David Tukiçi:Dy çmimet e para të festivaleve i ruaj në shtëpi, për këngët “Globi rrotullohet” dhe “Sagapo”

2021
Sigal

INTERVISTA/  Flet Drejtori Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH, David Tukiçi: Në filmin “Njësiti Guerril” luajta rolin e Ilirit

 David Tukiçi ka interpretuar që në moshë të njomë në opera “Madam Baterflai”, kur atëherë ishte vetëm 4 vjeç e gjysmë. Ishte në rolin e djalit të Pikertonit, ku babai luante rolin e Pikertonit. Në Estradën e Ushtarit kur ishte ende fëmijë ishte së bashku me Tonin Tërshanën, Arta Babaramon, apo aktorin e madh Roland Trebicka, të cilët kishin një diferencë të madhe moshe. Në moshën 13 vjeç zuri vend të parë në Festivalin e 8-të të RTSH me këngën  “Globi rrotullohet”. Ka kompozuar një numër të madh simfonish, pjesësh instrumentale dhe vokale. Sot aktualisht ai është Drejtor Artistik i Orkestrës Simfonike të RTSH-së dhe ne zhvilluam këtë bisedë me të.

Babai juaj ka qenë një ndër tenorët më me famë në Shqipëri mund të na thoni diçka rreth jetës së tij?

Babai im Ibrahim Tukiçi ishte një këngëtar që arriti t’i vëjë në skenë të gjitha gjinitë. Si tenor, duke filluar  kënga popullore, të cilën e kishte në gen sepse  filloi  me këngën popullore, pastaj duke vazhduar me këngët e përpunuara apo më shumë  me operën, pasi mbaroi pesë vjet  në  Akademinë “Çajkovski” në San Petërburg (Leningrad) ai ka kënduar  të gjithë repertorin që ekziston për tenor. Pra, çdo pjesë që vihej në skenë në opera për tenor ai ka kënduar.  Ai nuk ka luajtur vetëm operat që këtu nuk janë vënë si p.sh Vagnerin, i cili në skenat tona nuk është vënë në skenë asnjëherë. Por ai ka vënë në skenë gjithë repertorin italian, francez, gjermanë etj.. Unë, kur viheshin në skenë këto pjesë e shikoja gjithmonë me libër në dorë, pasi çohej natën pasi punonte me veten. Kryesorja e punës së tij ishte se ai i bënte shumë hyzmet zërit të tij. E konsideronte  të tillë, e konsideronte zërin e tij thesar se me të vërtetë kishte një zë  të bukur me një timbër shumë të veçantë. I bënte hyzmet diafragmës,  gjimnastikë, sepse, siç e dimë, një këngëtar nuk duhet të ketë vetëm një zë të bukur, por duhet të ketë dhe teknikën vokale,  për ta nxjerrë këtë zë dhe për ta mbajtur në formë. Në teknikën e zërit  është shumë e rëndësishme kaceku apo diafragma, ku ai bënte vazhdimisht ushtrime për diafragmën, sidomos  në mëngjes dhe mbante një regjim që rrallë herë mund të pinte diçka të ftohtë.  Në gjithë jetën e tij të gjatë artistike ai kurrë nuk pinte pije alkoolike, nuk hante akullore se e ndiente që i bënin keq. Mbante një regjim ushqimor, ku hante ato çka i shërbenin për të mbajtur në formë zërin e tij në shfaqje.  Unë vet do ta merrja shembull një artist të tillë, e them këtë, pasi nuk ka pasur asnjë artist të ketë pasur një regjim si babai im. Duhani për të nuk njihej. Ishte shumë rigoroz. Kjo ka bërë që deri sa jetoi zëri i tij ishte i pastër dhe plot timbër, ku edhe para se të vdiste këndonte repertorin që kishte kur ishte i ri. Ai qe një shembull për ne fëmijët pasi na edukoi me një edukatë, dhe disiplinë të fortë për punën, që talenti ynë të mos shkonte dëm. Ai thoshte, në një profesion si i yni nuk mjafton të kesh vetëm talent, por duhet dhe 99 për qind punë për të arritur diçka. Edhe nëna jonë ishte një grua me kulturë, që dinte disa gjuhë të huaja, ku ka punuar në bibliotekë kombëtare disa vjet, por disiplina e babait kishte tjetër natyrë, pasi bëhej fjalë për t’u bërë artist.  Nëse, ne tre fëmijët unë dhe vëllai artist dhe motra mjeke këto i kemi arritur në sajë të disiplinës që na rrënjosi babai.

Një profesion si yni do përkushtim, punë, disiplinë.

A u vlerësua babai yt në regjimin komunist?

Një zë si ai i nevojitej çdo sistemi, pasi këto talente si ai bëjnë art të mirëfilltë që lënë gjurmë në ndërgjegjen e një kombi. Ai shkoi  në Ansamblin e Ushtrisë, ku nga ky Ansambël dolën artistë me famë si: Çesk Zadeja, Avni Mula, Lluk Kaçaj,  Ibrahim Tukiçi, të cilët bënë dhe ushtrinë në Ansamblin e Ushtrisë, pastaj shteti për nevojat e tij i çoi për studime në Rusi, ku studiuan në një nga konservatorët më të mëdhenj të botës.  Ai ishte me parimin që nëse ke talent duhet të punosh edhe ne kështu na shikonte që kishim apo jo talent, sidomos kur bëhet fjalë për muzikën. Muzika do talent sidomos veshi.  Ai mori vlerësimin më vonë nga të tjerët dhe pse kishin mbaruar në një kohë shkollën dhe kishin të njëjtat merita. Pra titullin “Artist i Popullit”  e mori shumë më vonë, ku për mendimin tim, nga këngëtarët lirik ai duhej të ishte nga të parët që e meritonte këtë titull. Në fillim i dhembte që shokët e morën më parë titullin e lartë. Ai ka qenë tenor i parë në shumë shfaqje si tek “Kavaleria Rusikana”, Pallaçi, Karmen (Hozenë), si dhe  në veprat shqiptare duke luajtur Dodën i pari  tek opera “Mrika”,  tek “Karnavalet” ka luajtur një rol episodik

  Por një e metë e asaj kohe ishte se jo çdo gjë filmohej dhe regjistrohej. Kështu puna e tij nuk mund të shihet sot. Ai ishte një këngëtar që rolet e tij ishin premierë.

  Po ju si e filluat rrugën e artit?

Unë kam një nismë disi ndryshe. E fillova karrierën time si djali i Ibrahim Tukiçit tek opera “Madam Baterflai”, kur atëherë isha vetëm 4 vjeç e gjysmë. Isha djali i Pikertonit, ku babai im luante rolin e Pikertonit, amerikanin. Unë aty dy fjalë kisha për të thënë “mama, mama”, por isha në një oper, ku unë fillova të tregoj shenjat e talentit tim. Në atë kohë këndoja nëpër shtëpi dhe babai mendonte se unë do bëhesha një këngëtar i madh lirik sepse kisha vesh dhe temperamentin e një artisti. Babai e vlerësonte këtë talent që kisha dhe mendonte se do të bëhesha një tenor. Për këtë arsye kur luajta tek “Madam Baterflai”, kam marrë pjesë tek të gjithë Festivalet e Fëmijëve në Tiranë dhe në Shkodër. Pra, unë në këtë kohë u bëra shumë aktiv.

 Po ju famën e arritët me këngën “Globi rrotullohet”?

Pavarësisht se, me këtë këngë arrita kulmin, unë deri në këtë kohë kisha arritur dhe kënduar në shumë aktivitete. P.sh në moshën 7 vjeç fillova të këndoj me Estradën e Ushtarit të asaj kohe, pasi drejtor ishte një shkodran dhe ai e dinte se unë kisha në repertorin tim shumë këngë të babait, i cili mendonte se unë isha një Oselito i vogël. Kisha veshin e mirë, kisha zërin e bukur,  atë çka thoshja e interpretoja, pra e kisha filluar karrierën si asnjë moshatar imi.  Që 7 vjeç fillova të mësoj pianon në Liceun Artistik. Babai më futi për pianoforte sepse mendoi se, ky djalë një ditë po ju ndërrua zëri nga tenor mund të bëhet bariton, por për këtë duhet  të ketë një bazë muzikore dhe për këtë ndikoi që të vazhdoja për këtë degë.  Profesore kisha Karmen Nako, italiane e martuar me një shqiptar. Ajo ishte shumë e rreptë  me autoritet, shumë e përgatitur. Pra, unë bëra studimet nga më rigorozet në Pianoforte, pasi ne nuk kishim piano në shtëpi dhe pse shokët e babait kishin një të tillë në shtëpi. Dua të them që në Liceun Artistik mësuesja korrekte i thotë babait një ditë që Davidi të mësojë ndonjë vegël tjetër pasi nuk keni në shtëpi piano që të mësojë në kohën e lirë. Por babai i thotë, jo, jo, piano do të mësojë, sepse dhe nëse një ditë nuk do të bëhet këngëtar do të bëhet kompozitor sepse i ka të gjitha të dhënat. Unë e pashë me shumë habi babin tim. Sot, mendoj që ai kishte shumë të drejtë, pasi me bazë të shëndoshë dhe përgatitje të mirë  mund të bëhesh kompozitor apo dirigjent i mirë, pasi ai e njihte këtë fushë.

 Sa vjet këndove me Estradën e Ushtarit?

Plot dy vjet. Unë isha aty si profesionist dhe ata më merrnin kudo që shkonin. Pra shtatë deri në 9 vjeç unë shkoja kudo me Estradën.  Mbaj mend të gjithë këngëtarët e mëdhenj që më merrnin me vete, si: Tonin Tërshanën, Arta Babaramon,  apo aktorin e madh Roland Trebickën, i cili ishte ushtar në atë kohë.  Madje, në atë kohë kishte bërë këngë enkas për mua Agim Prodani.

 Pra pas gjithë këtij aktiviteti erdhi kënga juaj në  Festivalin e 8-të në RTSH?

Po. Nuk erdhi rastësisht. Kisha gjithë këtë karrierë.

Por dua të theksoj se, “Globi rrotullohet” i Nikolla Zoraqit  ishte diçka shumë e veçantë. Nuk erdhi si një rrufe në qiellin pa re. Ishte viti 1969, kur unë isha vetëm 13 vjeç e gjysmë dhe mora pjesë në Festivalin e  8-të të RTSH, ku zura çmimin e parë.  Deri në atë vit çmimet i kishte fituar Vaçe Zela. Pra ishte vitit 1969. Kjo këngë la mbresa shumë të mëdha. Ishte një këngë që solli një diçka të re. U befasuan të gjithë. Nga ky Festival s’kam asnjë regjistrim dhe më vjen shumë keq. Pra, atë Festival salla u çua në këmbë.  Ky aktivitet ndiqej nga i gjithë populli dhe ishte më i rëndësishme. Pas kësaj kënge këndova dhe një këngë tjetër në anketën e Radio- Tirana me tekst të Zhuljana Jorganxhi “Babit t’ja kaloj”, më hipi një krenari sa mendoja se do t’ja kaloja dhe babait, gjë që s’e arrita kurrë. Më vonë në një Festival të Ushtarit këndova këngën “Skënderbegas mua më thonë, emrin kam luftëtar”, një këngë që pati dhe kjo jehonë.  Në ato vite unë mora pjesë dhe në një film. Erdhi  Hysen Hakani në Lice dhe pa pyetur asnjë, jo me miqësi, ai vuri dorën tek unë. Më pyeti pastaj kush je dhe më mori më dha një rol tek filmi “Njësiti gueril”. Unë në këtë film luajta rolin e Ilirit.

 Pra në gjithë këtë aktivitet ju e latë mënjanë pianoforten?

Po. E lashë mënjanë. S’kisha shumë kohë. Por e rimora veten dhe u diplomova në Lice për këtë vegël muzikore. Pas shkollës së mesme, pra pas Liceut më çuan në Laç për të bërë stazhin. Ashtu ishte atëherë. Pra të shkoje në Akademinë e Arteve duhej të merrje karakteristikën e punës për 6 muaj në Pallatin e Kulturës në Laç dhe gjysmë viti në Kombinatin e Drurit po në Laç. Kjo më bën të çohesha në  4 të mëngjesit dhe të vija nga Laçi në orën 18-00. Në Laç kalova shumë mirë, aty njoha dhe Shefin e muzikës së Laçit, Ruzhdi Kerraj, i cili më trajtoi shumë mirë.  Unë në këtë kohë kompozoja dhe bëra një këngë për fëmijë “Rosat notare”, e cila doli në Festivalin e Shkodrës dhe mori çmim të dytë. Tashmë isha bërë i njohur si kompozitor. Pra doli dhe një talent tjetër si kompozitor i këngës, ku fitova dhe çmim të parë në Festivalin për Fëmijë në Laç.  Pas këtyre sukseseve i madhi Tonin Harapi më ftoi të shkoja në Konservator jo për piano por për kompozitor. Unë e dëgjova  këshillën e tij dhe fillova të shkruaj për konkursin e atij viti, ku konkurrova edhe si pianist edhe si kompozitor. Në këtë të dytën dola i pari me vota  unanime. Në shkollë më mori përsipër i madhi Çesk Zadeja, ku mësova pesë vjet për kompozicion. Në të gjitha lëndët profesionale dola shkëlqyeshëm, vetëm në lëndët e historisë si Historia e PPSH mora shtatë, pasi nuk mundja të mësoja dot (apo Ekonomi Politike). Isha prerë për kompozicion. Por unë në lëndët historike kisha në bankë Arben Imamin. Ai në këto lëndë ishte shkëlqyeshëm. Ishte i jashtëzakonshëm. Ishte i prerë për politikë.

Ku shkove kur mbarove shkollën?

Shkova në rrethin e Krujës. Sepse tek ai vend, ku bëre stazhin aty do të shkoje. Laçin atë kohë e mblidhte Kruja. Pra shkova në Shtëpinë e Kulturës në Krujë. U shkriva  me ta, u vesha me kostum krutan, me veshje popullore të tyre. Sa e bukur më dukej jeta mes atij grupi popullor. Ishin njerëz të gëzuar që e donin artin. Fillova dhe  të këndoja këngë krutane. Njëkohësisht, shkrova dhe një rapsodi për violinë me motive krutane, por këmbëngulja në kompozim.  Rezultate e mia aty ishin të shumta.

 Kur filluat në RTSH/

Pikërisht në këtë kohë të sukseseve të mia në Krujë RTSH donte një redaktor për muzikën dhe unë fillova punë aty. Të punoje në RTSH redaktor atëherë ishte një sukses dhe vlerësim i madh. Pra ishte viti 1983, pas tre vjetësh në Krujë.  Unë isha redaktor i muzikës së lehtë dhe muzikës simfonike. Këtu m’u dha mundësia  të kem afër Orkestrën Simfonike, si orkestra më e mirë shqiptare.

 Cilat janë këngët e tua si kompozitor në këtë kohë?

Janë shumë. Prodhimtaria ime erdhi në rritje. Kështu mund të them për këngën “Sagapo, të dua”  që e këndova vetë me Nertila Kokën  në vitin 1991 apo këngën “Dy gëzime në një ditë” që e vura në skenë në festivalin e Radios  që fitoi çmimin e parë, e cila u këndua nga Nertila Koka dhe unë.  Në Koncertin e Pranverës mora pjesë me këngën “Mirëse vjen dita e re”  me Afërdita Laçin që fitoi çmim të parë, “Artistë në jetë” është një këngë tjetër teksti Jorgo Papingji kënduar nga  Lindita Theodhori që në Anketë fitoi çmimin e parë, këngë, të cilat ngelen dhe sot pasi i has gjatë ditës në lokale apo në radiot e makinave. Në vitin 1990-‘92  filluan proceset demokratike dhe njerëzit s’e kishin më mendjen tek kënga dhe tek muzika.

 Atëherë u larguat për në Itali?

 Po. Mendova që të shkoja diku që të gjeja veten, që muzika pëlqehej dhe kishte hapësira. Dhe ky vend për mua ishte Italia që gjithmonë ka qenë promotor i muzikës në Europë. Unë me shkollën e Çesk Zadesë  mund të çaja, pasi ai kishte mbaruar në Rusi dhe ma kishte dhënë profesionin. Në qytetin, ku shkova për muzikën dhe krijimtarinë time më shpallën “Qytetar Nderi”.

 Çfarë do të veçosh nga Italia?

Kam krijuar shumë. Madje, unë në këtë periudhë krijova dhe një himn për policinë italiane. Menjëherë erdhën kërkesat për punë. Pas 18 vjetësh unë aty krijova dhe një opera.  Në këtë kohë unë mbarova dhe një shkollë të lartë për dirigjim në Francë në Paris. Në këtë shkollë shkuan dhe vazhduan 104 studentë, por vetëm katër vetë morëm diplomë. Pra, aty mund të shkonin të gjithë, por shumë pak diplomoheshin. Pastaj  bëra dhe një vit shkollë për kompozicion për të njohur teknikat e sotme të dirigjimit. Në vitin 2010  më kërkuan si Drejtor Artistik i Orkestrës së Radiotelevizionit, detyrë që e mbaj dhe sot.