Dhurata jonë për 70-vjetorin e Enverit, një patate 2kg

311

Pëllumb Çuni

Shpërblimi që më dha ndërmarrja: Një lopatë dhe tri dekorata

INTERVISTA/ Flet Haxhi Pasha: Si qëndrova 19 vjet brigadier në Ndërmarrjen Bujqësore të Plasës. Vizita e paharrueshme në 70-vjetorin e lindjes së udhëheqësit komunist

Për ditëlindjen e Komandantit, përvjetori i të cilit shënonte fiks 70, nuk mund të çoje një pako llokume, madje as ndonjë nga ato tortat 100 lekëshe me çokollatë të shkrirë që prodhonte Punishtja e Pastave tek rruga “Siri Kodra”. Natyrisht ajo duhej të ishte më shumë se simbolike, vlera morale e të cilës do të ishte e papërballueshme dhe nga vetë Sekretari i Parë. Kështu vendimi, që ca punonjës bujqësie t’i “dhuronin” Komandantit të Përgjithshëm, prodhime bujqësore, u cilësua si më i drejti për Organizatën Bazë të Partisë. Një tufë me kallëza gruri jashtë standardit dhe një kokërr patate dy kilogramëshe, kishte më shumë efekt se sa po të sakrifikohej nga fondi i ndërmarrjes dhe xhepat e punonjësve, e të blihej një shishe “Martini” apo “Joni Walker”, tek dyqani i valutës. Fillimisht, kur propozimi për të çuar në ditëlindjen e udhëheqësit dy kokrra panxhari, u rrëzua me shumicë votash, u mendua që ajo të ishte më fine, të paktën një tufë gruri të lidhura me kujdes. Ndërsa shoqëruesja tjetër, një patate sa një gjyle topi obuz, e cila tregonte se rendimenti në fushën e Korçës ishte tejkaluar si në formë ashtu dhe në përmbajtje.

Të gjitha këto, si dhe mbresat e pashlyeshme nga takimi një orësh me Sekretarin e Parë të KQ të PPSH-së, Enver Hoxhën, na i rrëfen ekskluzivisht për “Telegraf”, Haxhi Pasha, ish-brigadieri i ndërmarrjes pararojë të Plasës në rrethin e Korçës, i cili në fund të intervistë thotë se, puna e tij vetëmohuese prej gati 20 vjetësh, nuk doli pa gjë, u shpërblye me tri dekorata të ndryshme. Dhe kjo ishte më mirë se sa të mos merrje gjë fare.

– Ju keni qenë 19 vjet brigadier në Plasë, pa asnjë ndërprerje?

– Kështu ka ndodhur. Unë do të flas për nisjen e punës si brigadier. Për takimin me Enver Hoxhën dhe dhuratat që ne i shpunë nga Plasa. Ne, pasi morëm emrin “Enver Hoxha” të NB- së më të re të atdheut, qëndronim në këmbë ditë e natë për të justifikuar nderimin dhe respektin që na bënë. Gjykimi në ato vite për cilësi të dobët ishte i rëndë. Po të prisje një kokërr panxhari ishte sikur të kishe prerë kokën e Enver Hoxhës.

– Emrin e morët më vonë?

– E morëm! Na i dhanë pas një takimi që ne bëmë në shtëpinë e Enver Hoxhës.

-Ta nisim nga dhuratat, pastaj vizita në shtëpinë e Enver Hoxhës. Si i gjetët dhe ruajtët këto dhurata?

– Nuk ishte e vështirë për të gjetur kallinj gruri në Plasë në ato vite. Për gati 2 muaj tufa me kallëzat e grurit e përzgjedhur me terezi gjatë pjekjes në muajin korrik, qëndroi në zyrën e sekretarit të partisë. U dyfishuan rojat e zyrave të kooperativës. Tufëza u mbajt sekret që do t’i dhurohej udhëheqësit. Po përveç rojave dhe shokët e partisë rrinin zgjuar diku më tej se mos u vihej zjarri zyrave apo tentohej të grabitej tufa me kallëza. I thurën me lezet. Por, nuk do të mbeteshim vetëm me një dhuratë sepse gjatë shkuljes dhe mbledhjes së patateve gjetëm dhe dhuratën e dytë.

-Po kjo dhurata e dytë, ishte prodhim bujqësor?

– Nga fusha. Në fakt kishim rrahur mendimin që të shpinim dy kokrra panxhari, por nuk u miratua nga partia. Na duhej një dhuratë që e kishte qejf dhe vetë udhëheqësi. Pasi kishim shkulur 1 ha me patate gjetëm një kokërr që ishte sa një kokë fëmije. E vunë në kandar. Plot 2 kg e larë dhe e pastruar nga dherat. Ta dorëzojmë në institut, u shprehëm dhe menduam që të merrej si model dhe arritje. Por nuk menduan kështu shokët e drejtorisë dhe ata të partisë. Ajo kokërr patate do të vinte në Tiranë në shtëpinë e Enver Hoxhës. Po vetëm një kokërr qe. Kërkuam t’i bënim çift, por në pamundësi. Megjithatë udhëheqësi u kënaq kur pa atë kokërr patate aq të bëshme. Nuk do të merrnim arka të mbushura.

– Në shtëpinë e Enverit sa qëndruat e çfarë ju kujtohet nga ai takim?

– Një javë para se të shkonim në Tiranë, për të takuar Enver Hoxhën s’më zinte gjumi. Vizitën e mbajtëm sekret. Në mbrëmje vonë takoheshim me shokët e partisë. Në punë më duhej që të dilja herët se po mbillnim grurin e ri. Nga Plasa ishim tre veta. Ishte Mihallaq Qirjako, drejtor i NB-së, Vaskë Kalapo, një punëtor i dalluar ky dhe unë si brigadier. Në ato vite ishte një gjë e rrallë që të takoje udhëheqësin e partisë. Të gjithë punonim për atë, por jo të gjithëve u jepej shansi që të shtrëngonin dorën dhe të bisedonin ballas me të, t’i dëgjonin zërin e të flisnin. Me ditë rrinin për ta takuar, kur kishin probleme me shpresën se do t’iu zgjidhte hallin që kishin. Në raste festash apo përvjetorësh për ta kënaqur dhe shtuar vitet e jetës, merrnin klasën punëtore që t’i çonte sukseset. Takimi u bë më 15 tetor të vitit 1978, me rastin e 70 vjetorit. Ky takim zgjati rreth një orë. Hymë në orën 11 dhe dolëm në orën 12 të mesditës. Unë isha më i riu nga grupi i Plasës. Isha 26 vjeç atëherë. Pritja u bë në shtëpinë ku banonte vetë Enveri. Në fillim kisha emocione, por pastaj u bëmë si të shtëpisë.

“Ta bëjmë Shqipërinë si Plasa, nga arritjet e Plasës plaçin armiqtë”, – na tha.

Dhuratat tona për Enverin, në 70-vjetorin e lindjes së tij ishin një tufë me kallëza gruri dhe një kokërr patate 2 kg.

– “Kemi ndërmend që Plasën ta bëjmë NB-në më të re të Atdheut, ju dakord jeni?” – na u drejtua ne të treve.

“Ju japim fjalën se edhe më të dalluarën do ta bëjmë”, – m’u zgjidh gjuha mua. Më bëri shenjë që të afrohesha, ku më përqafoi e më ra me duar shpatullave.

“Për ju rininë po e bëjmë, se ju i ngrini rendimentet”, tha.

Na u duk shumë i shkurtër ai takim. Ka qenë takimi i vetëm me Enverin. Në mbrëmje arritëm në Plasë. Të nesërmen e nisëm ditën e re me një mbledhje buzë kanalit, ku u thamë punëtorëve fjalët që na tha Enveri.

– Por premtimi që u dha Enveri për ta bërë Plasën NB zgjati gjatë?

– Nga premtimi që na bëri Enveri për ta kthyer në NB kaluan 5 vjet. Ne ishim KTL (kooperativë e tipit të lartë). Na thanë se nuk po gjenin një ligj që të shpërndanin të ardhurat e KTL-së dhe t’i kalonim në NB. Kështu na thanë. Por ne vitin 1983 me rastin e 75-vjetorit të Enverit ne u bëmë NB dhe i vumë emrin “Enver Hoxha”. Dhe pas 9 vitesh i vumë kazmën me forcat tona, për të mos mbetur asgjë nga ato investime e qëndisje që i bëmë ne fushës tërë ato vite. Ndoshta u shty edhe për të gjetur një përvjetor dhe të shtonin një emërtim të ri me emrin e Enver Hoxhës.

– Diçka për vitet tuaja si brigadier?

-Si brigadier qëndrova 19 vjet pa ndërprerje. Si mbarova ushtrinë që e bëra në repartin 1105 në Tiranë, u ktheva në vendlindjen time në Plasë të Korçës. Më kishin vënë syrin për të më vënë në krye të brigadë së fushës. Nuk desha se isha i ri, beqar, përvoja s’kisha. Doja të gjeja ndonjë punë në ndërmarrje shtetërore. Isha me shkollë 8-vjeçare. Më thirrën disa herë shokët e partisë vendore dhe përveç se brigadier më afruan dhe pranimin në parti. Të refuzoje partinë në atë kohë nuk ishte e lehtë. Bëj si të duash Haxhi, po ja tek është mali dhe kafshar do të bëjmë të bësh dru për furrën. Haxhi mendohu natën dhe na kthe përgjigje në mëngjes. Për tri net unë refuzova dhe rezistova, por të katërtën më mbërthyen dhe më thanë se nuk presim më, mund edhe të ndëshkojmë më keq se ajo puna e malit që të kemi thënë. E mora brigadën e fushës dhe e lashë pas 19 vitesh. Nuk e lashë unë, por e la sistemi. Gjatë këtyre viteve mësova unë, mësuan punëtorët. Në vitin e parë morëm 40 kv grurë për hektar. Ky ishte viti 1973 kur unë e kisha dhe vitin e parë të drejtimit. Nga viti në vit u rrit rendimenti i grurit. Në vitin 1982 morëm 70 kv për hektar. Rendimentet i rritëm se u specializova unë dhe punëtorët. Në fushë në ato vite bënim shkencë të vërtetë. Kanalizimet, plehërimi, qarkullimi bujqësor. Të mesmen bujqësore e mbarova natën se ditën mësoja në fushë. Si vit më të mbarë të punës sime mbaj mend vitin 1983 ku morëm 83 kv grurë për hektar. Në atë vit patëm edhe sipërfaqe ku volëm 100 kv për hektar. Por nuk merreshim vetëm me kulturën e grurit. Mbillnim patate ku e nisëm me 120 kv për hektar dhe e mbyllëm me 400kv. Në panxhar njëmijë kv për hektar.

-Merren ende këto rendimente në fushën e Plasës?

-Fusha sot është kthyer në djerrë. Drenazhimi nuk funksionon. Fusha herë pas here përmbytet nga lumi Devoll që del nga shtrati pas shkrirjes së borës dhe nisjes së shirave. Lagështia mbetet në fushë. Grurë mbillet, por ka rënë rendimenti. As unë nuk marrë më shumë se 20 kv në parcelat e mia. Panxhar e duhan nuk mbillet fare.

-Si u shkri NB-ja dhe ju nga brigadier u kthyet një banor i thjeshtë, fermer, si ju kanë ecur punët?

-Në vitin 1993 u nisa emigrant për në Greqi, ku atje qëndrova shtatë muaj dhe punova në bujqësi në pronat e grekëve. Pas kthimit nga kurbeti me fitimet ngrita një barakë dhe u bëra kafexhi. Pas një viti shita dhe lopën dhe barakën e bëra lokal aty në të dalë të urës që shërben si porta e fshatit Plasë. Në ato vite kishim parti rendimentesh, tani kemi rendiment partish. U bë Shqipëria si Plasa. Tani është bërë Plasa si Shqipëria. Janë ngritur 8 klube në fshat. Të them unë që me listë pinë kafet e mëngjesit dhe nga një vodkë. Të moshuarit presin ndonjë euro nga djemtë e nuset që i kanë në kurbet. Një pjesë presin pensionin. Një pjesë nuk kanë dalë në pension e një pjesë janë me pension të vogël. Gjatë 18 viteve në Plasë janë ngritur vetëm tri vila të reja. Në vitet 1973 deri në 1983 u ngritën 70 shtëpi të reja. Më parë ne plehun e hapnim me lopatë në fushë, kurse sot ai është shtrenjtuar dhe me zor e ndajmë me grushte. Ujitja e fushës bëhej pëllëmbë për pëllëmbë. Tani presim shiun. Po ra shiu çoç futim në shtëpi. Gruri që bëjmë na ka mbetur në shtëpi. Plasarët punojnë në Greqi dhe po arnojnë çatitë e vjetra të shtëpive. Por, nga Plasa nuk janë larguar shumë familje. Nuk ka braktisje, vetëm 10 familje janë larguar. Por nuk ka shtëpi bosh, se kanë ardhur nga zonat malore. Ka ikur lezeti i Plasës së dikurshme. Plasa ka qenë model, jo vetëm për rendimente të larta në grurë e patate e panxhar, por edhe në pastërtinë e fshatit. Vitet e fundit janë shtuar plehrat dhe mizat. Ujërat e zeza nxijnë nëpër rrugët e fshatit. Nuk është më Plasa e parë.

-A ka banorë që mbjellin dhe ruajnë traditën e dikurshme të rendimenteve?

-Në Plasë vetëm Nexhmi Ahmedi, që ka punuar në brigadën e dikurshme që drejtoja unë merret me fushën e ruan ende atë traditën e të mbjellit e të punuarit. Ai mbjell 1 ha me patate e vjen vërdallë me to. Patatet e tij bien në sy. Por edhe ai patate si ajo që i dhuruam Enver Hoxhës nuk ka shkulur. Në ato vite punohej me cilësi. Një kokërr panxhari nuk pritej apo patateje. Gjykimi ishte i rëndë. Ne pasi morëm emrin “Enver Hoxha” të NB- së më të re të atdheut qëndronim në këmbë ditë e natë për të justifikuar nderin dhe respektin që na bënë. Gjykimi në ato vite për cilësi të dobët ishte i rëndë. Po të prisje një kokërr panxhari ishte sikur të kishe prerë kokën e Enver Hoxhës.

-Haxhi sa punëtorë kishit në brigadë?

-Brigada kishte 65 punonjës. Nga ku 40 ishin femra dhe 25 meshkuj. Po prej tyre 52 kishin mbaruar shkollën e mesme bujqësore. Dimër e behar zotëronin 40 ha fushë. Me shpërbërjen e fermës unë mora një turrë me spango, një prashajkë dhe tri dekorata.

Dhënë në Janar 2009