Disa kujtime nga luftimet në territoret e ish-Jugosllavisë

1253
Safet N. Ramolli
Naxhi Zhupa, pas pak ditësh hyn në vitin e 89-të të jetës. Partizan në Ushtrinë Nacional-Ҫlirimtare nga fillimviti 1944, pjesëtar i Brigadës 8 Sulmuese, një ndër formacionet partizane më të konsoliduara dhe më rezultative. Me çlirimin e vendit dhe deri sa plotësoi moshën e pensionimit, një nga kuadrot korrektë dhe i ndodhur ku e kanë dashur interesat e atdheut; një familjar më shumë se sa i rregullt dhe “penëmprehtë” për të hedhur në letër me argumente dhe korrektësi objektive zhvillimet gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Ҫlirimtare. Edhe pse në moshë të pjekur, veteran dhe invalid i LANҪ-it, pranoi me kënaqësi të jepë intervistën e mëposhtme, duke sjellë në vëmendjen e lexuesit ngjarje të pazakonta në territorin e Ish-Jugosllavisë si luftëtar në përbërje të Koalicionit Antifashist Botëror. I ndihem i detyruar dhe i obliguar.

Ju si partizan i Brigadës së 8 Sulmuese, keni marrë pjesë edhe në luftimet në territoret e Ish-Jugosllavisë. Lexuesi ka interes të mësojë se cila është e vërteta për këto zhvillime atë mot.

Faleminderit për interesimin që keni për këtë çështje. Fillimisht dëshiroj ta filloj me togfjalëshin “Në Mal të Zi – çdo gjë Zi”. Kështu shprehej me të drejtë përmes një vargu rapsodi anonim, kur forcat e Brigadës së 8-të, në përbërje të Divzionit të 6-të të U.N.Ҫ.SH, vepruan dhe luftuan në Mal të Zi dhe në Bosnjën Jugore. Ne partizanët shqiptarë shkelëm në territorin e atij shteti, jo siç është thënë e shkruar rëndom “Për të ndihmuar në çlirimin e popujve të Jugosllavisë”, por hymë si pjesëtarë të Aleancës Antifashiste Botërore, pra si pjesë e Koalicionit Antifashist Botëror në qendër të të cilit ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Anglia dhe Ish-Bashkimi Sovjetik, sepse ishim pranuar në këtë aleancë, ishim pjesë organike e saj, për rrjedhojë edhe kishim pranuar detyrimet tona, që të mos lejonim asnjë këmbë ushtari armik të shkonte të luftonte kundër aleatëve tanë të Evropës. Përgjegja jonë e njëzëshme nga efektivi i tri Brigadave Partizane Sulmuese që gjendeshim të rreshtuara, kur na u komunikua urdhri i Komandës së Përgjithëshme ishte: “Në Berlin! Në Berlin! Në Berlin!”, çka do të thoshte, që ne bishën naziste do ta ndiqnim këmba – këmbës kudo që të ishte, deri në strofkën e saj të fundit, pra deri në Berlin. Me këtë frymë misioni shkuam edhe në Mal të Zi, por atje kushtet ishin më se të vështira: terreni krejtësisht i panjohur dhe tepër i ashpër në pikëpamje të gjeografisë fizike; vendbanimet të rralla dhe tejet të varfëra në pikëpamje ekonomike; klimë e ashpër dhe temperatura gjithnjë në minus; pamja vizive edhe ditën dukej gjysmë-nate; orientimi gjeografik, por sidomos ai topografik, mungonte fare; gjuhën serbo-kroatishte e cila flitej në atë vend, përveç Stavri Flokut, prandaj komisar zemër-zjarrti Pano Xhixho, që u caktua përfaqësues i Brigadës pranë Shtabit Operativ dhe Divizionit, Stavri Flokun nuk e ndau për asnjë minutë nga vetja, sepse nëpërmjet Atij komunikonte dhe merrej vesh me ata pak vendas në ato fshatra të veçuara me shtëpi të rralluara, ku nuk mund të kuptohej ku mbaronte një fshat dhe ku fillonte tjetri, në atë rajon të Malit të Zi ku çdo gjë dukej “zi e më zi”. Stavri sugjeroi, që në kushtet ku Brigada do të vepronte, pa asnjë lloj orientimi topografik, pa harta topografike por as edhe gjeografike, të kodifikohej sektori me emra konvencionalë. Ky ishte propozimi i Komandantit Popullor i kualifikuar në “Akademinë e LANҪ-it”, kur luftonim në Mal të Zi, por edhe më tutje në veri, në Bosnjën Jugore.

Jeni i lutur t’i riktheheni kujtesës dhe të na shpalosni diçka nga rrugëtimi jashtë kufijve shtetërorë.
Kujtesës “do t’i lutem”, por unë kam shënime të asaj kohe, që i ruaj në një bllok xhepi, shkruar me laps kopjativ, i cili më ngjall shumë kujtime tashmë që po ju rikthehem. Në Han të Hotit arritëm pasdite vonë më 13 dhjetorit 1944, ku kaluam edhe natën një luginë disi të rrumbullaktë në të djathtë të fshatit Hot, ndërsa poshtë gjarpëron rruga automobilistike Shkodër-Tuz. Në buzë të luginës u përballëm me dy ndërtesa, që i epitetuam “ahure”, por që kishin qenë postat e dikurshme të kufirit. Në faqen përballë dukej një shenjë kufiri në formë piramide, për të cilat vendasit na thanë se aty më 1913 Komisioni famëkeq i padrejtësisë historike të kufijve, kishte vendosur kufirin ndërshtetëror duke lënë matanë krahina të tëra të banuara nga vëllezër të një gjaku, gjuhe dhe treve. Prandaj me urrejtje përbuzëm të kaluarën dhe menduam se këto i përkisnin asaj që po varrosnim. Në të vërtetë vija e kufirit kalonte pak përtej luginës, gati në fund të faqes së malit, një lartësi dominuese kjo për vrojtim. Një nga partizanët pohoi se ne ishim një popull, një komb, një gjuhë e një kulturë, por na ndanë copa-copa “sa çuditet gjithë Evropa”, siç thotë një këngë e popullit, dhe se një nga detyrat tona në këtë luftë përtej kufijve është zhdukja e armiqësisë dhe e urrejtjes që kanë mbjellë qëndrimet shoviniste ndaj shqiptarëve. Tani detyra jonë është të vazhdojmë luftën krah për krah me aleatët e fqinjët tanë deri në shkatërrimin e plotë të Gjermanisë Naziste.Me këto biseda kaluam kufirin dhe rrugën gati 10 km. buzë liqenit deri sa në mbrëmje arritëm në anën verilindore të fushës së Tuzit, në një fshat shqiptar, ku shokët e komandanti organizuan ndarjen (bazimin) nëpër shtëpitë e fshatarëve dhe shërbimin e rojes.

Ju jeni pjesëmarrës okular dhe veprues në ato zona. A mund të na sillni në vëmendje si ishte gjendja e popullsisë dhe e organizimit luftarak?
Aty u ndodhëm mes vëllezërve të një gjaku dhe gjuhe. Na pritën si e ka zakon bujaria shqiptare, e cila edhe skamjen e kthen në bollëk dhe brengën në gëzim. Bisedat nisën me mirëseardhjen, familjarët, shëndetin, dhe pak nga pak edhe për qëllimin e vajtjes atje. Fillimisht pritja dhe bisedat ishin shumë vëllazërore, por kur ndonjëri artikuloi ndreqjen e padrejtësive të 1913, i zoti i shtëpisë, një burrë rreth të 60-tave, me tipare të një njeriu krenar, të zgjuar e të matur, pasi dëgjoi me vëmendje, u shpreh: “Ashtu kjoftë, dhe ju vaftë mbarë! Por dinie nji gja: në këto troje pabesitë kurrë nuk na janë nda!!!” Nuk e zgjatëm më bisedën, se vumë ré që i zoti i shtëpisë, qëndronte krejt mendueshëm, por në të rrallë edhe fliste. Veçse, kur i thamë se kishim shkuar për të ndihmuar në çlirimin e vëllezërve tanë dhe të fqinjëve shekullorë, na u përgjigj aty për aty: “Për këtë jena gati, se pushkët i kena ruejtë që në kohët ma të vjetra, bash për këto troje, për nder dhe familje!” Nga i zoti i shtëpisë mësuam se kjo zonë asnjëherë historikisht nuk kishte qenë nën influencën e armikut, ndërsa partizanët mund të jenë tutje nga mali i Tivarit, ashtu si partizanët jugosllavë mund të luftojnë “andej nga Kroacia”, edhe pse në zonën Tuz, Podgoricë, Plevle etj. ishin përqëndruar forcat e gati dy korpuseve gjermane. Në fakt partizanët e atyre anëve ishin shpartalluar, në maj-qershor 1943 u asgjësuan tetë divizione partizane me 5000 të vrarë dhe 1000 të kapur rob. Nga Vuksani në afërsi të Tuzit dhe deri në malësitë e Suhagorës pranë Vishegradit që i kalon të 140 km., nuk patëm në krah asnjë repart partizan jugosllav si në sulm edhe në ndjekje të armikut, përveç personave të veçantë, të cilët ishin të rrallë dhe vetëm në terrenet e çliruara. Në të gëdhirë më 15 dhjetor, me sinjal dhe pa zhurmë, shumë shpejt u mblodhëm. Pranë nesh ishin dhe disa fshatarë të armatosur, mes të cilëve edhe i zoti i shtëpisë ku u bazuam, i cili u shpreh se do të jenë me ne, jo për forcë të zakonit që të na përcjellin deri në kufi me fshatin fqi, por për të marrë detyra nga komanda e jonë. Meqënë se urdhëri ishte që nata të “celebrohej” me luftim, nuk i muarëm fshatarët bujarë dhe luftëtarë. Do të sulmoheshin forcat gjermane që mbulonin tërheqjen e Grupimit kryesor nga Podgorica në drejtim të Bosnjës, të cilat ishin pozicionuar jo më larg se 2-3 km. prej nesh, dhe 500-600 m. në jugë të fshatit Ulbi. Sulmi natën në një terren të panjohur dhe me të dhëna të kufizuara zbulimi, paraqitej i vështirë, prandaj u kërkuam dy-tre udhërrëfyes, çka ata e pranuan me kusht që edhe të luftonin bashkë me ne. 

Ky qëndrim dhe kjo gadishmëri na përtëriu, bashkë me ne erdhën në sulm edhe dy kompani armene. Me sinjalin e caktuar dhe thirrjen: “Para partizanë!!”, kaluam në sulm duke kapur njëri pas tjetrit objektet që i kishte pushtuar armiku. Mes nesh në vijën e parë dalloheshin edhe vendasit e porsaardhur, ndërkohë thirrjes partizane iu bashkuan në gjuhën e tyre edhe dy kompanitë armene. Më vonë mësuam se këta ishin robër të kapur me armatën e Pavllovit diku në Ukrahinë, dhe pasi i kishin sjellë në Shqipëri, ishin kthyer në ushtarë dhe kishin vepruar si efektiv i baterive të artilerisë bregdetare gjermane diku në zonën e Ishmit, Rodonit e gjetiu tjetër. Tashmë ata janë veshur dhe armatosur si gjermanët, veçse me ndryshimin që kanë hequr kryqin e thyer dhe kanë vendosur në kapelet karakteristike gjermane yllin e kuq. Me sa i pamë vetëm një herë në luftime jashtë atdheut, na u krijua përshtypja se luftonin jo keq. Pas pak kohësh ata u dërguan në Shqipëri për të marrë rrugën drejt atdheut të tyre. E gjej me vend të sjell në vëmendjen e lexuesit, se shumë vjet më vonë, një kalemxhi rus, pa principe dhe me paturpësi, ka pohuar se një rol të rëndësishëm luajti ndihma materiale që B.S i dha Ushtrisë Nacional-Ҫlirimtare në vitet 1944-1945. Por kujtdoje nga ne luftëtarët e lirisë i jepet e drejta të pohojë me plot gojën, se në atë periudhë nga sovjetikët nuk na u dha qoftë edhe një fishek i vetëm. Në Ubli u përplasëm për të tretën herë me mbeturinat e grupit luftarak gjerman “Steyer”. Për herë të parë me atë luftuam në Skore e Sopik të Pogonit më 7-8 qershor 1944. Herën e dytë na erdhën në pritë në luftimet e Mushqetasë në Tiranë, por kësaj radhe si pula të lagura sa që lanë për tokë edhe flamurin luftarak të tyre. Tani në Ubli na thanë se janë shndërruar në mbeturina dhe kanë plotësuar reparte të Divizionit 297. Por prapë luftojnë për jetë a vdekje. Kështu e kaluam me luftë natën e parë përtej kufijve. Të tilla luftime zhvilluam edhe në të pastajmen, por në fakt nuk e ndjemë asnjëherë ndihmën e komandave të ushtrisë Jugosllave, për të cilën kishim nevojë imediate në terrenin e panjohur dhe pa mbështetje logjistike.

Vijon… 
Sigal