Dalan BUXHELI/ Kuçi, bazë e sigurtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare

569
Gjaku i djemve dhe vajzave të tij u derdh pa kursim në luftën kundër pushtuesve të të gjitha kohërave. Shuri i Kuçit ku poeti i madh Andon Zako Çajupi gjeti frymëzimin me poemën e tij, O Labëri sa të dua shkruan: Gryke e Kuçit kush ka shkuar/ Dhe gjaku si ka qëndruar/ Në ato grika të shkreta/ U vranë dy mije vetë/ Dy mije ushtarë ç`u grinë/ Të shkelmonin Labërinë/ Por Gjon Leken nuk e dinë/. Ç`i pret në grike të vijnë/ Treqind Labëri qime verdhë/ Te grike e Kuçit u derdhë/ treqind shqiptarë/ Dërmuan dy mijë ushtarë/ Nuk mbeti turk me këmbë/ Kafshuan dheun me dhëmbë/…….Në këtë grike si pusi natyrore ka buçitë jo vetëm nga zhurma e lumit, por edhe nga krismat e pushkëve të stërgjyshërve, gjyshërve, prindërve e trimave partizane. Heroi i popullit Memo Meto në një nga poezitë e tij i referohet kësaj grike si shteg i sigurt në luftën mbrojtëse të popullit nga agresorët shkruan: Po gjëmon shuri përpjetë/ Dëgjohet një çap i lehte/ Shkon partizani ne çetë/ Ngrehu Kurvelesh i shkretë/ Dhe mbroje veten vetë/ Se ty s`të lenë të qetë/ Me milicë e me prefektë. Kuçiotët janë ngritur në këmbë sa herë janë shkele interesat e larta të atdheut, ata kanë luftuar kundër hordhive osmane, në mbështetje të Ali Pashe Tepelenës, në luftë kundër ushtrive greke 19.12.1914, në mbështetje të Ismail Qemalit në shpalljen e pavarësisë më 1912, në luftën e Vlorës 1920 kundër pushtuesve italiane dhe veçanërisht në pjesëmarrjen masive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Me 31 dhjetor 1941 në Kuç u hodh trakti i PKSH nga antifashistët Ali Lala e Fetan Toçi, të cilët natën në fshehtësi e ngjiten tek dera e komunës, në kazermën e milicisë fashiste, në dyert e dyqaneve të fshatit e në shkollë, që bënte thirrje për luftë të bashkuar kundër pushtuesve fashist për çlirimin e vendit. Leximi i këtij trakti pati jehonë të madhe në popull. Kështu në maj të vitit 1942 në vendin e quajtur Mrezhat e Nake formohet aktiviteti i parë antifashist me pjesëmarrësit më të shquar të luftës kundër pushtuesve të udhëhequr nga Mustafa Matohiti e Memo Meto, u ngrit njësit guerril, me 10 shkurt 1942 formohet këshilli nacionalçlirimtar, me 15 dhjetor 1942 në Kuç krijohen dy çeta partizane “Hajredin Tremishti” e “Toto Bolena”. Në maj të vitit 1942 në Kuç u krijua celula e PKSH ku bënin pjesë Mustafa Matohiti, Memo Meto, Shefqet Peci, Ali Lala Ago Celi e Bexhet Mema. Në Kuç për një kohë të gjatë ka qenë i vendosur spitali partizan. Gjithë operacionet e shumta që janë bërë në këtë rajon, armiku nuk mundi ta zbulonte. Kjo tregon se populli ishte i lidhur ngushte me lëvizjen çlirimtare dhe i mbronte partizanët si bijtë e vet. Të gjithë këtë veprimtari revolucionare, fashizmi e shikonte me shqetësim prandaj filloi të marrë masa duke dislokuar ne Kuç një garnizon të fuqishëm prej 100 milicë dhe 60 xhandarë nën drejtimin e brigadierit Metian Antoni, me gradën major si kuadër fashist i besuar e i sprovuar me masakrat që kish bërë në Ethiopi. Për të paralizuar lëvizjen çlirimtare, goditjen e parë e filloi me arrestimin e Ali Lalës e Veledin Zekës. Për lirimin e të arrestuarve drejtuesit e partisë së Kuçit brenda natës organizuan 37 kuçioë të armatosur dhe në orën 3 të mëngjesit të datës 10 nëntor 1942, pasi kishin prerë lidhjet telefonike me Gjirokastrën, Sarandën e Himarën, sulmuan dhe shpartalluan forcat fashiste të karabinierisë ku mbeten të vrarë brigadieri bashkë me karabinierët. Gjithashtu liruan shokët e arrestuar, dogjën gjithë dokumentet sekrete të përgatitura ndaj aktivisten antifashist, çarmatosen milicinë fashiste duke i treguar administratës fashiste se kish përfunduar koha e tyre dhe se për çdo përpjekje e mëtejshme do të kishin të bënin me terren dhe një popull të armatosur që luftonin në mbrojtje të lirisë dhe pavarësisë së vendit të tij. Nga kjo kohë Kuçi u bë zonë e lirë që administrohej nga këshilli nacionalçlirimtar i zgjedhur nga populli dhe komanda e vendit. Të egërsuar nga kjo disfate, armiqtë përpunuan plane për shtypjen e lëvizjes çlirimtare duke përdorur të gjitha forcat dhe metodat si në rrugë ushtarake dhe në rrugë mashtrimi deri ne dërgimin e agjentëve të SIM-it. Kjo vërtetohet nga dokumentet e zbuluara të një oficeri italian i veshur si ushtar gjoja që kish dezertuar nga radhët e ushtrisë italiane në fillim të vitit 1943, i cili erdhi ne Kuç për të zbuluar e marrë informata. Deshmori Birçe Sinemati që e mbikëqyrte, pas disa ditësh i zbuloi një letër, të cilën gjoja ia dërgonte familjes ku ndër të tjera shkruan : Ndodhem në një vend jo shumë larg ishullit të Korfuzit. Këtu ka shumë portokalla dhe disa ullinj, kërkojnë të më fejojnë për këtë duhen jo më pak se 2000 lireta. Nëpërmjet këtij kodi të zbuluar nga Birçe Sinemati, agjenti pohoi se ishte oficer i dërguar në Kuç për zbulim. Me fjalët portokalle kuptohet forcat partizane, ndërsa ullinjte kuptohet elemente pro fashist, kurse 2000 lireta kuptohet forcat që duheshin për të pushtuar Kuçin. Autoritetet fashiste dhe kolaboracionistet nuk mund të pajtoheshin me këtë gjendje që u krijua në Kuç që po merrte shtrirje në të gjithë krahinën. Në fund të dhjetorit 1942 u nis një ekspedite me forca ushtarake nga Gjirokastra e udhëhequr nga vetë prefekti fashist Tahir Kolgjini, i cili, kur arriti në fshatin Gusmar, u informua se kuçiotët e prisnin në Gryken e Shurit, u tërhoq andej nga erdhi. Gjithashtu ekspedita fashisto-balliste me forca të shumta ushtarake e mercenare e 30 nëntorit e njohur si lufta e Gjormit e drejtuar nga koloneli italian Klemendi e mbështetur nga mercenaret e komanduar nga fashisti Halil Alia u shpartallua nga forcat partizane. Një tjetër ekspedite e nisur nga Himara në drejtim të Kuçit në fillim të marsit 1943, por dhe kjo dështoi në kufijtë e Kuçit. Armiku e studioi mirë gjendjen se për të hyrë në Kuç duhej një forcë më e madhe për tu hakmarr. Kështu me 16 prill 1943 pushtuesit fashiste ne bashkëpunim me drejtuesit e Ballit Kombëtare, Ali Këlcyra, Dervish Rexhepi, Ismail Golemi etj. pushtuan Kuçin, dogjën e masakruan banoret e tij. Operacioni u përgatit në fshehtësi duke angazhuar forcat ushtarake të divizionit “Peruxhia” të Gjirokastrës prej 10 mijë ushtarëve të pajisur me mjete luftarake të kohës përfshi tanke e aviacion. Qarkori i partisë së Gjirokastrës nuk dha asnjë informacion për këtë operacion, si rezultat i mungesës së informacionit. Kuçi u gjend i rrethuar si ne vathë. Ishte hera e parë që pushtuesi hodhën në veprim një force kaq të madhe për shtypje e masakrimin e një fshati. Ata synonin shkatërrimin në themel këtë lëvizje të fuqishme të LANC. Armiku e nisi goditjen në drejtimet: Borsh-Fterre Kuç, Borsh-Corraj Kuç, Himarë-Pilur Kuç, Gjirokastër-Golem Kuç, Tepelenë-Progonat Kuç. Në këtë mënyre Kuçi u godit njëherësh nga të gjitha anët si epiqendër e rëndësishme e lëvizjes çlirimtare në qarkun e Gjirokastrës. Qazim Kondi dhe shokë të tjerë që drejtonin forcat partizane të mbrojtjes, studiuan situatën dhe e quajtën të arsyeshme të mos angazhonin forcat e pakta që dispononin në luftë frontale me armikun që ishte superior në forca e mjete. Pas goditjeve të para urdhëruan tërheqjen, shkëputjen e kontakteve me armikun. Me 16 prill 1943 forcat fashiste me hyrjen në kufirin e Kuçit, filluan djegien e shtëpive deri dhe shtrojet e qenve, vrasjet e grabitjet ne mase. Tymi e flaka mbuluan këtë fshat të madhe me 500 shtëpi në flakë. Vendi u pushtua nga uniformat e gjelbëria, prania e gjithë këtyre forcave ngjante se aty kishte zbarkuat gjithë ushtria pushtuese italiane. Gjatë operacionit fashistet munden të kapin në befasi luftëtarët Xhelo Nanagjoka, Istref Gjoligu dhe Sefer Dashi pjesëtare të njësive vullnetare partizane. Të tre luftëtarët i çuan para shtëpisë të Xhelo Nanagjokës të lidhur dorazi dhe i pushkatuan në prani të grave dhe fëmijëve të tyre. Të traumatizuar nga kjo masakër familjaret shpërthyen në vaj e ulërima duke u hedhur mbi trupat e viktimave në përleshje me vrasësit e pashpirte. Fashistet vazhduan dhunën kundër tyre duke i mbyllur të 21 gratë e fëmijët në shtëpinë e Xhelos, i spërkaten me benzine dhe u vunë zjarrin. Munden të shpëtonin nga flakët duke shpërthyer derën dhe ashtu te përzhitur nga flaket munden të largohen për në fshatin fqinje Çorraj. Për tu shpëtuar reprezaljeve të fashisteve, gjithë popullsia e Kuçit u larguan nëpër pyje e male duke marrë vetëm rrobat e trupit. Vdekja i kërcënonte kudo. Humbjet njerëzore e materiale ishin te mëdha. Kuçi është cilësuar nga pushtuesit si “Staligradi Shqiptar‘. Ne Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare nga Kuçi u rreshtuan 600 djem e vajza me arme ne dore. Prej tyre 90 u sakrifikuan ne altarin e lirisë, eshtrat e tyre me vendim qeverie janë të vendosura në varrezat e dëshmoreve ne Kuç. Për këto vlera ne shërbim të lirisë Kuçi është shpallur zonë martire e Luftës së Dytë Botërore. Qëndresën e pamposhtur të kuçioteve poeti e shpreh me vargjet: O Kuçi në Malësi/ mbi shkëmbinj në stuhi/ ke derdhur gjak për liri/ S`ke pranuar robëri. Në këtë 72 vjetor të operacionit hakmarrës të fashisteve italiane dhe ballisto-legalisteve të masakrimit të Kuçit, përulemi me respekt të thellë para gjithë atyre që u sakrifikuan për liri,që me gjakun e tyre të kulluar gatuan lirinë, sovranitetin dhe pavarësinë e këtij vendi.