DOKUMENTET E KRYEKOMANDËS SË USHTRISË GJERMANE

1622
Sigal

Albert KOTINI

Lufta partizane dhe ajo naziste: Urrejtje dhe Dashuri

Ditari i Krye/komandës së ushtrisë gjermane prej dt. 30 qershor 1943 deri në marsin e vitit 1945. Dështimi i Operacionit armik të Dimrit 1943-1944, Shpërthimi i Operacionit armik të Qershorit

Lufta e dytë botërore në dokumentet shqiptare dhe gjermane

Është shkruar e po shkruhet për këto palë ndërluftuese, deri në infinit fitoresh… Asnjë humbje e tyre në dokumentet e Vermahtit nuk figuron kundër partizanëve. Për asnjë humbje nuk shkruhet në historinë e Luftës partizane!

Statistika, skica e plane ushtarake shoqërojnë betejat, luftimet, aksionet, pritat partizane, që kanë “vrarë” mijëra gjermanë!

Në planet e komandave gjermane në Shqipëri, raporte ditore, mujore, raporte zbulimi, siç pohohet nga një grup studiuesish të KQ të PPSH: “Pa këto burime arkivore do të ishte e pamundur të shkruhej historia e Luftës Nacionalçlirimtare”. Bëhet fjalë për fondin e Vermahtit në Shqipëri, që KQ i PPSH (sektori i Historisë së Partisë) arriti ta marrë nga arkivat kombëtare të SHBA-së. Ky fond përbëhet nga 102 bobina mikrofilmash, që përfshijnë 110.700 faqe.

Disponohet edhe Ditari i Krye/komandës së ushtrisë gjermane prej dt. 30 qershor 1943 deri në marsin e vitit 1945. U përkthyen nga tërësia e këtyre dokumenteve 3830 faqe të daktilografuara që bëjnë fjalë për Ballkanin dhe veçmas për Shqipërinë.

Diplomaci e luftës nga gjermanët

Propagandë dhe veprime partizane

Ajo që të çudit është konstatimi i studiuesve tanë për këto dokumente, kur informojnë udhëheqjen: “Në dokumentet tona të kohës së Luftës, në kujtesën e pjesëmarrësve të LNÇ, në studimet e pasluftës ne jemi njohur me dy operacione të mëdha të okupatorëve gjermanë. Këto dy operacione i kemi quajtur. a) Operacioni i Dimrit, b) Operacioni i Qershorit.

Por në dokumentet gjermane që disponojmë, ne shohim se ata i emërojnë dhe i klasifikojnë ndryshe operacionet kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Studiuesit në fjalë janë emra, të cilët shkruan historinë e Luftës Nacionalçlirimtare para dhe pas viteve 1990.

Të quajtur të majtë apo të djathtë, asnjëra palë nuk e konceptoi ndarjen e këtyre operacioneve, i Dimrit apo i Qershorit, por, në fakt, si një sajesë të tyre, që nuk ka ekzistuar te gjermanët.

Përveç këtij fakti, që e ka “trullosur” studimin e Luftës, janë futur mjaft terma, nocione e koncepte aspak të sakta. Për shembull, në disa botime për luftën ndaj gjermanëve (botime të viteve 1991-2009) si ideologët nacionalistë (të djathtët), ashtu edhe ideologët socialistë (të majtët) emërtojnë beteja disa luftime të thjeshta, për shembull, beteja për çlirimin e Tiranës, sikur të ishin beteja në Vaterlo apo në Stalingrad!

Termi operacione spastrimi, quajnë me modesti veprimet e veta gjermanët, ndërsa pritat partizane na quhen luftime të mëdha, aksione e deri kundërmësymje.

Kulmi është kur për periudhën shtator-tetor 1943 shkruhet se: “Trupat gjermane të pushtimit në Shqipëri janë kudo në mbrojtje” dhe vazhdon të shkruhet për iniciativën e sulmit të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.

Mirëpo në dokumentet gjermane jepen, për këtë periudhë, plot 13 operacione spastrimi. Dhe konkretisht:

  1. Operacione spastrimi në qarkun e Korçës (krahina e Kolonjës dhe Leskovikut 2.4.1943.
  2. Operacion spastrimi në krahinën Himarë e Sarandë (5-7 shtator 1943).
  3. Operacion spastrimi në Berat (6-7 shtator 1943).
  4. Operacioni i Krujës (22-24 shtator 1943).
  5. Operacioni i spastrimit në rajonin Krujë-Burrel (25 shtator-5 tetor 1943).
  6. Operacioni “Spagheti” në qarkun e Vlorës e të Gjirokastrës (29 shtator-55 tetor 1943).
  7. Operacioni “Herbstreis” (Shëtitja e vjeshtës) 5-7 tetor 1943).
  8. Operacioni i spastrimit “Eilbota” në rrugën bregdetare Vlorë-Himarë nga repartet e Divizionit 100 (1-20 tetor 1943).
  9. Operacioni i spastrimit në Arbanë (9 tetor 1943).
  10. Operacioni i spastrimit “Alpenrise” në jug të Tiranës dhe në Kuçovë (14-18 tetor 1943).
  11. Operacioni në rajonin Fier, Lushnjë, Roskovec, Ballsh (22-24 tetor 1943).
  12. Operacioni i spastrimit në rajonin e Kukësit (21 tetor 1943).
  13. Operacioni “Regenpfeifer” në rajonin e Pezës, me qëllime zbulimi (2-5 nëntor 1943).

 

Në këto operacioni gjermanët pushtuan territoret e planizuara, çarmatosën ushtarët italianë të divizioneve “Perugia”, “Parma”, “Firenze”… të regjimenteve “Miniferrato” etj.

Pas kësaj vijon me operacionet e tjera, siç janë:

 

  1. Operacioni “505” në zonën e Pezës (5-11 nëntor 1943).
  2. Operacioni “Roter Man” (Bolchevik), d.m.th. (Njeriu i kuq) në qarkun e Beratit (13-30 nëntor 1943).
  3. Operacioni “Hafenfhart” për spastrimin e qyteteve Durrës, Kavajë, Shijak (20 nëntor 1943).
  4. Operacioni “Mallkastra”, që u krye njëkohësisht me operacionin “Roter Mann” (19-25 nëntor 1943).
  5. Operacioni “Edelweise” në qarkun e Dibrës e të Peshkopisë (1-31 dhjetor 1943).
  6. Operacioni “Otto” në rajonin Berat-Këlcyrë dhe Vlorë-Tepelenë-Këlcyrë (4-7 tetor 1943).
  7. Operacioni në Mokër (rrethi i Pogradecit) 84-14 dhjetor 1943).
  8. Operacioni “Sturm” (dhjetor, 1943).
  9. Operacioni “Schneeberg” për pushtimin e Tomorricës (12 dhjetor 1943).
  10. Operacioni i spastrimit “Razia” në Labinot (2 dhjetor 1943).
  11. Operacioni “Nikolauja” në jug të Elbasanit (6 dhjetor 1943).
  12. Operacioni “1828” në rajonin Librazhd, Elbasan, Martanesh, Klos, Tiranë (9 dhjetor 1943-1 janar 1944).
  13. Operacioni “Patod” (23 dhjetor 1943-2 janar 1944).
  14. “Bergkessel” në rajonin Mesaplik e Kurvelesh (14-23 dhjetor 1943).
  15. Operacioni “Schneeschmeeze” dhjetor 1943 Berat.
  16. Operacion spastrimi në rajonin eTiranës (dhjetor 1943-janar 1944).
  17. Operacioni “Seydlitz” 7 janar – 18 janar 1944 në rajonin Korçë, Berat, Gramsh.
  18. Operacioni “Horidoh” në rajonin Gjirokastër, Përmet, Berat, Ballsh, Tepelenë 21 janar – 6 shkurt 1944.
  19. Operacioni “Buflei” në qarkun e Korçës. Shkurt 1944.
  20. Operacioni “Un denosh” në luginën e Shushicës së Sipërme (9-12 shkurt 1944).
  21. Operacioni “Gams” në qarkun e Korçës (shkurt, 1944).
  22. Operacioni “Pik” (13-20 shkurt 1944) në rajonin Gjakovë, Tropojë, Kukës.
  23. Operacioni “Halali” në rajonin e Beratit (27 shkurt 1944).
  24. Operacioni “Aasenjzúgt” që ndërroi emrin si kameleoni në emrat konvencionalë “Busard” e pastaj “Sauhatz” 20-24 mars 1944 në zonën ndërmjet rrugëve Elbasan-Tiranë-Ndroq, Kavajë, Rrogozhinë, Peqin kundër tre batalioneve të Br. I.S. dhe forcave partizane të qarkut të Tiranës.
  25. Operacioni “Fruhlingszauber” (që më pas ndërroi në “Volfschluch”. Filloi në zonën e Pezës më 26 shkurt-15 mars 1944 si dhe në Mesaplik e Kurvelesh më 30 mars 1944.
  26. Operacioni i spastrimit në Mokër (mars, 1944).
  27. Operacioni i spastrimit në Moravë (Korçë) mars 1944.
  28. Operacioni “Wolfschluch” në Mesaplik e Kurvelesh më 30 mars-16 prill 1944.
  29. Operacioni “Dolchjestoss” në rajonin e Qafë Thanës, Pogradec, Korçë kundër Br. 1., Br. 4 dhe forcave të qarkut të Korçës prej 18 -30 prill 1944.
  30. Operacioni “Zaunkonig” në prefekturën e Gjirokastrës (Delvinë) 6-7 prill 1944.
  31. Operacioni e spastrimit “Hortmann” në rajonin e Kardhiqit (Gjirokastër), prill 1944.
  32. Operacioni “Schakel”, prill 1944.

46.Operacioni “Blindschleiche” në rajonin e Sarandës, Konispol, Kokorrit, Grapshi, Delvina (16-21 prill 1944).

  1. Operacioni “Harold” në rajonin Bilisht, Ziçisht (devoll) më 27-29 maj 1944.
  2. Operacioni “Einhorn”(Rinoceri) në rajonin Bilisht, Korçë, Pogradec, Elbasan, Gramsh, Vithkuq (26 maj-4 qershor 1944).
  3. Operacioni “Gemsbock” 6-24 qershor 1944 në rajonin Korçë, Korçë, Berat, Gjirokastër, Vlorë.
  4. Operacioni “Steinbock” 24-30 qershor 1944 zë njëjtat forca si dhe në “Gemsbock” nëpër rrugët e kthimit.
  5. Operacioni “Uhu” në rajonin Zagori, Lunxhëri, Pogon 22-28 qershor 1944.
  6. Operacioni në zonën Kukës-Tropojë (12 qershor 1944).

53.Operacioni “Junikafer” në rajonin Kukës-Tropojë e Gjakovë (27 qershor 1944).

  1. Operacioni Falkenange” kundër Divizionit I S. në rajonin e Dibrës, Matit.
  2. Operacioni “Fuchsjag” kundër Divizioni I S. në rajonin e Lurës e të Rrëshenit (gusht, 1944).
  3. Operacioni “Fritz” në jug të Dibrës (25 korrik 1944).

 

Studiuesit shqiptarë nacionalistë në botimet e tyre historike të Luftës theksojnë se, deri më 15 shkurt 1944 iniciativën e marrin gjermanët, ndërsa më 15 shkurt deri më 30 maj 1944 e merr iniciativën Ushtria Nacionalçlirimtare; pastaj, në qershor e merr armiku dhe më 26 gusht e derisa çlirohet vendi iniciativën e sulmit e merr në dorë përsëri Ushtria Nacionalçlirimtare. Në fakt, sulmet partizane bëhen pas tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria (1 tetor 1944) nëpër rrugët e autokolonave, ndërsa më parë ka pasur vetëm prita. Studiuesit shqiptarë pohojnë se një batalion gjerman, nga sasia numerike (900-1000 vetë) ishte sa 4-5 batalione tonat, domethënë, më tepër se një brigadë, ose një kompani e tyre me 220 veta, ishte sa një batalion partizan.  Në ndihmë të këtyre “sukseseve” të një çete partizane kundër një batalioni gjerman vijnë letrat e Enver Hoxhës, të cilat janë në “Veprat” 1, 2 etj. Po origjinalet ku janë? Sipas “studiuesve” të luftës partizane “taktika, arti operativ dhe strategjia e Ushtrisë NÇ u zhvilluan duke iu kundërvënë artit ushtarak të përparuar të ushtrisë gjermane. Ajo që bie në sy është fakti se sado “zmadhime” të japin dokumentet gjermane për fitoret e tyre, ato nuk janë absurde si në botimet tona. Në “Historia e Shqipërisë” e cila u bë baza zyrtare (derisa doli, më 1989), “Historia e Luftës Nacionalçlirimtare” ka të tilla referenca: “Të evitohen luftërat frontale…”. “Prej fundit të shtatorit deri në mes të nëntorit 1943 repartet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare kryen rreth 100 veprime të rëndësishme luftarake kundër armikut. Vetëm Brigada I Sulmuese bëri gjatë kësaj kohe 22 luftime…”. “Në Zonën I Operative Vlorë-Gjirokastër gjatë kësaj kohe u zhvilluan 23 veprime të rëndësishme luftarake, nga të cilat më kryesoret janë: Lufta e Konispolit kundër 3000 gjermanëve e ballistëve (13-28 shtator 1943); prita në qafën e Muzinës (28 nëntor 1943), ku u shpartalluan 1500 gjermanë; lufta në afërsi të Borshit, ku u zhvilluan luftime të ashpra trup me trup kundër 200 hitlerianëve; lufta në Manastirin e Cepos, ku pas tri ditë luftimesh u thyen 1000 gjermanë (3-5 tetor 1943); lufta kundër gjermanëve në Përmet (3 dhe 7 nëntor 1943). Pas këtyre luftimeve, u çlirua i gjithë qarku i Gjirokastrës si dhe vetë pjesa më e madhe e qarkut të Vlorës…Në qarkun e Korçës u bënë 15 luftime. Në qarkun e Beratit u kryen 13 luftime, si ai në afërsitë e Beratit (20-21 tetor), ku u shpartalluan 200 armiq. Në Elbasan u bënë një varg goditjesh nga të cilat më kryesorja është asgjësimi i autokolonës gjermane në rrugën Librazhd-Elbasan (25 shtator). Në zonën e Pezës, deri më 5 nëntor u zhvilluan 15 luftime, ndër të cilat më kryesoret janë lufta e Brigadës III dhe grupit të Pezës në Arbanë, ku u shpartalluan forcat gjermane të sulmit prej 500 vetash (10 tetor), luftimet e përgjakshme në luginën e Erzenit (15 tetor) dhe luftimet në afërsi të Shijakut, të cilat vazhduan 4 ditë dhe ku u asgjësua një autokolonë gjermane.

Dështimi i Operacionit armik të Dimrit 1943-1944

Në këtë kohë efektivat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare arrinin në 20.000 luftëtarë të inkuadruar në brigada, grupe e batalione të rregullta.  Për sa i përket Operacionit të Dimrit, planizuar nga forcat gjermane në vend, komanda e lartë gjermane e zhvilloi këtë operacion në dy faza kryesore. Faza e parë (nëntor-dhjetor 1943) përfshin një varg sulmesh kundër bazave më të rëndësishme partizane në Shqipërinë e Mesme e të Veriut, të shoqëruar me veprime lokale në jug të vendit. Më 5 nëntor 1943 mbi 6000 gjermanë, xhandarë e ballistë u hodhën në mësymje nga 5 drejtime në krahinën e Pezës kundër Brigadës III Sulmuese dhe grupit partizan të Pezës… Brigada III çau rrethimin dhe doli nga zona e operacionit me humbje të pakta… Në krahinën e Dibrës pushtuesit dhe tradhtarët e filluan operacionin më 16 nëntor me një forcë prej 5000 vetash kundër dy batalioneve partizane të grupit të Dibrës.  Pas Pezës dhe Dibrës, pushtuesit gjermanë organizuan një operacion edhe më të gjerë kundër Brigadës II Sulmuese, Brigadës III Sulmuese dhe forcave të grupit të Elbasanit në zonën e Çermenikë-Shëngjergj-Martaneshit. Mësymja armike filloi më 19 dhjetor nga shtatë drejtime.  Brigada II, pak më vonë edhe Brigada III humbën më tepër se gjysmën e efektivit të tyre…Më 19 nëntor, pasi morën Beratin, pushtuesit gjermanë, të ndihmuar nga ballistët, filluan mësymjen e tyre në krahinën e Mallakastrës, ku vepronte Brigada I… 80 partizanë, të udhëhequr nga komandanti i brigadës, Mehmet Shehu, sulmuan befasisht fuqitë e armikut dhe asgjësuan 120 hitlerianë.

Faza e dytë e mësymjes së madhe armike të Dimrit filloi më 7 janar 1944 kundër forcave të Ushtrisë nacionalçlirimtare në Shqipërinë e Jugut.

Tre divizione gjermane të ndihmuara nga banda tradhtarësh, filluan mësymjen në formë koncentrike në zonën që përfshihet midis qyteteve Korçë, Elbasan, Berat e Përmet. Armiku synonte t’i bllokonte forcat partizane në këtë darë, t’i copëtonte dhe t’i asgjësonte. Brigada IV, batalionet dhe grupet e qarkut të Korçës e të Beratit u dhanë grushte të rënda forcave të mëdha gjermano-balliste në të gjitha drejtimet e lëvizjes së trupave armike, duke ia prishtu planet kundërshtarit.

Lufta në Tendën e Qypit ka qenë ndeshja më e përgjakshme e kësaj faze. Sulmi i partizanëve e ngadalësoi përparimin e armikut, i cili pas humbjesh të shumta vetëm ditën e pestë mundi të arrinte në Këlcyrë. Disfata që armiku pësoi në Tendën e Qypit ndihmoi për dështimin e operacionit armik në zonën e Përmetit e të Zagorisë.

Më 26 janar, ditën kur inaugurohej Brigada VI, 10 trupa gjermane e tradhtare filluan veprimet në zonën Përmet-Zagori-Lunxhëri në gjashtë drejtime. Por u gozhduan në vend nga pritat e Brigadës VI, të Brigadës I dhe të Zonës Operative. Më 27 janar, zona e rrethuat nga armiqtë u zbraz krejt prej reparteve të ushtrisë, të cilat sipas planit të përgatitur qysh më parë, i dolën armikut në shpinë dhe filluan përnjëherësh t’i jepnin atij goditje të forta, duke e detyruar të tërhiqej me nxitim. Pas këtij veprimi, hitlerianët dhe bandat balliste, më 29 janar, filluan një mësymje të re në zonën Mesaplik-Kurvelesh-Salari kundër Brigadës V të porsaformuar dhe reparteve të tjera… Forca të mëdha fashiste u orvatën të asgjësonin edhe njësitë partizane që vepronin në zonën e Veriut. Nga mesi i shkurtit 1944, rreth 3000 fashistë gjermanë e 5000 mercenarë, të nisur nga Gjakova, u përpoqën të rrethonin në zonën e Krasniqes forcat e batalioneve “Perlat Rexhepi” e “Bajram Curri”.

Në qarkun e Korçës kundërmësymja filloi më 31 janar në drejtim të Kolonjës, Vithkuqit dhe Oparit. Brigada IV dhe forcat partizane të qarkut deri më 17 shkurt arritën të çlironin gati të gjitha krahinat që kishte shkelur armiku gjatë Operacionit të Dimrit dhe vazhduan goditjet kundër pozitave të tij në dyert e Korçës, Pogradecit, Ersekës dhe Bilishtit.

Në këtë mënyrë, Operacioni i madh i armiqve i Dimrit 1943-1944 dështoi plotësisht. Gjatë kësaj kohe armiqtë humbën 3000 të vrarë (shumica e tyre ushtarë gjermanë) dhe rreth 2000 robër (shumica e tyre pjesëtarë të bandave tradhtare).

 

Shpërthimi i Operacionit armik të Qershorit dhe dështimi i tij

Mësymja armike filloi më 28 maj nga disa drejtime në zonën Korçë-Elbasan-Berat-Përmet kundër Divizionit I të UNÇ shqiptare dhe forcave partizane të qarkut të Korçës e Beratit. Nga 15-19 qershor pushtuesit gjermanë zhvilluan një operacion edhe në krahinën e Mallakastrës, ku ndeshën në qëndresën e ashpër të Grupit III të Zonës I Operative. Ata u thyen dhe u tërhoqën pa arritur objektivin. Në pesëmbëdhjetëditëshin e dytë të qershorit hitlerianët e përsëritën mësymjen e tyre në rajonin e Zagorisë e të Lunxhërisë, në Dëshnicë, në pjesën perëndimore të Skraparit dhe në nahije të Beratit, por pa sukses.

Gjatë operacionit armiqtë dogjën fshatra të tëra dhe masakruan lart nga 1000 pleq, gra e fëmijë dhe rrëmbyen mijëra krerë bagëti. Këto masa terrori nuk e thyen shpirtin e qëndresës së popullit shqiptar, në luftimet e ashpra ranë dëshmorë dhe u plagosën rëndë rreth 500 partizanë, ndërsa armiqtë pësuan një humbje gjashtë herë më të madhe.

Pikëpyetjet që zbulojnë faktet dhe i zhveshin ideologjitë: bolshevike apo naziste qofshin ato:

Kështu, kur lexon që në Tiranë p.sh. në tetor 1943 vepronin 47 njësite guerilesh me 530 luftëtarë…! Atëherë, shtrohet pyetje: Sa atentate janë bërë në Tiranë kundër oficerëve apo ushtarëve gjermanë? Asnjë. Ato janë bërë ndaj shqiptarëve “tradhtarë”.

Sa operacione gjermano-balliste përmenden në dokumentet e Vermahtit? Asnjë! Ndërsa në ato komuniste mbi 90 për qind e tyre dalin të përbashkëta.

A ka ndonjë luftë partizane më lart se batalioni? A ka ndonjë betejë brigade, divizioni, korparmate partizane që të kenë bërë luftë frontale ndaj gjermanëve? Asnjë! Atëherë, ku janë këto veprime të shkallës operativo-strategjike të Ushtrisë Nacionalçlirimtare?

Si është e mundur që një çetë partizane të ketë fituar përballë një batalioni gjerman, i cili ishte thjesht në numër i armatosur gjashtë herë më tepër?!

Shkruhen mësymje e kundërmësymje partizane gjatë Operacioneve të Dimrit e të Qershorit. Mirëpo mësymja e kundërmësymja nuk mund të ngatërrohen me sulmet e kundërsulmet, as me pritat dhe aksionet në shkallë teknike që paraqesin këto luftime.

Në këto koncepte të deformuara shkruhet edhe nga autorë, të vetëquajtur nacionalistë, kur quajnë, për shembull, vëllavrasjen e datës 11 tetor 1943 si një betejë e fitore të madhe nga ballistët kundër partizanëve. Në një trakt të Ballit Kombëtar shkruhet: “Midis Çermës dhe Divjakës së Lushnjës u bënë dy ditë luftë civile. Bilanci: 109 partizanë dhe 18 ballistë të vrarë”.

Pa folur për komunikatat, traktet si të Ballit Kombëtar edhe të Partisë Komuniste, që me një urrejtje ideologjike të tillë midis tyre, eklipsuan urrejtjen ndaj gjermanëve.

Aq sa në dokumentet gjermane zunë vend dashuritë e tyre për flirte si me ballistët ashtu edhe me partizanët, vetëm e vetëm të mos ngacmonin qetësinë e kalimit në rrugë të gjermanëve.

Aq e madhe u bë urrejtja ndaj Ballit Kombëtar, sa në tërë letrat e E. Hoxhës porosia ishte se armiku Nr. 1 ishin ata (ballistët) dhe vuri shenjën e barazimit me Gestapon.

Madje në “Vepra” vëll. 1, fq. 421-422 detyra u shtruan edhe kundër Legalitetit. Pra, kundër shqiptarëve me ideale jo komuniste.

Aq e vërtetë është kjo, sa partizanët këndonin: “O gjermanë flini gjumë/ me ballistët kemi punë”.

Kështu që armiq kryesorë u bënë ballistët dhe jo nazistët.

Flitet për “Luftë civile” kur dendësia e operacionit gjerman, sipas dokumenteve të tyre, ka qenë në Shqipëri: 6 ushtarë për km2 dhe 1 ushtar kundrejt 6 banorëve shqiptarë.

Atëherë, në këtë kontroll gjerman si u zhvillua kjo luftë civile?

Vëllavrasjet sporadike, lokale dhe midis “bandave” të armatosura partizane e balliste nuk identifikojnë një luftë civile as si koncept e as si realitet.

Asnjë shtet ballkanik, i okupuar nga gjermanët, nuk e ka quajtur luftë civile atë ideologjike, madje Greqia e quan të tillë (tetor 1944-1948) vetëm mbas largimit të nazistëve. Greqia e quan luftën e viteve 1940-1944 “Rezistencë kombëtare”.

Çdo vend me këshilla na u quajt çlirim.

Gjermanët i kanë quajtur luftimet e tyre me zona dhe emra drejtuesish si ato në Shqipërinë e Jugut, të Mesme dhe të Veriut dhe aspak siç i kemi në historiografinë e Luftës Nacionalçlirimtare e të mbetura si të tilla edhe në vitin 2009!

Çështja e këtij dossieri – informativ ka të bëjë me faktin që po ndodh me rishkrimin e historisë, ku apologjia e dy idealeve të kundërta, nacionaliste dhe komuniste, po e fryjnë atë me “legjendarë të lavdishëm”, me familje që kanë bërë histori, me dosierë pa asnjë dokument, me heronj të komunistëve, por kriminelë quhen prej nacionalistëve e deri në absurditete sa majtas apo djathtas etj. të cilët po na lënë pa histori kombëtare, qoftë me sa më pak subjektivizëm.

Bota po e rishkruan historinë e Luftës II Botërore mbi bazën e evitimit ideologjik të kundërt (majtas apo djathtas), por të ngritur mbi prova e dokumente sa më origjinale e të vërteta.

Për Poloninë u zbuluan fakte që mjaft të vrarë janë vepër e stalinistëve e jo të hitlerianëve. Këto të dhëna bëhen me komisione miks, studiues e historianë, dëshmitarë gjermano-polakë.

Për Përl-Harburin komisioni miks amerikan-japonez po hedh dritë për të vërtetën.

E kështu në Itali për Musolinin e deri në Norvegji për Kuislingun, të cilin më 2009 e shpallën Hero Kombëtar, që luftoi kundër komunizmit sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Ja përse duhet mbjellë dashuri dhe jo urrejtje midis shqiptarëve.