Do të isha shumë i palumtur, sikur nji ditë të arrijsha në përfundimin me heqë dorë nga nënshtetsia shqiptare!

846
Sigal

(Vijon nga numri i kaluar)

Ju jeni marrë shumë me çeshtjen e Kosovës; çfarë do të veçoni nga përpjekjet Tuaja për të denoncuar gjenocidin sllav ndaj shqiptarëve të pambrojtur?

Veprimtaria e jonë në favor të pavarësisë së Kosovës ka qenë unanime, gjithëpërfshirëse, jo-partizane dhe efektive. Nuk besoj të ketë pasë nji legjislator amerikan që nuk ka ndigjue (dallohet Senatori Robert Dole) nga ne shqiptarët, për vuejtjet e Kosovës dhe nevojën me çlirue këte krahinë shqiptare. Kudo që kemi folë, ose paraqitë problemin e Kosovës me shkrim kemi dokumentue krimet serbe në Kosovë dhe kemi fitue kredibilitetin e autoriteteve amerikane me vërtetësinë e kërkesave tona. Edhe vetë ekspertët e SHBA-së që janë marrë direkt me problemin e Kosovës, kanë ndigjue me vemendje argumentet tona. Nji ndihmë jashtëzakonisht të madhe ka dhanë edhe qendrimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe presidenti historik i saj, i ndjeri Dr. Ibrahim Rugova me qëndrimin e tyne efektiv, aktiv por paqësor. Ata bindën autoritetet amerikane me natyrën e tyne të qetë dhe paqësore, dhe me kërkesat për zgjidhjen paqësore të problemit të Kosovës. Për këtë të gjithë shqiptarët dhe njerëzit me vullnet të mirë duhet të jenë mirënjohës. Kemi pasë edhe shumë jo-shqiptarë, në çdo vend, veçanërisht të Europës, që na kanë ndihmue pa kursim dhe që meritojnë falënderimet e mirënjohjen tonë të thellë.

I ndjeri Peter R. Prifti ka dhenë për ju një vlerësim konciz: “Profesor S Repishti qëndron në krye të intelektualëve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindësve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta”. Cili është rrugëtimi i formimit tuaj intelektual dhe ç’mendoni për intelektualët tjerë shqiptaro-amerikanë, sa e kanë vënë veten ata në shërbim të çështjes kombëtare?

Për fat të mirë, erdhi dita e pavarësisë së Kosovës. Tashti, të gjithë duhet të kujtojmë mijëra viktimat që kërkoi lufta me nderim dhe mirënjohje të përhershme . Unë kam ba detyrën time simbas frymës patriotike që mora që në vitet e para të rinisë sime. Më kujtohet kanga që këndojshim në klasën e dytë fillore:

“…Edhe flamuri kuq-e-zi

Do të valojë përsëri

Në Kosovë e në Çamëri

 Plot me gaz, me gaz dhe në liri!”

Emocionuese, frymëzuese! Ose thanjen e At Gjergj Fishtës:

 “Kurrë Shqipni s’kam me të harrue

 Edhe në vorr me të përmendë kam!” …

Të gjithë intelektualët shqiptaro-amerikane me të cilët unë kam bashkëpunue kanë dhanë kontribut të madh dhe të sinqertë për çeshtjen e bashkimit kombëtar shqiptar. Profesor Prifti ka qenë ngushtësisht i lidhun me mue, dhe meriton mirënjohjen tonë të veçantë.

Në shërbimet ndaj komunitetit shqiptar në SHBA, çfarë ju ka mbetur në kujtesë?

Kam përshtypje të mira! Në përgjithësi, kemi akoma nji mungesë edukate politike. Mungesa e madhe e arsimit tek na, në përpjestim me numrin e bashkësisë sonë shqiptaro-amerikane, ashtë e frikshme. Mbetemi gjithmonë në nivelin e nji mediokriteti kultural që na dekurajon në ndërmarrjen e nismave të randësishme për përmirësimin e gjendjes sonë ose të ndihmës për atdheun nanë. Akoma nuk kemi nji figurë në nivele të nalta shtetnore, politike, ekonomike, ose sociale që imponon respekt në Washington, DC, ose në qendra tjera urbane amerikane. Përjashtim: Prof. Ferid Murad, mjeku që fitoi Çmimin ‘Nobel’ në Mjekësi pak vite ma parë, nji shkollar serioz dhe nji ‘gentleman’ me sjelljet e tia në shoqëni. Kemi nji numër të kufizuem për suksese në ekonomi, dhe në arsim. Ajo që na inkurajon ashtë se breznia e re që vjen nga Shqipëria ndjek studimet e nalta në nji numër që knaqë dhe premton se ky kuadër mund të ndryshojë në nji të ardhme të afërm. Çdo kombësi që ka ardhë në Amerikë ka pasë suksese në ngritjen e nivelit të vet në shkallët e shoqënisë amerikane. Mjaft nga ata kanë dhanë edhe presidentë të republikës amerikane, ministra, diplomatë të shquem, dhe sidomos shkencëtarë që kanë ngritë prestigjin e këtij vendi. Dallohet në këte lami, numri i shkencëtarëve izraelitë për sukseset e tyne të shumta, nji fenomen që ka ngritë peshën e tyne politike në vend. Ky fenomen quhet “the American exceptionalism”. Këto dyzetë vitet e fundit kemi pasë nji ecje ma të shpejtë dhe sidomos me mobilizimin e përgjithëshëm në sherbim të pavarësisë së Kosovës, nji ecje që na ka dhanë oportunitete me kontaktue edhe nivelin presidencial: G.W.H.Bush, W.Clinton, G.W.Bush, B.Obama. Hapja e Zyrës Infomative amerikane në Prishtinë, në vitin 1996 ka qenë fryt i ndërhymjes direkte të Këshillit me N/Presidentin G.W.H.Bush.

Na duhet përgatitja profesionale dhe eksperienca, dy cilësi që vijnë me kohë…

Si e pritët rrëzimin e komunizmit në Shqipëri dhe sa janë justifikuar shpresat për një demokratizim të shpejtë të Shqipërisë?

E prita si dita diellin… themi na në Shkodër. Jo e papritun, sidomos mbas vitit 1975, kur ish Bashkimi Sovjetik pranoi me nënshkrue Aktin Final të Helsinkit (1975) që lejonte nji mbikëqyrje ma intensive të jetës së mbrendshme të kombeve, dhe sidomos respektimin e të drejtave të njeriut. Si anëtar i Amnesty International–USA (me detyrë për ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë) dhe bashkëpunimin me Human Rights Watch,USA, Helsinki për mue ka qenë nji datë speciale, nji dhuratë që nuk e pritëshe, dhe që e shfrytëzova. Zhgënjime? Sa të duesh…objektive dhe sidomos subjektive.

Ju keni qenë kritik i ashpër i klasës politike shqiptare. Për çfarë do ta akuzoni më fort politikën shqiptare si përgjegjëse?

Për papërgjegjësi! Klasa politike e sotme në Shqipëri nuk ka sensin e përgjegjsisë dhe dhanjes së llogarisë për aktet e tyne. Ata nuk qeverisin, që ashtë detyra e tyne; ata sundojnë, që nuk ashtë detyra e tyne. Ata veprojnë me iluzionin që janë të pa zevendsueshëm dhe të pa qortueshëm. Shqipëria, për shumicën nga ata ashtë kthye në nji “lopë qumështi”. Ai që ashtë ma afër e shfrytëzon ma shumë dhe ma shpesh. Korrupsioni në krye të shtetit, ashtë përhapë në të gjithë aparatin e shtetit, sidomos në drejtësi. Me duzina gjyqtarë kanë dhanë dorëheqje, sepse nuk janë në gjendje me spjegue grumbullimin e pasunisë së paligjshme që zotënojnë. Me qindra policë janë largue, sepse nuk justifikojnë ryshfetet dhe gjobat e paligjshme e korrupsionin në detyrë. E kështu me rradhë. Grindjet politike kanë marrë nji hov që harron fare përgjegjsinë ndaj atdheut e popullit, dhe koncentrohen në mbrojtje të Partisë dhe të “shefit autoritar….si në kohën e Dullës!” Ka elementë shumë të mirë dhe të vlefshëm Shqipëria, por nuk e lejojnë me ngritë kokën. Rinia ashtë tronditë randë psikologjikisht aq sa nuk dëshiron me ndertue të ardhmen e vet në atdhe…. Dhe përfundimi logjik ashtë se në Shqipëri nuk ka jetë, por nuk ka as edhe shpresë se nji ditë do të kemi nji jetë të rregullt. Shembulli ma i keq jepet nga Kuvendi dhe nga Qeveria qendrore e lokale, nga mosfunksionimi i tyne skandaloz. Kam frikë se do të kalojmë edhe shumë vite tjera në këte “kënetë politike”

 Si do ta komentoni mosdënimin e doktrinës shkatërrimtare të vlerave njerëzore, “Luftën e klasave” në Shqipëri?

Parimisht, “Lufta e klasave” ashtë shtrembënimi ma i damshëm i sistemit qeveritar. Ashtë denimi pa arsye i nji pjese të madhe të popullsisë nga nji pjesë, zakonisht minoritet e popullsisë që ka pushtetin, dhe grushtin diktatorial. Ashtë sistemi që transformon qytetarët e lirë në skllevër të rregjimit nga frika ose me uri. Ashtë mohimi i çdo të drejte qytetare me qenë agjent i lirë në nji shoqëni të lirë, qendrim që dënohet randë për mos-konformitet. Rrjedhimet e këtij qendrimi janë burgjet e mbushuna me elementë “kokëfortë”, ekzekutime me gjyq e pa gjyq, familje të internueme, të rij e te reja të lanun pa arsim, qytetarë të zhveshun nga pasunia e trashëgueme ligjërisht dhe të lanun në mëshirën e fatit. Nji vjedhje sistematike dhe e organizueme nga vetë shteti çveshë popullin e pa fuqi nga çdo e mirë materiale, pa ligje dhe pa arsye. Kjo doktrinë krijon shoqëninë e të nënshtruemve dhe qytetarëve pa dinjitet si rrjedhim i shtypjes së madhe e permanente.

Si e vlerësoni mospërfilljen e shoqërisë shqiptare për moszbulimin, dokumentimin dhe dënimin e krimeve të komunizmit?

Mospërfillja e shoqënisë vjen nga mospërfillja që tregohet ndaj viktimave të komunizmit. Ata janë të dëbuem nga pjesëmarrja në jetën politike, dhe elementi që mbetet janë përsëri ata që mbajtën pushtetin për 45 vjet. Udhëheqja e re janë ish-anëtarë të PKSH/PPSH ose fëmijtë që ndjekin me fanatizëm rrugën e prindërve të tyne. Nga nji pikëpamje, në esencë, asgja nuk ka ndryshue. Nuk mund të pritej nga nji klasë udhëheqse e këtillë dënimi i kriminelëve komunistë, sepse drejtësia nuk foli dhe padrejtësia u ba zot i vendit. Demokracia nuk ka pa asnji ditë të mirë në vendin tonë. Na duhet nji fshesë e hekurt për pastrimin e terrenit te infektuem…!

Çfarë mendoni për Dosjet e Komunizmit dhe a janë përdorur ato nga klasa politike shqiptare e pas rrëzimit të diktaturës? Sa ia vlen tani hapja e tyre? Cila pjesë e shoqërisë penalizohet?

Dosjet në botën e qytetnueme janë përdorë me edukue popullsinë e vendit mbi natyrën e diktaturës së kuqe: Parimet, metodat, organizimi, krimet e shkaktueme ndaj të pafajshmit, shtypja e uria… e tjera. Ata nuk janë përdorue “me demaskue” qytetarë të detyruem me u nënshtrue nën presionin e kuq, e që në fakt janë viktima! Në Shqipëri, janë përdorë e keqpërdorë me demaskue “kundërshtarin” me qëllim përfitimi politik në kurriz të atyne që kanë vuejtë për 45 vjet me rradhë. Çfarë përfitimi mund të ketë nji shoqëni demokratike nga “demaskimi”(si!) i atyne që kaluen dekada në burgje dhe me familje të persekutueme, sepse në momente të vështira janë detyrue me pranue poshtërimin-që zakonisht vret ma shumë viktimën se cilindo tjetër person? Ndërkaq, krimineli me vulë shetit i lirë në rrugët e qyteteve dhe fshatrave tona që heshtin…!

Si do ta komentonit tendencën mohuese për kampet e tmerrshme si ai i Tepelenës, në të cilin kanë përjetuar vuajtje edhe nëna, vëllau e motra e juaj?

Këtu kemi dy faktorë:

I pari ashtë psikologjik. Nuk ka njeri normal që pranon akuzën e trajtimit të popullsisë në mënyrë brutale dhe të vazhdojë me “lavdërue Partinë heroike”. E kaluemja komuniste në Shqipëri ashtë aq e turpshme saqë vetëm elementi anormal ka akoma guximin me e mbrojtë. Me njohuninë e burgjeve dhe kampeve, argumenti i PPSH ka vdekë nji herë e përgjithëmonë.

E dyta: për arsye politike; nji PPSH dhe “kriminelët” e saj nuk kanë të drejtë morale dhe as ligjore me veprue si “qytetarë të lirë” me formue grupe e parti politike dhe, akoma ma keq, me marrë në dorë Shtetin dhe qeverisjen e vendit. Çdo anëtar i PPSH –se që ka shkelë ligjin duhet të ballafaqohet me organet e drejtësisë, pa dallim, pa përjashtim! Prandej, çdo akuzë kundër PPSH do të kundërshtohet me fuqi nga “ndjekësit e sotëm” që akoma pretendojnë të drejtën e qytetarisë së plotë, me gëzimin e të gjitha të drejtavet civile dhe politike. Ndërkaq, akuza e terrorit komunist në këto kampe forcohet me dëshmi të reja.

Shkodranët, kur ju nderuan me titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës, dhjetor 2015, u shprehën se ju e keni dashtë dhe e doni Atdheun, edhe pse ju ka vra. Vertetë! Atdheu ju ka vra shpirtin, ju ka dhunuar fizikisht, ju vodhi rininë, ju ka internuar familjen dhe ju prap nuk reshni së luftuari për të. Komenti?

E çuditshme! Këte pyetje e kam pasë edhe nga shumë kolegë të mi amerikanë… Por unë jam shqiptar përsa kohë që do të jetoj dhe tragjedinë time personale dhe familjare e shikoj si shqiptar: Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri me jep nder, me jep emnin shqiptar” Do të ishe shumë i palumtun sikur nji ditë të arrijsha në përfundimin me heqë dorë nga nënshtetsia shqiptare. Janë shtypësit dhe besë-mohuesët komunistë që më kanë shkaktue tragjedinë time; jo Atdheu, nji symbol i shenjtë që shfrytëzohet paturpësisht nga elementë atdhe-shkatërrues.

Profesor, Ju keni qenë aktiv në krijimin e tri organizatave në SHBA: Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Lidhja Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Ç’mund të thuash për rolin që luajtën ato për Diasporën Shqiptare dhe për Trojet Etnike?

Kjo ashtë nji pyetje e gjanë që përfshinë nji gjysëm shekulli. Rinia Kosovare u themelue zyrtarisht në vitin 1978, por veproi që në vitin 1986 mbas demonstratave të studentëve në Prishtinë. E lindun nga dëshira e nji grupi të vogël të rinjsh kosovarë, ajo veproi pa ndërpremje për demaskimin e krimeve serbe në Kosovë dhe në naltësimin e heroizmit të viktimave kosovare. Ka shkrue me qindra trakte që janë shpërnda para OKB-së (New York) dhe çdo vit ka përpilue nji Memorandum dergue OKB-s me spjegime mbi gjendjen në Kosovë. Kjo veprimtari ashtë botue në dy vëllime. LQSHA (AANO) ashtë formue nga katër persona:ish-kongresisti Joseph DioGuardi, ndihmësi i tij Kieran Mahoney, Xhim Xhema dhe Sami Repishti, formalisht në tetor 1986. Falë intervenimeve të Kongresmen DioGuardit, na kemi penetrue qarqet e Kongresit amerikan me raporte gojore dhe memorandume me shkrim, si dhe me dëshmi para Kongresit, gjithmonë për Kosovën. Personalisht kam dëshmue ma shumë se dhjetë herë para Kongresit. (KKSHA-NAAC) Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan u formue në maj 1996, si nevojë e domosdoshme për nji shoqatë të formueme dhe të drejtueme nga elementë shqiptaro-amerikanë. Që në fillim, NAAC ashtë përkrahë fuqimisht nga ish Ambasadori amerikan në Shqipëri, William E. Ryerson. Në mbledhjen e parë, qershor 1996, jam zgjedhë kryetar i Këshillit (deri në dhjetor 1998). Këshilli ka luejtë nji rol esencial pranë Qeverisë amerikane (në tri degët e Shtetit amerikan) dhe ka fitue kredibilitetin e autoriteteve amerikane kryesisht nga vertetësia e informacionit të ofruem, dhe frymës paqësore të tregueme nga udhëheqsit e tij. Personalisht, jam shumë kryenaltë për veprimtarinë tonë në Këshillë.

Çfarë mendoni për rolin e medias shqiptare këtu në SHBA?

Amerikanët thojnë se shtypi i emigracionit ashtë gjaku i emigracionit; ai mban gjallë lexuesët e kombeve të ndryshme. Nga shtypi jonë marrim lajmet nga Shqipëria dhe njoftohemi për ngjarjet në bashkësinë tonë. Unë besoj se bashkësia shqiptare duhet të përkrahë edhe ma shumë shtypin që mbahet shpesh me sakrifica personale të editorëve dhe udhëheqësve të organizatave respektive.

A ndjeheni i vlerësuar për sa keni bërë për çështjen shqiptare?

Po, nuk ankohem, sepse nuk kam meritue ma shumë. Jam jashtëzakonisht i lumtun që kam ba atë që më kërkohej në kohën dhe vendin e duhun.

A jeni prind i gëzuar dhe gjysh i lumtur?

Po, plotësisht! Kam nji djalë (mjek) dhe nji vajzë (avokate). Kam tashti pesë nipa dhe mbesa, të gjithë të mirë dhe të suksesshëm në studime. Jam i sigurte që nji ditë do të kenë mundësinë me ndihmue, jo vetëm veten e familjet e tyne, por edhe atdheun tonë të origjinës. Sot, ata janë gëzimi i im dhe i bashkëshortes sime gjirokastrite Diana.

Keni një mesazh për bashkatdhetarët tonë këtu në Amerikë?

Po, por ashtë shumë i gjatë! Dëshiroj të them vetëm: E para: Jemi të gjithë qenie njerëzore, krijesa të të Madhit Zot. Kemi lindë të barabartë në liri dhe në dinjitet; jemi të pajisun me arsye dhe me ndërgjegje; e në marrëdhanjet tona në shoqëni duhet të frymëzohemi nga ideja e vëllaznimit. Ky qendrim ashtë i pranuem sot formalisht nga Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-s- 1948 (Art.1)

 E dyta: Duajeni Amerikën, me liri dhe drejtësi për të gjithë; dhe duajeni Shqipërinë vendin e të parëve tonë. Shqipëria ashtë nji vend i vjetër me nji histori të lavdishme. Le të jemi gjithëherë krenarë. Ajo na jep karakterin me vlera të nalta: besa, nderi, burrënia, mikpritja, toleranca fetare tradicionale, dhe të tjera. Ajo na jep emnin shqiptar me të cilin të gjithë ne, krenohemi.

E treta: Shqipëria e jonë ashtë nji vend i vogël dhe i vorfën. Ka nevojë për ndihmë ekonomike dhe për nji shoqëri ku mbretnon demokracia. Jepni kontributin tuej për zhvillimin e Shqipërisë ekonomikisht dhe kulturalisht. Ndihmoni Shqipërinë pa kursim!

 E katërta: Shqipëria si vend i vogël nuk ashtë i fuqishëm.Ajo ka shumë anmiq –të jashtëm dhe të mbrendshëm. Mbrojeni Shqipërinë me bindje dhe me guxim!

– Ju falemnderit Profesor Repishti!

Z.Greca, edhe unë ju falënderoj për mundësinë që më dhatë me shprehë disa mendime të mia. Shëndet të plotë e veprimtari të pasun! Mirë-u-pafshim!