Dosier/ Një botë që shëmbej dhe "nacionalistë” që tradhtojnë kombin

-Kujtimet e inxhinier, Spiro KOLEKA: Fashizmi i Duçes, me bashkëpunimin e mbretit të shqiptarëve, e realizoi një të premte të zezë ëndrrën e tij


- Muza popullore e Labërisë i vuri damkën e tradhtisë Qazim Koculit, Ali Këlcyrës, Rexhep Mitrovicës, Kolë Tromarës

- Borgjezi i vogël i qytetit, Mid’hat Frashëri, si dhe Lef Nosi, Mehdi Frashëri, thoshin "s'ka ardhur koha, të presim kur të vijë dita"

- Në emër të nacionalizmit shqiptar Mid’hat Frashëri e Lef Nosi, këshilltari i veçantë i Mustafa Krujës themelonin "Ballin Kombëtar"

- Hitleri i kishte gjetur dhe këtu në Shqipëri, si kudo, veglat e tij, tamam siç i përcaktonte në "Mein Kampf "

Materiali i mëposhtëm është marrë nga  një shkrim që S. Koleka e botoi tek “Shqipëri e Lirë”, më 22 gusht 1944

 

Pushtimi i Shqipërisë

Fashizmi i Duçes, me bashkëpunimin e mbretit të shqiptarëve, e realizoi një të premte të zezë ëndrrën e tij : një re e zezë e mbuloi anë e mbanë Shqipërinë. Hordhitë e Muços zunë vend në pikat më jetike të vendit tonë; fashizmi i nguli thikën në zëmrën e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Populli shqiptar dhe rinia jonë u tronditën, po nuk e humbën . Udhëheqësit e popullit nuk e harruan zakonin, e tradhtuan dhe me valixhe plot u larguan. Filloi kalvari i popullit shqiptar : ky e hypi me trimëri, me luftë e me zjarr. Ishin ditë të zeza, ditë agonie për popullin shqiptar, ditët e para të fashizmit italian. Ky iu vu sistematikisht veprës së tij shkatërrimtare dhe për këtë përdori të gjithë mjeshtërinë e tij djallëzore : donte të shfaroste që nga rrënja ndjenjat fisnike të popullit shqiptar dhe këtë bashkë me to. Përdhunimet, korrupsionet dhe persekutimet ishin në urdhrin e ditës. Populli shqiptar gjendej përpara një hymnere të tmerrshme dhe ato ditë jetonte momentet më dramatike të jetës së tij. Pishtarët e nacionalizmës, kështu i kujtonte populli Qazim Koculin, Ali Këlcyrën, Rexhep Mitrovicën, Kolë Tromarën, Bahri Omarin, etj., etj., ktheheshin pas pesëmbëdhjetë vjet arratie në Shqipëri. Po si ktheheshin? Ktheheshin triumfonjës dhe na sillnin “Rendin e Ri”; kështu muza popullore e Labërisë i vuri damkën e tradhtisë atij që dikur kishte qënë idoli saj:

"I shkreti Qazim Koculi,

vetë i ndoqi,vetë i pruri".

Populli i njohu mirë këto kërma nga veprat e tyre, erdhën me armikun e popullit dhe u vunë në bashkëpunim të ngushtë me të. Këta idolë të popullit nuk kishin qenë përveç se aventurierë kulltukaxhinj, karrieristë dhe tradhtarë. Të gjitha të zezat i kishin bërë dhe i bënin në emër të nacionalizmit shqiptar. Këta tradhtarë të Kombit vazhdonin veprën e tyre shkatërrimtare në dobi të okupatorit të urryer. Ndërsa populli shqiptar përpiqej të organizohej në luftën e tij të shenjtë “nacionalistët” ca shikonin me duar kryq, ca mbaheshin me çmimin e tradhtisë dhe të tjerë përpiqeshin të bindnin popullin e rrinin se "nuk kishte ardhur koha", "mos se do të digjemi, "jemi të paktë e nuk i bëjmë dot ballë një armiku kaq të madh" etj..

 

Si i bëhet?- pyeste një pjesë e popullit.

Idololatri intelektual, borgjezi i vogël i qytetit, Mid’hat Frashëri, si dhe Lef Nosi, Mehdi Frashëri, thonë "s'ka ardhur koha, të presim kur të vijë dita".

Këta janë nacionalistë, xhanëm! Kanë dhënë prova (!). Duhet t’i ndjekim, se këta nuk gabojnë. Ata të tjerët janë kalamaj, or tungjatjeta.

Në emër të nacionalizmit shqiptar biri i popullit Hasan Dosti bëhet vegël e tradhëtorit me damkë, kuislingut Mustafa Krujës dhe projekton ligjin e Litarit, që dorëzonte karabinierëve, kuesturës e milicëve, popullin shqiptar, rininë shqiptare, gruan shqiptare, luftëtarët e lirisë e të nderit, ajkën e popullit shqiptar.

 

Në emër të nacionalizmit

Në emër të nacionalizmit shqiptar Mid’hat Frashëri e Lef Nosi, këshilltari i veçantë i Mustafa Krujës themelonin "Ballin Kombëtar", ku u grumbulluan të gjithë plehrat e popullit shqiptar, aventurierë, arrivistë, spekullatorë, poliltikaxhinj të falimentuar, kulltukaxhinj, idololatrë intelektualë, bejlerë dhe agallarë të njojtur për ndjenjat e tyre antipopullore dhe antishqiptare.

Në ëmër lë nacionalizmit shqiptar, Mid’hat Frashëri hiqte VALLEN E TRATHËTISË : fjalët i’a thoshnin Mehdi Beu me ca shokë; i’a kthente Lef Nosi ; i’a hidhte Ali Këlcyra ; i’a mbushnin një tok trradhëtarësh të vjetër e të rinj : dueli i Krujës : Mustafa Kruja dhe Bazi i Canës; Bahri Omari e Kolë Tromara; Hasan Dosti e Thoma Orollogai ; Skënder Muçua e Kundret Kokoshi, terzetua i maleve ; Hysni Lepenica e Safet Butka e profesori simpatik, i përkëdheluri i Gestapos, Abaz Ermenji, financieri profesor Luzaj etj… Për pak harronja “factotum-in e Ballit- të më falë – profesorin histerik dhe idololatrë, Nexhat Peshkëpia.“

Populli shqiptar, me sakrifica dhe heroizma

Ndërsa populli shqiptar, me sakrifica dhe heroizma të pa shoqe, po vazhdonte me tërbim luftën për liri nën udhëheqjen e Partisë Komuniste dhe të Frontit Nacional Çlirimtar, vallja e Tradhtisë e kompozuar nga Mid’hat Frashëri po merrte përpjesëtime të mëdha dhe bëhej e modës kudo : në Shkodër e hiqnin kuislingët : Maliq Bushati, Patër Anton Arapi, Kolë Bibë Mirakaj; i’a kthente Jup Kazazi; i’a hidhte Gjon Marka Gjoni ; i’a mbushnin këlyshat e Melonit Zef Pali, Prek Kaçinari, Sulo Klosi etj. Në Elbasan e hiqte kuislingu Shefqet Vërlaci; i'a kthente beniamini i tij Lush Leshanjaku; i’a hidhte Ahmet Dakli ; i'a mbushnin Xhaf Bali, Tahir Hoxha, Isa Kalla, Has Balliu etj. Në Korçë e hiqte Faslli Frashëri; i’a kthente Xhevat Starova; i'a hidhte Qazim Prodani; i’a mbushnin Pasho Kolaneci, Haki Blloshmi, Jusuf Alarupi dhe shumë të tjerë. Në Berat, në Gjirokastër, në Vlorë, në Dibër, idololatrët intelektualë dhe renegatët e të shiturit konkurronin kush e hiqte më mirë dhe kush fitonte më shumë lavdërime e dekorata nga agallarët e tyre Mussolini dhe Hitleri.

Ministri i ceremonive në çdo valle, ishte tradhtari i regjur Eqerem Vlora.

Muzika ishte e renegatit Dhimitër Falo, i cili bridhte lartë e poshtë Ballkanit. Isa Toska elegant, sintononte muzikën e Valles që hiqnin tradhtarët tanë, në emër të nacionalizmit shqiptar, me muzikën e Valles analoge të asaj, që hiqnin në Greqi, Ralis, Zerva e qindra të tjerë nacionalistë grekë, që tradhtonin kombin e tyre, në ëmër të nacionalizmës greke, me muzikën

e valles analoge lë Poglavnikut, Nediçit, Mihailloviçit dhe të tjera qelbësirave jugosllave, që s’linin gjë pa bërë për të tradhtuar sa më mirë kombësitë jugosllave, në emër të nacionalizmës jugosllave. Dhe kështu nacionalistat shqiptarë, me në krye Mid’hat Frashërin që tradhtoi familje, atdhe, nder e fe dhe krejt kombin, përpiqeshin të futeshin, duke sakrifikuar Kosovë,Gjirokastër,Vlorë, Korçë e Berat, dhe duke vënë ushtrinë shqiptare nën urdhëra e ushtrisë greke në Simfoninë ballkanike të tradhtisë.

Plani i Gëbelsit

Plani i Gëbelsit dalë nga dalë po zbatohej; Hitleri i kishte gjetur dhe këtu në Shqipëri, si kudo,veglat e tij,tamam siç i përcaktonte në "Mein Kampf " : … duhet të mbështetemi në elementa që nuk do të hezitojnë të bëhen tradhëtarë të atdheut të tyre …,

Të veshur me lëkurën e nacionalistit Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Patër Anton Arapi dhe shumë të tjerë, me ardhjen e Gjermanisë, u hodhën haptazi kundra luftës heroike të popullit shqiptar, u hodhën këmbë e krye në prehrin e Gestapos.

Dhe këta burracakë renegatë, në emër lë Kombit, "për shpëtimin e atdheut, të familjes shqiptare, të fesë, "dhe në bashkëpunim lë ngushtë me hordhitë e Hitlerit, mbjellin terrorin kudo në Shqipëri, torturojnë, masakrojnë, internojnë, burgosin, vrasin e varin me qindra burra, gra, të ri e të reja, pleq e fëmijë. I vënë flakën vendit dhe "shpëtojnë atdheun"(!) duke bërë fshatra e qytete gërmadha; "shpëtojnë familjen shqiptare" ( ! ) duke i vrarë babën, nënën, djalin ose vajzën dhe duke i grabitur gjithë prokopinë e katandinë, duke lënë në mëshirën e bandave lë Hitlerit, të Xhafer Devës, të Halil Halisë, të Selim Kaloshit, të Xhelal Staraveckës, të Hysni Demës, të Xhaf Balit, të Abaz Kupit dhe të sa e sa kryebandave të tjerë.

Fjalët "Komb" ose ''Nacion'', '' Nacionalist", "Kombëtar", "nacionalizmë'' u bënë sinonime me fjalët "veglë ", "spiun", "i poshtër", "tradhëti".

Këtë metamorfozë të madhe nuk donin ta shihnin një pjesë e shqiptarëve, sidomos një pjesë e mirë e intelektualëve idololatrë ; këta vazhdonin të shërbenin me besnikëri nacionalistave (!) Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Ali Këlcyra, Hasan Dosti etj., që kaq me mjeshtri plotësonin veprën e tradhtisë, në emër të nacionalizmës shqiptare dhe në kurriz të kombit Shqiptar.

Këta tradhëtarë të poshtër, që në emër të nacionalizmës shqiptare nuk lanë të keqe pa i’a bërë popullit shqiptar, janë përgjegjës përpara historisë dhe përpara popullit shqiptar. Emrat e përgjegjësve kryesorë të dramës që luhet në kurriz të popullit shqiptar Mid’hat Frashëri, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, Ali Këlcyra, Pater Anton Arapi, Abaz Kupi, do të mbushin faqet e zeza të historisë shqiptare, do të përfaqësojnë në çdo kohë ajkën e tradhtisë të popullit shqiptar.

Gjermania e Hitlerit po ha grushte kudo: në Lindje ushtrive gjermane nuk u zë më këmba vend; grushtet e njëpasnjëshme të Ushtrisë së Kuqe heroike u kallën dërrmën hordhive naziste.

 

Katastrofa hitleriane

 Në Perëndim katastrofë mbas katastrofe, ushtritë aleate po thyejnë çdo qëndresë të hitlerianëve. Kudo në shtetet e okupuara, luftërat nacional-çlirimtare kanë arritur kulmin e ashpërsisë. Ndërtesa e Hitlerit, e goditur për vdekje, ka filluar të kërcasë, të tundet që nga themeli, të rrëzohet copa-copa: po afrohet momenti, që do të bëhet thërrime dhe mbi gërmadhat e saj do të ngrihet madhështore ndërtesa e Botës së re ;

Dhe bukuroshët tanë, të gjithë në kor, kuislingë e tradhtarë, të vjetër e të rinj, po vazhdojnë këngën e Mukës: me fjalë të mëdha e të çmendura, tërbohen kundra barbarizmës aziatike, kundra "rrezikut sllav"; flasin për "rrugë të gabuar", për "të gënjyer", për "të penduar", për "të shitur" etj.

Dhe e gjitha kjo ethe nacionalizmi vetëm e vetëm për të arritur kulmin e tradhtisë, në dëm të Kombit Shqiptar!

 

Tradhtarët do të marrin dënimin e merituar.

 Më së fundi edhe aleatët e panë se si qëndronte puna , panë se kush përfaqësonte "rrezikun e kombit", panë se kush lëftonte për vdekje fashizmin. Dhe "Ballit Kombëtar" e Kryetarit të tij Mid’hat Frashërit i dërguan, me anë lë radios, peshqeshin e merituar DEKORATËN E TRADHËTISË. Kombet e Bashkuara, Mid’hat Frashërin e stigmatizuan : "KRIMINELIN PËRGJEGJËS TË GJAKDERDHJES SHQIPTARE".

Nga e gjithë kjo "dramë e nacionalizmit shqiptar" është marrë më qafë një pjesë e madhe e popullit shqiptar, e gënjyer nga e shkuara me aparenca nacionaliste e Mid’hat Frashërit me shokë. Shumë fshatarë kanë mbushur, pa të keq, radhët e Ballit kombëtar, të Xhandarmërisë e të ushtrisë kuislinge. Këta e kanë parë me sytë e tyre se sa vëllazërisht janë sjellur ushtritë nacional çlirimtare me ta, kur i kanë zënë robër i’u kanë mbajtur nga një fjalë prekëse, duke u treguar që kanë qenë marrë në qafë dhe, pasi i kanë çarmatosur, i kanë lënë të lirë të shkojnë në shtëpitë e tyre.

Sa e sa herë Partia Komuniste Shqiptare dhe Fronti Nacional Çlirimtar u është drejtuar fshatarëve bujq e punëtorë, xhandarë dhe ushtarë, me anë traktesh dhe në çdo vend, me agjitacion, që të largohen nga radhët e tradhtarëve. Sot po vazhdon ta përsërisë (dhe më me zë këtë thirrje: fshatarë bujq, punëtorë, xhandarë dhe ushtarë, të gabuar nga trathtarët, Fronti Nacional Çlirimtar i ka dyert e hapura për juve, mjafton të mos kini të lyera duart me gjak shqiptari. Ju jini populli shqiptar dhe F.N.Ç. lëfton me popullin dhe për popullin shqiptar. I lini tradhëtarët e zgjebosur në fatin e tyre.

Një pjesë e popullit të mesëm, e gënjyer apo jo, gjer më sot ka qëndruar në apati ose ka amorexhuar me Ballin. Një qëndrim i tillë formon faj : nga shtyllat e shtypit të F.N.Ç, janë vënë në dukje të panumërta, herë tradhtia e hapët dhe herë etja për gjak e Mid’hat Frashërit me shokë, e Ballit Kombëtar dhe e Legalitetit. Po nuk është vonë akoma për të bërë detyrën e shenjtë ndaj atdheut ; kush ka një kokërr kripë në kokë, të hidhet që sot në luftë, të hidhet në radhët e Frontit Nacional Çlirimtar. Nesër do të jetë tepër vonë.

Intelektualëve idololatrë, tip Nexhat Peshkëpia, u japim një këshillë, diskun "Marcia funebre" të Chopin-it dhe një revolver të mirë …

 

 


Jetëshkrimi i Spiro Kolekës

Spiro Thoma Koleka (lindi më 7 korrik të vitit 1908 dhe vdiq më 22 gusht 2001), ishte inxhinier ndërtimi, ushtarak dhe politikan komunist shqiptar nga Shqipëria. Spiro Koleka ka qenë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare që nga viti 1943. Nga 1948 deri në vitin 1981, ai ka qenë anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës të Shqipërisë(Partia Komuniste).

Spiro Koleka ka qenë partizan në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pas Çlirimit, ai mbajti postin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Ministrave dhe njëkohësisht nënkryetar i Presidiumit Popullor. Koleka ka qenë deputet në të gjitha legjislaturat periudhës së regjimit komunist, ndërsa deri në vitin 1948 ai ka qenë ministër i Punëve Botore.

Aktiviteti politik

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 1 nëntori i vitit 1949 gjer më 24 shtator të vitit 1953 si pjesë e kabinetit të Enver Hoxhës.

•             Kryetar i Komisionit Shtetërorë për Planifikim me mandat nga 1 nëntori i vitit 1949 gjer më 5 korrik të vitit 1950.

•             Ministër i Industrisë dhe Ndërtimit i Shqipërisë me mandat nga 24 korriku i vitit 1953 gjer më 23 korrik të vitit 1954.

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 4 qershori i vitit 1956 gjer më 22 qershor të vitit 1958 si pjesë e kabinetit të Mehmet Shehut.

•             Kryetar i Komisionit Shtetërorë për Planifikim me mandat nga 23 korriku i vitit 1954 gjer më 21 qershor të vitit 1958.

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 22 qershori i vitit 1958 gjer më 14 korrik të vitit 1962 si pjesë e kabinetit të Mehmet Shehut.

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 16 korriku i vitit 1962 gjer më 18 mars të vitit 1966 si pjesë e kabinetit të Mehmet Shehut.

•             Kryetar i Komisionit Shtetërorë për Planifikim me mandat nga 18 marsi i vitit 1966 gjer më 14 korrik të vitit 1966.

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 1 janari i vitit 1968 gjer më 23 nëntor të vitit 1970 si pjesë e kabinetit të Mehmet Shehut.

•             Kryetar i Komisionit Shtetërorë për Planifikim me mandat nga 14 korriku i vitit 1966 gjer më 1 janar të vitit 1968.

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 23 nëntori i vitit 1970 gjer më 30 tetor të vitit 1974 si pjesë e kabinetit të Mehmet Shehut.

•             Zëvendës Kryetar me mandat nga 30 tetori i vitit 1974 gjer më 13 nëntor të vitit 1976 si pjesë e kabinetit të Mehmet Shehut.