Dalan BUXHELI/ Si i varën gjermanët e ballistët 70 vite më parë Bule Naipin e Persefoni Kokëdhimën

2237
Sigal

Në varjen e dy heroinave, ishte vetëm një gjerman e 4 të tjerët ishin ballistë e kolaboracionistë shqiptarë

Në ato vite të robërimit të Shqipërisë, kur atdheun e kishte mbuluar kudo mjerimi, kur në zemrat e shqiptarëve e të rinisë vlonte revolta dhe urrejtja ndaj pushtuesit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, ishte rritur e forcuar besimin për fitoren e afërt, heroinat Bule Naipi e Persefoni Kokëdhima punuan e luftuan pa u lodhur për të sabotuar planet luftarake të fashistëve italian dhe më vonë të nazistëve gjerman. Ato me motivin VFLP u bënë tmerr për armikun. Është rast unikal në historinë e Shqipërisë pjesëmarrja në formacionet partizane e 6000 vajza e grave me armë në dorë për çlirimin e Shqipërisë, ku 24 prej tyre janë shpallur Heroina të Popullit. Kjo armatë e madhe ma vajza e gra, të cilat ubënë agjitatore dhe luftëtare të zjarrta, bëjnë pjesë dhe Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima që kur u kapën nga armiku, pranuan vdekjen dhe shokët nuk i tradhtuan. Ato u varën në litarë në sheshin “Çerçiz Topulli” më 17 korrik 1944 prej dorës gjakatare të Gestapos gjermane e ballistëve të përfaqësuar nga krimineli Idri Jazo, Komandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës, Veip Runa prefekt i Gjirokastrës, Ahmet Niviça e Xhafer Leskoviku që spiunuan kapjen dhe ekzekutimin e tyre. Ishin dy vajza të reja nga mosha por vigane nga shpirti e qëndresa.

Egërsia prej bishe e pushtuesve e ballistëve që u vunë në shërbim të tyre me synimin goditjen dhe eliminimin e forcave aktive që luftoni për çlirimin e Shqipërisë. Ata u treguan më të egër se vetë padronët e tyre, në gjurmimin, spiunimin dhe ekzekutimin e luftëtarëve të lirisë. Në 28 mijë dëshmorët e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, 29 janë varur në litarë. Nga 5 femrat e varura në litarë prej këtyre bishave me fytyrë njeriu gjatë Luftës së Dytë Botërore në Evropë, 4 janë shqiptare, përkatësisht Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Fato Berberi e Ganimete Trebeshi. Për kapjen e Bules hedh dritë zbulimi i dokumentit të prefektit të Gjirokastrës Veip Runa me N. 92/regj datë 22.07.1944 drejtuar Ministrisë së Brendshme ku raporton “se në mëngjesin e datës 17 të vazhduesit në sheshin publik të këtushëm “Çerciz Topulli”, është gjetur e varur e quajtura Bule Naipi, vajzë 22 vjeçe nga lagja Dunavat e këtij qyteti. E përmendura ka qenë e arrestuar dhe prej disa kohësh bënte pjesë në çetat anarkiste (lexo partizane). Në një informacion që kishte komanda e xhandarmërisë së këtushme rezulton se e përmendura shpesh kthehej nga çetat në këtë qytet dhe merrej me shërbime të partisë. Në gjurmimet që iu bënë u arrestua dhe u burgos dhe pas disa ditësh është ekzekutuar”.

Tradhtia e ballistëve të drejtuar nga sekretari i qarkorit ballist të Gjirokastrës, Ismail Golemi qëndron në veprimtarinë e hershme e të turpshme ku sipas të dhënave arkivore rezulton se në trupin gjykues të përbërë prej 6 vetë vetëm njëri ishte gjerman 5 të tjerë ishin ballistë kolaboracionistë shqiptarë që dhanë dënimin me varje në litarë për Persefonin e Bulen. Varja në litarë e dy vajzave shqiptare bëri jehonë të jashtëzakonshme në qarqet antifashiste evropiane, pasi antifashizmi është vlera më e madhe morale që ka krijuar njerëzimi në shek. 20-të, mbi këtë vlerë të madhe historike është krijuar Europa e sotme. Po ç’kanë thënë e ç’po thonë pinjollët ballistë dhe legalistët? Kanë mbi 2 dekada që po vjellin vrer, për ta paraqitur LANÇ-in si luftë civile për të deformuar historinë e për të justifikuar tradhtinë e etërve të tyre për krimet që kanë bërë kundër popullit e bijve të tij më të mirë. Tradhtia e ballistëve u deklarua edhe nga shkrimtari Peter Lukas në promovimin e librit të tij. Njëri nga pjesëmarrësit në promovim ju drejtua me këtë pyetje: Duket se je treguar pak i njëanshëm dhe ju ke hyrë në hak ballistëve e zogistëve sepse dhe ata kane luftuar?. Ai u përgjigj: Jo zotëri. Unë kam shkruar një libër historik mbështetur në dëshmi të pjesëmarrësve dhe të mijëra dokumenteve autentike të kohës së luftës që ruhen në arkivat shtetërore amerikane dhe që janë hapur së fundmi. Unë jam antikomunist por faktet janë kokëfortë. Partizanët ishin e vetmja forcë që luftonte kundër pushtuesve nazifashist. Të tjerët nuk luftuan, madje bashkëpunuan me okupatorin”. Bashkëpunimi me fashistët e tregojnë shumë masakra të kryera në qytetet e Shqipërisë me djegie, plaçkitje, arrestime, internime e vrasje masive të popullsisë së pafajshme. Në terrorin e ushtruar për eliminimin e antifashistëve shqiptarë bën pjesë edhe veprimi kriminal i Idriz Jazos me sejmenët e tij të ushqyer e financuar nga nazistët gjermanë që mundën të kapnin Persefoni Kokëdhimën e Bule Naipin. Persefoni Kokëdhima, partizane e brigadës Vl-të, e sëmurë dhe e plagosur rëndë, në pamundësi të lëvizte, e strehuar në një bazë të sigurt në fshatin e saj Qeparo, u zbulua nga spiunët ballisti sahan lëpirësi Idriz Jazo i cili me urrejtje e përçmim ju drejtua: Hë moj trimëresha e Kokëdhimajve do të na e sjellësh lirinë? Ngreu zuskë se turpëruat bregdetin maleve me djem!’. Pas kësaj e sollën të lidhur tek rrapi në mes të fshatit. Idrizi kërkoj vullnetar fshatarë apo më mirë akoma, farë e fisit të saj ta pushkatonin. Banorët me nofulla e grushte të shtrënguar shikonin me urrejtje tradhtarin, gratë me sytë të përlotur shikonin shoqen e tyre, motrën e tyre, bijën e tyre që qëndronte si trimëreshë. Nënë Kalopi u sul ta mbronte të bijën me trup. “Hë s’del njeri? S’paskan mbetur më burra në Qeparo?.. Heshtjen e theu Persefoni: unë rrëmbeva pushkën e dola malit së bashku me mijëra shoqe e shokë të tjerë që luftojnë për liri. Ky s’është turp por nder. Mos qani nëna, motra, vendi im në kompani s’mbetet bosh. Shokët do të marrin hakun. Ne do të fitojmë. S’vazhdoj dot më gjatë se ju hodhën e i zunë gojën dhe e nisën në burgun e kalasë së Gjirokastrës në një qeli me Bule Naipin që ishte arrestuar ditë më parë. Ekzekutimi i tyre u bë një distancë kohore prej gjashtë ditësh dhe jo një herësh Persefoni u ekzekutua në mesnatën e 12 korrikut në prezencë të Bule Naipit duke bërë diversion për thyerje morali e friksim nëpërmjet vdekjes që Bulja të tërhiqej nga idealet e të tregonte bazat partizane. Persefoni e qetë puthi Bulen ngjiti dy shkallaret e drunjta e i ra vetë me këmbë fronit të vogël pa pritur xhelatin, Bulja qëndronte si statujë mermeri me sy të mbërthyer te trupi i pajetë i Persefonit, pastaj befas u kthye nga armiqtë dhe thirri me gjithë forcën e zërit Bisha, bisha, ne na varni por lirinë, idealin tonë se varni dot kurrë’. Bule Naipi ishte një vajzë nga një familje me reputacion në Gjirokastër, ajo ishte një nga drejtueset e rinisë dhe gruas antifashiste. Veprimtaria e saj shtrihej në terren nga bregdeti deri në Konispol. Ballistët arritën të kapin Bule Naipin, atëherë kur për të shpëtuar ndjekësve, ajo kaloi nga një mur në tjetrin përmes plumbave,  u rrëzua dhe theu krahun. Xhandarët arritën ta kapnin dhe e sollën para Idriz Jazos, i cili ju drejtua Bules: E moj thëllëzë se mundove xhaxhain deri në mal u rrëzove me krah të thyer në këmbët e mija. Niseni me njëherë në komandë të qarkut kështu gjysmë të zbathur mes për mes qytetit që ta shikojnë të gjithë, i tha Limoz Runës djalit të perfektit Idriz Jazo. Veip Runa duke uruar në telefon qendër komandantin për suksesin e operacionit, e ftoj për drekë në shtëpinë e tij. Aty ndodheshin elita e reaksionit. Me kapjen e Bules shpresonin asgjësimin e tërë qendrës ilegale të komunistëve në qytet. Bënë planin e hetimeve dhe zbatimi iu besua Idrizit si më me përvojë. S’kaluan shumë dhe torturat ndaj Bules nisën me lëshimin e ujit të nxehtë që mbuloi krejt dyshemenë. Cërkat e para i përvëluan pulpat e këmbëve, ndërsa avulli i zinte frymën, Idrizi i kërkonte Bules të tregonte qendrën komuniste të qytetit, teknikën e partisë dhe bazat e saj. Më 5 korrik Persefonin dhe Bulen i çuan përsëri në hetuesi u kërkuan të firmosnin deklaratën për heqjen dorë nga lufta. “Kemi firmosur njëherë kur morëm pushkën, veç jo me penë e bojë, por me gjak shokësh e shoqesh që bien për liri”,- u përgjigjën ato. “Bushtra,- gjëmoj Idrizi, -nxori çakmakun e pasi ndezi cigaren që e mbante në buzë nisi t’u digjte lëkurën e hollë të gushës. Dy ditë s’i shqetësuan. As bukë as ujë s’u sollën, as plagët s’ja mjekuan. Të tretën ditë qysh në mëngjes “i nderon” me vizitë vetë sekretari i qarkorit ballist Ismail Golemi. ‘E Bule Naipi -tha ai -e shikon në ç’pozitë u takuam? Idriz Jazo përgatiti gjyqin tuaj. ‘Ju jeni llumi i tradhtisë i tha Bulja sa për kriminelin Idriz Jazo nuk bëhem merak. Armiqtë, si e panë që nuk ju doli plani për ta thyer Bulen me ballafaqimin jetë-vdekje ja nisën torturave fizike. Më 16 korrik i thyen 4 dhëmballë i shkulën një tufë të madhe flokësh duke e tërhequr prej tyre derisa e çuan te vetura e zezë në hyrje të burgut. Bulja ngriti ngadalë kokën e duke mposhtur dhimbjen e gojës e bulçive të coptuar foli shkoqur: Tradhtarë? E shikoni agimin që po afrohet? Është agimi i përjetshëm i popullit, i Shqipërisë së dashur për të cilën luftova e do të luftoja sikur edhe 100 vjet të kisha edhe 100 herë të më varnin. Ju vetë jeni errësira. Ditët i keni të numëruara vdekja palavdi e hakmarrja e popullit ju pret nga minuti në minutë’. Zëri ju shua ngadalë nën shtrëngimin e fytit prej gishtave të trashë të Idriz Jazos që ju vërsul si bishë. Në litarë e çuan gjysmë të vdekur.