Dështimi i pajtimit të Ismail Bej Vlorës me Esat Pashë Toptanin

Ergys Alushi

Vijon nga numri i kaluar

Esad Pasha formon qeveri në Durrës
Në qytetin e Durrësit, Esad Pashë Toptani do të formojë një qeveri të re, në përbërje të së cilës do të ishin emra si Faik Konica, Dervish Hima, Fazil Pasha e të tjerë, nën drejtimin e Esat Pashës: U formua e dyta qeverri shqipëtare! “Ç’përshtypje do të bajë vallë ky titull? Shqipëtarët e Durrësit e të përqarkut, e dimë, s' do të çuditen. “Aferim, do të thonë, ky asht hyqymeti i ynë”. Shqipëtarët e tjerë ata që s’rrojnë nën hien e qeverriës së re, do të habiten dhe ata që rnojnë jashtë atdheut, duke mos u zënë besë syve, do të helmohen kur të kupëtojnë se Esad Pashë Toptani ngriti në Durrës një qeverrië më vehte. Po, në Durrës, Esad Pasha, Faik Koncia, Dervish Hima, Fazil Pasha dhe disa të tjerë formuan një qeverrië të re. Përse? S'besojmë të n'a pyesë përse, ay q'i njeh emënat e atyne që numëruam ma sipër. Na përgjigjemi për ata të tjerët. Esad Pasha nuk munt të durojë që Z. Ismail Beu të jetë kryetar i qeverisë dhe ay, goxha “gjeneral” të mos ketë ma shumë se një ministër: Shokët e Pashës s’mundin t’ia falin fajin që bani Zoti Kryetar’ i Qeverisë duke mos u përpjekur që të futen në ministri njerëz “të mëdhenj”si Dervish Hima e Faik Konica… Qysh të quhet ministër një Gurakuqi, një Cali, një Pogë e një Nosi, njerës të cilët s'dinë ç'domethënë qeverisje dhe të lihen më nj’anë burra si Dervishi e si Faiku?! 

Po këtë punë, kurrë, kurrë s'munt ta kuptojë koka e tyre. Esad Pasha nuk e do Ismail Beun, i thosh Dervish Hima një gazetari austriak, sepse Pasha do që ta shohë Shqipërinë nën një qeveri krejt evropiane, qeverrië e përbame me njerës, të cilët ta kenë zanat qeverisin 

S'duhet të mundohemi shumë gjer sa ta kuptojmë cilët janë këta të lumtur, këta bijt e Shqipërisë q'e paskan zanat të qeverrisurit. Emnat e antarëve të shoqërisë dhipllomatike të Durrësit - Esadi, Faiku e Dervishi - njihen fort mirë për dituriën e tyne të altë…” ”(Përlindja e Shqipënisë 18 tetor 1913)

Në një tjetër artikull në gazetën “Përlindja e Shqipërisë” krijimi në Durrës i një qeverie të dytë kombëtare nga ana e Esat Pashë Toptanit, do të konsiderohet një plagë e tretë e shkaktuar prej Esat Pashës, duke patur parasysh dorëzimin e Shkodrës dhe largimin nga qeveria e Osmail Bej Vlorës. “Një plag’e tretë nga dorë" e Esad Pashës në trup të Shqipëniës”

( Gazeta “Përlindja e Shqipërisë” e mërkurë 15 tetor 1913, nënshkruar në fund të shkrimit me “A.”)
“Gjithë Shqipëria ka marrë vesh gjer sot q'Esad Pasha, i cili pas të dhanit të Shkodrës në dorë t'anmikut, me ndihmën morale të Serbiës e të Malit Zi edhe me fuqiën e ushtëriës turke, kumandën e së cilës e kish marë pas një ngiarjes tragiike, kërkoi të prishnjë vendimet që kish bërë e tanë Evropa për të mirën e Shqipëriës edhe, duke marrë në dorë fatin e ‘sai, desh t'I lidhnjë Shqiptarët nën zgjedhën e armiqve. I pa ngjinjur me të gjitha këto vepra të këqia Esad Pasha, në ditët e fundit, themeloi në Durrës një pleqësië nën kryesiën e 'tij. Qeverri' e Shqipërisë, e cila për një shkak patriotik fort të lartë, desh t'i dëftejë Evropës se gjith Shqipëtarët, të mëdhenj e të vegjël, janë të lidhur për shpëtimin e liriën e atdheut, i mbylli sytë dhe e mbuloi ligësiën e 'tij duke i dhanë ministërin e punëve të brendme. Zgjyra e fytyrës së 'tij, me këtë emënim u-lau për pak kohë, po, zemra i mbet, si giithmonë, e zezë. Si ministër, u-ngrit e vate në Tiranë dhe, si ma e keqeja vegël e anmiqve, dolli në shesh për të kërkuar prej kabinetit, anëtar i të cilit ishte, gjëra që as anmiqët nuk do të kuxonin t'i kërkojnë. Ma tepër se një muaj, duke vënë në dorë qeverriën e sanxhakut të Durrësit, lojti një komedhië, e cila nuk ka shëmbëll n'historiën të popujve. 

Qeverria e duroi, jo nga frika, po nga turpi edhe nga dëshira që komedhia e 'tij, të mos kthenet në një tragiedië gjakëtore në mes të vëllezërve. Gjak nuk u derth, po, helmi i mendimeve të 'tij, i hidhënoi të gjithe atdhetaret dhe i gëzoi të gjithe anmiqt. Nuk mbesoheshe kurrë se një njeri si Esad Pasha, sado i lik që të jetë, më një kohë si e sotmja, do të defteheshe ndihmëtar' i dëshirave t'anmiqve. Cili Shqipëtar, pra, pa zemër dhe i lik, do t'i bahet shok ati njeriu që punon me kaq paturpësië pass interesit e anmiqve te kombit t'onë? S'ka dyshim askush! Askush sepse populli shqipëtar, i cili shumë herë e ka provuar hollësiën e 'tij në të kupëtuar ç'punë asht për të mirën e 'tij dhe ç'punë asht për humbjen e 'tii, edhe këtë radhë e ka për të pikasur qëllimin e fshehtë e punëve t'Esad Pashës, qëllim i cili,duket faqas se asht kundër morallës, kundër atdhesiës, kundër Shqipëriës. Sa për Qeverrinë e Pertashme, ajo, si giithmonë, edhe këtë radhë e ka për të bërë detyrën e 'saj në një mënyre e cila do t'i kënaqnjë të gjithë Shqipëtarët q'ë duan të mirën e atdheut.” 

Arrijnë në Vlorë disa anëtarë të KNK-së
Në drekë e datës 14 tetor 1913, aritën në Vlorë, me vaporin “Baron Bruck” që vjen prej Trieshtit, Z. Winckel, delegati Gjermanisë dhe Petrajeff delegati i Rusisë. Po në drekë, arritën në Vlorë edhe delegatët që mungonin, Leoni i Italisë bashkë me bashkëshorten dhe Petrovich i Austrisë. Ky i fundit ishte një bashkëatdhetar shqiptar nga Opari. Kishin dalë për t’i pritur Et’hem Bej Vlora, Ministri i Arsimit Luigj Gurakuqi dhe kryekatundari (kryebashkiaku) Ibrahim Abdullahi me disa anëtar të këshillit të qytetit. Fuqitë e Mëdha dërgojnë në Vlorë Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit

16 tetor 1913
Vendosja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) në Vlorë u shoqërua me mosmarrëveshje të shumta midis anëtarëve të saj dhe kryetarit të qeverisë së Vlorës, Ismail Bej Vlora. KNK ishte krijuar me vendim të Konferencës së Ambasadorëve të Fuqive të Mëdha në Londër (dhjetor 1912-gusht 1913).. KNK u mblodh për herë të parë në Vlorë në 16 tetor 1913, gati dy muaj e gjysëm pas vendimit të Konferencës së Londrës. Ai nuk mund t’i bënte bisht çështjes së parë kryesore, qëndrimit kundrejt Qeverisë së Përkohshme. Kandidatura e Myfid Bej Libohovës nxiti ndarjen KNK -Ismail Bej Vlora. Caktimi i delegatit të Shqipërisë në KNK ishte imponimi i parë që KNK i bëri Ismail Bej Vlorës. Megjithë kundërshtimin e këtij të fundit, KNK caktoi në këtë post, Myfit Bej Libohovën, si njeri “i fituar për kauzën austriake”, i cili pas këtij vendimi dha dorëheqjen nga qeveria e Vlorës. Ismail Bej Vlora kishte propozuar Luigj Gurakuqin si delegat të Shqipërisë në KNK, por nuk ia pranuan propozimin. Në mbledhjen e dytë të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit më 18 tetor u diskutua në mënyrë më të drejtëpërdrejtë për qëndrimin ndaj qeverisë së Vlorës duke iu imponuar për një pajtim midis Ismail Bej Vlorës dhe Esat Pashë Toptanit (sipas procesverbalit të mbledhjes së datës 18 tetor).

Dështimi i pajtimit: Vlora – Toptani
Nëpërmjet “pajtimit”, shtete brenda KNK si Austro-Hungaria dhe Italia synonin bashkimin e Vlorës me Durrësin, për qëllim të interesave të tyre për portet shqiptare. Delegati francez dhe anglez në KNK ishin kundër propozimit për pajtim, duke kërkuar vendosjen e kontrollit suprem të KNK duke thënë se “KNK nuk duhet të ngatërrohet në këtë luftë personash”. Delegati francez, Krajewski propozoi këtë proçedurë; Ismail Bej Vlora dhe Esat Pashë Toptani të jepnin dorëheqjen dhe pas kësaj të emërohej, i pari guvernator i krahinës së Vlorës dhe i dyti, guvernator i Durrësit. Të zgjidhej dhe një guvernator për Shkodrën e të tre të vendoseshin nën kontrollin e KNK. Pasi KKN mori pushtetin e Qeverisë së Vlorës, të 6 anëtarët e saj ndanë detyrat vepruese. Administrata e përgjithshme u drejtua nga Petroviç (Austro – Hungari) dhe Nadolny (Gjermani), Drejtësia nga Leon (Itali) e Petrojeff (Rusi), Financa nga Krajewski (Francë) dhe Lamb (Britani e Madhe). Nën këtë nivel ushtronte pushtetin administrata shqiptare e përbërë nga drejtorët: Fejzi Alizoti – i Punëve të Brendshme, Petro Poga – i Drejtësisë, Gjergj Çako – i Financës, Luigj Gurakuqi – i Arsimit, Lef Nosi –i Postë Telegrafëve.

Komisioni Ndërkombëtar i Kontrolli ishte pushtet ekzekutiv i dërguar nga Fuqitë e Mëdha, formimi i të cilit ishte vendosur në Konferencën e Ambasadorëve, më 29 korrik 1913, duke pasur qëllim kryesor organizimin e shtetit shqiptar. KNK-ja do të merrej me kontrollimin e administratës civile, të financave si dhe me hartimin e një projekti të hollësishëm për organizimin e të gjitha degëve të administratës së Shqipërisë, duke pasur një mandat 10-vjeçar KNK-së, i zgjatshëm në rast nevoje. Sipas proces-verbalit të mbledhjes, Fuqitë e Mëdha i kishin marrë masat që bisedimet midis të dyve të zhvilloheshin në bordin e një luftëanije në detin e Vlorës. Përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha, por edhe dy shqiptarët kundërshtarë, i trembeshin një atentati të mundshëm ndaj Esat Pashës, ndaj të cilit vlonjatët ishin organizuar për ta kryer një atentat, kur ai erdhi në Vlorë për të marrë postin e Ministrit të Brendshëm. Por ky takim nuk u realizua asnjëherë dhe ngjarjet përshpejtuan e rrodhën ashtu si i njeh historia.

Ismail Bej Vlora kërkon sa më shpejt ardhjen e Mbretit
Në numrin 22 të datës 5 nëntor 1913 të gazetës së qeverisë “Përlindja e Shqipërisë” botohet letra që Kryetari i Qeverisë së Vlorës, Ismail Bej Vlora u dërgon Fuqive të Mëdha, ku shpjegohen arsyet se përse Mbreti duhet të vij sa më shpejt në Shqipëri: 

“Në asht që Qeverria e Përtashme e Shqipërisë, e cila që 11 muaj e tëhu, gjendet në luftë me vështirësira të pa numërueshme, mundi ta përmbajë urdhrin e qetësinë relative në një vend të ngërgaëm nga të gjithë anët prej anmiqve që janë betuar me e humbur, ajo nuk kërkon të thotë se këtë punë e bani tjetërndryshej veç se me atdhesiën e vullnetin a mir të popullit shqipëtar. Por, kjo gjendje e përtanishme, duke u zgjatur, doemos, do të ndeshet ndër pengime të cilatë do mos mundet t i kapërcejë. Na kujtojmë se pritja e durimi i ynë arriu në kufinin e vet dhe ma s' ka ku të vejë pandaj, me nxitim, e shtrojmë dëshirin e pergjithëm të popullit dhe të Qeverriës përpara mirda- shjcs së nalte të Qeverriës s' Juaj për emënimin edhe nfrenimin të Mbretit, se-pse vetëm duke qënë Ay këtu do të mundet që të gjitha rrieshtat' e popullsiës të bashkohen në veprën e njësimit të Shqipëniës dhe t'organizimit t'administratës së 'saj. Me shpresë se Fuqitë e Mëdha dorëxane, do t'a vështrojnë seriozisht këtë lutje, Qeverria e Pertashme, asht gati t' i fillojë për s'afëri marrëveshjet të nevojshime për t a sosur nj 'ore mai parë këtë punë të cilën i tanë populli shqipëtar, e pret me shumë padurim” 

E hënë 10 nëntor 1913
Mbërritën në Vlorë me vaporin “Abazzia” koloneli Dewer dhe majori Thomson, hollandezët, të cilët janë të emëruar për të organizuar xhandarmërinë shqiptare dhe vendosin qetësinë në vend. Sapo kanë ardhur në qytet, dy ushtarakët e lartë kanë shkuar për t’u takuar me kryetarin e qeverisë. Bashkë me dy zotërinjtë, kishin ardhur edhe dy nënoficerë, për të njëjtin qëllim.

Hasan Prishtina largohet nga Qeveria
Ministri i Bujqësisë, Hasan Bej Prishtina, jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Bujqësisë. Përpara se të hipte në vapor, ku do të shkonte në Durrës e pastaj në Shkodër, ai i dërgoi dorëheqjen kryetarit të qeverisë. Dorëheqja u pranua pa shkaktuar ndonjë vështirësi

Marrëdhëniet e Lezhës me Durrësin nuk janë të mira. Nënprefekti i Lezhës, Ded Coku, erdhi në Vlorë dhe pasi qëndroi disa ditë u kthye përsëri në qytetin e tij. Ai u takua me Kryetarin e Qeverisë dhe anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, ku foli me ata për problemet e ndodhura në Kurbin. Marrëdhëniet e Lezhës me Durrësin nuk janë të mira. Esad Pashë Toptani kërkoi të merrte Kurbinin në varësinë e tij, por atje e kundërshtuan dëshirën e tij dhe u bashkuan me Lezhën. Në Kurbin nuk u tërhoqën nga zgjedhja e tyre, as kur Esad Pashë Toptani dërgoi atje Nazar Beun me disa ushtarë. Ded Coku nuk iu përgjigj me armë Esad Pashë Toptanit, sepse nuk donte gjakderdhje midis shqiptarësh në kushtet e krijuara, por i dërgoi telegram KNK që të merrnin masa ndaj Esad Pashës si prishës i qetësisë në vend. 

Esat Pasha burgos djalin e Ismail Bej Vlorës dhe çarmatos oficerët hollandezë
Esad Pashë Toptani me cilësinë e kryeministrit të Durrësit, urdhëron çarmatosjen e oficerëve holandezë dhe burgosjen e Edhem Bej Vlorës. Kolonel Deweer dhe majori Thomson prej disa ditësh kishin ndërmarrë një udhëtim në disa qytete të Shqipërisë me qëllimin për t’u njohur nga afër me situatën në lidhje me organizimin e xhandarmërisë shqiptare. Me vete kishin marrë edhe djalin e Ismail Bej Vlorës, Edhem Bej Vlora. Me të arritur në Durrës, Esad Pashë Toptani, urdhëroi mbylljen në burg të Edhem Bej Vlorës, të cilin nuk e liroi as me kërkesën e oficerëve hollandezë, por vetëm ditën e nesërme, kur ishin për t’u kthyer të gjithë bashkë në Vlorë.

Komiteti shqiptar i Milanit proteston përsëri kundër Esad Pashës
Në datën 5 tetor të vitit 1913, Komiteti shqiptar i Milanit, i njohur në mbarë botën shqiptare zhvilloi një protestë kundër asaj që e quante “Qeveri e së Mesmes” Disa ditë më vonë, ky komitet doli me një tjetër deklaratë, ku u detyrua të sqaronte botën shqiptare për deklaratën e mëparshme dhe përse ishte kundër qeverisë së Esad Pashës dhe mbronte qeverinë e Ismail Bej Vlorës. “Dhe arsyet që e shtynë komitetin: “Shqipëria e re” të protestonte janë këto:

1. Sepse qeveria e Përkohshme e Vlonës, u themelua në një kohë kur Shqipëria dy të tretat e saj ishte e shkelur prej ushtërivet armike, dhe asht ajo që shpalli lirinë dhe ngriti e para pas Gjergj Kastriotit flamurin kombëtar të lirisë.

2. Sepse Qeveria e Përkohshme u zgjodh prej përfaqësues gjithë krahinave të Shqipërisë të mbledhur ne Vlorë, shpesh u-njojt zyrtarisht prej Fuqivet dorëzanëse, u përgjithësua, edhe u prit e u-përshëndet me brohoritje prej tërë Botës Shqiptare brenda e jashtë Shqipërisë.

3. Sepse jeta e Qeverisë së Përkohshme asht e përkufizuar vetëm gjersa të emërohet Princi ose Mbreti i Shqipërisë; me të pasur Kryen' e Saj Shqipëria të vendosur, do të vendoset dhe një Qeveri përfundimtare.

4. Sepse Evropa dërgoi, në atë kohë kur nisi të bëhej “Qeveria” e Durrësit përfaqësonjësit e saj për të kontrolluar punët e shtetit shqiptar, kështu grumbulli kundërshtar mundej t’i shtronte ankimet që kishtë ndaj Qeverisë së Vlorës përpara drejtësisë të atij kontrolli, dhe jo të trajtojë për faqe t’zezë një qeveri tjetër duke shkaktuar turbullime mbi turbullime në një kohë kur shëtisin Shqipërinë tre komisione ndërkombëtare, dhe në një kohë kur fytyra e fronit të Shqipërisë asht për t’u emëruar.

5. Sepse Kryetari i Qeverisë së mesme asht një njeri krejt analfabet, i panjohur gjer sot në fushën kombëtare dhe diplomatike edhe i pandehur si një nga më t’mbëdhenjtë turkdashës. Ay ka luftuar gjithmonë kundra perlindjes shqipetare për hir të Turqisë, edhe e ka vënë më shumë se një herë fatin e Shqipërisë në rrezik, gjëra të cilat i fikin çfardo merite për titullin e naltë që paturpësisht sjell.

6. Edhe sepse e vetëthëna “qeveri e mesme” u-zgjodh prej disa bejlerë feudalë të përzjerë me një tokth gjindje të mbledhurash pa mos pasur zërat dhe pëlqimin e të gjithë krahinave të Shqipërisë edhe të kollonive të jashtme.” 

(Komiteti “Shqipëria e re”-Milano, 27 nëntor 1913)

E mërkurë 10 dhjetor 1913
Që nga dorëheqjet e Esad Pashë Toptanit nga posti i ministrit të Brendshëm dhe i Hasan Prishtinës nga Ministri i Bujqësisë, këto vende kishin mbetur bosh. Në vend të tyre, Ministër i Brendshëm u emërua Fejzi bej Alizoti, ish prefekt i Beratit dhe Qemal bej Elbasani në postin e Ministrit të Bujqësisë. 20000 veta në Shkodër kërkojnë që Shkodra të bëhet kryeqytet i Shqipërisë. Në Shkodër, në ditët e para të majit-dhjetor 1913, zhvillohet një demostratë e madhe për të festuar zgjedhjen e mbretit e për të kërkuar që Shkodra të bëhet kryeqytet i Shqipërisë. Nga demonstrata u vendos t’i dërgohet një telegram ministrave të punëve të jashtme të Fuqive të Mëdha: “Një demonstratë afër 20.000 veta, bashkë me Malësorët e Shqipëtarët nga Kosova, që shëtiti gjithë rrugat ma të para të qytetit duke thirrur: “Rroftë Mbreti i Shqipërisë, Rroftë Shkodra, Kryeqytet i Shqipërisë. I lutemi Shkëlqesisë Suaj që të ketë mirësinë e t'i mbështesë të drejtat e qytetit t’onë të lumnushëm” Telegramin e nënshkruan Z. Muharen Bej Gjylbegy, Kryetar i katundarisë së Shkodrës, në emën të demonstrantëve. 

Miting i madh në Vlorë
Të enjten e datës 17 dhjetor, pazari i Vlorës u mbyll dhe i gjithë populli me flamurin në krye u mblodh në sheshin e lagjes “Muradie”, ku zhvilloheshin mitingjet. Mitingu zhvillohej në kushtet kur Komisioni Ndërkombëtar i Ndarjes së Kufijve në Jug të Shqipërisë, ishte duke caktuar kufijtë dhe qeveria greke ishte duke kryer një fushatë të egër kundër popullsisë shqiptare, që jetonte në tokat e saj, por që pretendoheshin prej Greqisë, për t’i mbajtur brenda shtetit të vet. Në miting floën Sabri Qyteza, Kosta Çekrezi e Muço Qulli, të cilët treguan për “rreziqet që don t’i sjellin Greqia kombit shqiptar e paqes përgjithshme” Nga mitingu iu dërgua një protestë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit kundër veprimeve greke si dhe u lajmëruan të gjitha qytetet e lira të Shqipërisë për zhvillimin e mitingut në Vlorë. Populli u drejtua për te shtëpia e Ferid Pashës, ku ishte mbledhur Komisioni i KNK-së për t’i dorëzuar protestën, e cila ishte: “Zoti Delegat: Duke qen' e njohur prej gjithkujt se sundimtarët e Greqisë, para se të lëshojnë viset e zaptuara shqiptare, mbi të cilat kanë lëshuar tmerrin tash një vit të gjatë, dhe tani po duan lozin aktin e fundit të dramës mizore me anën e një kryengritjes të organizuar prej çetave të gjiritlinjve të kryesuar nga oficer të bërë tebdil: Shqiptarët, nga viset e zaptuara bashkë me të gjithë popullin e Vlorës e të rretheve së saj, të mbledhur në miting të math dhe pas që dëgjuan oratorët, votuan kët urdhër të ditës:

1. M' i paraqitur veshtrimit të kujdesshëm të Fuqive të Mëdha e me kërkuar që të përdorin të gjith' influencën' e naltë të tyre që ushtëritë greke të zbrazin, në ditën e ndarë, atdhen t'onë duke ngrehur të gjitha llojet e çetave e duke marrë me veten e 'tyre të gjitha armët e xhephanet që u-kanë përndarë të krishterëve. 

2. Që të protestojnë kundra përgatitjeve e përpjekjeve me të cilat sundimtarët grekë shpien shqiptarët të bëjnë kryengrijtje për të cilën janë përgjegjës, kundrejt njerëzisë Qeverinë Greke” (Për komisiën, kryetari – Namik Delvina) 

E shtunë 27 dhjetor 1913
Ministri i Luftës, Mehmet Pashë Derhalla dha dorëheqjen nga posti i ministrit që e mbante që me krijimin e Qeverisë së Përtashme. Dorëheqja ndodhte kur Princ Vidi pritej të vinte në Shqipëri dhe Qeveria e Përtashme do t’i dorëzonte atij qeverisjen e vendit. Ajo që i çuditi të gjithë me dorëheqjen e ministrit të Luftës ishte shkaku sipas të cilit Qeveria po ndiqte një rrugë “dhespotike, krejt kundër ndjenjave liberale”. Viti 1913 do të mbyllet me dorëheqjen e Ministrit të Luftës, plot konflikte midis shqiptarësh për qeverisjen e vendit, me krimet e grekëve në jug të vendit, me Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit që ishte duke marrë në dorë qeverisjen e vendit dhe një Shqipërie të varfër, deri në skamje në shumë zona të saj. Viti 1914, do të nisë me shpalljen e shtetrrethimit në qytetin e Vlorës si pasojë e një komploti të zbuluar për sjelljen në Shqipëri të një princi mysliman me emrin Izet Pasha, që kishte qenë ministër i luftës në Turqi, me arrestime të shumë komplotistëve ku spikat njeriu kryesor i komplotit Beqir Grebeneja, idhtarë turq, por edhe njerëz të dyshuar nga brenda vendit si mbështetës të komplotit. Pasi dorëzon qeverinë te ndërkombëtarët, Ismail Bej Vlora do të japë dorëheqjen e do të largohet nga vendi.