Dorëshkrimet e motrës së Pal Melyshit: Letra e nënës, si e internuar në Berat, por edhe si nënë

1147
Sigal

Dorëshkrimet e Marie Melyshi, motra e Pal Melyshit

Përgatitur nga Albana Melyshi Lifschin

01-Si na internuan në  Berat, ku një  nevojtore shërbeu si dhomë  banimi

02- Sigurimi na mblidhte rregullisht në xhaminë e Mangalemit dhe na bënte apelin

03- Lufta me karkalecat në  Otllak të  Kuçovës: Karkalecin në lëndinë/ do ta djegim me benzinë

04- Si na ndihmoi Llukan Toska, kryetar i reformës agrare për të  gjetur Pal Melyshin

05-Në na  i shkruan Pal Melyshit: A mundesh me na ardhë në ndihmë financiarisht, sado pak, se po jetojmë në mjerim e me fëmijë të sëmurë

Pas vdekjes së nënës, im vëlla Kastrioti, më dha në dorë një fletore me kapak të trashë.

-Këtë, nëna e ka lënë për ty,- tha ai.

Ishte ditari i nënës sonë. Mbi kapak qe ngjitur një fletushkë shënimesh e verdhë, ku ajo kishte lënë porosinë e fundit.

“Albana, mos harro. Në qoftë se ky rrëfim do të botohet, do të gjesh vend për fotografitë që e bëjnë më të besueshëm, duke filluar që nga djegia e Kullës së Melyshajve deri tek varrimi i nanës…”

Ishte amaneti i nënës sime, porosia e saj të fundit që ma kish lënë mua për ta përcjell tek ju.

Dhe unë e solla këtu në origjinal.

 

* * *

Pas internimit në Lezhë, ku na mbajtën 6 muaj, na transferuan në Berat. Aty na ‘strehuan’ në lagjen Mangalem, në shtëpitë e shembura të Pashajt. Ishin të braktisura, shume të vjetra e të kalbura. Edhe ato që kishin mbetur në këmbë dukeshin sikur do binin nga çasti në çast. Në Berat atë kohë shihje gjithandej banesa të shembura, rrënoja si ato të fill pas luftës. Fëmijët duke luajtur gjenin në rrënoja filxhanë, pjata, lugë e pirunë, të paprekura të dala mbi dhe, dhe i sillnin tek nëna. Nëna kishte frikë se mos fëmijët nga skamja bëheshin hajdutë dhe një herë u bërtiti:

-Ku i morët këto sende? Kush ua dha? Mos ma nxini faqen!

-Po s’besove hajde ta tregojmë se ku i kemi gjet. Këtu moj nanë, sa më shumë të gërmosh aq më shumë gjen nga këto. Nëna u bind që fëmijët thoshin të vërtetën. Ne të shkretët nuk kishim asnjë enë kuzhine dhe ato ishin të askujt. Dhe për t’i blerë duheshin para.

Për çudi në këto gërmadha na doli fati i një strehimi.

Një nevojtore kishte shpëtuar pa u shembur. Ishte e vogël , e mbuluar me beton dhe kishte derë! Sipërfaqja e saj ishte 3×2, sa për të futur kokën. Morëm ca tulla të thyera dhe mbuluam vrimën e ËC dhe mbi të ngjeshëm baltë për ta bllokuar plotësisht. Gjithsesi, në Berat ndiheshim më mirë. Beratasit ishin njerëz të butë e nuk na shihnin me përçmim.

Dega e brendshme na mbante nën kontroll.

 

Na mblidhnin rregullisht në xhaminë e Mangalemit. Kishin frikë se fëmijët e të internuarve duke u rritur mund të arratiseshin, siç kishte ndodhur. Për të jetuar na duhej jo vetëm buka e thatë por edhe lakra, preshi e, kripa së paku, (Mishin e peshkun,- kishim kohë që i kishim harruar). Për të blerë ato na duheshin para. Në qytet nuk kishte vend pune për të internuarit. Në fshat për të gjetur punë do të thoshte të dilje nga shtëpia me leje, të kishe moshë për t’u konsideruar “krah pune”, duhej të kaloje urën e Beratit, të veje pas malit të Shpiragut dhe vetëm kjo merrte një orë e gjysmë dhe po aq kthimi në banesën e kalbur.

Nëna jonë ishte e re, 42 vjeçe. Unë po rritesha pranë saj. Nuk më ndante nga vetja, po as nuk më linte të ngarkohesha me pesha të rënda “Je akoma fëmijë dhe të del kurrizi” më thoshte. Të dy vëllezërit e mi më të vegjël se unë, donin të bënin diçka, por ishin të parritur për punë. Kështu nëna ishte i vetmi krah pune. Ishte muaji korrik kur na erdhi nga fshati një grua e panjohur. Ajo i kërkoi nënës t’i korrte grurin. Nëna u gëzua dhe pranoi menjëherë. Unë iu luta të më merrte me vete dhe shkova me të.

Fshatarët ta jepnin korrjen e grurit “qesim”

Fshatarët ta jepnin korrjen e grurit “qesim” siç i thoshin, d.m.th., jo me normë, por me sipërfaqe toke të caktuar. Nënën e mbuluan djersët nga korrja pa pushuar,se donte ta mbaronte parcelën pa u errur, të mos na zinte nata pa hyrë në qytet. Ajo korrte dhe unë e mblidhja duar-duar. E zonja e shtëpisë u kënaq shumë nga puna e nënës. Ajo mori një gjel deti dhe e futi në furrë, dhe përgatiti një drekë aq të shijshme e të pasur, sa e kujtoj dhe sot. Dhe na mbushi një trastë të madhe me gjysmën e gjelit që mbeti, me ushqime, me miell, niseshte, lakra grosh e me fruta. Ajo grua e mirë nuk harroi t’i jepte nënës edhe 100 lekë për korrjen e grurit dhe sistemimin e tij. Morëm rrugën për në shtëpi pa perënduar dielli. Pa hyrë ende në qytet, nëna donte të bënte edhe një turrë drush që t’i shiste për 40 lekë. Me 40 lekë e kalonim ditën të katërt. Duke llogaritur edhe 100 lekë nga korrja e grurit dhe ushqimin që na dha ajo grua e mirë, atë ditë na u duk vetja të pasur!

Jeta po bëhej më e vështirë e me të papritura.

Një ditë, Dega e P. të Brendshme e Beratit mblodhi të gjithë të internuarit dhe u tha që të nesërmen nga një për familje do të shkonin në fermën e Otllakut, në Kuçovë, për të luftuar morinë e madhe të karkalecave. Karkalecat bënin kërdinë në grurë, misër, zarzavate dhe fruta. Kjo qe punë më tepër për rininë. Për të mos e lodhur më nënën, unë ngrita dorën e para për të shkuar vullnetare në Otllak. Kështu u bëmë një grup të rejash bashkë, që nëna të mos kishte merak për mua dhe u nisëm me kamionë për në fermë, që ishte afër me Beratin. Sa zbritëm në fermë, na u hodhën karkalecat në fytyrë e në trup. Ishin në madhësinë e një zogu. Ne i luftonin duke hedhur benzinë e duke u vënë zjarrin e mandej i fshinin nga fusha me fshesa gjeshtre(apo gjineshtre) dhe mbushnim çarçafët me ta .

Pastaj këndonim:

“ Karkalecin në lëndinë/ do ta djegim me benzinë”.

Kur digjeshin karkalecat lëshonin një erë të keqe shkrumbi.

Psherëtimë jete

Një ditë ishim vetëm ne të dyja ulur në një bllok betoni, kur nëna lëshoi një psherëtimë të thellë.

-Çfarë ke nanë?, e pyeta.

-Eh, moj bijë! Sa mirë qemë, e sa keq na erdhi jeta!

Dhe ajo nënë që ishte aq e rezervuar e s’i ndante hallet me njeri, tha:

-Ti, moj bijë je ende as e rritur,as e parritur dhe djemtë janë kalamaj. Unë nuk dua t’u tregoj hallet juve se nuk dua të rriteni të trishtuar. Unë nuk e di se sa do të zgjasë ky dënim i yni. Dhe pasi heshti pak psherëtiu sërish: “Vetëm Pali ndoshta do ta dijë! Po ku ta gjej djalin e madh, që nuk u bë i gjallë me gjithë ato që na ndodhën”.

Unë që isha më e madhja në mes vëllezërve të mi më të vegjël në internim doja të bëhesha mbështetje për nënën. Më parë kishte qenë Pali mbështetja e saj.

-Nanë, po të më japësh leje ti, unë ia gjej adresën Palit.

Nana u habit:

-Ku? Si ja gjen ti adresën Palit?

-Komunistët e gjejnë njëri tjetrin! – thashë unë me një siguri që më çuditi edhe vetë. Kisha vendosur të isha më e madhe se vitet e mia.

-Ne nuk njohim ndonjë komunist këtu në Berat, që të jetë shok i Palit, tha nëna. -E gjej unë dhe i kërkoj adresën e Palit. Afër xhamisë e ka zyrën. Njeriu që më erdhi ndër mend ishte Llukan Toska, kryetar i reformës agrare.

* * *

“Jam një e internuar dhe nanë komunisti”

Tek shoku Llukan shkuam bashkë me nanën. Hymë në zyrën e tij dhe ndenjëm tek dera.

-Jam një e internuar, -u prezantua nana. Ai ngriti sytë.

-dhe nanë komunisti, shtoi ajo.

Ai e vështroi me habi.

-Jam nana e Pal Melyshit.

Sqarimi ishte i plotë. Shoku Llukan u ngrit në këmbë.

Instinkti e ndihmoi të kuptonte se ç’kërkonte kjo nënë dhe mori menjëherë në telefon dikë. Pyeti nëse e dinin se ku punonte Pal Melyshi. I thanë që është transferuar në Shkodër, në Komitetin e Partisë.

Nëna e falënderoi dhe ne dolëm.

-E pe nanë, që ka edhe komunistë të mirë? Si ky Llukani, jo si ai Petriti, ai që na dogji kullën.

-Po, po. Bijo, shoku i mirë njihet në ditë të vështirë.

Kishim zbritur në fund të shkallëve, kur na thirri Llukani.

-Prisni, t’u jap një zarf, se do t’u duhet për në postë.

Nana e falënderoi për gjestin fisnik, pa e hapur zarfin. Kur shkuam në postë pamë se brenda në zarf ai kishte futur disa kartmonedha. Me to do të blenim ushqime, por mbi të gjitha ilaçe për vëllain, Lekën, që ishte i sëmurë.

Nana, që në fillim u gëzua shumë, ra në dilemë. T’i shkruante apo mos t’i shkruante Palit? Ajo qe një e internuar, e ai komunist. Po sikur t’i bënte dëm? Djali s’qe bërë i gjallë tërë kohën. Po sikur ta hiqnin nga puna e mirë që i kishin dhënë?

Së fundi vendosëm që t’i shkruanim kështu:

“A mundesh me na ardhë në ndihmë financiarisht, sado pak, se po jetojmë në mjerim e me fëmijë të sëmurë”

Nana dhe fëmijët.

Kampi i të internuarve, Berat

vijon

Nesër  do të lexoni:

  • Kthimi i beftë i përgjigjes, Pali: Jam mirë. Fëmijët u shëndetsofshin. Para s’kam. Pali