Dalip Greca: Bahri Omari, Editorialet kundër Esat Pashë Toptanit

170

Bahri Omari – Intelektuali idealist që luftoi për shpëtimin e Shqipërisë.

Bahri Omari është i ashpër jo vetëm me armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, por edhe me tradhtarët shqiptarë. Në editorialin me titull “Neroni i Shqipërisë”, botuar në “Dielli” e 1 gushtit 1916, ai shkruan: “Esat Pashë Toptanit, këtij gjakpirësi, s’i arritën të bënte sehir ngjarjet tragjike të mëmëdheut të tij, tani do dhe t’i verë zjarrin, si Neroni Romës. Ky gjeneral i famshëm! Ky mbrojtës i Shkodrës për të kurorëzuar veprat e tij do dhe t’i verë flakën Atdheut! Ky faqezi, pasi vizitoi fortesën e Verdunit dhe dëftoi mendjet strategjike të tij, tani bredh oborreve të Evropës duke vënë Shqipërinë, këtë mëmëz të dashur të shqiptarëve, si plaçkë pazari që të mbushë qesen, të ngopet me napolona, me flori.”

Pena e Omarit është e mbushur me hidhërim: “Më së fundi ky vagabond zuri të ngjyrosë ne ngjyrën e tij edhe shqiptarët e shkëlqyer të Amerikës, që t’i bëjë vegla të tij. Ky tradhëtor i Kombit zuri të mburret se mund të sjellë nga Amerika më shumë se 15 mijë shpirt dhe të lëftojë, të dëftojë trimërinë e tij! Por te shqiptarët e Amerikës s’arrijnë djallëzitë e tij. Shqiptarët amerikanë jan’ aq të lartë sa s’mund t’i arrijnë kurrë pabesia e një lajkamadhi e tradhëtori. Esadit edhe dibranët e tij besnikë ia morën vesh dinakëritë…” Editori është i pamëshirshëm, ai denoncon veset e këtij gjenerali që shtiret si i ditur, por s’di asgjë, të këtij despoti, që dhe më besnikëve u jep sëpatën në kokë. Omari e paralajmëron Esadin që të mos flasë në emër të shqiptarëve të Amerikës në Evropë, sepse ata e kanë një përfaqësues zyrtar atje, ai është vetëm Mehmet Konica. “Për shqiptarët e Amerikës, shkruan Omari, Esadit nuk i numërohet asnjë e mirë përveç krimeve, sa ishte komandant i xhandarmërisë në Janinë, nuk la shqiptar pa rrjepur e grabitur, fjala ”hajdut me çizme” i shkon më së miri atij. Puna e tij gjithë jetën ka qenë pabesia, siç ishte vrasja e komandantit të Shkodrës, Hasan Rizai, që t’i zinte vendin dhe të vraponte të lidhte fjalën me trashëgimtarin e Malit të Zi, që t’i dhurohej froni i Shqipërisë…Editori do t’i kthehej kësaj figure edhe herë të tjera. Në një editorial të 14 shtatorit 1916, botohet editoriali ”Esadi na çon të fala!”. Omari shkruan: “Këtij faqeziu s’i mjaftuan gjithë ato drama që lojti në kërthizën e Atdheut, po tani kërkon t’u hedhë kripë plagëve, dhe pas gjithë atyre mjerimeve shkon të lozë dhe komedira politike.” Esadi i ka paraqitur shqiptarët e Amerikës si shërbëtorët e tij dhe u ka dërguar të falurat e tij. Prandaj Omari e ka titulluar editorialin “Esadi na çon të falat”, dhe ia kthen mbrapsht: “Një njeriu që tradhëton Atdhenë dhe i heq thikën në zemër mëmës, i ka plasur cipa, i ka plasur delli i ballit. I pëlqen Toptanasit të na salutojë së largu me anën e korrespondentëve si sipëranët që salutojnë popullin, subjektet e tyre. Mani e madhështisë në ç’pikë e fut njerinë! Pasi na çon të falat ky katil i mëmës, na jep gëzimin që do të na vizitojë. Vërtetë është për të qeshur…Ky është njësoj si të gjithë aventurierët që kanë ardhur rrotull fronit të Shqipërisë…” Omari paralajmëron krye/tradhtarin: “Shqiptarët e Amerikës nuk janë shokë të Esadit, janë patriotë të vërtetë që mbajnë Lëvizjen Kombëtare të gjallë dhe të ndritur. Është shumë larg ky tradhëtor i Kombit që t’i ndotë këta atdhetarë me duart e fëlliqura me gjak të mëmëdheut. Bërtasim që ta marrë vesh gjithë bota e qytetëruar që Esati në sytë e shqiptarëve t’Amerikës s’është përveç një katil i mëmës tonë dhe s’ka asnjë rëndësi për shqiptarët e këtushëm.”

Bahri Omari është një analist i hollë, një polemist që nuk u lë asgjë mangët gazetarëve të kohës, një vëzhgues i mprehtë, është një njohës mjaft i mirë i zhvillimeve ndërkombëtare, njohës i fqinjëve, njohës i historisë dhe gjithçka pasqyrohet në editorialet dhe analizat që ai ka lënë në faqet e Diellit.

 

Bahri Omari shqiptarëve të Amerikës: Rrini me shëndet!

 

Në “Diellin” e 16 korrikut 1919, Bahri Omari botoi lamtumirën drejtuar shqiptarëve të Amerikës. Janë plot 3 vite në krye të gazetës së përditshme që u dha gjithçka shqiptarëve të Amerikës. Ka një rrëfim të sinqertë të tij në radhët e editorialit: “Nuk desha kurrë të ndahesha nga një ofiq të cilin e kërkova me aq dëshirë dhe zell, po nevojat e shtrëngojnë njerinë shumë herë të bëjë jo si i dëshiron zemra po si e urdhëron fati. Dëshironja të paktën të ndahesha nga DIELLI i dashur pasi të kisha lumtërinë ta shikonja Shqipërinë të lirë, ashtu si e dëshirojnë gjithë zemrat tona, dhe të kthehesha atje me kryelartësinë patriotike të një ushtari besnik, i cili Lufton luftërat e shënjta dhe kthehet me triumf në shtëpin’ e tij.” Bahri Omari në rrëfimin e tij shkruan se po e lë fortesën Kombëtare dhe kthehet jo si ushtar dezertor, por si një ushtar besnik, i cili mban disa plumba në kraharor. Ai është i sigurt se shqiptarët do ta çmojnë kontributin e tij për 3 vite, ku nuk pati mundësi të pushojë si të gjithë njerëzit, pasi ishte ushtar në front. Editori nuk harron pa falënderuar dhe çmuar rolin ndihmës të bashkëpunëtorëve, veçanërisht nën/redaktorin z. Andon Frashërin me të cilin bashkëpunoi me vëllazëri të pa përshkruar, duke pasur besimin e plotë ndaj njeri-tjetrit. Ai falënderoj drejtuesit e “Vatrës”, komisionet e saj me të cilët bashkëpunoi në harmoni.

Bahri Omari e nënshkroi lamtumirën, më 16 korrik, por iu desh ta pranonte sërish për pak kohë drejtimin e gazetës për shkak se editori Kostë Çekrezi, që e mori detyrën pas tij, me 30 gusht u emërua përfaqësues në Washington dhe shkrimi i fundit i Omarit në faqet e “Diellit” mbanë datën 3 nëntor 1919. Editor provizor, më 4 nëntor 1919, u zgjodh Loni Kristo.

Bahri Omarin viti 1920 e gjeti në Shqipëri. Në zgjedhjet e para të vitit 1921, që përfunduan në pranverë, Bahri Omari u propozua deputet në zonën e Gjirokastrës në një formacion të ri politik të asaj kohe me emrin ”Opinga”. Përballë tij ishte kandidati konservator Myfit bej Libohova. Omari fitoi mandatin dhe ishte një ndër 78 deputetët e Parlamentit të parë shqiptar, i cili i filloi punimet, më 21 prill 1921. Omari u ndodh në grupimin opozitar ku bënin pjesë figura të tilla si: Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, Sulejman Delvina, Stavro Vinjau dhe Ali Këlcyra. Roli i tij në Parlament ka lënë gjurmë. Bahri Omari e përkrahu atë që quhet “Revolucioni i Qershorit 1924” që solli Nolin në pushtet. Në 1 Nëntor 1924 Bahri Omari botoi gazetën e përjavshme ”Shekulli”, organ i Partisë Demokrat-Nacionale, ku Bahriu mbante postin e sekretarit politik të Partisë. Gazeta vijoi vetëm në 8 numra pasi në fund të dhjetorit 1924 ai mori rrugët e mërgimit, shkoi në Bari, së bashku me Luigj Gurakuqin, Sheh Ibrahim Karbunarën, Ibrahim Dedejin, Shefqet Korçën, Gjovalin Kamsin, Qamil Çelën, Lekë Margjinin, Beqir Velon, Mustafa Maksutin, Muharrem Vllamasin dhe Kostë Paftalin. Më 1927 mori pranë vetes edhe bashkëshorten e të birin 2 vjeçar, Luanin.

Pas 15 vitesh, në qershor 1939, kthehet në Shqipëri. Së bashku me disa prej ish-emigrantëve politikë dhe u emërua në Këshillin e Shtetit, organ me karakter juridiko-administrativ, që jepte mendime për konflikte me karakter administrativ. Gjithsesi ai mbeti i survejuar nga kuestura fashiste dhe emri i tij është gjendet në listat e personave të rrezikshëm për pushtuesit italianë. Me themelimin e Ballit Kombëtar u bë pjesë e tij. Gjatë vitit 1943 shkoi në Gjirokastër për organizimin e Ballit kombëtar, më pas kaloi në Delvinë, dhe kur po shkonte drejt Himarës, partizanët i bënë pritë dhe e plagosën. Pasi mbërriti në Tiranë u shtrua në spital për mjekim. Në Janar 1944 u kthye në shtëpi. Sipas arkivave, një ditë shkurti 1944, i shkon për vizitë Mit’hat Frashëri dhe i kërkon që të marrë detyrën e ministrit së bashku me ish-kryetarin e “Vatrës”, Kolë Tromara në Qeverinë e Rexhep Mitrovicës.

Në procesverbalin e gjyqit, ku u dënua me vdekje është kjo deklaratë e Bahriut: “Ndodhesha në shtëpi i sëmurë. Erdhi Mit’hat Frashëri dhe më tha të merrja pjesë në qeverinë e Rexhep Mitrovicës. E refuzova. Pastaj erdhi dy herë Rexhep Mitrovica, herën e dytë bashkë me Kolë Tromarën, dhe m’u lutën se duke parë gjendjen kaotike, si patriot, duhet ta pranoja…”

Gjyqi special i komunistëve, i organizuar nga 1 marsi-13 prill 1945, dënoi me vdekje editorin e “Diellit” dhe kryetarin e “Vatrës”, Kolë Tromara, si dhe menaxherin e gazetës “Dielli”, Aqif Përmeti. Ekzekutimi u krye, më 14 prill 1945, tek Kodra e Priftit