Dalan Buxheli/ 71 vjetori i luftës heroike të partizanëve në Tendën e Qypit

789
Sigal

20 janar 1944, sulmi i partizanëve ndaj pushtuesve gjermanë dhe fitorja heroike në më shumë se tre orë luftime

Me urdhër të komandantit të Brigadës, Mehmet Shehu, secili partizan ishte i preokupuar për të zbatuar në kohë urdhrin e komandantit. Prandaj partizanët marshonin me shpejtësi të madhe. Shëmbëllin si përherë e jepnin komunistët. Terreni ishte malor, tepër i thyer. Lëvizja bëhej nga poshtë lart, rrugë pa rrugë, përmes shkurreve, monopateve, rrëkeve e përrenjve për të arritur sa më parë objektivin e caktuar. Duke iu ngjitur pjerrësirave nga ana e Deshnicës, nga drejtimi i Tendës së Qypit, vinte oshtima e predhave të topave dhe murtajave gjermane, ku luftonin grupi i Skraparit dhe batalioni i trete i Brigadës. Siç dukej, armiku përpiqej të kapnin kurrizin Tenda e Qypit-Taroninë, që ndan Skraparin me Deshnicën. Ato synonin për të krijuar kushte për forcat e tyre që vinin nga qafa e Kicokut për të kaluar lehtësisht gjatë xhadesë, për të evituar goditjen nga forcat partizane në krahë. Marshimi i shpejtë mundësoi arritjen në kohë, në mbështetje të batalionit të tretë dhe grupit të Skraparit për mposhtjen e forcave të shumta naziste. Menjëherë forcat e batalionit të parë kaluan në veprim për kapjen e kreshtave e kodrat e Tendës së Qypit përpara se të arrinte kundërshtari për të krijuar kështu kushte të favorshme për të sulmuar atë nga lart. Afër qafës së Tendës së Qypit ndeshën trupat e partizanëve të vrarë të batalionit të tretë, Mefail Rozani, Sotir Bulgareci, Piro Palla, Piro Gazepi gjithsej 9 luftëtarë. Ata i kishin tërhequr deri aty shokët. Dhimbja për shokët e rënë mbushi më shumë urrejtje për tu ndeshur me nazistët, përveç të rënëve ishte plagosur rëndë edhe komandanti i batalionit të tretë Gjeli Argjiri, zv. komandanti i Shtabit të Qarkut të Beratit, Zylyftar Veleshnja dhe Iljaz Sevrani, komisari i grupit të tretë të Skraparit. Borizani i Brigadës, partizani Haki Kapaj, kishte marrë një plagë plumbi në fyt. Gjaku i shkonte çurke, por ai nuk u largua nga luftimi, duke frymëzuar partizanët me borie në sulm. Pa humbur kohë, me urdhër të komandantit të Brigadës, dy kompani, e para dhe e dyta, të batalionit të parë, kaluan në kundërsulm për thyerjen e sulmit dhe asgjësimin e armikut që po ngjitej përpjetë nga drejtimi i Çorovodës, për të dalë në Tendën e Qypit, ku armiku kishte përqendruar forcat kryesore. Gjermanët, porsa diktuan forcat partizane, hapen zjarr të dendur me të gjitha armët. Nga zjarri i artilerisë, pushkëve, mitralozave dhe granatave të dorës, toka përreth digjej në flakë e zjarr. Por kundërsulmin e partizanëve nuk kishte forcë që ta ndalonte. Ai ishte i fuqishëm si ortek, që përlan çdo gjë që i del përpara. Partizanët nuk përmbaheshin në sulm, deri edhe në ndeshje trup me trup me nazistët gjermanë. Me bomba dore derdhen kundër hitlerianëve Zeno Sulce, Luto Besimi, Lesko Hajro, Zeno Bine, Neta Dume, Sadush Cune, Mehdi Taka e shokë të tjerë, të cilët në luftimet që zhvilluan, dhanë jetën për lirinë e atdheut. Pas një qëndrese të dëshpëruar, armiku u shkul nga pozicionet dhe mori tatëpjetë brigjeve e pyjeve, në drejtim të Çorovodës, duke lënë në fushën e luftimit shumë të vrarë, të plagosur e materiale luftarake. Në radhët e armikut u përhap hutim e panik i madh. Nëpër pozicione mbeten të vrarë, ndërsa të plagosurit tërhiqeshin zvarrë ose rrokulliseshin si trungje tatëpjetë pjerrësive të kodrave, kurrizeve e pyjeve. Me gjithë humbjet e rënda, armiku riorganizoi forcat dhe kaloi në kundërsulm. Luftimi u ndez i ashpër dhe mori karakterin e një ndeshjeje epike. Kundërshtari u la të afrohej në distancë 40-50m, pastaj ndaj tij u hap zjarr i dendur, që e ndali në vend. Në vijën e parë të përleshjes me gjermanët, ndodhej dhe partizania Neta (Inajete) Dumi, nga Gjirokastra. Ishte një luftëtare që nuk i trembej vdekjes. Nga një plumb i saj mbeti i vrarë një nazist. Neta i mori automatikun dhe me një breshëri shtriu për tokë edhe tre nazistë të tjerë. Në krah të majtë të sulmit ndodhej komunisti Sulo Buxheli nga Kuçi. Atij ju mbaruan fishekët dhe mbeti vetëm me një granatë në dorë. Me të në dorë, sulmoi drejt nga mitralozi armik, që pengonte ecjen përpara. Asgjësoi mitrailerin, mori mitralozin dhe filloi të gjuante gjermanët, duke lënë shumë nazistë të vrarë. Kur panë se mitralozi i tyre ra në duart e partizanëve, gjermanët vunë në përdorim artilerinë. Një predhë e saj e goditi Sulon, që u vra duke luftuar heroikisht. Ago Topulli nipi i Cerciz Topullit, ose Çeçua i vogël siç i thërrisnin shokët, ishte partizani më i ri në moshë, u ndodh midis një skuadre gjermane, por nuk u tremb, u ndesh me ta por një plumb nazist e mori në ballë dhe gjaku i tij i pastër vaditi token mëmë.  Kur errësira e natës po mbulonte vendin, armiku ishte vënë në ikje, në drejtim të Çorovodës. Ndjekja e tij vazhdoi deri në errësirën e plotë, me asgjësimin dhe shpartallimin e plotë dhe se nuk ishin në gjendje të ndërmerrnin veprime luftarake, komandanti i Brigadës urdhëroi ndalimin e veprimeve luftarake duke kapur tërësisht Tendën e Qypit. Gjatë luftimeve, armiku la 120 ushtarë e oficerë të vrarë dhe sasi të konsiderueshme materiale luftarake. Aty, në majë të malit, në mes të të ftohtit të madh të janarit, në dëborë e në ngricë, partizanët qëndruan gjithë natën në gatishmëri. Bashkë me partizanët, në majë të malit e kaloi natën edhe komandanti i Brigadës, Mehmet Shehu. Ai tregoi kujdes të veçantë që partizanët të mos ngrinin nga të ftohtit. Mëngjesi i 21 janarit i gjeti partizanët me rroba të ngrira nga të ftohtit, pasi as zjarr nuk mund të ndiznin për  mos tu diktuar nga armiku, ndërsa tregonin kujdes të veçantë për mbajtjen e armëve në gatishmëri. Luftimet e Tendës së Qypit morën pothuaj karakterin e një lufte të rregullt frontale. Ajo përfshiu një brez të gjerë, nga Tenda e Qypit deri në qafën e Kiçokut. Që nga dita e parë, luftimet u zhvilluan vetëm me hitlerianët, ndërsa mercenarët e Ballit Kombëtar ende nuk ishin dukur. Këto forca i kishin kryq e tërthor Gores, Oparit, Tomoricës, Skraparit, duke tentuar për të dalë në Tendën e Qypit dhe të zbrisnin në Këlcyrë, për tu bashkuar me forcat që vinin nga Berati, për të hyrë të bashkuar në Përmet. Këto banda, duke përfituar nga operacioni i forcave gjermane, duke kaluar në këto fshatra filluan plaçkitjen në popull, duke u rrëmbyer atyre bereqetin e gjënë e gjallë, duke i kërcënuar se në rast se do të bashkoheshin me Frontin Nacionalçlirimtar do ti pushkatonin. Këto forca komandoheshin nga Refat Pavari e Gani Zhapova. Me këta mercenarë u zhvilluan luftime të ashpra që zgjatën mbi tre orë. Duke parë se nuk mund të qëndronin më tej, u tërhoqën në thellësi. Kështu, krahina e Deshnicës u spastrua nga bandat tradhtare të Ballit Kombëtar. Në çdo luftim të zhvilluar me mercenarë të Ballit Kombëtar, robërit këshilloheshin duke i lënë të lirë për të shkuar pranë familjeve të tyre, kështu u veprua edhe me robërit e kapur në këto luftime. Në luftimet e ashpra të Tendës së Qypit ranë për të mos u harruar kurrë nga zemra dhe kujtimi ynë, 13 vetë, luftëtarët më të mirë të kësaj Brigade. Homazhe këtyre djemve dhe vajzave dëshmore të Atdheut, të cilët me veprën e tyre të pavdekshme bënë të mundur Shqipërinë e lirë e të pavarur.