Dëshmorët janë memoria e një kombi që jeton

1258
Prof. Asoc. Dr. Bernard ZOTAJ
Madhështia e aktit të kryer
Historia e Shqipërisë, është histori e luftës për mbijetesë, e përpjekjeve për të ruajtur e zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificat e mëdha për liri e mëvetësi. Është historia e heronjve të këtij kombi, historia e dëshmorëve të tij. Kjo është historia e një populli të mbijetuar në mijëra vjet në një mjedis shpesh herë asgjësues. Por sakrificat e martirëve të tij janë shpërblyer. Pas një emri dëshmori, qëndron një histori e madhe, një akt sublim në shërbim të atdheut. Janë pikërisht këto akte të mëdha njerëzore, që i japin kuptim historisë, që përbëjnë ngjarjet e mëdha në jetën e një kombi e shteti, që evidentojnë rolin e njeriut në përcaktimin e zhvillimeve të mëdha historike. Për çdo 5 maj dhe 28-29 nëntor është bërë traditë, kur familjet e dëshmorëve dhe gjithë populli përkujtojnë ditën e Dëshmorëve të Atdheut, të Pavarësisë dhe të Çlirimit. Këta data përbëjnë për të gjitha familjet e dëshmorëve një moment krenarie, kujtese, nderimi e reflektimi. Në çdo vit të këtyre datave lartësohen në kujtesën historike të Atdheut brez i heronjve dhe dëshmorëve, të cilët në rrethana të kobshme që ndezi Lufta e Dytë Botërore, me kurajë, me besim dhe me ide fisnike u ngritën dhe luftuan për çlirimin e vendit. Çdo njeri prej tyre ishte i kthjellët, energjik dhe apostull i zjarrtë i kauzës së tij, të cilët bënë një akt të papërsëritshëm dhe përjetësisht të respektueshëm. Madhështia e aktit të kryer, pavarësisht përpjekjeve të regjimeve të ndryshme për denigrim, për të harruar, apo mënjanuar, ata kanë zënë vend në kujtesën kombëtare. Të gjithë e dimë se shtetet kombëtare nuk krijohen nga aktorë të jashtëm, qofshin këta dhe Fuqi të Mëdha, në qoftë se nuk ekziston një popull që ka nevojë për shtetin e vet. Prof. Kristo Frashëri ka theksuar se asnjë nga popujt e Ballkanit nuk ka zhvilluar gjatë shekujve aq shumë kryengritje e luftëra sa shqiptarët.
Mes tallazeve të historisë
Veçojmë traditat dhe virtytet luftarake që bëheshin veçanërisht të çmuara në periudha luftërash e konfliktesh, siç ishin ato të disa shekujve më parë adriatiko-mesdhetar e deri te sfidat e misioneve në kohët moderne. Historia jonë e largët dhe e afërt është provuar dukshëm në kushtet e faktorëve shpërbërës. Pushtimet e huaja dhe pasojat shoqëruese të tyre dhe në kohët e mbijetesës, gjithmonë kanë nxjerrë në pah faktorin objektiv e subjektiv, ndër të cilët ai i qëndresës proverbiale të shqiptarit, faktori vendimtar e konservimit të tij etno-kulturor në mes tallazeve të historisë, ka theksuar Fan S. Noli. Nga kohët më të largëta, udhëtarë e pelegrinë, mbretër e vezirë të Lindjes e të Perëndimit kanë qenë në një mendje kur e cilësonin shqiptarin për shpirtin kryengritës, autonom e të panënshtruar. Këto virtyte e vlera tashmë kombëtare, kanë gjetur mbështetje në organizimin shoqërore e politike, në krijimin e shtetit modern shqiptar dhe deri në përfaqësimin dinjitoz të vendit në organizata ndërkombëtare. Gjatë pushtimit të Shqipërisë, në vitet e Luftës së Dytë Botërore, lindën Forca të Armatosura, joqeveritare, fillimisht në formë e përmasa të vogla nacionaliste. Pas Konferencës historike e pluraliste të Pezës, këto forca u zgjeruan dhe fituan përkatësinë politike të PKSH, të BK, të Legalitetit etj. Forca Nacionalçlirimtare më e madhe në numër, e cila paraqiti një skemë organizative me formacione më të qëndrueshme sulmuese, të cilat erdhën në rritje, ishte UNÇSH, që zotëronte një fuqi të madhe goditëse, disiplinë dhe shpirt të lartë luftarak. Procesi organizativ dhe veprimtaria luftarake e saj drejtohej nga një Shtab i Përgjithshëm profesional. Kjo ushtri pati një mbështetje të gjerë në popull. Në fund të nëntorit të vitit 1944 numëronte 70.000 luftëtarë të rreshtuar në 24 brigada, 8 divizione sulmuese dhe 3 korparmata, si dhe dhjetëra formacione territoriale.

Shtetit ruan vlera progresive e pozitive
Përvojë krejt të veçantë, që konfirmoi LANÇ-i dhe UNÇSH-ja, me sistemin e saj të organizimit, ishte afirmimi i parimit të vullnetarizmit. Sipas këtij parimi, edhe nëse asnjë ligj nuk arrin të realizojë mobilizimin e detyruar, atëherë shtetasit rrëmbejnë armët vullnetarisht dhe bashkohen në emër të një ideali të lartë, siç është lufta për liri. Është e padrejtë, që për hir të pësimit historik, e që nuk është fenomen shqiptar, të minimizojmë e deri të injorojmë rolin e UNÇSH-së, fitoren në Luftën e Dytë Botërore, rëndësinë e madhe që pati për kombin shqiptar aderimi i LANÇ-it në Shqipëri në Aleancën Antifashiste Botërore. Kjo mbetet një faqe e ndritur e historisë së kombit tonë. Rreshtimin tonë në frontin e të mundurve nazifashist dhe mosparaqitjen tonë si kontribues e fitues në Luftën e Dytë Botërore e kërkoi më 1946 në Konferencën e Paqes në Paris vetëm Caldarasi. Kjo përvojë 104-vjeçare e shtetit, ruan vlera progresive e pozitive sidomos kur përkujtojmë veprën e dëshmorëve. Theksoj se çdo komb dhe vend i zhvilluar, nuk mund të bëhet e tillë pa piketat e traditës, dmth të veprës së drejtuesve dhe të personaliteteve të shquara që përfaqësojnë atë, të dëshmorëve dhe të heronjve të tij, sepse “burrat e shtetit dhe luftëtarët e vërtetë e gjejnë rrugën dhe në errësirë vetëm nëse ata nuk injorojnë dritat që kanë lënë paraardhësit”. 
Sigal