Dhimitër Lala: Ju tregoj vizitën e Hrushovit në Tiranë dhe çfarë i tha Enverit në Rinas, për Titon

1196
Sigal

 

Intervista/ Rrëfen një ndër operatorët e parë shqiptarë z. Dhimitër Lala: Ju tregoj dy momente me Enverin kur priti Hrushovin dhe kur do shkonte në Përmet

02- Hrushovi i tha në Rinas Enverit: Mos e zë në gojë Titon

03- Mehmeti i thotë Çu En Lait: Ne atyre që tradhtojnë iu japin plumbin ballit, nuk ua kursejmë. – Çu En Lai: Pushkatimi nuk është rruga e duhur, ne i edukojmë me veprat e Maos

04-Në moshën 13-vjeç shkova partizan me Brigadën IV Sulmuese

05-. Për aftësi në Luftë mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”

06- Në çlirimin e Tiranës isha pjesë e administrimit të Pallatit të Brigadave

Albert Z. ZHOLI

 

Këto ditë në ambientet e hotel “Harxhi” u shfaq filmi dokumentar “Jeta e vrullshme e Dhimitër Lala” me autor regjisorin e talentuar. Dua të theksoj se z. Lala e kam marrë intervistë për herë të parë në vitin 2007 dhe takimet me të kanë qenë të shpeshta. Në këtë film jepet në mënyrë shumë elegante dhe profesionale jeta e këtij operatori, një ndër operatorët e parë shqiptarë në Kinostudion dhe TVSH. Kushdo që lexon dhe do shikojë në film jetën e Dhimitër Lalës do të befasohet. Ai qysh në moshën 13-vjeçare ka qenë partizan në Brigadën IV Sulmuese. Po, po partizan në atë moshë. Që fëmijë ai dallohej për shtatin e gjatë, fizikun e bukur elegancën por edhe për dëshirën për të çarë në jetë. Ai ka lindur në qytetin e Pogradecit, më 2 tetor të viti 1931. Fëmijërinë e shkollimin e ka kaluar në këtë qytet të bukur buzë liqenit. Aty mori mësimet e para, mori dëshirën për të mësuar dhe dashurinë për artin. Edhe më vonë, kur iku nga Pogradeci, kthehej vazhdimisht. La aty nënën, babanë, dy vëllezër e dy motra. Pas lufte ai nuk shkoi më në Pogradec por qëndroi në Tiranë ku pati një jetë intensive sa të bukur po aq dhe tragjike. Po le ta njohim jetën e tij përmes kësaj interviste….

 

-Kur u larguat për herë të parë nga Pogradeci?
Unë deri në moshën 13-vjeç nuk kisha shkuar në ndonjë qytet tjetër përveç fshatrave afër Pogradecit. Isha i lidhur shumë me vendlindjen. Kisha një lidhje shpirtërore të fuqishme e kurrë nuk e kisha menduar se do të largohesha prej saj. Por ja që vjen një moment që të gjitha sa kishe menduar shemben si një kala prej rëre. Kur isha 13-vjeç në Pogradec vjen Brigada IV Sulmuese. Unë kisha dëgjuar shumë për partizanët dhe emri i tyre i mirë qarkullonte kudo. Në Brigadë pashë shumë vajza të reja por edhe të rinj me shtat më të shkurtër se unë. U tundova. Shikoja nja dy moshatarë me pushkë mbi supe dhe me kapelë me yll dhe mendova: “Ç’kanë këta më shumë se unë?!” U dashurova me uniformën dhe me armën. I thashë njërit prej partizanëve që t’i thoshte komandantit, se doja dhe unë të vija partizan. Ai në fillim ngurroi, pastaj më pyeti, se a i kisha thënë familjes. Ju përgjigja se po. Kur Brigada do largohej unë shkova pas tyre. Ata më pajisën me rroba dhe më dhanë një pushkë. Sa u lumturova! Tashmë isha partizan. Atë ditë morëm rrugën për të çliruar Veriun e vendit. Ishte një rrugë e gjatë. Pas Veriut na u dha urdhri për të çliruar Tiranën.

-Si të trajtonin në Brigadë, si silleshin dhe a kishte disiplinë në UNÇ?

-Mua më mbanin shumë mirë. Mundoheshin të më shmangnin nga betejat direkt duke më ngarkuar me detyra të ndryshme. Por unë doja të isha pjesë e luftës, e betejave. Kur dëgjoja trimëritë e partizanëve doja të imitoja ata.

-Po në luftën për çlirimin e Tiranës çfarë detyre tu dha?

Mua më caktuan në Pallatin e Brigadave që ta ruaja të mos vidhej dhe të mos shkatërrohej. Aty kam ngelur i befasuar! Për aftësi në Luftë mora “Medaljen e Trimërisë”, “Medaljen e Çlirimit” dhe “Medaljen e Kujtimit”.

Çfarë rruge ndoqe pas Luftës, shkuat në shkollë apo në punë?

Duke qenë partizan dhe duke qenë se në atë kohë kishte shumë nevojë për oficerë mua më çuan në shkollën “Skënderbej”. Ajo ishte shkolla më e lakmuar atë kohë. Sidomos djemtë nga fshatrat e donin shumë atë shkollë. Kishte ambiente, kishte ushqim të mirë, por mbi të gjitha kishte veshje të bukur. Kur dilnim në Tiranë të gjithë na shikonin me shumë kureshtje.

-A kishte disiplinë në shkollë dhe si silleshin mësuesit?

Ne kishim edhe mësues edhe komandues. Pra, ata qëndronin me ne pas mësimit që ndiqnin gjithë veprimtarinë tonë. Në shkollë kishte rregull dhe pastërti absolute. Mësuesit na trajtonin si fëmijët e tyre, pasi e dinin që ne prindërit i kishim larg. Pas shkollës “Skënderbej” deri në vitin 1949 ndoqa studimet e larta për oficer ku dhe u diplomova. Punova pak vite në këtë zanat deri në nëntor 1953 e pastaj kërkova të lirohem pasi nuk e dashuroja më atë profesion.

Pse s’e dashuronit, ju kishit aq vite aty?

Të qenit oficer kishte të bënte me shumë shërbime, me shumë stërvitje. Duhej të rrije shumë kohë në repart me ushtarët dhe kishte shumë probleme. Unë isha i dashuruar me artin. Disiplina, kërkesa e lartë në stërvitje, debatet me ushtarët ishin jashtë natyrës sime. Kështu kërkova largimin dhe kërkova të punoja në Kinostudio “Shqipëria e Re”. Në fillim të punë më caktuan përgjegjës të kinemave dhe shumë shpejt ndihmës operator. Tani mes artistëve ndihesha më ndryshe, ndihesha më i çliruar dhe më me hapësirë.

Ju caktuan ndihmës operator. por kush ishin operatorët që të mësuan në këtë profesion kaq të bukur?

Të jem i sinqertë, unë aty gjeta dy operatorët që hodhën themelet e Kinostudios, ata ishin Hamdi Ferhati, operatori i parë shqiptar si dhe Mandi Koçi. Të dy ishin njerëz të shkëlqyer, të cilët i kujtoj me mirënjohje dhe respekt. Ishin njerëz të rrallë dhe me shumë talent. Nuk përtonin të më mësonin çdo gjë që u kërkoja. Nuk u mërzitën kurrë me mua. Pa ata, të them të drejtën, nuk e di se ku do arrija. Ishin specialistë të zotë dhe njerëz me zemër të madhe. Njerëz të tillë janë të rrallë.

-Të vijmë në momentin më të bukur të jetës suaj, ditën kur përdore kamerën për xhirim, cili ishte ky moment?

Atë moment e mbaj mend si sot. Si mund ta harroj?! Do inaugurohej argjinatura e Gjadrit. Ishte viti 1956, Unë shikoja mësuesin tim dhe çfarë bëhej përreth. Në një moment Hamdi Ferhati më zgjati kamerën dhe më tha: Dhimitër, sot është dita jote! Duhet të fillosh të përdorësh kamerën. Fillo dhe filmo!- dhe më la kamerën në dorë. Nuk u besoja syve dhe veshëve. Ishte një besim i madh. Në fund kur bëmë kronikën i madhi Hamdi Ferati më falënderoi. Sa u gëzova. Kisha hedhur hapin e parë. Fillimi ishte i mbarë!

-Pra, kronika e parë, po filmi i parë si operator?

Në filmin e parë punova si asistent operator. Në filmin e parë artistik shqiptar, filmin e Hysen Hakanit “Fëmijët e saj”. Ishte një film që ka hyrë në histori pasi hapi siparin e filmave të tjerë. Ky film diskutohet shumë edhe sot. Por duke qenë se Kinostudioja në fillim kishte më shumë kërkesa për filma dokumentarë. Në vitin 1958 më kaluan tek këta filma por duke mos lënë kurrë pas dore dhe kronikat e vazhdueshme. Kronikat ishin pjesë e aktivitetit të Kinostudios në atë periudhë.

-Kur flasim për kronika, për çfarë kronikash bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për vizita të udhëheqësve të huaj, shoqërime që i bënim ne udhëheqësve tanë jashtë, kronika sportive, inaugurimesh, aksionesh etj..

Nga kronikat me udhëheqësit e huaj kë do të veçoje?

Do të veçoj ardhjen dhe pritjen e Hrushovit dhe te Çu En Lai në Rinas. Të dy janë pritur me shumë pompozitet. Por kam bërë dhe shumë udhëtime jashtë shtetit për të bërë dokumentarë nga Kina në Irlandën e Veriut me udhëheqës shqiptarë por edhe me ekipet sportive.

 

Mbaj mend se kemi folur për një bisedë që dëgjuat mes Enverit dhe Hrushovit në Rinas. Sipas kronikave tuaja, shikojmë se Enveri dhe Mehmeti e përqafuan fort Hrushovin, madje e puthën në të dy faqet. Ke ndonjë detaj nga kjo pritje në Rinas?

Me Enveri kam dy detaje jetësore…..Atë ditë në Rinas siç e patë dhe në kronikë e mbaj mend si sot. Sa doli tek dera e avionit dhe ngriti duart lart të përshëndeste popullin unë u afrova shumë me shkallën ku do zbriste Hrushovi. Në Rinas dëgjoje brohoritje të mëdha. Sa zbriti Hrushovi nga shkalët, unë thuajse isha ngjitur me të. Enveri iu hodh përqafe. Unë isha thuajse një metër larg. Hrushovi i thotë që gjatë diskutimit të mos e zinte me gojë emrin e Titos. Në fillim shtanga, pasi Enveri çdo diskutim e niste me Titon, por menjëherë e mblodha veten, se më thërriste puna. Dhe në fakt në diskutimin e tij Enveri nuk e zuri në gojë Titon. Mbase këtu fillon dhe ftohja Enver-Hrushov! Me Enverin kam dhe një rast tjetër, kur ai do shkonte në Përmet. Ishte ulur në Ujë të Ftoftë të Tepelenës për të ngrënë mëngjes së bashku me Nexhmijen. Kur më pa aty afër më foli të haja dhe unë aty. Nuk pranova duke i thënë, se jam në krye të detyrës. Në atë moment erdhi Shefqet Peçi dhe u harrova disi. Por Enveri, sa u përshëndet me Shefqetin i thirri Muhamet Prodanit dhe i tha të mbështillte diçka për të ngrënë dhe të ma sillte mua. Ashtu u bë. Unë ngela i befasuar.

Po me Mehmet Shehun a keni ndonjë situatë të tillë?

Unë kam shoqëruar Mehmet Shehun kur ai shkoi për vizitë në Kinë. Dihet tashmë që në vendin e takimit operatori hyn më parë se politikani për të parë vendin dhe për të bërë plane të ndryshme. Para takimit zyrtar, në takim paraprak dëgjoj Mehmetin që i thotë Çu En Lait me mburrje dhe me krenari, se ne ata që tradhtojnë marksizëm- leninizmin ia japin plumbin ballit, nuk uaa kursejmë. Tradhtarët duan vetëm plumb. Por unë u befasova më shumë nga përgjigja e udhëheqësit kinez. Ai me një qetësi dhe me një buzëqeshje i thotë, se kemi mendime të ndryshme pasi koka e njeriut nuk është lakër. Pushkatimi nuk është rruga e duhur. Ne duhet t’i edukojmë njerëzit që na kundërshtojnë jo t’i vrasim. Ndaj çojini në fshat dhe jepini të lexojnë veprat e Enverit dhe të shokut Mao. Na duhet t’i bëjmë për vete të gjithë. Mehmeti uli kokën si i zënë në faj!

-Ju bëtë emër në Kinostudio, atëherë pse ikët në TVSH?

TVSH në atë kohë sapo kishte mbushur një dekadë që funksiononte. Shumë emra të Kinostudios i morën në TVSH. Ne kishim shumë eksperiencë. Ishte vitit 1971. Ishte moment që televizionin donin ta fuqizonin. Më thanë se do shkoja në Kinostudio. Doje s’doje do shkoje. Në radhë të parë shkuan Endri Kekon e Kristaq Dhamo, të cilët ishin njerëz të ditur dhe me shumë eksperiencë. Ata dhanë eksperiencën e tyre deri në vitin 1974 dhe pastaj u kthyen sërish në Kinostudio,

Po ju?

Mua më lanë në TVSH. Aty kishte nevojë. Por më tej se këto vite nuk shkova. Partia kudo kërkonte viktima, kërkonte armiq. Kërkonte të gjente gabime sado të vogla në punë apo në luftën e klasave. Kur filluan arrestimet në masë në vitin 1974 për një grindje me të drejtë mua më hoqën nga puna. Ndërsa nuk e lanë me kaq, pasi në prill 1975 më hoqën dhe nga partia, ndërsa më 12 tetor 1976 më arrestuan. Kujt i besohej kjo? Po arrestohej një partizan që i kishte dhënë çdo gjë atdheut. Bëra 7 muaj hetuesi dhe më dënuan 6 vjet për agjitacion e propagandë, vite, të cilat i bëra të plota. Pra 7 vjet burg pa asnjë arsye. Sot kujtdo t’ia tregosh nuk do ta besojë. I duket absurde! Isha në kulmin e sukseseve dhe të arritjeve në profesionin tim. Kisha shumë ëndrra, kisha shumë plane. Por ja….

-Flitet shumë për burgjet e asaj kohe si ai i Spaçit apo Burrelit, ju si e kujtoni?

Burgjet kanë qenë ashtu si kanë folur dhe flasin shumë të burgosur. Nuk mund të imagjinohen ato burgje. Ishin skëterrë. Situata ka qenë aq e vështirë sa nuk mund ta besoni. Një situatë që kalon në pabesueshmëri. Konkretisht Spaçi ka qenë kampi më i tmerrshëm pasi të burgosurit punonin në minierë 8 orë me një gotë qumësht pluhur. Ushqimi ishte si mos më keq. Brenda në dimër ftohtë në verë vapë. Kushte mizerje. Unë s’kisha ndihmë nga familja, pasi 6 vjet nuk më erdhi njeri për të më parë e më duhej të punoja e të merrja ndonjë lekë për të blerë ndonjë gjë në dyqan. Në botë shumë shkojnë në burgje vetë kur nuk kanë çfarë të hanë. Pra burgjet sot në botë janë luks, aty jetohet më mirë se në shumë familje në Afrikë. Burgjet e Shqipërisë në kohën e komunizmit ishin tmerr.

Nesër do të lexoni:

01-Në Spaç njoha Fatos Lubonjën, Maks Velon dhe Spartak Ngjelën, ishin kryelartë

02- Fatos Lubonja u thoshte policwve: -Mos më kërkoni të shkoj në minierë të punoj, unë jam i dënuar politik.