Dhimitër Orgocka: Si e intepretova veprën Cvajgut në Kjev

1139
Sigal

Rrëfimet e aktorit korçar, “Mjeshtër i Madh”/ Si e interpretova në gjuhën shqipe “Amokun” e Cvajgut në Ukrainë. Çmimi i parë në festivalin e tetë teatrove në Kiev, njehsimi me personazhin dhe duartrokitjet e publikut ukrainas

Dhimitër Orgocka: Ja pse u mbyta bashkë me arkivolin e gruas së vdekur

 

Nga Vepror Hasani

“Gjendesha në avion, sapo ishim nisur nga aeroporti “Nënë Tereza” i Rinasit. Fillimisht do të ndaleshim në Vjenë, më pas do të udhëtonim drejt Ukrainës. Isha pjesëmarrës në Festivalin ndërkombëtar të monodramës, që organizohej në Kiev nga dt. 24-28 prill të vitit 2005,-nisi të na rrëfejë aktori dhe regjisori i mirënjohur, Mjeshtri i Madh, Dhimitër Orgocka. “Gjatë gjithë rrugës, nga çasti i parë i nisjes me avion e deri sa zbrita në kryeqytetin e Ukrainës në Kiev, vazhdimisht sillja nëpër mend personazhin e Cvajgut, “Amokun”, tashmë të dramatizuar. Amoku është fenomen shpirtëror që e mbërthen njeriun dhe e mban gjatë, ndoshta deri në vdekje. Të paktën kështu i ndodhi Amokut të Cvajgut. Ai u mbyt në det bashkë me arkivolin e një gruaje që e deshi shumë. E deshi deri në vdekje. Kisha përshtypjen se edhe unë isha mbërthyer nga të njëjtat simptoma. I përfshirë nga Amoku personazhi i novelës vdiq në një vend të largët, shumë larg nga Evropa ku kishte lindur. Ndiente mall për vendlindjen e tij, por nuk mundi të kthehej më kurrë. Një ditë, atje në vendin e largët, në klinikën e tij, krejt befas, hyri një grua. Ishte një grua evropiane. E ndjeu që në çastin e parë nga aroma e saj, ndjeu aromën e vendit ku kishte lindur. Dhe po atë çast e mbërdheu një nostalgji e papërballueshme. S’arrinte ta kuptonte dot në ishte mall, dashuri, shpresë, ankth apo dhimbje. U dashurua që në çastin e parë. Nuk ishte thjesht dashuri, ishte takim me një grua që vinte nga një vend që ai e kishte dashur shumë. Të njëjtat ndjesi provova edhe unë, kur u njoha me personazhin e “Amokut”. Shqiptarët kishin shumë vite që kërkonin të ndjenin aromën e Evropës. Këtë dramë të shqiptarëve atë ditë prilli po e çoja në Kiev të Ukrahinës”.

Emocioni 

Taqkë Orgocka, siç e thërresin miqtë e tij, vijoi më tej: “Nuk kisha asnjë dyshim, spektatori i Kievit do të më kuptonte. Kievi është qytet i lashtë, i dashuruar me teatrin. Zanafilla e tij nis me shekujt VI dhe VII, është një port i rëndësishëm mbi lumin Dniepër. Aty kishte hedhur shtat si qendër tregtare midis Kostandinopojës dhe Skandinavisë. Tashmë kishte më shumë se 3 milionë banorë. Që nga viti 1991 ishte kryeqytet i Ukrainës, ndërsa që nga viti 1934, kishte qenë kryeqytet i Republikës Socialiste Sovjetike të Ukrahinës. Rusët e kishin marrë këtë vend që nga viti 1654. Gjithnjë kishte qenë kryeqytet. Kievi njihet si bërthama historike e Rusisë së sunduar nga dinastia Rurik gjatë shekujve IX-XIII. Më pëlqente shumë. Nuk ishte hera e parë që shkoja në Kiev. Kësaj radhe po çoja atje një dramë të madhe, të ngjashme me ëndrrat e shqiptarëve, të cilët ishin të etur për të ndier aromën e Evropës. Kërkova ta interpretoja në gjuhën shqipe. Besoja se shqipja do të ishte e kuptueshme edhe për ta. Do ta kuptonin “Amokun” tim. Gjuhën ruse e njihja mirë, por sa herë provoja interpretimin në një gjuhë tjetër, më dukej sikur më mungonte diçka. Banorët e Kievit kanë një gjuhë të madhe dhe të bukur, por me shqipen gjithnjë ndjeja diçka më shumë, ishte gjuha e nënës. Nuk doja që spektatori të kuptonte thjesht fjalët, përkthimin e tyre si në një libër, por emocionin, atë emocion që ndien kur e lexon te Cvajgu dhe që është i kuptueshëm në të gjitha gjuhët e botës. Mua më mbetej të isha i deshifrueshëm në lëvizjet, plastikën dhe lojën time; i kuptueshëm për të gjithë. Dhe këtë doja ta bëja në gjuhën shqipe, sepse isha Amoku i shqiptarëve”.

Në Kiev

“Më në fund zbrita në Kiev, në kryeqytetin e Ukrainës. Më mbërthyen emocionet. Bashkë me mua, në rrugët e Kievit po shëtiste edhe “Amoku”. Ne ishim bërë njësh. Nëse dikush do të më thërriste “Amok”, me siguri do të ktheja kokën. Kisha më shumë se një muaj që jetoja me të dhe përsëri ndihesha i shqetësuar nëse do t’ia dilja mbanë. Një çast m’u duk sikur pyeta personazhin tim të dramës: “Amok, ma trego edhe një herë ngjarjen për të kuptuar të vërtetën tënde deri në fund!” Pas kësaj pata ndjesinë sikur zëri i tij po më vinte nga fundi i detit, atje ku ai prehej së bashku me gruan evropiane. “Po, më tha, me një zë miqësor, madje m’u duk sikur ngriti zërin për të më thënë, ne njihemi prej vitesh, unë nuk kam si mund t’ju mbaj sekrete juve”. Dhe nisi të më tregonte”.

Rrëfimi i Amokut

 

“Ajo grua erdhi një ditë në klinikën time, kur malli për vendin tim kishte pushtuar gjithë qenien time. Kishte mbetur shtatzënë dhe donte ta abortonte. Kishte qenë e martuar me një tregtar, por shtatzënë kishte mbetur me një djalë të ri. I dhurova gjithë dashurinë dhe përkujdesjen time, por nuk jam i sigurt, nëse arriti të më kuptonte. Jo, nuk do të më ketë kuptuar. Po të më kishte kuptuar nuk do të kishte ikur. Pasi iku prej meje, shkoi te një shtrigë e mallkuar dhe abortoi atje. Abortoi, por vdiq edhe vetë bashkë me fëmijën. Pas kësaj ngjarjeje erdhi bashkëshorti i saj, deshi të merrte trupin e pajetë të gruas, Do ta çonte tek një klinikë në Angli për të mësuar shkakun e vdekjes, por unë s’desha ta lija. Nuk doja që ai të mësonte të vërtetën e dhimbshme të asaj gruaje. Ai e kishte sfilitur shumë. Ai nuk e pranonte dot turpin e saj përpara syve të botës; nuk e përballonte dot këtë. E mori të vdekur në arkivol dhe e çoi në port. Aty isha edhe unë. Ndiqja nga pas arkivolin e gruas. Në çastin kur vinçi po ngrinte arkivolin për ta hipur në anije, sepse kështu kishte urdhëruar i shoqi, unë u hodha sipër saj dhe bashkë me arkivolin, që prej asaj dite, prehemi të dy bashkë aty. Jemi bashkë. Edhe sot e kësaj dite vazhdoj me përgjërimet e mia që të më kuptojë, por të të kuptojnë qenka e vështirë. Por unë vazhdoj t’i them asaj se ishte dashuria, brenga e malli i pamundësisë për t’u kthyer në atdhe. Nuk e harroj kurrë ditën e njohjes me të. I gjendur në atë vend të largët, për 7 vjet me radhë ëndërroja me sy hapur, sikur isha kthyer në vendin tim në Evropë, por kur zgjohesha e gjeja veten tek një vend i humbur mes një moçalishteje. Sa më tepër njihesha me “Amokun”, aq më shumë ndihesha i emocionuar. Mendoja çdo çast për të”.

Në teatrin e Kievit

“Më në fund u gjenda në teatrin e Kievit ku do të zhvillohej Festivali ndërkombëtar i monodramës. Vështrova skenën. Gjithçka ishte përgatitur më së miri, sepse siç e thashë, Kievi është një qytet që e do teatrin, por unë kërkova të shtohej edhe diçka në rekuizitë. Tërësia e sendeve që do të përdorja më duhej edhe më e plotë. Nuk doja t’i mungonte asgjë rolit tim. Rekuizita shtesë u vendos që atë çast. Ishin të predispozuar që festivali të kalonte sa më mirë të ishte e mundur. Vështrova jo pa emocion skenën, vendverimin ku do të shtrihej loja ime dhe ndjeva sërish emocion. Ende nuk kisha bërë asnjë provë në skenë, madje as në teatrin e Korçës. Kisha punuar me Amokun tim për 40 ditë me radhë, por nuk pata mundësinë ta interpretoja në teatrin e qytetit tim. Më erdhi keq për këtë. Për herë të parë, “Amokun” do ta interpretoja në teatrin e Kievit. Përballë do të kisha aktorë dhe regjisorë të mëdhenj, të ardhur nga Anglia, Gjermania, Rusia, Bullgaria… Ishin 12 vende pjesëmarrëse. Festivali kishte vetëm një çmim; ose duhej të dilje në krye, ose bashkë me të 10 të tjerët. Pjesëmarrësit kishin bërë me dhjetëra prova në skenat e teatrove nga vinin. Suksesi i tyre dukej i garantuar; ishin aktorë të cilësisë së lartë, nuk u mungonte shkëlqimi. Kjo ishte dhe një nga arsyet pse emocionet e mia ishin kaq të forta, por të kuptohemi, çmimi nuk ishte qëllimi im në vetvete, kurse përgjegjësia për të nderuar vendin tim ishte e madhe. Më dukej sikur Amoku më vështronte në heshtje, gjithnjë i gatshëm për të më pyetur: “Hë, si thua, do të mundemi t’ia dalim mbanë…?” Tashmë je 71 vjeç, ke punuar për 40 vjet me radhë si aktor dhe regjisor, në Kiev ke marrë pjesë si kryetar jurie, ndërsa tashmë do të jenë të tjerët ata që do të vlerësojnë. Një vit më parë u vlerësove si regjisori më i mirë në festivalin shqiptar dhe në atë të Maqedonisë. Zëri që dëgjoja po më dukej ironik. Amoku vazhdonte të më kujtonte medaljen e Institutit Amerikan të Biografive “Njeriu i Shekullit për vitin 2000”; po më kujtonte Qendrën Ndërkombëtare Biografike të Kembrixhit, i cili më kishte përzgjedhur mes figurave të shquara për vitin 1999, kurset Amoku më pyeste vazhdimisht: “Hë, si thua, do t’ia dalim dot mbanë?” Qenka e vështirë; vjen një kohë që të kujton se nuk interpreton vetëm për vete, por për vendin tënd”.

Iu përgjërova asaj

“Salla e teatrit të Kievit ishte mbushur plot. Nëpër rrugët e tij, në ato ditë feste të festivalit, përmbi banderola shkruhej, “Huajeni teatrin!”. “Mbroni teatrin etj, etj. Tashmë ishte çasti për të dalë para spektatorëve. Dikush me pyeti, je gati? Po, iu përgjigja. Mora frymë thellë dhe dola përpara spektatorëve. Nisa lojën me Amokun tim. Interpretoja shqip. Salla qëndronte e heshtur, e ngrirë. Nuk isha i sigurt, nëse më ndiqnin me vëmendje apo ende nuk po kuptonin çfarë po ndodhte me lojën time, por nuk zgjati shumë. U dëgjua një duartrokitje e fortë. Ata kishin kuptuar lojën time, kishin kuptuar gjuhën shqipe. Ishte çasti kur unë bija në gjunjë dhe i lutesha, i përgjërohesha gruas që kishte ardhur nga Evropa, i tregoja sa shumë kisha vuajtur, duke qenë larg vendlindjes time. Teksa shihja atë, shihja vendin tim ku kisha lindur. Nuk doja të ikte, nuk doja të më braktiste. Për mua ajo ishte një ëndërr, një qenie mes reales dhe ireales, por e besueshme dhe e prekshme. Salla heshti përsëri, për të vazhduar sërish me një duartrokitje. Dhe atë çast, teksa i përgjërohesha në gjuhën shqipe, atë çka ndjeja unë dhe Amoku im e përsërita edhe në gjuhën e ukrainase. Duartrokitja ishte e njëjtë, ata më kishin kuptuar. Ishte njësoj sikur të më thoshin: “Vazhdo, ne të kuptojmë”.

Improvizimi 

“Thënia e disa frazave në gjuhën e spektatorit ishte një improvizim, nuk e kisha menduar ta interpretoja ashtu. Ishte një shkreptimë e çastit. Por gruaja evropiane, vendlindja ime, ishte larguar, me kishte lënë sërish të vetmuar dhe unë po u tregoja të gjithëve sesa mjeran kisha mbetur. Ishte larguar ajo që dashuroja deri në vdekje. Arkivolin e saj po e hipnin në anije, burri i saj kërkonte të vërtetën. Jo, unë doja të isha në mbrojtje të asaj gruaje, sepse isha në mbrojte të vendit ku kisha lindur. Mjaftoi vetëm një çast, dhe u gjenda mbi arkivol. Një çast i vetëm dhe ne të dy, unë dhe ajo, në fund të detit, mbetur gjithnjë bashkë. Kisha humbur krejtësisht në brendësi të rolit. Vetëm kur i dola në fund “Amokut” ndjeva edhe një herë entuziazmin e spektatorit. Ndihesha i lumturuar, desha t’i thosha Amokut se ai dhe unë ia kishim dalë mbanë. Desha t’u tregoja të gjithëve se ky ishte “Amoku” im, Amoku i shqiptarëve dhe, mesa duket, unë e kisha përcjellë atë, ashtu siç do të donin shqiptarët që kishin jetuar kaq e kaq vjet larg vendlindjes së tyre, Evropës. Spektatori nuk dëshironte të largohesha nga salla, qëndrova një çast para tyre për t’i përshëndetur. Kurrë më shumë se atë ditë nuk e kam ndier vetën aq të lumtur. Jo, ata nuk donin të më linin të largohesha nga skena”

Postfestivali

“Festivali ndërkombëtar i monodramës kishte përfunduar. Kishin hipur dhe zbritur nga skena aktorët e 12 vendeve me monodramat e tyre. Të gjithë kishin qenë të suksesshëm, ishin duartrokitur nga spektatorët e kryeqytetit të Kievit. Festivali kishte lënë të mrekulluar qytetin me 3 milionë banorë. Nuk e dija nëse do të vlerësohesha nga juria e monodramës ose jo, por të them të vërtetën isha i qetë. Çmimit nuk po i kushtoja më rëndësi. Unë dhe Amoku im ia kishim dalë mbanë. Ishim duartrokitur. Atë që kishim dashur të thoshim e kishim thënë dhe ishim kuptuar më së miri. Megjithatë, në çastin e shpalljes së çmimit, më 29 prill, dëgjova emrin tim. Festivali i tetë i teatrove në Kiev, Ukrainë, më nderoi me çmimin “Roli më i Mirë” për monodramën “Amoku” të Stefan Cvajgut. Nuk kam pse ta fsheh u ndjeva mirë, i lumturuar. Ishte e para herë që i kërkova vetes mobilizimin e të gjitha forcave. Ndoshta ngaqë nuk bëra prova atje në skenën e qytetit tim, ndërsa më duhej të përfaqësoja jo vetëm bashkëqytetarët dhe miqtë e mi, por shumë me tepër se kaq, atdheun tim. Materialit dramatik nuk i mungonte asgjë, e mishërova në të gjitha detajet. Kolegët po më shtrëngonin dorën: “Bravo Shqipëria!”

Gjuha shqipe e mrekullueshme

“E interpretova në gjuhën shqipe. Shprehesha lirshëm. Më mundësonte shprehjen e shpirtit Unifikoja lëvizjet dhe tingujt, me gjithçka që rrethonte vendverimin tim në skenë. Gjuha e vendit tim ishte e kuptueshme për të gjithë. Pas përfundimit të shfaqjes, kryetari i jurisë së festivalit të monodramës, Valer Kazanov, më tha: “Ti je aktori ynë, je heroi ynë. Ti je aktor rus, sepse interpretimi yt ishte me mendje dhe me zemër”. Kazanov-i ishte i ngazëllyer. Sigurisht, unë isha përgatitur që gjithçka të ishte e kuptueshme, e menduar mirë dhe e shprehur me shpirt. Kërkoja që çdo veprim të kishte arsye dhe përfundimisht ia kisha arritur. Kazanov-i vijonte të më thoshte: “Për herë të parë dëgjova një interpretim në gjuhën shqipe. Më besoni, jam befasuar. Shqipja është një gjuhë e vërtetë teatrore. Kam mbetur i mrekulluar. Gjuha juaj ka një ka një ekspresivitet të mrekullueshëm. Tingujt e saj të imponojnë t’i ndjekësh me vëmendje. Shprehin shumë”. Mesa duket pata të drejtë kur vendosua të interpretoja në gjuhën e nënës. Përshtypjet e Kazanovit i gjeta të njëjta edhe tek aktorë të tjerë. Festivali kishte përfunduar. Ndodhesha në Aeroportin e Kievit, por që nga çasti i hipjes në avion dhe deri në mbërritjen time në Rinas, nuk e di pse pata nevojë për një qetësi të plotë, të isha i vetëm dhe të ndihesha i kënaqur me Amokun tim. Një çast m’u duku sikur Amoku m’u drejtua duke ngritur zërin si për të me treguar se ne ishim miq të vjetër dhe mua nuk mund të më mbante sekrete: “Dëgjo, më tha ai, t’i pate fat, ishe i kuptueshëm për të gjithë, ky ishte edhe fati im, që të më kuptonin edhe mua”.