Denoncimi nga Lenini i traktateve të fshehta të Londrës kundër Shqipërisë ngjalli dashuri e mirënjohje për të

2242
Nga Ergys Alushi

Parlamenti mban zi për vdekjen e Leninit, vizita sekrete e Duçes në Shqipëri, Nikita Hrushov viziton Vlorën, tragjedia e Otrantos dhe vizita e Prodit në Vlorë
Bajram Curri kur i shkruante Leninit, Avni Rustemi kur kërkoi 5 minuta pushim në Parlament për vdekjen e Leninit.
“Populli shqiptar pret nga Rusia Sovjetike, paqësimin e drejtë bujar dhe të vërtet të Ballkanit. Populli shqiptar prêt me padurim caktimin e kufijve. Me bindje të plotë se Rusia sovjetike do të mund të caktojë në një të ardhme të afërt kufijtë e Evropës, veçanërisht të Ballkanit, në mënyrë të drejtë, lutemi të lartës qeveri sovjetike të zbatojë kërkesat tona të drejta’

Promemoria tregonte besimin që kishte patrioti Bajram Curri në politikën e drejtë nacionale të Bashkimit Sovjetik, dhe shpresën se vetëm Shteti sovjetik, mund ta ndihmonte popullin shqiptar, për të realizuar ëndrrën e tij shekullore. Dokumentet e arkiva shqiptare tregojnë se Bajram Curri, ëndërronte shumë të bënte një vizitë miqësore në Bashkimin Sovjetik dhe ish kërkuar që një delegacion shqiptar i kryesuar prej tij ta kryente këtë vizitë. Ai mbante korrespodencë të rregullt miqësore me përfaqësuesit e qeverisë Sovjetike në Vjenë. Në përgatitje të kryengritjes së madhe të vitit 1924 ai kishte parasysh koordinimin me kryengritjet e popujve të tjerë të Ballkanit, duke pasur parasysh shembullin e bolshevikëve të Leninit.

Parlamenti mban zi për vdekjen e Leninit
Më 4 shkurt të vitit 1924, Parlamenti i Shqipërisë mban 5 minuta zi për vdekjen e udhëheqësit të shtetit të parë socialist në botë, Vladimir Iliç Leninin. Për atë kohë Lenini ishte një figurë e dashur për shqiptarët dhe shpresa për shtrirjen e Shqipërisë në kufijtë natyrorë të saj. Denoncimi nga Lenini i traktatit të fshehtë të Londrës që kishte për qëllim të copëtonte Shqipërinë midis fqinjëve, ngjalli te patriotët shqiptarë e populli i thjeshtë dashuri e mirënjohje për Leninin. Ndërkohë, familjet e mëdha, borgjezia dhe grupe të lidhura me interesa të ndryshme me disa vende perëndimore, ishin kundër përhapjes së ideve të Revolucionit të Tetorit në Shqipëri, duke e parë si një rrezik për pushtetin e tyre ekonomik dhe politik. Madje edhe në Parlament ata u munduan që të pengonin përkujtimin e vdekjes së Leninit. Por, një grupim tjetër deputetësh në Parlament në drejtimin e Avni Rustemit këmbëngulën dhe e detyruan Parlamentin që të mbante 5 minuta zi për Leninin që ata e konsideronin mikun e shqiptarëve. Në procesverbalin e mbledhjes së parlamentit të datës 4 shkurt mbetën përgjithmonë fjalët e këtij diskutimi: Z. Jashar Erebara: Para se të hyjmë në bisedime, propozoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin se në qoftë se Vilsoni do të fliste për të mirën e Shqipërisë ma tepër do të fliste Lenini për një Shqipëri të madhe (ilaritet).Z. Avni Rustemi: Më vjen shumë keq Z. Kryetar që kur përmendet emri i Leninit dëgjohen qeshje nga ana e disa përfaqësuesve të Kombit…po për principet e larta njerëzore duhet që me një respekt të zihet në gojë emri i tij. E dini fare mirë zotërinj se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzve e, se qe i pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dija se propozimi i bërë prej zotit Erebara nuk do të pranohej, por ne me gjithë atë e kemi për detyrë të propozojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij. (Bisedimet e Kuvendit Kushtetues V. I Nr.5 mbledhje e VII 4 shkurt 1924 ora 3 m.d. faqe 64.). 

Me gjithë kundërshtimet e një grupi deputetësh të tjerë, Parlamenti pushoi 5 minuta për vdekjen e Leninit. Ndërkohë edhe disa gazeta shqiptare të kohës i kushtuan artikuj vdekjes së Leninit. Më 1 shkurt të vitit 1924 gazeta “Republika” që botohej në Shkodër shkruante për Leninin: “…emri I tij me nderime dhe adhurime – do të mbesë përjetësisht i gjallë…”Ndërsa gazeta “E Drejta” që dilte në Korçë shkruante më 14 shkurt 1924: “Një fizionomi nga më të mëdhatë të botës sotme, Lenini, nga ato fizionomi që lënë gjurmën e tyre dhe përfundimet e veprimeve të veta të pa harruara për shekuj dhe në zhvillimin e jetës njerëzore vdiq në Moskë…”

Gazeta “Politika” që dilte në Vlorë shkruante kështu më 28 shkurt 1924: “Jo për Leninin si politikan botëror e revolucionar, më të madhin e shekujve, por për Leninin se politika e tij i përket Shqipërisë, i përket popullit tonë të vogël e të lodhur në luftërat e tij prej shekujve…

Por Lenini i ka dhënë edhe një tjetër ndihmë Shqipërisë përveç denoncimit të Traktatit të fshehtë të Londrës. Është ndihma për shpëtimin e Jugut të Shqipërisë. Të ishte qeveria e carëve nuk do të kishte pasur dot një lëvizje nacionaliste turke në Anadoll dhe nuk ka njeri që të mohojë se Gjirokastra e Korça mbetën të Shqipërisë së sotme, jo sepse Franca e Anglia nuk ia dhanë Greqisë, por sepse Anglia ishte e ngatërruar në një luftë të rreptë e të papritur në Anadoll…”
Vizita sekrete e Duçes në Shqipëri
Shumë pak vetë e dinë se Benito Musolini ose Duçja si njihet ndryshe, ka vizituar Vlorën. Ka fjetur një natë në fermën e Llakatundit. Udhëheqësi fashist i Italisë, ka ardhur në spitalin fushor, që ushtria italiane kishte ngritur në Fushë-Dukat. Në fushën pranë hanit të Abaz Gegës, aty në vendin ku ishte ngritur një spital fushor, i cili trajtonte nga ana mjekësore ushtarët italianë të plagosur në frontin e luftës italo-greke. Një vizitë shumë sekrete, nga frika e ndonjë atentati, apo sulmi të mundshëm nga forcat greke. Ndoshta për shkak të kësaj sigurie, lajmi për vizitën e Musolinit në Shqipëri, u publikua me dy muaj vonesë në shtypin Italian të kohës.

Benito Musolini apo Duçe, ka qenë i pari kryeministër i një shteti të huaj, i cili ka vizituar Shqipërinë. Ja se çfarë do të shkruante ndër të tjera shtypi italian i kohës për vizitën në fshatrat e Vlorës: “Më 6 mars, Duçe kaloi Llogaranë dhe mbërriti në Dhërmi, ku vizitoi spitalin ushtarak, u rikthye ne Llogara, ku qëndroi në observatorin detar, për të ngrenë mëngjesin. Me tutje vizitoi qendrën e spitaleve te Dukatit, dhe shijoi bukën e furrave te vendit. Pasi asistoi ne imbarkimin e te plagosurve dhe te sëmurëve, kaloi ne reviste, Regjimentin XVIII te Fanterisë “Acqui”, të njëjten gjë bëri në Shushicë, ku kaloi në revistë Legjionin XV, të “Këmishave të zeza”, të Brescia-s, dhe në Brataj me Fanterinë 77 “Lupi”. Duke u kthyer në kuartierin e tij, asistoi në ushtrimet e “Arditi”-ve. Pas kësaj, ai viziton spitalin Nr.118 dhe kaloi nëpërmjet Vlorës se errësuar, për shkak të bombardimeve”.
Nikita Hrushov viziton Vlorën dhe fle një natë në bazë e Pashalimanit
Në 25 maj, të vitit 1959, Shqipërinë do ta vizitonte Sekretari i Parë i B.R.S.S, Nikita Hrushov. Ndër shumë qytete e fshatra që vizitoi për disa ditë me radhë, Vlora do të ishte stacioni i fundit i vizitave. Në datën 29 maj, Sheshi i Flamurit ishte mbushur si rrallë herë. Banorët nga të gjitha fshatrat e Vlorës, ishin mbledhur në shesh që në orët e para të mëngjesit, edhe pse ishte lajmëruar që delegacioni do të vinte në orët e drekës. Dëshmitarë të asaj dite, kanë treguar se atmosfera ishte shumë festive, kudo këndohej e hidhej valle, tundeshin flamuj e hidheshin parulla për Shqipërinë, Bashkimin Sovjetik, miqësinë midis dy popujve e të tjera si këto. Më në fund në ora 13.30. Vlora buçet në çdo anë. Delegacioni arriti në qytetin e Ismail Qemalit dhe të Perlat Rexhepit, të Zonjës Çurre, të Teli Ndinit, Halim Xhelos etj. Sheshi i Flamurit oshtin nga entuziazmi i pa përshkruar i dhjetëra e dhjetëra mijëra njerëzve. Miqtë u pritën në urën e Mifolit, nga Sekretari i Komitetit të Partisë për rrethin, Mihallaq Gjinikasi, Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit, Kristo Papajani. Në Vlorë miqtë e shtrenjtë u pritën me lule të freskëta. Sheshi i Flamurit zien nga njerëzit. Në shtyllën historike valon flamuri i Republikës Popullore të Shqipërisë, në vendin ku u ngrit në 1912 nga dora e patriotit, plakut Ismail Qemali. Një plak i moçëm, Xhafer Xhuveli, i cili ka qenë sekretar i Ismail Qemalit, vjen dhe shumë i ngashëruar i shtrëngon dorën Hrushovit. Duze Bajrami, Salie Çurre, nëna e heroinës, dhe nëna të tjera dëshmorësh, përqafojnë babanë e paqes, siç e quan shokun Hrushov, patriotja Shaho Luçi.

Një miting i madh e i zjarrtë, me pjesëmarrjen e mijëra vetëve, u bë në sheshin e Flamurit.
Aty Mihallaq Gjinikasi, mbajti fjalimin e mirëseardhjes. Shokët Enver Hoxha dhe Hrushov, mbajtën fjalime të gjata midis një entuziazmi të jashtëzakonshëm. Vlora i shfaqi Hrushovit dashurinë e pamasë dhe mirënjohjen e thellë ndaj vendit të lavdishëm të revolucionit të Tetorit, ndaj Atdheut të Leninit. Si podium për folësit, shërbeu një prej ballkoneve të dikur, Hotel “Evropa”, por që ishte kthyer në bibliotekën e rinisë. Për efekt sigurie nën ballkon u vendosën disa shtylla druri, pasi dihet që Hrushovi erdhi me një ekip prej 60 personash. Nga Sheshi i Flamurit, Enver Hoxha dhe Nikita Hrushov, shkuan në bazën e Pashalimanit, ku dhe qëndruan për të fjetur, për një natë. Në kujtimet e tyre, pas viteve 90-të, oficerë që kanë shërbyer në bazë atë ditë, kujtojnë për një ftohtësi në marrëdhëniet midis Hoxhës e Hrushovit, edhe pse për Hrushovin u vendos dhoma më e mirë. Mesa duket kishte filluar prishja.

Pjesë nga fjala e N.S.Hrushov në Sheshin e Flamurit

“Cila është gjëja kryesore për secilin nga vendet e kampit socialist?
Gjëja kryesore tani është zhvillimi i shpejtë i ekonomisë sonë, korrja e sukseseve gjithnjë më të reja në garën ekonomike paqësore me vendet kapitaliste, zhvillimi me sukses i industrisë, bujqësisë dhe i gjithë forcave prodhuese të vendeve socialiste. Në këtë drejtim merr një rol të veçantë ngritja e pandërprerë e rendimentit të punës. Sa më i lartë të jetë rendimenti i punës, aq më shumë popujt e vendeve tona mund të prodhojnë produkte të ndryshme, që janë të nevojshme për zhvillimin e vendeve socialiste, për plotësimin gjithnjë e më të madh të nevojave të njerëzve që ndërtojnë shoqërinë socialiste, komuniste.”
Sekretari i Përgjithshëm i NATO në Vlorë.
Ishte koha e embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi.
Mars 1993.
Të premten e datës 10 mars, të vitit 1993, Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Manfred Vërner, do të vinte për një vizitë në Vlorë. Një ditë më parë, kishte zhvilluar takime të ngjeshura, në Tiranë, me zyrtarët e lartë të shtetit, dhe Vlora do të ishte i vetmi qytet që do të vizitonte, larg kryeqytetit. Në vizitën e tij shoqërohej nga Ministri i Mbrojtjes, Safet Zhulali, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë, Gjeneral Ilia Vasho. Viziton bazën ushtarake të Vlorës. Shkon në ishullin e Sazanit, ku njihet nga afër me objektet ushtarake, me mjetet e Flotës Luftarake Detare, si edhe me armatimin e reparteve që janë dislokuar në ishullin e Sazanit. Në takimin me ushtarakët, Vërner i porositi që në situatën e nderë të krijuar në Ballkan, të jenë të gatshëm e vigjilent. Ishte koha e embargos ndaj Serbisë dhe Malit të Zi. Ndërsa Sekretari i Përgjithsëm i NATO, inspektonte ishullin e Sazanit, të fortifikuar dhe të armatosur për një luftë të vërtetë, 38 anije luftarake të NATO, patrullonin në detin Adriatik. Ishte ky grumbullimi më i madh i anijeve luftarake, që nga Lufta e Dytë Botërore. Anije të SHBA dhe aleatëve të tyre. Urdhëri ishte i prerë, asnjë anije nuk do të lejohet të udhëtojë drejt Malit të Zi. Në këto ditë, Flota Luftarake Detare, ndalon në ujërat e Sarandës një anije cisternë, që lundronte me flamur grek, e që ishte e ngarkuar me karburant. Por në fakt, ekuipazhi ishe i përbërë nga serbë. Anija në fjalë, e ngarkuar me karburant, kishte për qëllim të filtronte midis anijeve luftarake të NATO, për të mbërritur në portin e Malit të Zi. Anija u soll në portin e Vlorës, edhe pse ishte ndaluar në ujërat e Sarandës dhe duhej dërguar në portin e Sarandës. Përse u soll në portin e Vlorës?
(Gazeta “Vlora”, Mars – Maj 1993, Nr.5 – 14)
Xhorxh Bush në Vlorë
Në verën e vitit 1996, ish presidenti i SHBA, deri në vitin 1992, Xhorxh Bushi i Madh, do të vijë në Vlorë, për një vizitë private disa-orëshe. Ai do të ishte i ftuar nga Presidenti i vendit, Sali Berisha. Shumë vlonjatë, të ndodhur atë ditë në zonën e vilave, pas tunelit në Ujin e Ftohtë, kanë parë një jaht të bardhë dhe një anije të vogël, afër njëri tjetrit, të ankoruar në Gjirin e Vlorës.

Që në mëngjes herët të asaj dite, në të gjithë zonën ishin marrë masa për të ndaluar kalimin e mjeteve, dhe qëndrimin e njerëzve në një zonë të gjerë, ndërkohë që ato pak lokale që ishin, u urdhëruan të mbylleshin. Ish Presidenti amerikan, shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Barbara, gjenerali i luftës Pauell edhe ky me bashkëshorten si dhe disa anëtarë të familjes së tij.

Kishte ardhur nga Korfuzi, ku kishte shkuar me pushime. Bushi, ishte hera e dytë që vinte në Shqipëri, herën e parë kishte ardhur në vitin 1993, kur u dekorua me një medalje të lartë të shtetit Shqiptar, dhe kjo do të ishte vizita e tij e dytë, edhe pse nuk doli për asnjë çast nga territori i vilës që njihet me emrin “Vila e Mehmet Shehut”. Dy mbesat e ish Presidentit, të shoqëruar dhe nga njerëz të tjerë të familjes Bush, nën masa të rrepta sigurie, dolën për një shëtitje në qytet, duke tërhequr vëmendjen kudo ku shkuan, për numrin e madh të rojeve dhe kujdesin që tregohej për shoqërimin e tyre. Ardhja e Bushit të Madh, i cili në zgjedhjet presidenciale të vitit 1992 ia kishte lënë vendin Presidentit Bill Klinton, ndodhte pas zgjedhjeve të Majit 1996, zgjedhje të cilat u shoqëruan me problematika të shumta, deri dhe në rrahjen masive të opozitës, pa kursyer as drejtues të saj. Gazetari Mero Baze, i cili e ka intervistuar ish presidentin në “Vilën e Mehmet Shehut”, në librin e tij “Viti 1997” , citon ndër të tjera në këtë intervistë fjalën e Bushit, kur flet për diskutimin me presidentin Berisha. “…Po sot, Presidenti Berisha është treguar shumë xhentil me ne, duke na vënë në dispozicion një kohë të mjaftueshme, për të na shpjeguar ato ç’ka po bën ai për Shqipërinë, për historinë e suksesshme të demokracisë së saj, e cila po bëhet gjithnjë e më e fortë…” Këto fjalë thuheshin pikërisht në një kohë kur zgjedhjet e vitit 1996, ishin shoqëruar me shumë probleme ,dhe për shumë shtete të huaja, analistë ndërkombëtarë dhe opozita shqiptare, konsideroheshin të parregullta dhe me shkelje të shumta në parimet e rregullat e demokracisë.

Nuk dihet me saktësi se çfarë kanë biseduar ato pak në orë në atë vilë, Berisha, Bush e gjenerali i luftës Pauell, por vetëm pak muaj pas largimit të ish Presidentit amerikan nga Vlora, ngjarjet në Shqipëri, dhe kryesisht në Vlorë, rrodhën me shpejtësi të madhe dhe negativisht, për të kulmuar me falimentimin e firmave piramidale dhe trazirat e vitit 1997. Në vitin 1995, bashkëshortja e Xhorxh Bushit të Madh, Barbara Bush, do të botonte një libër me kujtime, ku do të shkruante dhe për qëndrimin disa orësh në vilën e Vlorës.

Tragjedia e Otrantos dhe vizita e Prodit në Vlorë
Tragjedia e Otrantos, konsiderohet një nga tragjeditë më të mëdha shqiptare të ndodhura në det. Një anije e vogël shqiptare, e ngarkuar me të rritur e fëmijë, në tentativë për të shkuar klandestinë në Itali, u qëllua, me pasojë mbytjen e anijes nga një anije luftarake e ushtrisë italiane. Ende dhe sot vazhdojnë gjyqet midis familjarëve të të mbyturve dhe të mbijetuarve, me shtetin italian. Ngjarja u konsiderua e rëndë për periudhën në të cilën po kalonte Shqipëria, në vitin 1997, dhe fillimisht u tentua të mbahej e fshehtë, por lajmi u përhap me shpeshtësi dhe pamjet filmike të të mbijetuarve bënë xhiron e botës. Për të zbutur sadopak zemëratën e shqiptarëve, por kryesisht vlonjatëve, që humbën dhe numrin më të madh të njerëzve në këtë tragjedi, por edhe për të kërkuar ndjesë, në fund të muajit maj 1997, do të vinte në Shqipëri e më pas në Vlorë, kryeministri i Italisë, Romano Prodi. Në Vlorën e armatosur dhe nën kontrollin e grupeve të armatosura, ku nuk ekzistonte fare shteti, ardhja në Vlorë e Prodit, konsiderohej një problem, kërcënim i madh për jetën e tij, dhe atyre që e shoqëronin. Por, Prodi e kishte vendosur, dhe në të tilla kushte politikanët e majtë në Tiranë, kërkuan ndihmën e mbështetësve të tyre në Vlorë, për të siguruar vizitën e kryeministrit italian në Vlorë. Në Vlorën e djegur, në mungesën totale të funksionimit të institucioneve të shtetit, i vetmi vend i paprekur nga flaka e zemërata do të ishte Muzeu Historik, që ishte ndërtuar si bashki në kohën e Italisë së Parë, siç njihet periudha e pushtimit të parë të Italisë, 1914-1920.

I shoqëruar nga ish kryetari i PSSH, i dalë nga burgu si pasojë e trazirave që përfshinë vendin, Fatos Nano, Prodi do të konsumonte pak xhin dhe do të ulej në një divan-kolltuk të sjellë shpejt e shpejt në muze, për nder të tij.
Sigal