Dikush duhet ta bëjë lidhjen tonë me shokët e tjerë (Nga takimi i parë i Enver Hoxhës me trimat e Çetës Antifashiste të Pezës)

Nga takimi i parë i Enver Hoxhës me trimat e Çetës Antifashiste të Pezës, 28 qershor 1941

Sherbet KARULI
Pa kaluar as dhjetë minuta në rrugën automobilistike pamë dy veta me biçikleta. – Erdhën, erdhën!- thanë shokët. Të gjithë e dinin, se shoku nga Tirana i shoqëruar prej korrierit tonë, Shaban Dyrishti do të vinte në takim me biçikletë. Mbas pak Enver Hoxha u ndodh midis nesh, u përqafuam me mall me njëri-tjetrin si miq të vjetër, të lidhur me kokë për Luftën që kishin nisur. Shokët e mi përveç Kajanit nuk ia dinin as emrin shokut Enver, por dinin aq sa duhej, për ta pritur me përzemërsi dhe respekt. U ulëm në shesh këmbëkryq dhe drodhëm nga një duhan. Enver Hoxha më hodhi dorën në qafë dhe më tha: “Unë jam tepër i gëzuar prej jush, o Babë se keni luftuar si burrat. Na keni nderuar të gjithëve, si ne, komunistëve, ashtu dhe të gjithë popullin shqiptar. Do të kap edhe njëherë në qafë”. “Faleminderit prej teje, i thashë unë i gëzuar, të jesh i bindur se luftën nuk do ta ndërpresim asnjëherë”. Shoku Enver na tha se kishte një lajm për të na dhënë dhe prej gojës së tij dëgjuam se në luftë kundër fashizmit tashmë do të kishim përkrah popujt sovjetikë me Stalinin e madh në krye. Ky lajm padyshim ishte i jashtëzakonshëm për luftën tonë . Si shenjë mirëseardhjeje, njëri nga shokët i shtroi përpara gjunjëve Enver Hoxhës një shami e mbi të vuri një copë bukë misri e ca ullinj. Më pas erdhën edhe dy shokë të tjerë që na sollën bukë nga shtëpia e Sulë Çekës dhe ne të tjerëve. Unë bëra një paraqitje të shkurtër të pjesëtarëve te çetës, të përpjekjeve tona dhe të shokëve të rënë. Atë natë unë e prezantova shokun Enver me luftëtarët e çetës si Kajan Karafilin, Kasem Sinanin, Hamdi Grorin, Ymer Kurtin, Shaban Rexhën , Dyrr Pezën, Ramadan Çobën, Zyber Pezën, Shkurt Rexhën, Avdi Kasallin, Lul Brahjen, Xhemal Koçin, Qazim Leshin, Shkurt Jonuzin, Elez Zgurin edhe tre veta të tjerë, të cilët dezertuan më pas gjatë luftës. Më pas unë i thash shokëve që lufta e shenjtë filloi për ne. Armiku na vrau disa shokë, hakun e tyre e morëm si duhet, por ky është vetëm fillimi. Ne kemi një hak akoma më të madh për të marrë, atë të gjithë popullit tonë kundër qenve fashistë. Si bijtë e Shqipërisë duhet të bënim detyrën. Nga ana tjetër shoku Enver e nisi bisedën me njohjen tonë të parë, me rritjen e revoltës popullore dhe luftën kundër pushtuesve fashistë e tradhtarëve të vendit. Sado të tmerrshëm dhe të fuqishëm të dukeshin pushtuesit fashistë, njerëzit dhe popujt e kishin vendosur që do të jetonin të lirë e do të fitonin mbi armët moderne të armikut. Futja e Bashkimit Sovjetikë në luftën kundër fashizmit i ka dhënë një shtytje të fuqishme gjithë luftës së popujve antifashistë të botës. Populli shqiptar e ka shprehur urrejtjen e tij kundër pushtuesve fashistë që në ditët e para të pushtimit e pas demonstratave e përleshjeve nëpër rrugët e qyteteve ka hedhur pushkët e para të kryengritjes së përgjithshme e po përgatitet. Ne u çuditëm se me sa interes e kishte ndjekur luftën tonë Enver Hoxha dhe të thuash të drejtën na u bë qejfi. Ai filloi të na lavdëronte dhe un e ndërpreva duke qeshur, duke i thënë mos na lavdëronte tepër pasi na rritej mendja. Por, ai këmbënguli me seriozitet duke thënë se lufta jonë kishte bërë jehonë dhe ky ishte një fillim i mirë për ne e luftën tonë. Ishin edhe komunistët, studentët, punëtorët të cilët do i jepnin luftës sonë një përmbajtje të re. Në kryengritjen e madhe që po përgatitej, ne tashmë do të ishim një njësi luftarake partizane e organizuar me një program të qartë politik, strategjik taktik. Por, kuptuam se takimit tonë i erdhi fundi. Shoku Enver pasi u përqafua me të gjithë shokët e çetës u largua duke i uruar rrugë të mbarë. Në të vërtetë, atë natë shoku Enver do të flinte në shtëpinë e Sulë Çekës, në të dalë të rrapishtës, por shokëve i lamë të kuptonin se iku, pasi kishim frikë se mos na dezertonte ndonjëri dhe merrnim fund. Jeta më kishte lidhur me shumë atdhetarë trima, të zgjuar e besnikë, por asnjëri nuk e kishte qartësinë dhe logjikën e komunistit, që atë natë po flinte në shtëpinë e Sulë Çekës. Edhe nga komunistët e tjerë që kisha njohur Enveri dallonte shumë, ishte një tjetër kapacitet e tjetër burrë, ishte i lindur për udhëheqës.