Dok. Arqile Veshi: Heroizmi Partizan në Çlirimin e Kurveleshit

210

Në kuadër të 75-vjetorit të Çlirimit të Kurveleshit

 

Heroizmi partizan dhe patriotizmi i Kurveleshit në Grykën e Shurit

Dok. Arqile Veshi

 

Njihet historikisht se momenti përfundimtar dhe më kulmor në përballimin me sukses të fazës përmbyllëse të mësymjes së dytë të përgjithshme gjermane në operacionin e Qershorit të vitit 1944 është edhe çarja e rrethimit nga forcat partizane në Grykën e Shurit të Kuçit gjatë datave të 20 dhe 22 Qershorit të vitit 1944. Situata e krijuar shënoi gjendjen më të vështirë të forcave partizane dhe të popullsisë vendase me gjithë ecurinë e mësymjes armike pasi komanda gjermane e atij operacioni ishte në çastet përfundimtare të përmbylljes së luftimeve dhe shumë pranë realizimit të detyrës kryesore për asgjësimin e forcave partizane që vepronin në krahinën e Kurveleshit.

Në këtë periudhë pjesa më e madhe e forcave partizane që vepronin në këtë krahinë, të tërhequra me luftime gjatë fazës parë dhe të dytë të operacionit të Qershorit 1944 drejt malësisë së Kurveleshit të Sipërm e në pamundësi për të depërtuar nëpër formacionet e armikut e për të dalë në krahë e shpinë të tij më 20 e 21 Qershor 1944 u përqendrua në Grykën e Shurit, Grykë që lidh Gusmarin me Kuçin një grykë tepër e ngushtë e me terren shumë të thyer malor.

Në thellësi të Grykës e në rrethina, krahas popullsisë vendase që ishin larguar si zakonisht nga fshatrat e tyre për t’u shpëtuar masakrave të mundshme nga ana e forcave fashiste e bashkëpunëtorëve të tyre në operacione të kësaj natyre, aty gjendeshin të vendosura më parë edhe Spitali Partizan e depot e ndryshme të zonës parë operative. Mirëpo si rezultat i presionit me luftime të forcave Gjermano-balliste u detyruan të përqendroheshin edhe tre batalione të Brigadës së 12-të Sulmuese dhe komplet Brigada e 6-të Sulmuese e të tjera forca që bëheshin 1500 partizanë e disa forca vullnetare territoriale. Përqendrimi i gjithë këtyre forcave dhe popullsisë vendase u bë në një hapësirë jo më shumë se 8 km2 që krijonte vështirësi të madhe për manovrim e luftim për dalje nga ky rrethim shumë i vështirë të cilit nga ora në arë i shtohej edhe mungesa e ushqimit si për popullatën e partizanët e aq më keq që u pakësoheshin edhe municionet për forcat luftuese. Kësaj gjendje ekonomike dhe psikologjike ju shtua edhe presioni i forcave gjermane dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët kishin zënë pozita kyçe, duke bllokuar qafat e shtigjet në malin e Papadhisë, në malin e Gjatë, në Qafën e Gomares, në Rod e në Kuç. Për copëtimin dhe asgjësimin e forcave partizane të rrethuara në Grykën e Shurit, komanda Gjermane ndërmori mësymje në dy drejtime: nga Rodi dhe Kuçi për në thellësi të Grykës së Shurit duke bërë bllokimin në drejtimet e tjera me forca më të pakta.

Reagimi dhe plani masave

Komanda e forcave partizane që njihte me detaje karakteristikat e terrenit në atë grykë, në natën e 22 Qershorit 1944 me qëllim që të nxirrnin forcat nga rrethimi, vendosën katër kompani partizane, në mbrojte në shkëmbinjtë e thepisur në të dy anët e Grykës, ndërsa forcave kryesore u vuri detyra të çanin rrethimin e forcave naziste gjermane, qoftë edhe me luftim, duke shfrytëzuar shtigjet më të vështira për të dalë në drejtim të veriperëndimit për në pyjet e Kunjovës dhe në malin e Çipinit të Bolenës. Pjesës tjetër të forcave ju vu në dukje të depërtonte nëpër formacionet gjermane në drejtimet të veriut e verilindjes të fshatit Gusmar. Qëndresa kompetente e kompanive në mbrojtje dhe zjarri i fuqishëm e i befasishëm i tyre e sidomos ato në shkëmbinjtë e Rodit, i çorientoi dhe i mashtroi forcat naziste. Ato, nxituan të gruponin aty forcat kryesore të marra edhe nga drejtime të ndryshme por dështuan në realizimin e objektivit të tyre dhe u krijua mundësia për daljen nga rrethimi i forcave partizane të ndihmuara edhe nga shirat e rrëmbyeshëm e mjegulla e dendur që ra në atë mbrëmje.

Forcat partizane dhe popullsia dolën nga rrethimi dhe pas 2-3 ditësh partizanët u rigrupuan në brigadat përkatëse ku Brigada e 6 Sulmuese u përqendrua në Kuç dhe Brigada e 12-të Sulmuese u përqendrua në Gusmar në pritje për realizimin e detyrave që do të caktohej për të ardhmen, ndërsa popullsia u kthye në fshatrat e veta ku u përballën me djegiet e shkatërrimet masive kurse forcat territorial e vullnetare bënë spastrimin e zonës nga mbeturinat e armikut pushtues dhe bashkëpunëtorëve të tyre ballistë.

Pas luftimeve

 

Luftimet në Grykën e Shurit ishin luftimet e fundit që u zhvilluan në krahinën e Kurveleshit, popullsia e të cilës pas kësaj nisi punën e rindërtimet të ekonomisë dhe futjen e jetës në rrjedhën normale, prandaj edhe 25 Qershori i vitit 1944 është festuar edhe si data e çlirimit të Kurveleshit pasi pas kësaj date forcat armike nuk u futën më në Kurvelesh deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Ngjarje dhe data të kësaj natyre jo vetëm që nuk duhen harruar por edhe duhet kujtuar, vlerësuar dhe respektuar nga të gjitha brezat sepse flasin për karakterin patriotik dhe liridashës të Popullit Shqiptar.