirrën ata të Këshillit dhe na kërkuan që t’u jepnim kontribute për festën e çlirimit. Baba më paralajmëroi që të mos kundërshtonim, por të jepnim gjithçka, që ata do të kërkonin. Kërkuan dy dhi me nga mbi 25 kg mish, 5 kg djathë, ushqime të tjera, raki etj. Ua dhamë të gjitha.

      Rrëfimi i Marashit është drithërues: Pas shumë sinjalesh që na erdhën dhe vetë po e shihnim, se po na shtërngohej konopi. Çfarë të bënim? Problem ishin prindërit e moshuar, babai Nua ishte gati  90 vjeç, nëna pak më e re, por e plakur dhe ajo.... A do të mundnin ata ta përballonin rrugëtimin e vështirë nëpër male të thepisuna në mot të ashpër dimëror? Pjetri më tha me vendosmëri: Gjallë a vdekë, unë do të iki! Ma mirë i vdekun se në burg!

 Bisedonim vëlla me vlla, kujton Marashi: Ç’vendim të merrim? Vëlla Rroku propozoi që të qëndronim, le të arrestoheshim ne, burgu për burra është, por të shpëtonin pleqtë. Po kush na siguronte që dhe ata nuk do t'i syrgjynosnin në ndonjë kamp internimi në atë moshë? Aty nuk mund të qëndrohej, sepse dera e burgut ishte hapë për të gjithë. Si t’ia thonim babës ikjen? -Unë e pata të vështirë, thotë Marashi. E mori përsipër Pjetri t’ia thoshte. E thirrëm babën dhe Pjetri ia tha copë: Babë, kemi dy rrugë; ose të presim të na çojnë tek Nikolla në burg, ose të ikim, të arratisemi. 

Baba u mendua dhe na tha: Ikim, në mundshim me kalue, mirë. Edhe nëse më gjenë gjë, mua plakun, më shtini rrëzë ndonjë gardhi matanë kufinit, dhe e keni kryer detyrën...Këtu nuk rrihet ma...

E poqëm mendimin dhe ndërtuam planin e arratisjes. E shoqja e Nikollës, Dranja me të bijën, Diellën, nuk u ndodhën në Selcë, kishin shkuar në Vermosh, tek familja e vëllait të saj. Në ato kushte nuk kishte kohë për t’i marrë me vete, nga që vendimi u mor aty për aty. Pasatj, duhej folë dhe me Nikollën.Në mëngjes baba dhe vëllau nxorën bagëtitë në kullotë dhe i afruan sa më pranë pikave të lejueshme të kufirit. Ushtarët ruanin dhe vështronin me dylbi gjatë të gjithë kohës duke kontrolluar lëvizjet e njerëzve dhe të bagëtive. Në mbrëmje, kur ra errësina, vëllau la babën afër kufirit me gjysmat e bagëtive dhe gjysmat i ktheu në shtëpi. Ishte alibia për ikje. E kishim menduar mirë lojën: Ne dinim me saktësi kohën dhe vendin ku ndërroheshin rojet. Ndërrimi i shërbimit bëhej pranë burimit, ku mbushnim ujë. Pikërisht në këtë moment bëhemi gati me gra e fëmijë dhe marrim rrugën nëpër natë. Kishim të fshehura dhe dy pushkë. Një i ishte lënë babës tek kullota me delet, tjetrën, e mora unë, tregon Marashi. Ishte 21 Dhjetor 1959....

Po si mundët të largoheshit?, e nxis rrëfimin e bashkëbiseduesit.

-Zoti e di se si shpëtuam...dhe Marashi e sjell në kujtesë atë udhëtim që normalisht, po ta bëje ditën, nuk ishte më shumë se 1 orë larg, por atyre u kushtoi jo pak, por 22 orë...

Marashi tregon: Dolëm nëpër natë dhe me kujdes, pa u ndjerë, u kaluam pas shpine rojeve, që po ndërroheshin tek burimi. Pasi u bashkuam me babën e morëm bagëtinë përpara, ecnim ngadalë. Ishte frikë e madhe, sepse kishim edhe dy fëmijë të vegjël, njërin 3 vjeç dhe tjetrin 9 muajsh. Po sikur ata të qanin? Gjithçka përfundonte aty...Ishte terr i thellë. Ecja nëpër pyll u vështirësua shumë. U hymë në hak edhe mushkave të ngarkuara, ato pengoheshin nga degët e pemëve. Asgjë nuk shihej para këmbëve. Hapat hidheshin kuturu. Vdekja përgjonte në çdo hap. Rrëzoheshim, ngriheshim me mundim dhe vazhdonim.  Qëndruam pak se menduam, ndoshta do të na ndihmonte hëna që duhej të lindëte në ato çaste, por për fatin tonë të keq, terri u shtua, ia nisi shiu. Ecja u vështirësua shumë.