Detyrë e çdo historiani dhe intelektuali atdhetar në 75-vjetorin e Çlirimit

729
Sigal

Gjikë Kurtiqi

Po bëhen gati dy muaj dhe qeveria hesht e nuk ka thënë asnjë fjalë për kremtimin e 75-vjetorit të çlirimit. Po historianët, intelektualët atdhetare a duhet të heshtin apo ta thonë me zërin plot të vërtetën në këtë vit jubilar?! Por dhe kur heshtin tanët nuk heshtin të huajt. Në media u botua pak ditë më parë një shkrim i Piter Lukasit, dërguar nga SHBA, me titullin “Historia e mikut amerikan të Enver Hoxhës”. Lukasi, gazetar dhe intelektual i shquar amerikan, në shkrimin e tij, për hir të së vërtetës, flet me simpati për Enver Hoxhën dhe për LANÇ-in. Piter Lukas u ka dhënë një shuplakë fytyrës të gjithë të pafytyrëve të Shqipërisë dhe ka guxuar të jetë më shqiptar nga shumë historianë shqiptarë që kanë marrë me dekada rrogën në Institutin e Historisë dhe heshtin kur lexojnë e dëgjojnë në këto vite të tranzicionit shumë të pavërteta e mashtrime për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për periudhën e pasçlirimit të vendit tonë. Piter Lukas thotë, ndër të tjera, se ka intervistuar shumë partizanë besnikë të Enver Hoxhës, të cilët marshuan me Enverin në Tiranë, 75 vjet më parë, më 28 Nëntor 1944! Duke përmendur çlirimin e Atdheut, Lukasi u kujton liderëve tradhtarë të Shqipërisë, se viti 2019 është viti i 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut nga pushtuesit nazifashistë (29 Nëntor 1944). Njëherësh u thotë: “Ore, bastardë, po bëhen 2 muaj dhe ju nuk ndjeheni për 75-vjetorin e lavdisë së Shqipërisë”?! Konsekuent në bindjet e tij, gazetari i njohur amerikan, thekson se lipset të jenë të rinjtë ata që duhet të bëjnë ndreqjen sa më shpejt të gabimeve fatale të 30 viteve të fundit, me qëllim që të bëhen ato ndryshime, të cilat të vjetrit i premtuan, po gënjyen e nuk i realizuan.

Lukasi nënvizon se e vërteta është e shenjtë dhe nuk do të dijë, a je kapitalist apo je komunist! Një shuplakë të ndershme i jep Lukasi çdo antishqiptari, po edhe një këshillë të mençur të tij për liderët që do të qeverisin nesër Shqipërinë, lidhur me qëndrimin e tyre ndaj Ballit Kombëtar, Legalitetit e reaksionit antishqiptar që të thonë të vërtetën dhe jo mashtrime. Lukasi shkruan se partizanët e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, ndryshe nga Balli e Legaliteti, ishin grupimi i vetëm i rezistencës që luftonte gjermanët. Të gjitha provat, shkruan Peter Lukas, tregojnë se Balli bashkëpunoi e luftoi në krah të gjermanëve kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare gjatë gjithë pushtimit gjerman. Peter Lukas e prezanton Enver Hoxhën si një personalitet të padiskutueshëm në krye të PKSH gjatë LANÇ-it e si Komandant i Përgjithshëm i saj, një figurë të pakomprometueshme në shërbim të çlirimit të Atdheut e të interesave të popullit të vet. Në veprat e Lukasit jepen shumë fakte që e tregojnë Enver Hoxhën, një udhëheqës me vizion. Kurse politikanët shqiptarë edhe në këtë vit të 75-vjetorit të çlirimit edhe kur flasin ndonjë fjalë për Luftën Çlirimtare hezitojnë dhe nuk guxojnë të përmendin Enver Hoxhën. O tempora o mores! Lukasi nënvizon se Enver Hoxha ishte aq i aftë sa arriti të shfrytëzonte për interesat e fitores mbi gjermanet pushtues edhe mosmarrëveshjet e konfliktet midis britanikëve e amerikanëve. Dhe si për t’i vënë një “kapak floriri” i mëshon faktit se Enver Hoxha nuk falte askënd po ta priste në besë a të shkelte mbi interesat e fitores mbi pushtuesit.

 

Viti 2019 është viti i 75-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Shqipëria ka nevojë për intelektualë, studiues, historianë e gazetarë objektivë e realistë, vendës dhe të jashtëm të tipit të Peter Lukasit, të Reginald Hibertit, Bernd Fisherit apo Xhon Hollidejit. Por mbi të gjitha është detyra jonë si shqiptarë, dhe e historianëve tanë të shkruajnë e të mbrojnë të vërtetën e pamohueshme për Luftën tonë të lavdishme Antifashiste Nacionalçlirimtare në këtë vit jubilar. Të shkruajnë siç kanë shkruar historianët e shquar: Kristo Frashëri, Xhemil Frashëri, Xhelal Gjeçovi, Pëllumb Xhufi dhe Marenglen Kasmi