“Deri në Berlin”, motoja me të cilën shqiptarët luftuan jashtë kufijve

933
INTERVISTA/ Nexhmi Menzelxhiu në kuadër të 9 majit ditës së 72- vjetorit të fitores së madhe botërore mbi nazifashizmin
Ai thotë se pikërisht atë ditë, në mënyrë krejt simbolike; mori fund lufta e gjakderdhja, pushtimi barbar dhe terrori i egër fashist mbi popujt e lirë, dhe sakrifica e tyre e pamatë e gjakut të derdhur të miliona njerëzve, për arritjen e kësaj Fitoreje. Në intervistën e tij për “Telegraf”, Nexhmi Menzelxhiu, një nga kuadrot e Brigadës XXII Sulmuese, tanimë anëtar i Kryesisë së Komitetit të Veteranëve thotë: Mori fund holokausti dhe kampet famëkeqe nazifashiste të shfarosjes dhe krimet barbare të nazisteve hitleriene dhe fashisteve musoliniane, mbi popujt e pushtuar. Prandaj kjo datë është quajtur, jo vetëm si fitore e antifashizmit, por edhe si fitore e paqes e demokracisë, por edhe si fitore e bashkimit dhe e miqësisë së madhe të popujve, që morën pjesë në luftën për përmbysjen e bishës nazifashiste. Në shekuj do të nderohen ata miliona, që sakrifikuan dhe ranë për këtë Ditë të Madhe. Kësaj fitoreje botërore, i parapriu Konferenca e Jaltës, e të tre Aleateve të Mëdhenj, ku u detajua koordinimi i ngushtë i tyre, për të mposhtur Gjermaninë Naziste, pas kapitullimit të Italisë Fashiste dhe për të shkurtuar zgjatjen e luftës. Priu pas kësaj, ofensiva uragan e armatave të Ushtrisë së Kuqe, të Zhukovit, etj., drejt Berlinit, për ngritjen e flamurit të fitores mbi Rajshtag, por po kështu edhe, ofensiva e fuqishme e Armatave Aleate anglo-amerikano-kanadeze nën komandën e Marshallit Ajzenhaueri, etj., kundër Gjermanisë naziste, me zbarkimin, në Normandi, për hapjen e Frontit të Dytë në Evropë e betejat e tjera në Itali, plus bombardimeve të fuqishme nga ajri mbi qytetet kryesore të Gjermanisë naziste, etj., deri në takimin historik të Armatave Aleate të Lindjes e të Perëndimit, në lumin Elba. 
Cili ishte kontributi i Shqipërisë në arritjen e 9 majit 1945?
I madh, për një vend të vogël si Shqipëria, ka qenë edhe kontributi popullit shqiptar për këtë fitore me Luftën ANÇ, e cila u njoh nga Aleatet e Mëdhenj, me deklaratat e Ministrave të Jashtëm të tyre, që në 1942. UNÇSH, arriti me 29 Nëntor 1944, të çlirojë plotësisht, e me luftë të paepur vendin, pa ndonjë ndërhyrje të drejtpërdrejtë të forcave ushtarake aleate, por sigurisht me mbështetjen e luftës së tyre të fuqishme, si dhe të të gjithë popujve të tjerë antifashiste. Ushtria NÇSH, po kështu, me dy Divizione, ndoqi hordhitë naziste, 300 Km, tej kufijve shtetërorë, deri në Bosnjë e Sanxhak, me thirrjen: “deri në Berlin”! Kjo luftë e partizaneve shqiptare, si kontribut ndëraleat i 2 Divizioneve të V e VI të UNÇ Shqiptare tej kufijve të shtetit, veç ndihmës së drejtpërdrejtë për çlirimin e Kosovës dhe disa qyteteve e krahinave të Malit te Zi, të Bosnjës dhe të Sanxhakut, ishte edhe një kontribut i madh, për një vend të vogël si yni, ndaj Aleancës së Madhe Antifashiste të Popujve, për fitoren e 9 Majit. Prandaj, Lufta ANÇ, e popullit shqiptar, do të mbetet në histori një mal i lartë, që nuk shembet dot, me pështymat e ish-kolaboracionistëve të falsifikatoreve të historisë. Kjo fantazme neofashiste e dalë nga varreza e fashizmit, po përdor me falsifikime historinë si instrument të politikës për pushtet, duke nxitur denigrimin e Lavdisë së LANÇ, ka nxitur përçarje e mllef në popull dhe ka çuar nga shembja e simboleve të LANÇ deri në cenim të varreve të dëshmoreve të kësaj lufte, nga shpikja e përrallës se mohimit të 29 Nëntorit si datë e Çlirimit, deri te mohimi i numrit të vërtetë të 28 mijë Dëshmorëve të LANÇ. Po kështu, është kjo, që ka çuar në glorifikim e kolaboracionizmit e kriminelëve kuislingë e ballisto-legaliste të luftës, me ngritje bustesh dhe emërtim rrugësh, për ta. 
Si do ta përkujtojë Organizata e Veteranëve 65- vjetorin e fitores? 
Këto, nuk mund dhe nuk duhet të ndodhin në një vend demokratik që synon pranimin në BE. Pra, jo vetëm populli e veteranët e pasardhësit e tyre të shumte të kësaj lufte dhe Organizata e jonë e Veteranëve të LANÇ e ato simotra, si ajo për Dëshmorët e Atdheut e ajo e Invalidëve të kësaj Lufte, që do ta festojnë e nderojnë 9 Majin, 65 Vjetorin e Fitores së Madhe mbi bishën nazifashiste, por edhe vete Shteti, Parlamenti, Instituti i Historisë, etj, e kanë për detyre të organizojnë, nderojnë e përkujtojnë këtë ngjarje të madhe dhe kontributin e vendit tonë me LANÇ-in, për këtë fitore, sepse kështu, nderohen ata mijëra djem nënash dëshmorë që dhanë jetën me nder për çlirimin nga pushtuesit nazifashistë. Sepse, kështu ngrihet, atje ku takon dinjiteti historik i populli tonë, në kuadrin e kësaj lufte të madhe Botërore e Popujve Antifashistë me ata Anglo-Sovjeto-Amerikanë në krye. Pra, le ta përkujtojmë të gjithë këtë ngjarje të madhe qe çoi në përmbysjen e bishës gjakatare nazifashiste, se edhe Shqipëria me një milion banorë, bëri në atë kohë, sakrificat e saja të panumërta dhe i dha Aleancës së Madhe Antifashiste Botërore, një kontribut të madh me Frontin Antifashist NÇ, me kryengritjen e saj të armatosur dhe me betejat e një Ushtri të organizuar NÇ prej 14 Brigadash Sulmuese Partizane, që me flamurin e Skënderbeut në ballë, prinë, nga fitorja në fitore, deri në Çlirimin e Plotë të vendit më 29 Nëntor 1944.

Sa do të dëmtohej Shqipëria para se të arrinte dita botërore e fitores mbi nazi-fashizmin?
Shqipëria e vogël, në luftën e kundër pushtimit nazifashist, bëri shumë sakrifica e pati shumë humbje, gjatë kësaj lufte: u vra ose u gjymtua në 7.3 % të popullsisë, u dogjën 21% e shtëpive në fshatra e qytete, u asgjësua 1/3 e gjësë së gjallë, u shkatërruan, apo u dëmtuan rëndë 1/3 e urave, porteve, minierave e urave dhe iu grabitën sasi konsiderueshme të rezervave të arit. Por i madh, që edhe kontributi, në luftën e përbashkët të Aleancës Botërore Antifashiste, sepse populli shqiptar me Luftën e tij ANÇ, angazhoi në vend, mbi 15 divizione italiane e gjermane dhe asgjësoi mbi 70 mijë armiq. Ndryshe, do të ish bërë vendi, ku Musolini dhe Hitleri do të mund të rekrutonin ushtarë për luftërat e tyre pushtuese kundër popujve të tjerë. Por, si ka mundësi që gjendet sot, një e djathte që, prapa parullave false “antikomuniste”, e mohon këtë kontribut antifashist çlirimtar , i cili i siguroi vendit lirinë e pavarësinë, duke na e quajtur këtë lufte çlirimtare: “lufte civile”, apo “lufte sllavokomuniste”? Si ka mundësi, që lejohen, justifikohen e glorifikohen deri edhe kriminelë lufte, që bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë në krime e masakra, për shtypjen e LANÇ të popullit? Si mund të lejohen këto në një vend demokratik që është edhe anëtar i NATO-s? Por popullin që e bëri luftën, veteranët, Organizata e jonë e Veteraneve te LANÇ, ajo e Dëshmoreve të Atdheut dhe e Invalidëve të kësaj Lufte, bashkë me pasardhësit e shumtë të tyre do t’i, dënojnë bashkë me popullin këto fenomene neofashiste dhe do të nderojnë si duhet, 9 Majin si Ditë të Madhe të Fitores mbi Nazifashizmin dhe kontributin e madh të popullit tonë për Liri, Pavarësi e Integritet Kombëtar. Sepse, duke nderuar këto, nderojmë e mbrojmë demokracinë e vërtetë, dinjitetin e vendit e të popullit tonë dhe Lavdinë e kësaj Lufte Çlirimtare, si Luftë ANÇ në krah të Aleancës së Madhe Botërore Antifashiste, me ata Anglo-Sovjeto-Amerikane në krye.


Operacioni “Normandia”
Menzelxhiu: Si u hap fronti i dytë aleat në perëndim 
Bëhet fjalë për njërin nga operacionet desanto-zbarkues më të madh, kundër pushtuesve gjarmano-naziste, i kryer nga trupat anglo-amerikane e kanadeze. Pasi kishin kaluar La Manshin, nga data 6-21 qershor të vitit 1944, armatat aleate zbarkuan në plazhin e derdhjes së Senës në Francë. Ky operacion, me zgjerimin e placdarmit të skalionit të dytë dhe të forcave të tjera, mori karakter të gjerë, dhe në atë kohë u quajt; “Fronti i II Perëndimor”. Ky front u hap pas goditjeve ofensive të ushtrisë sovjetike në Lindje, të cilat ngjallën shpresë dhe optimizëm. Në këtë kohë, nazistet në Perëndim kishin Gruparmatën e tyre me 50 divizione, ndërsa në frontin e Lindjes kishin 200 divizione. Para hapjes së Frontit të Dytë të Aleatëve anglo-amerikane në Francë, gjermanet qenë kufizuar me mbrojtjen e bregdetit, me forcat e Armatës së 7-të e të 12-të , si dhe të dy divizioneve parashutiste dhe të një divizioni tankist. Ndërsa, në vendin dhe në kohën e zbarkimit ata kishin vetëm tre divizione këmbësorie. Trupat desanto-zbarkuese aleate, pasi kapën, në fillim, disa placdarme të vogla, nën mbulimin e artilerisë së anijeve dhe të aviacionit, zbarkuan në disa pika të tjera, të derdhjes së Senës dhe duke mos hasur në rezistencë të fortë e zgjeruan placdarmin, deri në 85 mm, duke zbarkuar 8 divizione të tjera fanterie, tre divizione aerodesante dhe 4 brigada tankesh. Më 11 qershor, filluan luftimet për zgjerimin e palacdarmit. Tempi i mësymjes ishte: 0.5 deri 1.5 km në 24 orë. Pasi armata angleze, çliroi qytetin Kan dhe armata amerikane atë të Kartanit, placdarmi u zgjerua në 110 km. Me futjen në luftime të skalionit të dytë, në 25 qershor, ai arriti 125 km gjerësi e 30-50 km thellësi. Në operacion, veç trupave tokesore, merrnin pjesë edhe 10,000 avionëluftarakë të përfshirë në Armatën Ajrore, që mbështeste desantimin, godiste deri në shkatërrim mbrojtjen kundërajrore dhe siguronte hedhjen e një divizioni desanti ajrore në veri të qytetit Karatan. Gjithashtu e fuqishme qe mbështetja e operacionit, nga Flota Ushtarako-Detare prej 4000 anijesh luftarake, pa të cilat as që mund të imagjinohej imbarkimi, transportimi, zbarkimi i suksesshëm dhe mbështetja e trupave të operacionit. Ashtu si u zhvilluan situatat, gjermanët nuk hoqën forca të konsiderueshme nga lindja, për të përballuar Frontin e Dytë në Perëndim. Megjithatë, hapja e Frontit të Dyte, lejoi Ushtrinë Sovjetike që të shpërthente një ofensive të re të fuqishme në Kareli, Bjellorusi e Ukrainë. Kjo përsëri i detyroi gjermanët që të heqin disa forca, nga Fronti i Perëndimit, për t’i hedhur në Frontin e Lindjes. Dhe siç shkruajnë analistët e situatave ushtarake të asaj kohe, kjo i shpëtoi Aleatet nga një “Dunkerk i Dytë”. Sidoqoftë, pavarësisht se Fronti i Lindjes mbeti fronti kryesor i Luftës së II-të Botërore kundër Gjermanisë naziste, duke i parë çështjet në mënyre objektive. Operacioni në Normandi, për nga përmasat, nga rëndësia ushtarake dhe politike e kohës, i dha luftës një kahje serioze pozitive dhe i ndihmoi BS, Francën, Italinë dhe Ballkanin dhe u lejoi atyre kushtet për zgjerimin e luftës dhe të gjithë së bashku, për përmbysjen e bishës nazifashiste. Dhe lufta e popujve kundër Boshtit Romë-Berlin-Tokio, mori karakter gjithnjë e më të gjerë, të një Aleance Botërore Antifashiste, deri në fitoren e 9 Majit 1945, kur u përmbys bisha nazifashiste.
Shwnim : Kjo intervistw wshtw përgatitur nga Leonard VEIZI nw kuadrin e 65 vjetorit tw fitores sw popujve mbi fashizmin.
Sigal