Dëshmori Halil Kaca ra në prag të çlirimit

819
Sigal

Liria erdhi, por ai mbeti një yll i pashuar i lirisë.

Ishte mesi i dimrit, Janar 1923 kur në familjen e Banush Kaces në Dragostunje të Librazhdit u lind Halil Kaca. Ashtu si për çdo familje shqiptare edhe për këtë familje ishte një gëzim i madh, aq me shumë që ishte djalë dhe në këtë rast sihariqi jepej dhe me të shtëna arme. Kjo për arsye se sigurohej vazhdimësia e jetës së familjes e të fisit, por edhe se djali së shpejti do bëhej një krah i fuqishëm pune e mbrojtjeje për familjen dhe Atdheun. Lindur në një familje atdhedashëse e patriotike që në vogëli u mëkua, u edukua e u formua me ndjenjat, cilësitë dhe virtytet më të mira shqiptare. Si fëmijë dhe në rini Halil Kaca përjetoi vuajtje dhe sakrifica të mëdha. Regjimi satrap i Ahmet Zogut shtypte e shfrytëzonte me ashpërsi masat e gjera të popullit. Varfëria ishte e tejskajshme, nuk sigurohej buka e gojës dhe vdisnin njerëzit nga uria. Sëmundjet bënin kërdinë, analfabetizmi dhe papunësia ekzistonin kudo. Këto e mjaft plagë të tjera ashtu si çdo familje shqiptare kishin përfshirë edhe familjen e Halilit dhe në shpirtin e tij vlonte revolta kundër gjendjes së mjerueshme dhe nisnin ide dhe mendime për të vepruar për ndryshimin e kësaj gjendjeje. Vuajtjet dhe sakrificat e burrëruan më shpejt për të marrë mbi supe mjaft prej halleve të familjes.

Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 Prill 1939 dhe braktisja e Atdheut nga Ahmet Zogu e hidhëruan dhe e brengosën më shumë Halilin dhe i ngjallën në shpirt një urrejtje të pakufishme. Tashmë shtypja e shfrytëzimi i popullit u dyfishua, shtypjes nga bejlerët, agallarët dhe regjimit antipopullor ju shtua dhe shtypja nga pushtuesi i huaj. Ai interesohej vazhdimisht për të marrë dijeni se ç’po bëhej për të shpëtuar populli e vendi nga robëria dhe gëzohej shumë kur dëgjonte për aksionet dhe luftën që po bëhej kundër fashizmit. I shqetësuar për fatin e popullit dhe të vendit shpesh herë linte punët e familjes dhe zbriste në qytetin e Elbasanit, ku humbiste për disa ditë. Kur kthehej nuk tregonte se ku kishte qenë, por në sytë e tij dukej shqetësimi dhe optimizmi për ato që po ndodhnin. Ai kishte rënë në kontakt me shokët e Qarkorit të Elbasanit dhe i ishte bërë e ditur se këtë luftë e udhëhiqte Partia Komuniste e cila kishte një udhëheqës të zotë. Me formimin e njësive të mëdha dhe kalimin në Kryengritje të Përgjithshme Halil Kaca me disa bashkëfshatarë të tij në muajin Qershor të vitit 1944 radhiten në Brigadën e I Sulmuese, duke marrë me vete dhe armën, fishekët dhe bombat që dispononte. Ishte një çast i gëzuar e mbresëlënës vënia e kapelës me yll, zënia e vendit në skuadër kompani, batalion dhe njohja me shokët e tjerë partizanë.

Vështirësitë dhe vuajtjet që kish hequr ishin një përvojë për të përballuar vështirësitë e luftës, lodhjen, urinë, pagjumësinë, dhimbjet, të ftohtin etj. Në ndeshjen me gjermanët dhe bashkëpunëtorët e tyre ballisto-zogiste në Ostren, në Maqellarë, në Peshkopi luftoi me vendosmëri, trimëri dhe guxim, pa u tutur, por plagoset në kokë dhe dërgohet në spitalin partizan në Becaj të Kukësit. Me t’u shëruar shkon në batalionin e dytë të Brigadës dhe në Tetor të 1944 Brigada e Parë përgatitet për të sulmuar dhe çliruar Tiranën nga gjermano-ballistët.

Në këtë luftë për çlirimin e Tiranës shkëlqeu edhe më shumë heroizmi partizan. Luftohej me ashpërsi cep me cep, rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi. I gatshëm për të marrë pjesë në çdo aksion u tregua dhe Halil Kaca, si për marrjen e spitalit, asgjësimin e qendrave të zjarrit të armikut, marrjen e ndërtesave të rëndësishme dhe të atyre që siguronin pozicione të favorshme. Në një  nga këto aksione në 14 Nëntor 1944, pas 16 ditë luftimesh të pandërprera, grupi i sulmit ku ishte Halili u sulmua nga tanku i armikut dhe një kompani prej afër 80-90 gjermane, në kushte rrethimi lufta u ndez e ashpër, grupi zuri pozicion në të dy anët e ndërtesës. Në anën e majtë ndeshja u bë zjarr për zjarr dhe u vranë afër 15 armiq, por mbetën në fushën e nderit 8 partizanë. Në anën e djathtë zjarri u hap i befasishëm, armiqtë u zmbrapsën duke lënë pas shumë të vrarë. Por një mitraloz i armikut vazhdonte zjarrin. Për asgjësimin e tij sulmon me zvarritje Halil Kaca, asgjëson dy gjermanë dhe nis të marrë mitralozin e kasetat, por dy gjermanë të tjerë e sulmojnë. Njërin e asgjëson, por plumbat e armës së tjetrit e përshkuan tej përtej trupin e trimit nga Dragostunja.

“Do të vij bashkë me lirinë!”,- i kish thënë nënës kur u nis. Liria erdhi, por ai mbeti një yll i pashuar i lirisë. Edhe tre ditë dhe u çlirua Tirana për të cilën Halil Kaca e shumë të tjerë dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën e tyre.

Haxhi Allko

Librazhd