Dekorohet ish partizani e kuadri i LANÇ-it, Seit Çiraku

957
Sigal

Lavdia dhe heroizmi i Lufttës Nacionalçlirimtare, shembull atdhedashurie në breza. Lavdi veprës së ndritur të partizanëve, dëshmorëve dhe heronjve!

 Në një ambient vlerësues, emocional e me vlerë, ditën e djeshme, u bë ceremonia e dekorimit nga Komiteti Kombëtar i Organizatës së LANÇ të Popullit Shqiptar, ish-partizanit dhe kuadrit të njohur të luftës, Seit Çiraku me titullin e lartë, ‘Nderi i Organizatës së LANÇ’. Ceremonia u bë në një nga sallat e rezidencës “Hekla”.  Për të dorëzuar dekoratën familjarëve të ish partizanit e kuadrit të njohur Seit Çiraku, erdhi një grup i madh i drejtuesve të Komiteti Kombëtar I Organizatës së LANÇ të Popullit Shqiptar, nën drejtimin e titullarit Rustem Peçi. Në këtë ceremoni merrnin pjesë biznesmeni e botuesi  Agim Çiraku, djali i Seitit, pjesëtarë të familjes së njohur Çiraku, ish-bashkëluftëtarë të të dekoruarit, gazetarë, etj… Pas fjalës së të dërguarve të Komitetit të Veteranëve, dekorata iu dorëzua biznesmenit e botuesit të njohur, Agim Çiraku, djali i Seit Çirakut…

KOMITETI I VETERANËVE

Të nderuar pjesëtarë të familjes së veteranit të LANÇ-it, të paharruarit Seit Çiraku! Ne bashkëluftëtarët, bashkëfshatarët, miqtë dhe shokët e tij, kemi ardhur këtu sot në familjen tuaj, për të përkujtuar dhe respektuar, luftëtarin e LANÇ-it, Seitin, por dhe për ta nderuar atë! Seiti lindi në Vërnik, në vitin 1915, dhe u nda nga jeta në vitin 1971, si një luftëtar, kuadër i nderuar dhe i respektuar, si patriot dhe si veteran i LANÇ-it, i cili vlerat dhe idealet e së cilës jo vetëm që i përjetësoi, por dhe i ruajti dhe i mbrojti ato. Familja e Çirakëve, në Vërnik të Vlorës, ka qenë dhe është një familje patriotësh dhe si e tillë ajo qysh në fillim u lidh ngushtë më LANÇ-in, dhe shtëpia e tyre ishte një nga bazat e para në fshat, për pritjen dhe përcjelljen e luftëtarëve të lirisë. Nga fisi i Çirakajve kanë dalë patriotë që kanë dhënë kontribute për çështjen e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut.Një nga të parët e këtij fisi Abdurraman Çiraku, ish ushtarak i lartë në Turqi, kur mori vesh se Ismail Qemali do vinte në Shqipëri për të shpallur pavarësinë, u arratis nga ushtria turke, në Tetor të vitit 1912, dhe vjen në Vlorë, në përkrahje të Ismail Qemalit. Ismail Qemali, kur krijoi qeverinë, Abdurramanin e caktoi në krye të policisë, kur Ismail Qemali iku nga Shqipëria, mori me vete si shoqërues për në Francë Abdurraman Çirakun. Mbasi mbaroi pune Abdurramani, u kthye përsëri në Shqipëri dhe vazhdoi aktivitetin e tij patriotik, ku morri pjesë dhe në luftën e 1920-ës në Vlorë.Një personalitet tjetër në fisin e tyre ka qenë edhe i nderuari Xhule Çiraku, i cili u lidh qysh në fillim me LANÇ-in dhe dha një kontribut të çmuar si luftëtar dhe kuadër, ku në luftë ka qenë i saktë dhe i përpiktë në marrjen e vendimeve dhe zbatimin e tyre, kurajoz dhe i respektuar. Xhulia në të gjitha detyrat që i janë ngarkuar gjatë luftës e mbas çlirimit i ka kryer me nder dhe brenda ligjeve dhe rregullave, prandaj ju vlerësua puna dhe ju dha dhe grada e Gjeneral -Majorit të ushtrisë popullore.Gjatë LANÇ kanë pasur aktivitet dhe Qemali e Jonuzi, kurse Seiti, aktivitetin e ka pasur në Vlorë, duke marrë pjesë në demonstratat që zhvilloheshin, shpërndarje traktesh etj.Më vonë ai kaloi në ilegalitet dhe u rreshtua në Brigadën e 6-të Sulmuese. Mori pjesë në të gjitha luftimet që zhvilloi, kompania, batalioni dhe brigada. U tregua trim e guximtar, drejtues i afte. i përpiktë dhe i saktë në kompaninë që ai drejtonte. Në betejën e Qesaratit, Seiti u plagos rëndë dhe humbi lidhjet me shokët,dhe mbas 36 orësh është takuar me ta. Pasi ju dha ndihma mjekësore në spitalet partizane, u dërgua për mjekim jashtë shtetit. Mbase u përmirësua gjendja shëndetësore, vazhdoi karrierën ushtarake, ku është dalluar në kryerjen e detyrave.Pasardhës i tyre në fisin Çirakaj është, Agim Çiraku dhe djali i tij Klausi, pasardhës veteran, që ndjek me besnikëri idealin e tyre dhe si botues i gazetës të përditshme “Telegraf”, në faqet e saj gjen vend dhe pasqyrohen idealet e LANÇ-it dhe kujtimet e veteranëve të kësaj lufte, për të cilat Komiteti Kombëtar e përgëzon dhe e falënderon sinqerisht duke ju uruar suksese në punën e tyre të përditshme.Seitit për sakrificat që ka bërë gjatë LANÇ, dhe kontributin që ka dhënë në punë, pas çlirimit, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve të LANÇ, të Popullit Shqiptar i jep pas vdekjes titullin e lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve” (Pas vdekjes), me motivacionin:“Për kontributin e çmuar që ka dhënë në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe për çlirimin e atdheut nga pushtuesit nazifashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre, për rolin e veçantë që ka luajtur në forcimin dhe drejtimin e Organizatës së Veteranëve të LANÇ, si dhe për mbrojtjen deri në fund të idealeve të patjetërsueshme të saj dhe propagandimin e tyre ndër breza, duke lënë pas një emër të nderuar dhe pasardhës të denjë”.

  SUL DOMI

Ish partizan e ushtarak madhor

Si ish partizan e bashkëluftëtar me Seit Çirakun, luftëtarin e Brigadës së VI-të,  këtë ditë që atij i jepet ky titull, dhe unë ndjejë kënaqësi, pasi Organizata e Veteranëve, pasardhësit e tyre, edhe pse në këtë periudhë të gjatë tranzicioni në Shqipëri, kanë luftuar e luftojnë për mbrojtjen e luftës Nacionalçlirimtare, partizanëve trima që dhe pse me kosto në njerëz, 28 mijë dëshmorë, sollën çlirimin e vendit nga okupatorët e bashkëpunëtorët vendas. Ne ish partizanët jemi krenarë pasi idealet tona po bëhen pronë e brezave, radhët e organizatës po shtohen nga dita në ditë me pasardhës veteranësh, djem e vajza apo nipër e mbesa të partizanëve.

 

Nderimi për partizanët, është nderim për luftën edhe Kombin

 RUSTEM PEÇI:

Kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ

 Vlerësimi që Komiteti Kombëtar i Veteranëve të LANÇ i bën sot Seit Çirakut, partizanit trim e kuadrit të njohur të luftës e ndërtimit të vendit, nuk është nderim vetëm për kontributin që ai ka dhënë, për familjen e njohur të Çirakajve, por për vlerat e luftës dhe partizanëve që luftuan me armë në dorë e dhanë dhe jetën për çlirimin e vendit nga nazifashistët, ballistët tradhtarë e kolaborcionistët që bashkëpunuan hapur me pushtuesin. Lufta Nacionalçlirimtare ishte dhe mbetet e shenjtë, partizanët që luftuan me armë në dorë në këtë luftë, po ashtu. Ndërkohë, pinjollët e kolabarcionistëve  që sot përpiqen të ndryjnë historinë, tradhtarët ti barazojnë me heronjtë partizanë, e kanë të kotë. Historia është shkruar në frontin e luftës. Ishin partizanët e komandantët trima, si Seiti me shokë, që aty në frontin e luftës, vulosën të vërtetën, duke sjellë lirinë e vendit e duke e renditur Shqipërinë në kampin e fitimtarëve. Ne si veteran e pasardhës të veteranëve jemi krenarë sot më shumë se kurrë për të mbrojtur idealet e partizanëve, heronjve e dëshmorëve. Radhët tona, po shtohen nga dita në ditë, e ne do të mbetemi në vite e dekada armatë shtuar dhe do të mbajmë ndezur në breza idealet e partizanëve, të lirisë.

 Agim Çiraku:

Djali i Seitit

 Për mua si djalë i Seit Çirakut, familjen time e gjithë trungun familjar të Çirakajve, sot është një ditë e shënuar, pasi miq, ish bashkëluftëtarë të tim eti, drejtues të Komitetit të Veteranëve, janë të pranishëm në këtë dekorim që bëhet. Me këtë rast falënderoj kreun e Komitetit të Veteranëve zotin Rustem Peçi kolegët e tij për vlerësimin që i bënë babait tonë. Njëkohësisht, ashtu si në traditën tonë familjare, u garantojnë se traditat e luftës dhe mirënjohja për luftën për liri, partizanët që dhanë jetën në këtë luftë apo mbijetuan, janë e do të mbeten të nderuar e të respektuar dhe do të kenë kurdoherë mbështetjen tonë. Gjithashtu, gazeta “Telegraf”, ashtu si deri më sot, ka mbështetur luftën për liri, ka vlerësuar e publikuar në faqet e saj këtë luftë, heroizmin e partizanëve si dhe përpjekjet e veteranëve e pasardhësve të tyre për të mbajtur gjallë idealet e kësaj lufte. Ju falënderojmë dhe një herë nga zemra, duke u garantuar mbështetje të vazhdueshme në punën tuaj fisnike.