Dom Nikollë Kaçorri, si shqipja e malit

1630
Në prehër të livadheve të Lurës në rrethin e Dibrës, hedhin shtat kullat e moçme të mbuluara me frugja prej ahu të bardhë, me odat e kuvendit dhe të mikpritjes të shtruara me postahe e shtrosa dashi. Në këto oda peshohet edhe fjala e malësorëve të Lurës për të shkuarën e lavdishme, për bijtë e saj të ndritur dhe për një të ardhme më të mirë. Në njërën prej këtyre kullave. Në fshatin Krejë lindi me 21 Shkurt 1862 Dom Nikoll Kaçorri, një nga bijtë më të shquar të Lurës, personalitet i ndritur i Rilindjes Kombëtare. Jo vetëm si klerik dhe patriot besnik i idealeve të atdheut, ai ishte dhe mbetet një figurë poliedrike e pasur me kulturë të gjerë dhe dije në shumë sfera të jetës sociale dhe shkencore. Që në fëmijëri dhe rininë e hershme, ai shfaqi virtytet dhe cilësitë që premtonin për formimin e tij si zgjuarsia, vullneti për dije, shkathtësia, urtësia, dashuria dhe respekti për njerëzit dhe vendlindjen e tij Lurën e varfër në mes të maleve. Kreu seminarin Papnuer në Shkodër dhe më pas studimet e larta teologjike në Itali. Është shuguruar prift dhe ka zotëruar gjuhët Latinisht, Italisht, Frëngjisht dhe Gjermanisht. Me ndjenjat patriotike dhe zjarrin e dashurisë për atdheun e varfër e të robëruar nga pushtimi i gjatë Osman, Dom Nikoll Kaçorri ju përkushtua për 20 vjet me radhë çështjes tonë kombëtare. Krahas veprimtarisë kombëtare, ndihmës i Arqipeshkëvit të Durrësit, ai zhvilloi një veprimtari të veçantë dhe mjaft të gjerë si studiues në lëmin historik dhe shoqëror. Bashkë me punën në shërbim të fesë ai u mor dhe me veprimtari atdhetare si për mësimin e alfabetit shqip dhe shkollën kombëtare, për organizimin e shoqërive kulturore e patriotike deri në organizimin e drejtimin e kryengritjeve të armatosura në Mirditë, Kurbin, Shkodër, Malësi e Madhe,Dibër e Durrës. Mori pjesë në përpunimin e platformës politike të lëvizjes kombëtare deri në krijimin e shtetit të parë shqiptar.
Dom Nikoll Kaçorri më 1908 ishte delegate në Kongresin e Manastirit, krahas figurave më të shquara të dijes dhe kulturës kombëtare si: At Gjergj Fishta, Dom Ndre Mjeda, Abat Doçi, Shtjefën Gjeçovi, Vebi Agolli, Hil Mosi, Dervish Hima, etj. po kështu Dom Nikolla është pjesëmarrës në shumë kuvende e kongrese sin ë Vlorë, Shkodër, Kurbin, Elbasan, Mirditë, Dibër e Mat. Në fjalimet e tij rrezatonte pjekuria dhe vendosmëria për lirinë, pavarësinë dhe civilizimin e Shqipërisë. Ai propagandonte gjithnjë bashkimin e shqiptarëve pavarësisht nga feja, idetë apo krahinat nga vinin ata. Kjo në funksion të çlirimit të Shqipërisë që aq fortë e dëshironte e luftonte Dom Nikoll Kaçorri. Për këtë qëllim ai mbante lidhje me figura të shquara të kombit si: Shtjefën Gjeçovi, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri dhe të tjerë luftëtarë të lirisë. Në kryengritjen e madhe historike të Malësisë në vitet 1910-12 autoritetet osmane, Dom Nikollës i kapin një letër dërguar vëllezërve të Kosovës. Kjo letër ishte kushtrimi dërguar shqiptarëve në Kosovë, e cila përfundonte me fjalët e zemrës së tij:”Rrofshin kosovarët kryengritës”. Kjo letër i ftonte ata të ngriheshin kundër pushtuesit osmanë. Në Dhjetor 1911 prifti patriot bleu 500 pushkë e mitrolozë për armatosjen e kryengritësve të Krujës, Mirditës, Lurës dhe Malësisë së Madhe për ti përgatitur ato për kryengritjen e përgjithshme në luftë për lirinë e trojeve shqiptare. “Të bëhen veprime të forta që ta marrë vesh Europa se Shqipëria po Lufton trimërisht për të drejtat e veta”;shkruante ato ditë të kryengritjes popullore prifti atdhetar Dom Nikoll Kaçorri, i cili në vjeshtën e vitit 1912 ju kushtua plotësisht pavarësisë kombëtare. Në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Në Nëntor 1912 ai rrinte në krye, në krahun e djathtë të Ismail Qemalit, ditën e kurorëzimit të Pavarësisë Kombëtare kur Flamuri Kombëtar i 28 Nëntorit 1912 u ngrit nga dora e Ismail Qemalit si dhe formimi i qeverisë së parë demokratike shqiptare pas pushtimit të gjatë Osman u kurorëzua me sukses. nënkryetar i kësaj qeverie u emërua Dom Nikoll Kaçorri, i cili përfaqësoi Durrësin në Kuvendin e Vlorës dhe qeverinë e saj, por përfaqësonte dhe Lurën, Mirditën, Shkodrën, Malësinë e Madhe dhe krejt Shqipërinë në këtë eveniment mbarë kombëtar. Në odat e kuvendit, në dasma e gëzime, Lura dhe Shqipëria u kënduan bijve të vet pishtarë: “Dom Nikoll Kaçorri si shqipja e malit/Krahu i djathtë i Ismail Qemalit”.
Nikollë Ndoku, Mësues në Mirditë
Sigal