Dhimitër S. Shuteriqi/ 7 Prilli në emigracion Grenoble, Francë

372

Në janar të vitit 1939, marr një letër nga Branko Merxhani, ku më thotë se e kanë ftuar në një Kongres të Kryeredaktorëve të Evropës, i cili do të mbahej në Nicë në mes të marsit. Ai vetë nuk mund të vinte, mbasi nuk do të më pëlqente që të shkoja në vend të tij. Le t’i telegrafoja sidoqoftë, që të më dërgonte ftesën dhe autorizimin. Unë u bëra gati me të tëra, duke marrë edhe nga organizuesit e Kongresit një shkresë, se ishin dakord që të zëvendësoja zotin Merxhani, mora shpenzimet e rrugës me tren në klasë të parë dhe bëra një udhëtim shumë komod nëpër Lyon – Marseille dhe Cotes – d’Azur; shkrova dhe ndonjë vjershë përmes peizazheve të bukura e më të bukura provansale e mesdhetare në një stacion prapa maleve bregdetare të Esterel-it në Les-Arcs. Në Nicë na kishin vendosur në një hotel nga më të njohurit e Francës e të botës “Negresco”, një pallat pesë katesh, i bardhë dëborë, mbi shëtitoren e famshme “La Promenade des Anglais”. Një “personalitet” i hotelit erdhi e më uroi mirëseardhjen në apartamentin ku isha vendosur dhe në të dalë më tha, gati në vesh, se paerboire, ju zotërinjtë gazetarë nuk do të jepni, ju lutem këto ditë që ju kemi mysafirë.

Tema e punimeve të Kongresit ishte “Lufta kundër lajmeve false”. 
A bënin pjesë këta kryeredaktorë, disa qindra, në ofiçinat e krijimit e të botimit të lajmeve false, apo ishin vetëm përhapës lajmesh të vërteta? Një zot e dinte. Në Kongres ishte mysafir nderi, një ish ministër i arsimit të Francës. Sekretar i Kongresit ishte një me llagapin Saquet që nuk ia kujtoj emrin, i cili vinte nga Strasburgu. Kujtohem për të sepse ai duhej të kish dëgjuar se, ato ditë, Italia e Mussolinit, përgatiste një agresion të shpejtë për të aneksuar Shqipërinë, dhe këtë ma tha gjatë përshëndetjeve që më bëri për mirëseardhjen në Kongres. Lajmet e para në Francë, i kishte bërë një gazetare shumë e njohur, zonja Genevieve Tabouis, bijë ambasadori, e lidhur ngushtë me qarqet diplomatike të Francës dhe të Evropës, me artikujt e saj politikë të një gazete qendrore të Parisit, nëse kujtohem saktë në “L’ouvre”. Ne shqiptarët rronim me ankthin e atyre lajmeve. Unë bëja ç’mos që të mos besoj, po u besoja qind për qind, si ai që i beson më shumë të keqes se të mirës. Kur fola në Kongres, pa bërë aludim drejtpërdrejtë për ç’ka flitej, për gjëmën që i përgatitej vendit tim, salla më dëgjoi me veshët ngrehur me përzemërsi, në mos me dhimbje. Teksa kthehesha në vend një zonjë më përqafoi me ngashërim duke thënë “mon pouvre enfant!” Jashtë sallës së mbledhjes zoti Robert, zviceran, redaktor në revistën e madhe franceze “L’Illustration” më tha: “Më vjen keq zotëri, t’ju siguroj se në Itali vetëm për pushtimin e Shqipërisë flitet. Unë vajta atje për një shkrim që ma kufizonte shumë kohën, por u shkëputa për të vajtur gjer në Brindisi, që me sytë e mi të sigurohem se Mussolini është duke i nxituar përgatitjet, që janë tani të mëdha për të zbarkuar në Shqipëri.” Kur unë, përpiqesha me çdo kusht të mos u besoj edhe lajmeve më të sigurta, i thashë zotit Robert se Mussolini edhe një herë tjetër, më 1933, kishte drejtuar nga ujërat e Shqipërisë kryqëzorët e tij me kërcënim të madh, si m’u përgjigj se “uron të jetë kështu, po këtë radhë, duke patur një pjesë të mirë të flotës në brigjet e Puglia-s, ai po mbaron së grumbulluari edhe ushtrinë mbi ato brigje, këmbësorë, alpinë, tanke, aeroplanë. Po le tu besojmë bllofeve mussoliniane, që nuk janë të panjohura.”
Dhe 7 Prilli erdhi
Dhe 7 Prilli erdhi, erdhi dita e së Premtes së Zezë, dita e pashmangshme e vajtimit të Krishtit një herë në mot për të 1939 herë, dita e pashmangshme e realizimit të agresionit të ri italian mbi Shqipërinë të përgatitur nga Mussolini dhe Çiano (Konti Çiano, në kujtimet e tij ka gjëra interesante për atë ditë) por, po aq edhe nga Zogu me zogorinë e tij. Ne në Grenoble organizuam menjëherë, të nesërmen, një miting përpara legatës italiane. Na ndihmuan shokët tanë studentë, partitë e së majtës, por edhe të së djathtës. Protesta u njoh kudo që shkonin gazetat e qytetit dhe kudo ku dëgjohej radioja e atjeshme. Në mes të muajit organizuam një miting të dytë, në një sallë të madhe mbledhjesh të Bashkisë së qytetit, e cila merrte rreth një mijë vetë e që mori jo më pak se një mijë e pesëqind. Iu drejtuam, për këtë, tërë partive politike, që nga ajo komuniste gjer te ajo fashiste e Laroque-ut, dhe s’na mungoi asnjëra. Unë dhe Mahir Domi vajtëm te doktori Martin në shtëpi, deputet socialist. Ai ishte mjek i sëmundjeve veneriane, pra na priti si për ndonjë hall rinie të prapë. Kur i treguam përse po e bezdisnim, na kërkoi falje dhe nisi të vërtitej nëpër sallon si pordha nëpër brekë, kaq keq u gjend. Na ngushëlloi, – ne “bijtë fatkeq të një atdheu fatkeq, të agresuar nga një zotëri fatkeq, si zoti Mussolini!” I dhimbseshim pa masë! Po ç’pandehnim ne, se do të na vinte njeri në mitingun te bashkia, sepse kryetari i nderuar e kaq i dhembshur i Bashkisë, na kishte premtuar sallën (bile pa pagesë!)? Kush e njihte Shqipërinë në Francë, kush kishte dëgjuar për të?
 Kush e kishte ndër mend “Shqipërinë e mjerë”, në hallet që na paska Franca e demokracisë dhe e revolucionit? Zoti Martin ishte “më se skeptik”. Sidoqoftë, ne bënim mirë që përpiqeshim të organizonim protesta, po sa për të, ai e kishte “pak të vështirë të gjendej përpara një salle bosh”! Pra, nuk na jepte dot fjalën se do të vinte. Po, mbase vinte dhe hidhte një sy dhe shihte se ç’kishim arritur. Do të shihte e do të bënte. “Kështu, more bij fatkeqë” e lamë ne me këto fjalë të tij doktorin e nderuar Martin, një xhuxhmaxhuxh, të cilin e shamë me rrënjë e me degë kur dolëm në rrugë, edhe Mahiri, që nuk dinte të ndotë gojë dhe nuk mësoi gjer më sot! Mitingu jonë ishte i një suksesi që s’mbahej mend për kaq e kaq mitingje të asaj salle të Bashkisë së qytetit Grenoble! Atë e hapi vetë zoti Kryetar i Bashkisë, me një fjalë të shkurtër patetike. Unë mbajta fjalën e rastit dhe salla më duartrokiti shpesh, se rasti e donte dhe miqtë e shokët i kishim të shumtë aty. Folën pastaj gjithë partitë franceze që përfaqësoheshin në Grenoble, nga komunisti te fashisti (ky ishte një profesor i ri i drejtësisë në universitet). Oratorët u ruajtën të mos sulmojnë aty njëri-tjetrin për armiqësitë që i ndanin, po prapë nuk mbetën pa u gërricur sadopak. Kur ishte duke folur i deleguari i nuk di cilës partie, te hyrja e sallës u bë zhurmë dhe pastaj pamë të çante nëpër gjendjen që kishte qëndruar në këmbë, se nuk gjente vend për t’u ulur, doktorin Martin, i cili, si një urith, drejtohej nga presidiumi, ku kërceu dhe mori fjalën, që sapo mbaroi tjetri, duke ulëritur një gjysmë ore për çka mundi, për luftënxitësit, për paqen, për demokracinë, domosdo edhe për “popullin e vogël e të mjerë të brigjeve të kaltërta të Adriatikut, që këto ditë Pashkësh nxinë dhe u bënë sterrë”, po sidomos për “Tunizinë franceze”, që “të mos i shkojë mendja zotit Mussolini, se është një thelë që ai mund ta përcjellë, se ajo është një kockë e tillë që…”. Mussolini atëherë bënte zhurmë për Tunizinë, e cila duhej të këmbente padron.
Tunizia ishte një arsye kryesore, që partitë politike franceze ato ditë dhe opinionet e qarqeve të larta zyrtare të atjeshme i bëri të flasë kundër Italisë dhe t’i “dhimbset Shqipëria e gjorë” dhe “mbreti i saj, që u bë baba, me mbretëreshën lehonë, që iu desh të arratisej me foshnjën dyditëshe”. Ishte pikërisht ajo mollë sherri, Tunizia, për të cilën ishte mprehur oreksi i Mussolini-t, tani në prag të një Lufte II botërore, e cila, për të plasur, nuk do të vononte më shumë se 6 muaj!
Suksesi i mitingut
Suksesi i mitingut tonë të dytë në Grenoble qe i madh. Kur merrnin vesh tanimë francezët se ishe shqiptar, jo vetëm që të ngushëllonin, po të jepnin zemër të kishe besim në një çlirim të shpejtë të Shqipërisë, se “fashizmi e kishte diskretituar veten nëpër Evropë dhe në botë, se ai nuk e kishte të gjatë”. Fashizmi nuk e pati të gjatë vërtet, po Evropa dhe bota pësuan gjëmën më të madhe të gjithë historisë së tyre të gjatë. Franca dhe Anglia, po sidomos e para, e pësuan aq keq, sa nuk do ta kishte besuar askush, Franca nga mefshtësia e udhëheqjes së vet, nga tradhtia e sunduesve të saj. Mitingje të tilla, si në Grenoble, u bënë pastaj me radhë, në Lyon, St-Etienne, Firminy (qytet industrial midis St-Etienne-it e Lyon-it, së fundi në Paris, gjatë javës së dytë të atij prilli. Unë fola edhe në Lyon e në St-Etienne, në Firminy nuk di kush foli, në Paris foli Qamil Çela. Mbledhjet korrën sukses si në Granoble, ato bashkuan atë ditë proteste gati gjithë opinionin politik të Francës kundër Italisë dhe i qanë hallin Shqipërisë, se folën në ato mitingje partitë më të ndryshme, njerëz të njohur, parlamentarë, etj. 
U ngjitën për ne në tribunë, p.sh. në Lyon deputeti Lévy, në Paris foli një anëtar shumë i njohur i KQ të PKF, deputeti Florimon Bonte. Në Paris mbledhjen e drejtonte senatori i Lyonit, Justin Godard, mik i njohur i Shqipërisë. Shqiptarët u gjallëruan shumë për ato mbledhje, studentët, punëtorët, të tjerë, të ngjyrave të ndryshme politike. Kam fotografinë e bërë nga shqiptarët e St-Etienne-it, përpara Shtëpisë së Sindikatave, ku u mbajt mitingu. Aty janë mbi 60 vetë. Nga Grenoble-i jam vetëm unë, po nga Lyon-i janë disa, midis të cilëve Qamil Çela, Gogo Nushi, Dhori Samsuri, Dhori Mihali, Halim Budo, Pandi Cici, Sami Baholli etj. Shoh aty edhe Dhori Panon, nga Korça, i vetmi student shqiptar që kishte atëherë St-Etienne-i, ku ai bënte inxhinierinë e minierave. Mitingu i Parisit, në një nga sallat kryesore të atjeshme, mblodhi disa mijëra vetë në Salle Wagram. Ai e mbylli me sukses të madh aksionin tonë të protestës kundër pushtimit të Shqipërisë. Shqiptarët e Francës u mobilizuan në masë për të ngritur fort zërin e tyre kundër Italisë fashiste dhe fashizmit në përgjithësi, ndonëse atje shqiptarët ishin ndër më të paktët midis kombësive të tjera, ja bëheshin ja nuk bëheshin një mijë e pesë qind apo dy mijë, të përndarë shumë. Atje u krijua një si organizatë antifashiste, ku morën pjesë përfaqësuesit e opinioneve të ndryshme politike tonat, edhe zogistët. Këta përfaqësoheshin nga një djalë i ish-kryeministrit Koço Kota, që studionte drejtësinë, dhe nga një tjetër, që bënte mjekësinë, Fiqret Babani, i cili kishte mbaruar disa vjet përpara meje liceun e Korçës, devolli. Nga shqiptarët e Parisit, kujtoj Kolë Papariston, që studionte shkencat e natyrës, dhe Ptoleme Xhuvanin, që bënte drejtësinë. Shqiptarët e Grenoble-it dërguan atje Petrit Dishnicën dhe mua. Për sa i takon organizatës që krijuam, – as emrin nuk ia kujtoj më! – ajo nuk jetoi më shumë se natën që u krijua! Zogistët ishin të parët që e sabotuan. Komunistët, që mund ta drejtonin, nuk kishin mjetet financiare, por edhe kishin kundërshtarë zogistët e të tjerë. 
Kur u kthyem pas 3 ditësh nga Parisi, shokët tanë i gjetëm të mbledhur në Grenoble në një sallë të brendshme kafeje, bashkë me Mustafa Krujën e Ali Këlcyrën! Këta përpiqeshin t’u mbushnin mendjen shokëve tanë studentë që të mos aktivizoheshin kundër Italisë okupatore, se ishte në dëmin tonë, po dhe në dëmin e vendit, se vendi s’kishte ndonjë të mirë, po ta pësonim ne me gjithë familje, ndërsa “murit me krye nuk i bihej”. Mustafa Krujën e gjetëm tek përsëriste, se ai me Ali beun dhe zotërinjtë e tjerë të emigracionit politik shqiptar, kishin vendosur që të ktheheshin në atdhe “se atdheu kishte nevojë për ta!” Ata “do të përpiqeshin të shpëtonin ç’mund të shpëtohej”, “do të bënin çmos”! Edhe unë në fjalën time thashë afërsisht, se ata “nuk bënin mirë që ktheheshin në atdheun e pushtuar. Detyra e tyre, si politikanë me përvojë, ishte që të qëndronin në Evropë dhe të vazhdonin kundër pushtuesit fashist, kundër Mussolini-t, përpjekjet që kishin bërë kaq vjet kundër Zogut. Tragjedia e Shqipërisë ishte e madhe, po do të vinin ditë të favorshme dhe Shqipëria do të çlirohej. Për këto ditë, një emigracion politik shqiptar ishte i domosdoshëm. Në Shqipëri, populli nuk e pranonte okupacionin. Atje sigurisht bëhej luftë, po ne s’e dinim. Zogu kishte tradhtuar popullin, duke mos u vënë në krye të rezistencës. Populli do ta merrte shumë për ters atdhesimin e emigrantëve tanë politikë, do ta merrte si një nënshtrim të tyre ndaj fashizmit italian, si një pabesi ndaj interesave kombëtare, që po i bëhej vendit në këtë çast, kur çdo shqiptar duhej të qëndronte me tërë fuqitë e tij, që Mussolini ta ndjente veten keq me hordhitë e tij qindramijëshe, që bënë atë krim; dhe keq duhej ta ndjenin veten gjithë ata që ishin bërë vegla të fashizmit italian për këtë ditë të zezë kundër atdheut. Atyre populli nuk kishte për t’ua falur kurrë!” etj.
Mustafa Kruja këmbënguli dhe një herë në të vetën. 
Ali Këlcyra e mbështeti dhe një herë me disa fjalë. Studentët, të gjithë, kundërshtuan dhe një herë demagogjinë e tyre, se “në Shqipëri ata do të shpëtonin ç’ishte e mundur të shpëtohej”. Mbledhja u mbyll me “keqardhjen” që shprehu Mustafai, se ishim duke “u marrë më qafë”, dhe kështu u larguan ata të dy zotërinj të mëdhenj nga salla, pa i përcjellë njeri, ndërsa ne mbetëm edhe pak aty, për të shprehur çiludimin dhe mërinë që na kishte pushtuar kundër një emigracioni kaq të pabesë politik shqiptar, kundër atyre që nxitonin në atdhe pas bajonetave fashiste italiane, jo për “të shpëtuar gjoja diçka, po për t’u bërë vegla të pushtuesit”. Iritimi i studentëve ishte i plotë. Mbaj mend si buçiste Bilbil Klosi. Ne u treguam shokëve se si kishte gjëmuar Salle Wagram e mbushur plot e përplot dhe u folëm për “suksesin e organizimit që ishte arritur në Paris midis përfaqësuesve të rrymave politike shqiptare, edhe të zogistëve, për një si komitet antifashist dhe antiitalian shqiptar, që do të merrte në dorë luftën kundër okupatorëve, këtu në Francë, pastaj edhe gjetiu”.
Kjo qe veprimtaria e shqiptarëve të Francës ato ditë pas 7 Prillit. Më shumë nuk mundëm të bënim. Petro Markoja dhe unë, atë 7 prill në mbrëmje, i kishim dërguar Qazim Koculit në hotelin ku ai banonte, në Avenue Gambetto, korrespondentin e gazetës “L’Humanité”, që të bënte një deklaratë, meqë na kishte thënë se nuk do të kthehej në Shqipëri. Ai iu shpreh korrespondentit me fjalë të tilla, “se do të qante me thes në kokë për Shqipërinë e mjerë!” (nuk di se si ia përkthyem francezit këto fjalë). Deklarata u botua të nesërmen. Ditën pas takimit me Mustafa Krujën, unë u nisa herët të shkoj e t’i tregoj Koculit se si ishte zhvilluar mitingu i Parisit dhe se si kishim krijuar “me sukses” një organizatë antifashiste dhe antiitaliane shqiptare me qendër në Paris e me qëllim që të shtrihej edhe gjetiu nëpër Evropë. Përpara se të arrij në Hotel “Grande Bretagne”, takoj mbi trotuar Mustafa Krujën, të veshur si për udhë, me pantallona, golf. Pa më dhënë dorën, më thotë:
– Ç’na bëtë ashtu mbrëmë, more Shuteriq?
– Ju nuk duhej të prisnit gjë tjetër nga studentët e Grenoble-it, zoti Kruja, iu përgjigja. Ne jemi shumë të vrarë dhe shumë të irituar. E dëgjuat dhe besimin që kanë studentët këtu, se ka për t’ju djegur vendi nën këmbë në Shqipëri fashistëve italianë. Sa për mua, unë përsërita çka ju kishin thënë shokët e mi më parë. Të gjithë mendojnë se bëni keq që ktheheni në Shqipëri. Atje populli do t’jua marri shumë për keq, do t’jua marri, të më ndjeni, se ua them ç’mendojnë studentët, për tradhti. Ai u prish keq në fytyrë, nuk më tha tjetër, veçse “tungjatjeta!” dhe mori udhën, me sa kuptova, nga shtëpia ku banonte Kolë Tromara. Koculin e gjeta pikë e vrer në pamje, që nuk i shkonte buka, – hante mëngjesin. Gjeta aty edhe një student me llagapin Xhindi, një vlonjat, që duhej të kishte ardhur ata muaj të fundit në Grenoble dhe që gati s’e njihja. Ai ishte me lot në sy, bisedonte me Koculin me shumë respekt dhe shprehte dufin kundër Italisë, së cilës, thosh ai, “shqiptarët do t’ia punojnë si më ‘20”, se Shqipërisë “nuk i kanë munguar kurrë Selam Musanjtë dhe Qazim Koculët”! (Qazimi kishte qenë ndër drejtuesit e Luftës së Vlorës, dija unë.) I tregova Koculit ç’kisha për t’i treguar, u ndava nga ai me dorë në qafë, “mirupafshim, djalë i mbarë”, kurse Xhindi mbeti aty. Atë natë, bashkë me Ali Këlcyrën e Kolë Tromarën, Koculi, që do të “qante me thes në kokë për Shqipërinë e mjerë”, kaloi kufirin via-Geneve bashkë me Mustafa Krujën, drejtpërdrejt via-Modanë! Ne studentët nuk e kishim pritur këtë pabesi! Ai na kishte mbajtur me fjalë se nuk kthehej në Shqipëri prapa bajonetave italiane, që të mos na tregonte të vërtetën, nga frika se mos i punonim ndonjë gjë, p.sh. vlonjati Xhindi a ndonjë tjetër.

Në fillim të qershorit 1939

Nga fundi i muajit maj apo në fillim të qershorit 1939, në Chambery të Savojës franceze, jo larg Grenoble-it, u mbajt një Kongres i Ligës italiane të të Drejtave të Njeriut. Ishte si një karshillëk ndaj Italisë fashiste, se kufiri është aty pranë. Chambery, një prej qyteteve kryesore të Alpeve të Francës, ka qenë që nga shek. XIII, kryeqytet i principatës së Savojës. Atë e mori Franca gjatë viteve të Revolucionit të Madh të fundit të shek. XVIII. Në Kope (restorant me çmime të ulëta) ku hanim disa studentë shqiptarë, ne bëmë shokë dhe disa studentë të varfër italianë. Njëri prej tyre që u lidh shumë me ne, ishte djalë i një punëtori komunist, i larguar nga Italia si një antifashist aktiv dhe i vendosur në Chambery. Ai ishte ndër ata që u morën me organizimin e këtij kongresi dhe kështu m’u dërgua edhe mua një ftesë për të marrë pjesë në Kongresin e Ligës italiane të të Drejtave të Njeriut. Kongresi u mbajt në një sallë të madhe të qytetit. Ishin disa qindra delegatë dhe të ftuar italianë e francezë. Ndër ata që shquheshin qenë Pietro Nenni, socialist i dëgjuar italian, që kishte qenë në Luftën e Spanjës e ishte mobilizuar shumë në anën e republikanëve për mobilizimin e brigadave internacionaliste, Lombardi një socialist i njohur dhe ai që jetoi si dhe Nenni shumë vjet pas Luftës së dytë Botërore dhe luajti rol përkrah tij në Itali, profesori francez Victor Bach, filizof esteticien i njohur aso kohe, president i Ligës franceze të të Drejtave të Njeriut, etj. Fjala ime në këtë Kongres, ishte ajo e një të riu patetik e optimist, për çlirimin e shpejtë të vendit të tij, duke akuzuar rëndë agresionin kriminal italian. Në fjalën e tij Nenni por edhe Lombardi theksuan se “liria nuk ishte te pragu” duke u përqendruar në rreziqet ekstreme që fashizmi dhe nazizmi mund t’i shkaktonte Evropës e botës, se lufta me regjimin e Mussolinit dhe Hitlerit kishte për të qenë e gjatë dhe me mundime të panumërta për popujt (m’u bë se kjo më drejtohej tërthorazi mua, “djaloshit të zjarrtë, tipik shqiptar”, siç më etiketuan ata). Ata, Nenni dhe Lombardi vinin nga Spanja, e cila sapo kishte humbur Luftën popullore kundër Frankos, luftë që e kishin humbur efektivisht forcat progresiste të Evropës dhe të botës. Në Spanjë ato forca kishin ngrënë “grushtin më të madh” – më të madh edhe se në Austri, Çekosllovaki dhe Shqipëri së bashku, ndërsa unë kisha afirmuar dhe njëherë optimizmin e tepruar se Italia në Shqipëri do ta pësonte, si nuk e pandehte fashizmi italian. Doja t’i besoj vetes, nuk doja t’u besoj personaliteteve të shquar të së majtës italiane.