Dhimitër Anagnosti: Do të isha i lumtur!

987
( Intervistë me Bekim Fehmiun)
Një intervistë e zhvilluar 45-vjet më parë në Beograd nga regjisori DhimitërAnagnosti, me aktorin me famë botërore, Bekim Fehmiu
Kjo intervistë është zhvilluar në vitin, 1972, në “Java e filmit shqiptar” në Beograd, ku regjisori Dhimitër Anagnosti ishte së bashku me regjisorin Piro Milkani. Në këtë event, Shqipëria ishte paraqitur me 5 filma artistikë. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, të dy regjisorët shqiptarë patën rastin të takojnë aktorin e madh shqiptar Bekim Fehmiu. Duke përfituar nga rasti, në takimet me të, Anagnosti, përveç shkëmbimit të mendimeve rreth filmave shqiptarë, zhvilloi këtë intervistë të cilën po e boton të plotë me rastin e 81-vjetorit të lindjes së këtij gjeniu. Kjo intervistë është një homazh dhe një vlerësim për veprën e tij të rrallë dhe patriotizmin e spikatur.
Sikur të na thoshin, se do të takoheni me Bekim Fehmiun, instinktivisht do ishim të emocionuar në pritje për tu takuar me një aktor me emër botëror dhe vetvetiu do fantazonim rreth personit dhe vetë takimit. Por, kur papritmas, dikush afrohet dhe thotë thjeshtë, me një zë bariton kumbues të shqiptuar pak me hundë:- “Mirëmbrëma, unë jam Bekim Fehmiu”- të gjitha aureolet enigmatike zhduken dhe përpara jush qëndron një djalë shpatullgjerë e trup atleti, me një bukuri burrërore. Elegant pa ekzagjerimet e modës.

Me këtë prezantim u njohëm në një nga sallonet e shtëpisë së rinisë në Beograd, përpara seancës së filmit “Komisari i Dritës”. Na shoqëroi tri ditë dhe u ndamë të katërtën si miq të mirë. Asnjeri nuk e thirri, erdhi vetë me të marrë vesh rastësisht për filmat tanë dhe për dy kineastë që ishin prezent. Bile u ankua që nuk e kishin lajmëruar më parë.

Është nga ata njerëz, që shoqëria i pranon menjëherë, që sipas vendit di të bëjë kuvendin. Syri i tij i stërvitur e dallonte shqiptarin e panjohur në rrugë të Beogradit dhe i drejton përshëndetje: “A jeni burra!”. Për çudinë tonë përgjigjja kthehej e njohur. -Qofsh me nder…!”

Ne kishim dëgjuar shumë gjëra për Bekimin, por meqenëse ishim kineastët e parë e ndoshta shqiptarët e parë, që u takuam me të, donim të verifikonim të dëgjuarat. Si rezultat i bisedave me të, mua më lindi ideja të hyj në rolin e gazetarit, në emër të gazetës “Drita” dhe ai pranoi menjëherë.

Bekimi jeton në Beograd dhe jetesa e tij nuk i njeh aspak asaj të yjeve të Hollivudit. Jeton me gruan dhe djalin në dy dhoma e kuzhinë në mënyrë modeste, pa bujë e reklamë.

Këto-për mos ta ngatërruar Bekimin me yjet e perëndimit për të cilët ai shprehu shumë qartë esencën e jetës së tyre. Kuptohet, nuk dua të ekzagjeroj: kur ke përpara Bekimin duket qartë, që mbi supet e tij shkëlqejnë trofetë e fituara në betejat artistike. Ai është koshient për këtë, ashtu siç është koshient që këto fitore i ka arritur si shqiptar nga krahina autonome e Kosovës.

E gjatë dhe kuptimplotë është lufta e tij me Paramaundin, për të ruajtur emrin dhe kombësinë. I bënë presion, e kërcënuan se do ti hiqnin rolin, por Bekimi qëndroi në të tijën. Posaçërisht për këtë punë nga Amerika në Itali, ku bëheshin xhirimet, erdhi vetë drejtori i Paramaundit, po Bekimi iu përgjigj:- Dëgjoni Sir, në këtë moment në botë kini mijëra djelmosha më të pashëm dhe më të talentuar se unë, zgjidhni e merrni. Me kaq përfundojmë dhe shkojmë pimë një kafe. Po ata e dinin, që djelmosha të tillë janë të rrallë.

Bekim Fehmiu nuk u bë Beki Feymi. Ai nuk bëri kompromis as për dy germa.
-Çmendim keni për yjet amerikane?
-Mbajnë veshjet më të shtrenjta dhe kanë buzëqeshjet më të bukura në botë, por janë njerëzit më të vetmuar.

-Dy fjalë për biografinë artistike?
-Para së gjithash, unë ju kushtova artit për hir të së bukurës, por kur pas kulisave vura re një lojë jo të ndershme, desha të largohem. Duhet të falënderoj vëllanë tim, arkitekt, që më tha se jeta është luftë dhe që kjo që do të bësh është kapitullim.

Më tej Bekimi foli për veprimtarinë e tij artistike. Ka mbaruar Akademinë Teatrale në Beograd më 1960. Pengesë kryesorë ka qenë mosnjohja në fillim e gjuhës serbokroatisht. Akademinë e mbaroi si studenti më i mirë në historinë e saj. Po në atë vit, u angazhua me teatrin dramatik Jugosllav dhe mori pjesë si aktor, dhe nd/ regjisor i profesorit të tij në spektaklin Rikardi III.

Në vitin 1961, në festivalin e skenave të vogla në Sarajevë u vlerësua si aktori më i mirë midis të rinjve. M 1962, për rolin e luajtur në spektaklin “Zbulimi” përsëri çmohet si aktori më i mirë ndër të rinjtë me Teatrin Sterios.

Për punën e Bekimit në Teatrin Dramatik Jugosllav, drejtori i tij ka deklaruar në shtyp:- Tashti është plotësuar kuptimi i titullit të teatrit. ( Deri atëherë mungonte në teatër një talent shqiptar}.

Krahas punës në këtë teatër, angazhohet dhe në teatrin “Atelje 212”, teatër avangardist. Kjo bën, që të merret me dy stile interpretimi, klasik dhe modern.

Me kinematografinë është njohur që në vitet studenteske. Në 1967, largohet nga teatri dramatik dhe i kushtohet plotësisht kinematografisë. Filmi i pare – “Të shtunën në mbrëmje”. Viti 1957.

-Më 1962, filmi “Sasha” i cili vlerësohet shumë mirë nga kritika.
-1965 filmi “Rruga”. 1966 “Zgjoi” dhe “Vitet e nxehta”.
-Për katër rolet, në festivalin e Pules, 1966 merr çmimin “Arena e argjendë”. Për filmin “Mbledhësi i puplave” 1997, përsëri merr arenën e argjendtë në festivalin e Pules.
-1967 “Protestë”. Për këtë rol në festivalin e Bergamos merr “Gran pri” si aktori më i mirë i Festivalit.
-1968. “Odhise”. Në anketën e kritikëve dhe publikut, vlerësohet si aktori i tretë më popullor.
Kuptohet se këta janë një pjesë e filmave të realizuar prej tij. Bekimi ka xhiruar mbi 20 filma
-Më 1971, luan përsëri në teatër në “Djegia e Reihstagut” rolin e Dimitrovit.
-Cili art ju jep kënaqësi më të plotë si artist, teatri apo kinematografie?
-Pa dyshim teatri.

-Metoda e punës për rolin?
-Zgjedh atë që i përshtatet veprës dramatike. Bazë në punë, bëj studimin e materialit jetësor. Punoj me të deri, sa ai bëhet vetja ime.

-Çmendim kini për teatrin absurd?
-Gjatë epokave kemi shumë rryma, të cilët janë të përkohshme. Ndoshta filozofia e Ioneskos dhe Beketit pjesërisht do të ketë jetë edhe më tutje në letërsi, si vepra dramatike u ka kaluar koha. Jetë të gjatë kanë veprat që ngrenë probleme dhe trajtojnë jetën njerëzore .

– A do kishit qejf të luanit në veprën e tyre ?
-Kam luajtur para dhjetë vjetësh. Nuk kam qejf të luaj më.

-Çmendim keni për teatrin popullor krahinor të Prishtinës?
-Është i pasur me talente. Vërejtja e vetme është se pa zhvilluar e përsosur të gjitha artet: Letërsi, pikture, etj, një aktor ose teatër s’mund të ketë përparim dhe ngritje të artit në nivel të lartë.

-A e vlerësoni rolin e tij në zhvillimin e masave dhe përhapjen e kulturës?
-Kjo duhet të jetë bazë. Po ju them një fjalë të urtë kineze – “ Më ço të shoh një shfaqje në teatër, të të them se çfarë kulture ka populli yt”

– A do të kishit qejf të vizitonit Shqipërinë?
-Me gjithë qejf.

-A do të dëshironit të luanit në një film shqiptar?
-Do të isha i lumtur.

-Megjithëse ne nuk paguajmë honorare për aktorët?
-Vitet e fundit kam punuar në perëndim, por paraja ende nuk më ka prishur e nuk do të më prishi në të ardhmen.

-A do të angazhoheshit në një film, që s’paraqet interes artistik, por vetëm komercial?
-Si përgjigje po ju sjell këtë shembull. Para disa kohe refuzova një ofertë me shumë leverdi, pikërisht sepse nuk mund të bëj kompromis në kurriz të artit.

-A kini ndërmend të largoheni nga atdheu për të jetuar e punuar në perëndim?
-Vetes nuk i kam vënë kurrë kufi. Arti është ambasadori më i mirë i popujve dhe mbasi njeriu është i formuar me elemente të njëjtë në të gjithë meridianët e botës nuk besoj se do ti them vetes se do punoj vetëm këtu e jo në vend tjetër. Prandaj është dhe më interesant profesioni jonë kur mund të punoj me nocione të ndryshme dhe ju gëzon rezultati se në të vërtetë jemi të njëjtë me të njëjtat probleme dhe preokupime. Baza ime do të jetë në Kosovë në Jugosllavi në Ballkan me të cilin jam i lidhur me kërthizë.

-Diçka për planet e ardhshme?
-Përveç disa ofertave lokale, kam edhe disa të huaja e një ndër të parët që duhet të realizoj është filmi “Vëllezërit”. Partnere do të kem Katerinë Spak.

-Në teatër?
-Edipin Mbret. Rolin e Edipit.

-Aktorët e filmave tanë që patë, do më pyesin; çfarë tha Bekimi ?
-S’e di sa kishte me qenë real vlerësimi im ndaj interpretimit për tre filmat që kam parë. Te “Komisari i Dritës” më ka rënë në sy një farë interpretimi teatral. Prapëseprapë mendoj, meqë në fillim shtylla është regjisori me një kontroll dhe ndërhyrje psikologjike te aktori, besoj se këto të meta minimale kishin me u zhduk. Për filmin “Plagë të vjetra” ky konstatim bie. Si gazetar duhet ta kisha e pyetur më tepër dhe më gjerë për filmat tanë, si autor mu duk pa takt. Bekimi është një aktor realist i talentuar e me kulturë. Punëtorë e këmbëngulës, që kujdeset si për perfeksionimin e artit të tij, ashtu edhe për të mbajtur shkathtësinë dhe formën fizike.

Në bibliotekën e tij ne pamë shumë autorë klasikë dhe pranë tyre veprat e autorëve tanë, pothuaj të gjitha botimet e Rilindjes. Në fund Bekimi më tha tu transmetoj përshëndetje të gjithë aktorëve shqiptarë dhe lexuesve të gazetës “Drita”.
Sigal