Dalan BUXHELI/ Gratë e kuçit, krah për krah me burrat në luftën për liri

1016
Sigal

Në ditën e 70-vjetorit të çlirimit, është dhe kontributi i grave kuçiote që luftuan me armë në dorë

Kuçi i Kurveleshit ka një histori të përgjakshme. Çdo pëllëmbë tokë e tij është vaditur me gjak. Luftërat dhe betejat e zhvilluara në këto anë kundër pushtuesve turq, shovinistëve grekë, pushtuesve nazifashist, përbëjnë një veprimtari të gjallë në historinë e Kuçit. Ishin kuçiotët ata që si asnjë fshat tjetër, ngritën në qendër të fshatit flamurin kombëtar me 4 dhjetor 1912 në mbështetje të pavarësisë. Çeta e luftëtarëve kuçiotë me në krye Rrapo Aliun u bë mbështetësja e qeverisë demokratike të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali. Populli i Kuçit i bashkuar si një trup i vetëm gjatë viteve 1912-1914 u bëri një qëndresë heroike forcave ushtarake të shovinistëve grekë që kërkonin të aneksonin krahinën e Kurveleshit me Greqinë. Në këtë luftë në mbështetje të ruajtjes së trojeve të tyre, bashkë me burrat spikat pjesëmarrja masive e grave kuçiote. Për merita të çmuara e luftarake që treguan gjatë viteve 1912-1914 kundër shovinistëve grekë dhe bandave të Spiro Milos, si dhe në luftën e Vlorës së 1920-s kundër pushtuesve italianë, Presidiumi i Kuvendit Popullor me rastin e 50- vjetorit të Pavarësisë, dekoroi me urdhra e medalje luftëtaret e lirisë, pjesëmarrëse në këto luftëra ishin: Dudi Beqiraj, Sado Gjoligaj, Qenere Buxheli, Menekshe Miftari, Selvi Meçaj e Zalika Korvafaj, duke thyer skllavërinë e regjimit antipopullor të të vetëshpallurit, të palo mbretit Zog, mizoria e këtij regjimi del qartë në fjalën e Fan Nolit kundër Ali bej Këlcyrës mbajtur në Parlament me 16 mars 1929. “Se a duhet të dalë gruaja e zbuluar apo e pazbuluar, kjo nuk ka shumë rëndësi, por duhet të  na tërheqë vëmendjen gjendja e mjeruar në të cilën ndodhet gruaja shqiptare dhe për këtë, do t’u sjell një shembull se sa heqin edhe ato gra të zbuluara. Kur kam vajtur nga Vlora në Tepelenë, Elbasan e Tiranë kam parë katundarka të zbuluara, të cilat punonin e mundoheshin si shtaza sa të vjen me qa, kurse burrat e tyre rrinin pa punë dhe prisnin që për çdo gjë t’u ngriheshin në këmbë ato të mjera”.

Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare i bëri pluhur e hi kanunet mesjetare, duke u dhënë grave të drejta të barabarta me burrat. Që nga fillimi i vitit 1942 në Kuç u krijuan njësi partizane të armatosura, në të cilat merrnin pjesë shumë gra dhe vajza, aksioni i parë kundër pushtuesve fashist u organizua për eliminimin e pushtetit fashist të përbërë nga karabinierë italianë e 100 milicë që kishin filluar arrestimet e përndjekjen e antifashistëve kuçiotë. Nën drejtimin e Heronjve të Popullit, Mustafa Matohiti e Memo Meto, në orën 4 të mëngjesit të datës 10 nëntor 1942 filloi sulmi. Në ndihmë të forcave partizane u erdhën shumë fshatarë të armatosur duke formuar kështu një forcë të madhe prej rreth250 vetë, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin të rinj e të reja. Në këtë aksion u dalluan Hazbije Muharremaj, Fato Elmazi, Pestrove Gjokutaj, Xhevo Baraj, shume të tjera u angazhuan në vëzhgimin e rrugëve të lëvizjes së armikut që mund të vinte në ndihmë forcave të rrethuara, të cilat u shpartalluan dhe që nga kjo kohë, Kuçi mbeti zonë e lirë që qeverisej nga Këshilli Nacionalçlirimtar. I frymëzuar nga kjo fitore, “Heroi i Popullit” Shefqet Peçi nga burgu i Gjirokastrës i drejtohet Kuçit me vargjet: – Kuçi në gropë e në anë/ Do këndojë me krenari/ Uroj Kurveleshin mbarë/ Të marrë shembull aty/. Ju dërgoj zemrën time/ Që vuan në robëri/ Me sukses dalçi nga hera/ Luftoni për Shqipëri!/.”

Kuçi gjatë Luftës së Dytë Botërore, si kryeqendër e Kurveleshit dhe labeve, luajti një rol vendimtar, me rëndësi të veçantë historike të gjithë Kurveleshit dhe krahinave përreth. Pushtuesit nazifashistë bashkë me krerët e Ballit Kombëtar, duke ndjerë rrezikun që u kanosej, përdoren gjithë format e dredhitë për shtypjen e lëvizjes partizane të armatosur. Pasi dështuan me oferta ndihmash në ushqime e para, ndërmorën 8 operacione ushtarake ndëshkuese duke djegur shtëpitë e  duke grabitur mjetet e jetesës. Gjatë operacionit të dimrit 1943-1944 që zgjati nga 20 dhjetori 1943 deri  me 20 shkurt 1944, nazistët të mbështetur nga ballistët u stacionuan në Kuç dhe këdo që kapnin e pushkatonin,mundën të kapin me 9 shkurt 1944 ku ishin fshehur dhe pushkatuan 27 fshatarë të pafajshëm, midis të pushkatuarve pati dhe gra e fëmijë. Terrori nazisto-ballist rriti së tepërmi urrejtjen e popullit dhe forcoi lidhjet e tij me partizanët. Të shumta kanë qenë ndihmat e dhëna forcave partizane në ushqime, larje, veshmbathje, mjekime të sëmurëve e të plagosurve nga gratë kuçiote siç janë: Merjo Beqiraj, Selime Gjokutaj, Hamide Sulaj, Salo Deutaj, Merushe Lamaj, Zilo Buxheli, Tike Zemanaj, Afo Gjoligaj, Zenepe Idrizaj, Durime Baraj, Farfuri Shehaj etj.. Për vendosmërinë e mbështetjen e gjithanshme të grave kuçiote në dimrin e acartë të atyre viteve të lavdishme, veterani Barjam Zahaj në ditarin e tij shkruan: “Në ditët e para të janarit të vitit 1944 ne ishim vendosur në pyjet e Kuçit duke lëvizur në boren e shiun që binte pa pushim. I afrohemi një shpelle ku ishte strehuar një grua e quajtura Sheko Idrizi me pesë fëmijë të vegjël. Kishte vënë një kusi bakri dhe gatuante elb për të ushqyer fëmijët. Ajo sa na pa na u hodh në qafë me përzemërsi dhe na ftoi pranë zjarrit. Na tha se do na jepte pak elb të zier, se gjë tjetër nuk kishte. Ne duke parë gjendjen e mjeruar të fëmijëve që rrinin rreth zjarrit e refuzuam elbin, megjithëse ishim shumë të uritur, por ajo nguli këmbë dhe gjithë elbin na e ndau neve partizanëve duke thënë se ka mbetur edhe një grusht për t’ua zier fëmijëve. Këtë bujari nuk mund ta harroj kurrë”. Këto gra e vajza vitale që përbënin forcën vendimtare të prapavijës mbështetëse të forcave aktive të njësive partizane, kryen akte të papara humane e njerëzore në shërbim të fitores mbi pushtuesit dhe udhërrëfyesit ballisto-zogist, të rrezikuara me jetë prej tyre nuk u tërhoqën dhe fituan. Vepra e tyre heroike fatkeqësisht mbeti e pa vlerësuar, as dje e as sot nga qeveritë që vijnë e shkojnë, që mbushin gazetat e televizionet me programe e premtime të pa mbajtura. Midis grave e vajzave që vepronin në prapavijë, disa prej tyre u rreshtuan me armë në dorë në brigadat partizane siç janë: Vito Kondi, Hazbo Luci Bibo Gjoligu, Sabo Nani, Zonje Korvafi, Vito Aliaj Fato e Naze Elmazi, disa prej këtyre vijuan luftimet me brigadat ku bënin pjesë deri në Vishegrad. Pjesëmarrja masive e popullit të Kuçit në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare i kushtoi jetën 90 dëshmorëve të atdheut, lules së rinisë kuçiote, numër ky i pakrahasueshëm në raport me numrin e popullsisë dhe territorin me disa rrethe të vendit, përfshire dhe 8 gra e vajza si: Trëndafile Denaj, Haire Xhemali, Afo Fejzaj, Trëndafile Aliaj, Aleme Bishaj, Belere Korrockaj, Nure Xhaferaj e Shano Brahimaj që dhanë jetën për lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Për këto merita të veçanta Kuçi është shpallur fshat “Martir i Luftës së Dytë Botërore. Nga Organizata Botërore e vendeve martire dhe Paqes në Bolonja, Itali. Kuçi është dalluar edhe për organizimin e shumë kuvendeve të krahinës së Kurveleshit me 1920- ten ku u dha porosia për mbledhjen e armëve kundër pushtuesve italianë. Kuvendi i Labërisë, mbajtur në vitin 1924, me pjesëmarrje të gjerë edhe nga krahina të tjera të vendit për të drejtat njerëzore ku u vendosen një seri rregullash, të cilat parandalonin gjakmarrjen, ndalimin e martesës së fëmijëve që në djep si dhe lehtësimin e  detyrimeve të gruas. Për akomodimin e delegatëve të vendosur në qendra të caktuara u aktivizuan 30 gra në përgatitjen e gatimin e ushqimeve. Sami Frashëri shkruante se një shoqëri është aq e përparuar sa është e përparuar edhe gruaja, jo thjeshtë si një objekt seksual e amvise e thjeshtë, por  e emancipuar dhe e integruar në shoqëri. Me rastin e 70 -vjetorit të çlirimit të Atdheut, kujtojmë me respekt të thellë veprën heroike të grave e vajzave kuçiote që u përfshinë dhe luftuan për jetë a vdekje me armë në dorë në formacionet e rregullta partizane e në prapavijë kundër pushtuesve e lehaqenve ballisto-zogist, të cilët bëjnë gjithë përpjekjet për mohimin e denigrimin e saj. Udha që ato ndoqën është e tëra udhë zjarresh. Gjithë brezat e Nënës Shqipëri vijnë në udhën e tyre e marrin dritë nga drita e tyre e kuqe. Ndezin pishtarët e shpirtit dhe përflakin udhët e së ardhmes. Kjo është udha më e bukur e një kombi. Sepse ajo zbukurohet pikërisht me gjakun e bijve e bijave të tij më të mirë.