Dalip Greca/ Kur Faik Konica përcillte Herman Bernstein nga Nju Jorku drejt Tiranës

886
Sigal

Me rastin e 85 Vjetorit të emërimit si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri

Shtysën për këto shënime, e mora  të dielën e 14 Dhjetorit 2014,  kur ambasadori shqiptar në Londër z. Mal Berisha prezantoi në Institutin e Kerkimeve Hebraike YIVO, ne New York, ligjëratën “Albanian – American – Jewish Relations and the Contribution of U. S Ambassador to Albania, Herman Bernstein”.

Në gazetën DIELLI, më e vjetra  gazetë e shqiptarëve në botim, e cila me 15 shkurt 2015,  mbush 106 vite nga dita e parë e botimit, gjenden kronika dhe shkrime të gjinive të ndryshme, që sjellin informacione të shumta, që nga dita e nisjes të ambasadorit amerikan drejt Tiranës e deri në ditë kthimin e tij.

Marrdhëniet e Konicës dhe Vatrës me Herman Bernstein, kanë qenë të shkëlqyera. Vatra e priti me gëzim emërimin e z. Bernstein ambasador në Shqipëri. Popullariteti që ai gëzonte jo vetëm tek hebrejtë, por edhe tek i gjithë opinioni amerikan,falë penës së tij dhe kurajos qytetare, mbështetja që gëzonte nga presidenti amerikan, u jepte shpresë vatranëve se Shqipëria do të fitonte shumë nga ambasadori hebre. Dhe nuk u zhgënjyen.
***

Në Gazetën”Dielli” të 21 Marsit 1930, faqa e parë i kushtohej pikërisht ”Ekselencës së Tij, zotit Herman Bernstein, Ministër i Shteteve të Bashkuara pranë Oborrit Mbretëror të Shqipërisë.” Ka vetëm një titull faqja e parë e Diellit të atij numri dhe pesë fotografi, të zotit Herman Bernstein, zonjës Bernstein dhe fëmijëve të tyre, Miss Dorothy, Mr. David dhe Miss Violet Bernstein. Ndërsa në faqen e dytë të gazetës, në vend të editorialit botohej shënimi”Ministri i ri i Amerikës”. Në momentin që janë publikuar fotografitë e familjes Bernstein në faqen e parë të Diellit dhe shënimi editorial në faqen e dytë, z. Bernstein, ende nuk ishte nisë për në Tiranë, por po gatitej për nisje. Në fakt ai e kishte marrë emrimin që me 17 Shkurt 1930 dhe u nis nga Amerika të mërkurën e 2 prillit 1930 me avulloren”President Roosevelt”. Ministri shqiptar në Washington, Faik Konitza shkoi ta përcillte në avullore ditën e nisjes , duke dhuruar tri buqeta me trandafila për të shoqen e ministrit dhe dy të bijat.

KUSH ISHTE HERMAN BENRSTEIN

Kush ishte Herman Bernstein deri në momentin e nisjes për në Tiranë? Herman Berstein ishte shkrimtar, gazetar dhe diplomat. Kishte lindur në Neustand-Scherwindt të Rusisë me 21 shtator 1876. Ishte i biri i David Bernstein, tregtar dhe njeri i ditur i hebraishtes. Hirsch Bernstein, ungji i tij, ishte themeluesi i gazetës së parë Hebraisht në Shtetet e Bashkuara që më 1870. Herman Bernstein emigroi në SHBA më 1893, ku mësimet e nisura në Rusi i përfundoi në Amerikë. Ishte i prirur pas shkrimeve dhe gazetarisë. Që më 1900 ishte bashkëpunëtor i rregullt i gazetës”The New York Evening Post” dhe i të përkohshmeve “Nation”, “Ainslee’s Magazine” dhe “Independent”. Gazeta famoze The New York Times e dërgoi z. Bernstein si korrespondent të saj në Evropë gajtë viteve 1908, 1909 dhe 1911. Gazeta Dielli tek do t’ua prezantonte lexuesve të vet aktivitetin gazetaresk të z. Bernstein për këto vite shkruante: “Në kohën e udhëtimeve në Evropë, z. Bernstein pati intervista me disa nga njerëzit më të shquar të Evropës si: Witte-n, Metchenikoff-in, Bergson, Bodi-n, Bernard Show-n, Tolstoi-n dhe mblodhi subjektet për librin e tij”Me mësonjësit e mendjes”, që e botoi më 1912.(Dielli 21 Mars 1930). Kur u kthye në SHBA, Bernstein themeloi më 1914 gazetën “The Day”, e përditshme në gjuhën Hebraishte. Ishte editori i saj deri më 1916. Ai po ashtu ishte botues dhe Krye-Editor i gazetës “The American Hebrew” nga vitet 1915-1919. Gjurmë ka lënë pena e tij në fushën e gazetarisë së kohës në vitet 1917, ku u dërgua në Rusi prej gazetës”The New York Herald”, ai përshkroi revolucionin dhe përmbysjen absolute të Carëve dhe dhe qeverimin e Sovjetëve. Ai mbahet si një ndër gazetarët më të rëndësishëm gjatë kohës së luftës së Parë Botërore. Bernstein kreu një studim në ato vite për vendndodhjet e popullit izraelit në shtetet ku bëhej lufta.

Penës së Bernstein i dedikohet korrespeondenca e bujshme mbi bisedën mes Carit dhe Kaiseri-t në kohën e luftës Ruso-Japoneze, ku ai nxori në dritën e diellit bisedat e fshehta që preknin interesat anglo-amerikane. Herald-i i Nju Jorkut e dërgoi Bernstein në Japoni, Siberi, e Çekosllovaki më 1918, ndërsa më 1919 ai ishet korrespondent special në Konferencën e Paqes në Paris. Më 1920-21 gazeta”The New York American” i kërkoi Bernstein-t që të përshkruante shtetet e reja të Evropës, që u krijuan pas Traktatit të Versajës. Për çdo vit ai ndërmerrte udhëtime me qëllime gazetarie dhe letrare në Evropë.

Karriera e Bernstein në Evropë ishte e pasur. Ai ishte edhe Editor i gazetës”The Jewish Tribune” nga vitet 1923 deri në 1928. Herman Berstein ka lënë pas edhe vepra letrare, si vëllimi me poezi “Fluturimi i kohës”-1899; një vëllim me përralla”Në portën e Izraelit” 1902, ka shkruar librin”Herbert Hoover, Njeriu që solli Amerikën përpara Botës”-1928 etj. Një trashëgimi të psur ka lënë Bernstein në fushën e përkthimeve nga rusishtja. Ai përktheu drama dhe përralla nga Tolstoi, Maksim Gorkit, Leonid Andreiv e të tjerë. Z. Herman Bernstein ishte martuar me 1 Janar 1902 me zonjushën Sophie Friedman dhe kishin katër fëmijë Hilda e martuar me z. Murray Giltin, Dorothy( e cila e bëri dasmën në Tiranë) Violet dhe djali David Bernstein. Është interesant të shënohet fakti se ceremoninë e dasmës së vajzës së Bernstein e drejtoi kryetari i Bashkisë së Tiranës Rexhep Jella dhe në të morën pjesë të gjithë anëtarët e kabinetit qeverisës. Dasma u bë të dielën e 19 tetorit 1930 në Legatën amerikane. Dorthi u martua me zotin Actius Nash, në atë kohë student i mjekësisë në një universitet francez.

DARKA MADHËSHTORE NË HOTELIN “ASTOR” NË NEW YORK, I FTUAR NDERI FAIK KONICA
Para nisjes së Ministrit Amerikan, miqtë e tij dhe lobi hebre, shtruan të Hënën e 31 Marsit 1930, një darkë përcjellje në Hotelin ”Astor” në New York. Lajmin e nisjes së Konicës për në New York gazeta Dielli e dha në numrin e 25 Marsit, në faqen e parë.  Në darkë morën pjesë më shumë se 200 të ftuar, mes të cilëve shquheshin diplomatë, kongresistë, juristë, shkrimtarë, artistë, financierë të shquar, gazetarë etj. Në këtë mjedis i ftuar nderi ishte Ministri i Mbretërisë Shqiptare në Washington z. Faik Konitza.  Në numrin e 4 prillit, Dielli përshkruante me shkëlqim darkën, ku merrnin pjesë personalitete më të njohura të kohës. Gjykatësi Otto A. Rosalsky, që Dielli e përshkruan si dollibashin e darkës, mbajti një fjalim të bukur rreth jetës dhe veprave të Herman Bernstein. Më pas ai ia ka dhënë fjalën milionierit filantropist Nathan Straus, i cili edhe pse i kishte kaluar të 80 vjetët, qëndroi deri në fund dhe foli për Bernstein, si një personalitet i kohës. Fjala më e zgjedhur u vlerësua ajo e zotit James W. Gerard, ish ambasadori i Amerikës në Berlin, si dhe fjala e z. Robert Underwood Johnson, ish ambasador i Amerikës në Romë. Që të dy thurën fjalë të hijshme, tepër lëvdonjëse për kombin shqiptar, dhe që të dy shfaqën mërzinë që nuk patën mundësi ta vizitonin Atdheun e Skënderbeut, Shqiperine. Shumë u duartrokit edhe fjala e Dr. Samuel Schulman, i cili e lëvdoi shumë Shqipërinë, dhe përmendi hebraisht fjalën e një profeti, kuptimi i së cilës ishte se një djalë izraelit nga populli do të dilte para mbretërve: kjo fjalë i shkonte pikë për pikë shkuarjes së Bernstein, që do ta priste Mbreti Zog. Në kronikën e fjalimeve të asaj nate plot shkëlqim, shënohet edhe fjala e Dr. Macfarland, përfaqësonjësi i Këshillit Federal të Kishave të Krishtit në Amerikë, i cili shtroi nevojën vëllazërimit të popujve. Vëmendjen e audiencës e ka tërheqë fjalimi që mbajti zonja Rebekah Kohut, kryetare e Kongresit të Përbotshëm të Grave Izraelite, e cila përmendi veprën e një spanjolli të Shekullit XVI, i cili kishte përshkruar me admirim figurën e heroit të Kombit Shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pikërisht aty e kishte marrë ngacmimin Longfellow, për të shkruar poemën e vet, që i jep lavdi heroit shqiptar. Zonja Rebekah nuk harroi të përmend edhe takimin që kishte pas në Vienë me motrat e  Mbretit Zog I. Atë natë u fol vetëm për Shqipërinë dhe Bernstein.

SHKËLQIMI I FAIK KONICËS NË DARKËN PËRCJELLSE

Fjalimin e Faik Konicës, gazeta Dielli, që për atë kohë kishte editor Refat XH. Gurrazezi, e përshkruan me supershkëlqim, duke e paralajmëruar në faqen e parë:”Zoti Faik Konica jep një fjalë të pritur mirë…. Përgënjeshtron propagandat e padrejta kundër Mbretit tonë…. Lëvdon Trimërinë, Zotësinë, Zemërbardhësinë e Mbretit….Të gjithë të ftuarit ngrihen në këmbë dhe pinë Shëndetin e Madhështisë së Tij…”. Ministri i Shqipërisë e kishte marrë fjalën pas orës 12 të natës. Ishte i parafundit në radhë, para ministrit amerikan Bernstein.

Në fjalën e tij z. Konitza e komplimetoi Ministrin Amerikan, z. Bernstein, si një njeri që bashkon në personin e tij dy gjëra, që rrallë janë të bashkuara-Ëndrrën dhe Veprimin: Zoti Bernstein, tha ai, është ”both a man of letters and a man of action, both a dreamer and a fighter”. Konica shtoi se z. Bernstein pati fatin e çuditshëm të njihet dhe të fjaloset me figura historike si Papa Benedikti i XV dhe Presidenti Wilson, me shkrimtarë si Tolstoi dhe Bernard Shaw, me shkencëtarë si Mecnikof-i dhe Einstein-i, me artistë si August Rodin-i etj. I patrembur dhe i palodhur, si korrespondent lufte dhe kryengritjesh është futur në sheshet më të rrezikshme. Vetëm një popull kishte mbetur gjer tani i panjohur për zotin Bernstein-populli shqiptar dhe këtë popull do ta vizitojë për së afërmi si i Dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Konica e shfrytëzoi mjeshtërisht fjalimin, për të vrarë me një gurë dy zogj; përgënjeshtrimin e shkrimeve të gazetarëve trillues, për të hedhur dritë mbi shpifjet kundër Shqipërisë dhe Mbretit, dhe së dyti për t’i bërë apel Ministrit amerikan para miqëve të tij dhe para gazetarëve, që ta shihte Shqipërinë me sytë dhe zemrën e tij, jo me të thënat e gazetave.

Faiku tha:- Një gjë që z. Bernstein ka për ta vënë re menjëherë është ndryshimi i madh në mes  Shqipërisë siç është, dhe Shqipërisë siç e kanë përshkruar gazetarët. Konica, shtoi se njeriu, mund t’i ndajë gazetarët në dy soje; gazetarët-historianë, që vazhdojnë me kujdes e me ndërgjegje historinë e sotme siç po bëhet në sytë tanë; dhe gazetarët poetë, të cilët nxjerrin lajme jo nga burime të jashtme, por vetëm nga fantazia e tyre. Gjer më sot më të shumtët gazetarë të huaj që janë marrë me Shqipërinë, janë të sojit të dytë, tha Faiku.

Kryediplomati shqiptar, Konica, e bëri për vete auditorin, kur filloi të tregojë shembuj konkretë. Salla shpërtheu në të qeshura e habi, kur ai tregoi: “Afro këtu e katër vjet më parë, qindra gazeta në Amerikë botuan lajmin se kish dalë në Shqipëri një vullkan dhe një liqen i Ri me ujë të nxehtë që valonte:- shumë qytete dhe fshatra u prishën… Ministri shqiptar në Washington nisi të marrë telegrame ngushëllimesh nga gjithë anët e Amerikës. Madje dhe vizita zyrtare u bënë në ambasadë. Pasi u kabllua në Tiranë, u mësua se gjithçka nuk ishte e vërtetë, lajmi ishte i shpikur nga rrënja në majë.”  Pastaj Konica kishte shtuar me ironi: Ndoshta gazetari- poet që çpiku këtë lajm kish parë çiliminj të lozin afër një pellgu me ujë duke djegur kashtë…Të qeshura…! Pasi dha edhe disa shembuj të tjerë, Konica komentoi se: “Sot, gazetarët kanë hequr dorë nga vullkanet dhe liqenet me ujë të përvëluar, mania e tyre është të çpikin lajme mbi Mbretin e Shqiptarëve dhe Shqipërinë. Mbretin, herë e përshkruajnë si njeri të shkurtër e të trashë, të veshur pa shije, herë si njeri pa mëshirë, herë si njeri të trembur që ruhet tepër, e të tjera marrëzira. Fakti është, tha Konica, se Mbreti Zog është një i ri 35 vjeçar, i qytetruar, i hollë, i veshur me shije dhe pa shkëlqim, jo vetëm më i dukshëm, por dhe më i zoti i të gjithë Mbretërve që rrojnë sot. Që të kuptojë njeriu zotësinë krijonjëse të tij duhet të ketë njohur Shqipërinë si ish para se ta merrte ai fuqinë, dhe si është sot. Vlera e një njeriu, veçan e një njeriu të kësaj shkalle, nuk matet me fantazi, por me studimin e kthjellët dhe të duruar të fakteve.” Pas fjalës së Konicës drejtuesi i darkës kërkoi të ngriheshin në këmbë dhe të pinin shëndetin e Mbretit të Shqiptarëve. Banketi përfundoi me dhurimin e një busti mermeri të z. Bernstein, vepër e skulptorit të njohur të kohës, Moses Dykaar, dhuratë e miqëve. Ky banket madhështor u mbyll në orën 1 të mëngjesit të 1 prillit 1930. Shumë gazetarë i shtërnguan dorën Faik Konicës për informacionin e hollsishëm që dha për Shqipërinë dhe Mbretin Zog….
BERNSTEIN DREJT SHQIPËRISË

… Gazeta “Dielli”e 21 Marsit e përcaktonte kështu personalitetin e ministrit Amerikan Bernstein: “Shkrimtar i zoti, njeri me karakter, dhe me kurajë, z. Bernstein është një nga personalitetet më të forta të Amerikës. Është ay që e shtërngoi Henry Ford-in të heqë dorë nga lufta fanatike që industrialisti i madh kish vazhduar disa vjet me radhë kundër izraelitëve. Sot, z. Ford është një nga miqtë e çquar të z. Bernstein, i cili ka një shumicë miqësh këtu dhe veçan, gëzon miqësinë dhe besimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në komentin e tij, Dielli shënonte se z. Bernstein shkonte si përfaqësonjës diplomatik në një vend që ka vuajtur qindra vjet dhe vazhdon së vojturi nga grackat dhe çpifjet e popujve të tjerë.
Dielli shfaqte bindjen se z. Bernstein do ta përkrahte popullin shqiptar dhe se shpejt ai do të shfaqte simpatinë për shqiptarët, me gjithë mungesat e mëdha. Po ashtu Dielli shfaqte bindjen se”S’kemi asnjë dyshim se Shqipëria, e cila kurdoherë ka nderuar karakteret e forta dhe mendjet e holla, do ta bëjë z. Bernstein të ndjejë se është mes miqsh dhe si në shtëpinë e tij.” Pasi prezantonte familjen e Ministrit Amerikan, artikulli mbyllej me urimin:”Vatra dhe Dielli, i urojnë udhë të mbarë!”