Dalip Greca/ Fotografi shqiptar Gjon Milli, mik i piktorit të famshëm Pablo Pikaso

140

Gjon Mili konsiderohet ndër 100 fotografët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Fotografia e Pikaso, është ndër kryeveprat e artistit shqiptar

(Vijon nga numri i kaluar)

PAK FJALË PËR NJË FOTOGRAFI-GJON MILI PRANË FAIK KONICËS

Në këtë speciale po ribotojmë një fotografi, ku Gjon Mili ndodhet pranë Faik Konicës. Fotografia është marrë gjatë kohës kur ka zhvilluar punimet Kuvendi i Vatrës për vitin 1927. Në foto janë dy persona të paidentifikuar, i katërti në këmbë(duke filluar numërimin nga e majta) dhe i fundit, po në këmbë. Editori i atëhershëm i Diellit ishte Aqile Tasi. Pasi boton fotografinë ai pyet publikisht lexuesit se kush i njeh dy personat të bëjë identifikimin me qëllim që të botohen emrat e plotë në numrin e ardhshëm. Për shumë vite askush nuk bëri identifikimin, por më vonë, u identifikua njëri- i katërti; ishte Nelo Drizari. Po të vështrohet me kujdes ajo foto ishte lehtësisht e identifikueshme. Gjithsesi kjo u mësua vonë, nga një letër që i dërgoi Nelo Drizari, Kristo Thanas, ku tregonte qejfmbetje për “mosnjohje” nga editori i asaj kohe. I fundit në këmbë, ka mbetur ende i paidentifikuar. Po pse po e bëjmë këtë sqarim? Sepse edhe sot kësaj dite, sa herë riprodhohet kjo fotografi, në vend të Nelo Drizarit përdoren pika te retiçencës dhe një(?). Gjithsesi nuk është ky qëllimi i botimit të kësaj fotografie. Ajo botohet për të treguar se Gjon Mili ishte pjesë e Vatrës, se ndryshe ç’donte ai në atë Kuvend të Vatrës? Miku i Faik Konicës,(shiheni edhe ne fotografi ka vënë lehtazi dorën tek supi i Faikut), është pas tij, ishte në atë kohë arkëtari i Vatrës. Pra nuk ndodhet rastësisht në atë foto, siç shprehet një artikullshkrues për Gjon Milin. Po pse është shkruar i amerikanizuar emri i Gjon Milit? Ai për vete nuk e përdori asnjëherë emrin e amerikanizuar “John”; së paku në gazetën Dielli nuk e gjejmë, me përjashtim të diçiturës në foton në fjalë, por kjo i duhet faturuar editorit se diçituarën e fotografisë nuk e ka shkruar Gjon Mili. Po cilët janë personat në këtë fotografi historike me Faik Konicën? Duke filluar nga e majta-ulur; Konsulli George Prifti, Sotir Vasil Katundi, Faik Konitza, Adem Vishocica, në këmbë-nga e majta; Refat Gurrazezi, Mehmet Korça, Seit Piluri, Nelo Drizari, Gjon Mili, Xhaferr Floqi, Xhemal Sheh Progri, Ismail Mevlani, Sotir Kondi, Kristo Thanas, dhe i fundit ka mbetur i paidentifikuar. Me Faik Konicën Gjon Mili ishte njohur sapo kishte shkelë në Amerikë. Ishte fat për të që takoi mjeshtrin e madh të letrave. Në kujtimet e tij, të publikuara edhe në “Gjon Mili- Photografs & Recollections”, ai ndjehet me fat që e ka takuar Faikun. Ja se çfarë pohon vetë Mili: Në vitin 1923 erdha në Amerikë dhe isha në kërkim të një karriere për inxhinieri. U miqësova me Faik Konicën. Për lidhjet mes Gjon Milit dhe Faik Konicës dëshmojnë edhe letërkëmbimi i Gjon Milit me Sotir Kondin në vitet ’30, i cili është i pranishëm në fotografinë e 1927.

RRËFIME TË GJON MILIT PËR FAMILJEN

Gjon Mili ka shkruar në rrëfimet për familjen me shumë dashuri, ka shkruar për babanë, nënën, motrën Costanca, vëllanë Vasil, dajën Koço, xhaxhi Hristo, ka shkruar me dhimbje për vdekjen e babait etj. Ai kujton se nëna dhe babai ishin lidhur me ndërmjetësi. Madje ceremonia e fejesës ishte bërë në Bukuresht, por nëna nuk kishte qenë e pranishme. Ajo ishte prezantuar në mungesë me një fotografi. Ndërmjetësi ishte xhaxhai Hristo. Ai doli dorëzanës për nënën e Milit. Mjeshtri kur i rrëfen kujtimet, nuk i kursen vlerësimet për nënën e dashur Viktori. Ajo ishte e arsimuar dhe kishte përfunduar studimet për mësuese, por martesa me Vasilin, babanë e Gjonit (po Vasil quhej dhe vëllai më i vogël i Milit), e shkëputi nga profesioni. Mili shkruan “Nëna ishte një studente shumë e mirë. Ajo u diplomua për mësuese, por katër vjet më vonë u martua dhe hoqi dorë nga mësimdhënia. Atij i mbeti peng që për një kohë të gjatë nuk mundi ta takonte nënën e tij të dashur. Kur u kthye në Bukuresht pas 43 vjetësh mërgim, nëna kishte 12 vjet që kishte ndërruar jetë. U ndje i trishtuar gjatë atij kthimi, por e shoi mallin me kujtimet dhe me bisedat me motrën Costancë dhe vëllain Vasil. Milit i bënte shumë përshtypje që nëna mbeti e ve’ shumë herët. Madje një herë ai guxoi dhe hapi me të një bisedë të vështirë. Nëna nuk i hoqi rrobat e zeza, sipas traditës së vendit nga vinte. Ishte një mëngjes, kur ai me vëllain e motrën ishin gati për të dalë për të luajtur. Nëna e mbajti pak më pas dhe pjatën e saj ia afroi atij. Gjon Mili në atë kohë ishte 16 vjeç. Kishin kaluar tre vjet të zisë për vdekjen e babait. Ai e pyeti troç nënën: përse nuk gjeni një burrë tjetër? Fillimisht ajo nuk iu përgjigj. Por Gjon Mili vazhdoi të këmbëngulte. Madje i përmendi edhe disa kandidatë. Ajo fillimisht u nxeh, por pastaj, me zë të ulët, ia ktheu përgjigjen: Një njeri i vetëm ka hyrë në jetën time…Nuk kam nevojë për asnjë tjetër…! Edhe për babanë, Gjon Mili flet me shumë nderim. Ai do ta kujtonte të atin si një ëndërrimtar të përhershëm; ishte një tip aristokrati i lindur, me sjellje fisnike. Babai kishte një dyqan në Bukuresht. Ishte një bakery (furrë buke), që ndodhej pas shtëpisë së tyre. Shtëpia përbëhej nga dy dhoma dhe një kuzhinë. Gjon Mili shkruan se babai i tij kishte lindur me mbiemrin “Mili”, por në Bukuresht përdori edhe mbiemrin “Milidi”.

KUJTIMET DHE VUAJTJET E LUFTËS

Gjon Mili mbeti jetim pasi babai ndërroi jetë gjatë Luftës së Parë Botërore. Siç do të shkruante vetë ai, babai i ndërroi jetë gjashtë muaj para se Rumania të hynte në luftë në anën e Aleatëve Perëndimorë. Ai kujton vështirësitë e mëdha që kalonte Bukureshti, vendi ku jetonin në kohën e luftës. Me plot emocion përshkruan kohëluftën në Bukuresht: vendi u pushtua nga ushtria gjermane e uritur për grurë dhe naftë. Për fat të keq edhe moti ishte i ashpër, një arktik i vërtetë; stuhia e grumbulloi dëborën deri në 3 metra lartësi. Transporti u paralizua. Ndjehej mungesa e madhe e ushqimit dhe karburantit. Bukureshti u kthye në një qytet të uritur. Mili kujton se shkollat ishin improvizuar në spitale. Ai e përshkruan veten si pjesëtar i “ekspeditave të natës” së bashku me shumë djem të tjerë, disa shumë më të mëdhenj se ai. Ata luftonin për të mposhtur të ftohtin dhe urinë; nuk kursenin as gardhe e as qymyrin që mund të gjenin në stacionet hekurudhore. Radhët e gjata për të blerë një bukë ziheshin që në mesnatë e deri në mëngjes edhe nga Gjon Mili. Qëllonte shpesh që kur vinte radha s’kishte më bukë. Dhe ai mbetej i uritur së bashku me familjen. Mili përshkruan hollësishëm një rast, kur një mëngjes ka vënë re një ushtar të ri, flokëverdhë, që i shndriste fytyra e dhjamosur. Ai qëndronte përballë dyqanit të Milëve dhe sapo kishte përfunduar prerjen e një buke 4 kilogramshe dhe po e lyente fetën e madhe me sallo. – Shikoni atë, si e kanë majmë si një derr para Krishtlindjeve…nëna duket e sfiduar, ndërsa vëllai Vasil dhe motra Costancë qëndronin të topitur. Ishte pranvera e vitit 1917, kur Gjoni ishte vetëm 13 vjeç, kur babai ndërroi jetë dhe atij iu desh që të ulej në krye të dhomës së pritjes dhe të priste ngushëllimet për vdekjen e babait. Ai thotë se edhe në Bukuresht respektohej tradita e maleve tona. Ai e ruan në kujtesë përcjelljen e babait. Nga ai moment Gjon Mili do të ishte në krye të tavolinave për çdo ngjarje familjare apo kur do të përfaqësonte familjen në komunitetin e atjeshëm.

ARDHJA NË AMERIKË, NJOHJA ME FAIK KONICËN

Fëmijëria dhe rinia e hershme e Gjon Milit kaluan në kryeqytetin rumun, Bukuresht. Atje u krye edhe arsimimi i tij. Mili studioi në Kolegjin Gheorghe Lazar National në Bukuresht. Kishte kaluar çaste të vështira, veçanërisht pas vdekjes së babait. Shkak për të lënë Bukureshtin ishte bërë një ngjarje në familje. Kishte ndërruar jetë xhaxhai Hristo, i cili dikur kishte shërbyer si dorëzanës për lidhjen e nënës Viktori me babanë Vasil. Xhaxhai ishte qarë me vaje sipas zakonit shqiptar. Gjon Mili gjen rast dhe përshkruan hollësisht vajin e gjyshes me nënën e tij. Vaji bëhej dyshe, gjyshja ia merrte, nëna e tij ia kthente. Secila zbrazte dertet e jetës. Është një vajë tipik shqiptar. Në atë vaki kishte ardhur nga Bostoni, ku jetonte edhe daja Koço Çika. Ai ofroi sponsorizimin e udhëtimit për në Amerikë, në kërkim të një karriere. Dy vjet pas propozimit që i bëri daja, Mili u nis drejt Amerikës. Një mëngjes, shkruan ai, unë u nisa për në Amerikë. Njohjet dhe lidhjet e dajës e çuan tek Faik Konica dhe vatranët. Në kujtimet e  tij Gjon Mili do të shkruante për njohjen dhe miqësimin me Konicën. Për Milin, që në momentin e takimit me Konicën,(Mili ishte një djalosh 19 vjeçar asokohe e Faik Konica rreth të 50-tat), para tij qëndronte një shkrimtar elegant, një humanist i kulturuar dhe një intelektual i zgjuar(Gjon Mili- Photographs & Recollections, f 18, botim i vitit 1980, Boston Massachusets). Gjon Mili tregon se njohja me Faik Konitzën i dha drejtim rrugës së tij drejt arteve, filmit dhe fotografisë. U miqësova me Faik Konicën, shkruan ai, dhe kjo më dha drejtimin e duhur. Ai më rekomandoi  dhe më drejtoi vëmendjen për një artikull të shkruar nga G.K. Chestertan, botuar në gazetën London Fllustrated Neës, që eksploronte vlerat e zhanrit të filmave. Kjo, vazhdon Mili, më frymëzoi që të merrja klasa për dritën dhe optikën në Universitetin MIT. Që atëherë pohon ai, e mora si zakon të shikoja filmat disa herë, e të rishkruaja skenarin dhe ëndërroja të okupoja Hollivudin.

RRUGA DREJT SHKËLQIMIT TË MJESHTRIT

Rruga drejt suksesit të mjeshtrit ishte e gjatë. Gjithçka nisi pas nxitjes dhe orientimit të Faik Konicës. Gjon Mili nisi të marrë klasa në MIT dhe hyri në magjinë e elektricitetit dhe më pas të dritës. U diplomua si inxhinier elektrik në Institutin e Teknologjisë të Massachusets. Kur u diplomua i shkroi nënës se e kishte realizuar qëllimin që i kishte vënë vetes. Nëna në vend që të gëzohej, iu ankua: “Po kur do të kthehesh pranë meje?….Por ai kishte ëndrra të tjera për të realizuar. Puna që bënte në Uestinghouse si inxhinier nuk ia jepte të gjithë atë që ai synonte të arrinte. Më 1937 arrin që të përdorë për të parën herë në historinë e fotografisë botërore Flashin elektronik. Bashkëpunimi me profesorin Harold Edgerton, shpikësin e dritës stroboskopike(që më 1931), ishte i suksesshëm. Bashkëpunimi i Milit me Edgerton qe i frytshëm. Shkonin shumë me njëri-tjetrin, ndoshta dhe mosha e përafërt ndikonte, Mili ishte një vjeç më i vogël, pat lindë një vit para tij, por ndërroi jetë 6 vjet para se të shuhej Harold. Të dy dhanë leksione të përbashkëta për dritën dhe flashin. Fotografia, u bë pjesë e jetës së mjeshtrit. Që më 1934 ai çeli të parën ekspozitë fotografike, por ende ishte amator i saj. Ekspozita e fundit e Milit i takon vitit 1980, katër vjet para se të ndërronte jetë. Dielli, gazeta ku kishte shkruar Mili, e jep njoftimin e çeljes së ekspozitës dhe i fton shqiptarët ta vizitojnë. Kjo ekspozitë e organizuar për nder të 75-vjetorit të lindjes së mjeshtrit, përmbante 140 punime. Takimi me Edgerton shënoi kthesën e Gjon Milit për ta lënë mënjanë inxhinierin dhe për t’iu përkushtuar fotografisë. Takimi me Edgerton e çoi tek magjia e flashit. Mili u mahnit me shpikjen e Harol Edgerton, sa i tha atij:”- Sikur të kisha këtë dritë, do të lija çdo gjë tjetër.” . Pikërisht në atë moment Mili e la punën e inxhinierit dhe iu përkushtua fotografisë. Më 1938 nisi punën si fotograf i revistës “LIFE”, një revistë shumë prestigjioze, e përbotshme. LIFE dhe Gjon Mili i dhanë shumë njeri-tjetrit, ai i dha talentin, ndërsa revista ia rriti emrin. Lidhja që nisi më 1938 vazhdoi deri në shuarjen e mjeshtrit Mili. Siç kanë konstatuar studiuesit, Mili krijoi shkollën e vet të fotografimit. Ai shquhet për hulumtimet e tij stroboskopike. Gjon Mili mbahet si pionier i dritës stroboskopike, konstaton fotografi Kosovar Burim Myftiu. Gjon Mili konsiderohet ndër 100 fotografët më të mëdhenj të të gjitha kohëve. Ai është mjeshtër i portretit, peizazhit, fotografisë dokumentare, fotografisë politike, fotografisë së arteve, fotografisë sportive etj. Ai ta kap si në çark, do të thoshte Sarti. Fotografia që mbetet më e vlerësuara është ajo e piktorit të famshëm Pablo Pikaso, duke vizatuar me dritë.  Marrëdhëniet me Pablo Pikason do të vazhdonin gjatë. Letërkëmbimi, sipas studiuesve ka vazhduar, por sot nuk ekziston më për shkak se studio e tij u dogj. Është rasti të sjellim rrëfimin e vetë Gjon Milit për tragjedinë që ndodhi në studion e tij, të cilën e kishte ngritë në një kishë të braktisur në Nju Xhersi. Ai nuk ishte në studio në çastin e rënies së zjarrit më 1966. Një njohura e tij e merr në telefon dhe e njofton se në këndin ku është studio e tij ka rënë zjarr dhe janë grumbulluar shumë zjarrfikëse që po luftonin me flakët. Zjarri e kishte përfshirë studion. Pjesa më e madhe e arkivit ishte djegur. Por vetë ai kujton se dy të tretat e dosjeve të fotografive u shpëtuan. Mili shkruan se dyshemeja e katit të tij kishte rënë mbi 12 zjarrfikësit, që luftonin me zjarrin. Studiuesi i njohur i fotografisë Qerim Vrioni e vlerëson kështu mjeshtrin: “Gjon Mili ngriti në art fotografinë, anën teknike të fleshit stroboskopik. Edgerton vërtet ishte shkencëtar por si artist ishte pas Milit dhe këtë e pranonte vetë. Ai thotë se Mili kishte vizion dhe na nxiti të shkojmë përpara”. Emri i Milit shpejt i kaloi caqet e Amerikës. Më 1946 ai hapi ekspozitën në Paris, e cila u përurua nga Jan Paul Sarter, ç’ka tregon vlerësim për Milin. Sartër e vlerësoi shumë teknikën dhe mjeshtërinë e Gjon Milit. Kësaj kohe i përket fotografimi i Edit Piaf. Por në realizimet më të suksesshme të Milit në Paris janë fotografitë antologjike për të gjitha kohët “Pikaso duke vizatuar një centaur”. Mili përdori teknikën e tij të flashit me shumë shkrepje. Gjon Mili u dha shumë edhe pas filmit. Pas rekomandimit dhe orientimit të Faik Konicës, ai u bë frekuentues i rregullt i kinemasë. Më 1944 Mili realizoi filmin “Jamming the Blues”, një dokumentar dhjetë minutësh për muzikën, ku Mili ishte regjisor. Është një film që e ruan interesin edhe sot. Filmi ishte i nominuar për Oscar. Pati dhe tentativa të tjera për realizim filmash, por Mili mbetet mjeshtri i dritës në realizimin e fotografisë artistike. Ideja e pikturimit në ajër ishte magjike. Kur flitet për fotografinë me dritë stroboskopike, gjithkujt mendja i shkon tek mjeshtri Mili. Në vitet 1940-60 Mili është marrë shumë me artin skenik, muzikantët, teatrin. Ai fotografoi balerinët, muzikantët e jazz-it. Fotografoi me teknikën e tij siluetat, duke fiksuar lëvizjet gjatë vallëzimit. Për Milin pozuan artistë gjenialë si Pikaso, Sofia Loren, Frank Sinatra, Marlon Brando, Presidenti amerikan Harry Truman, Sean O. Casey, Alfred Hitchcock, Helen Vaigel-bashkshorte e Brehtit, Senatori Sam Ervin, aktori Peter Lorrre, aktorja Julie Harris, Beçy Mitchell, Saul Steinberg, piktori francez Raul Dufy, dhe qindra personalitete të kohës. Mili është pjesë e enciklopedisë së fotografisë artistike botërore. … Para viteve ’90, Gjon Mili nuk njihej në Shqipëri, por pikërisht më 1990, u krijua shoqata e fotografëve profesionistë të Shqipërisë me iniciativën e fotografit Pirro Naçe. Kosova ka gjetur një formë origjinale të nderimit të mjeshtrit; çdo shtator atje organizohet Konkursi botëror me emrin e Gjon Milit.