Ç’thoshte Mihal Grameno për Lushnjën e vitit 1908

1442
Sigal

Mihal Grameno u lind në Korçë në vitin 1871, në një familje atdhetare nga shtresa zejtare dhe tregtare. Në moshë të re mërgoi në Bukuresht, ku u lidh me shoqërinë “Drita”. Hyri në lëvizjen kombëtare që nga fundi i shek. XIX. Në vitet 1907-1908 luftoi në radhët e çetës së Çerçiz Topullit. Në Janar të vitit 1908 citohet të ketë ardhur në Lushnjë, bashkë me Çerçiz Topullin, Hajredin Tremishti e të tjerë. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit. Për veprimtarinë e tij u dënua disa herë me burgim prej qeverisë osmane. Pas shpërthimit të Luftës I Botërore u detyrua të largohej në ShBA, ku vazhdoi të punojë për çështjen kombëtare deri më 1920, kur u kthye në atdhe. Në vitet 1921-1924 citohet të ishte një nga veprimtarët më të dëgjuar të lëvizjes demokratike.

Krijimet e para letrare e publicistike të Mihal Gramenos panë dritën e botimit në fillim të shek. XX. Ai hartoi këngë patriotike, disa prej të cilave, si “Për mëmëdhenë”, “Lamtumirë”, “Uratë për liri” të cilat u përhapën gjerësisht në popull. Është ndër nismëtarët e dramaturgjisë e të prozës së gjatë shqipe. Shkroi komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe”(1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros”(1906) që trajtojnë tematikën patriotike, gjithashtu shkroi novelën “Oxhaku” (1904-1905), “Varri i pagëzimit” (1909) , “E puthura” (1909), në të cilat gjeti pasqyrimin me nota sentimentale jeta e përfaqësuesve të vegjëlisë, me brengat e saj të përditshme.

Fusha ku spikati talenti i Mihal Gramenos është publicistika. Ai bashkëpunoi me disa organe, por shumicën e shkrimeve e botoi në gazetat “Lidhja orthodhokse” në Korçë (1909-1910), dhe “Koha” në ShBA (1911-1926), në të cilat botoi artikuj, prozë, poezi dhe drama. Përpos aktivitetit letrar dhe publicistik në kërkimin tonë ne do ndalemi pakëz në udhëtimin e tij në Lushnjë?

Çfarë tregon ai për këtë qytet në kujtimet e tij?

Aty thuhet: “Si ndenjëm dy ditë në Melan në Papa Stathaqi, një atdhetar i flaktë, shkuam në Lushnjë ditën e Motit të Ri, që ishte bashkë me bajramin ku na pritën e gostitën fort bukur për tri ditë. Nuk mund të stolis bukuritë e këtyre vendeve, të cilat natyra i ka zbuluar sa vetëm për panoramat mund të shohin të këtilla bukurira. Pas bukurisë së vendit janë stolisur edhe njerëzit, si nga bukuria ashtu edhe nga karakteri. Lushnja megjithëse është një fshat muhamedan ka një kishë, Shën Kollin, e vendosur në një breg të lartë e të bukur. Fshatarë gjithnjë venë e i ndezin kandil….”

Po kisha e Shën Kollit në Lushnjë? Me sa dimë, nga burimet historike në qytetin e Lushnjes, nuk ka pasur ndonjë kishë me emrin “Shën Kolli”. Atëherë?

Në kohën kur Mihal Grameno erdhi në Lushnjë, kishte vetëm një kishë, “Shën e Premte”, ndërsa kisha e “Shën Gjergjit” nuk ishte ndërtuar akoma. Ndoshta Mihal Grameno e ka fjalën për kishën e “Shën Kollit” në Stan-Karbunarë? Fakti që ai përmend se kisha ngrihej në një breg të lartë na shtyn të mendojmë, që ai i referohet kësaj kishe. Gjithsesi e rëndësishme është që thelbi i këtij përshkrimi i shkon për shtat Lushnjës, dhe banorëve të saj njëkohësisht dhe bukurive magjepse të kësaj krahine.

Niko Ferro

Muarrem Sharka